Mittwoch, 5. August 2015

Gjaku nuk bëhet ujë



GJAKU NUK BËHET UJË 

Nga Sabit ABDYLI

Qe nga dita kur u arratiset Islami prindërit, motrat, farefisi humbin lidhjet me të, duke jetuar me vite të tëra në ankth pa ditur është apo nuk është gjallë Islami
Në fund të vitit 1975, kur morën lajmin e hidhur për vdekjen e Islamit motrat kanë qarë në fshehtësi, në fshehtësi janë djegur e përvëluar për të mësuar se vërtet ndërroi jetë Islami, apo ndoshta është gjallë, nëse ka vdekur a pati kush ta varrosë, ku prehet trupi i tij pa jetë, çka u bë me trashëgimtarin e tij...?

Gjatë qëndrimit në Tiranë mësova pse isha me “karakter ndryshe” nga rrethi ku u rrita, në Shqipëri mësova se në dejtë e mi rrjedh gjak shqiptari dhe për ketë jam krenar. Ja shihe, më thotë, duke hequr xhaketën dhe me tregon tatuazhin, shqiponjën me dy krerë, në krahun e majtë, kurse në veturë kish varur  flamurin shqiptar.

Derisa po bisedoja për ardhjet e para të shqiptareve në Zelandë të Re dhe në mesin e ardhësve sa përmenda emrin e Islam Kullës, bashkëbiseduesi Enis Baçova i ardhur nga Tirana, me shtetësi neozelandeze, student i magjistraturës në Shkollën e Ligjit pranë Universitetit te Aucklandit, më thotë:

“E di historinë e këtij personi që e përmende?”

Po -  i them – ishte nga Korça, në moshën 16-vjeçare arratiset së pari në Greqi, 1948 dhe pastaj me grupin e emigrantëve shqiptarë vjen më 1 maj 1951 këtu në Zelandë, tashmë i ndjerë.

Për ketë jam i informuar nga Petrit Alliu, /1930/  person i cili edhe vetë është arratisur nga Shqipëria, së pari në Stamboll dhe pastaj ka udhëtuar me të njëjtin  vapor me Islam Kullën dhe emigrantët e tjerë. Duhet pranuar se secili prej këtyre emigrantëve, si pasojë e përndjekjeve të egra të regjimit komunist u detyruan të merrnin në sy çdo  rrezik dhe u arratisën kush si mundën. Fundja kush nuk ka dëgjuar, lexuar rrëfimet e tyre rrëqethëse e të dhimbshme.

 “Ka gati një vit që po merrem me historinë e Islamit, ndërhyri Enisi. Historia e tij është tepër e dhimbshme. Që nga dita kur u arratiset Islami  prindërit, motrat, farefisi humbin lidhjet me të, duke jetuar me vite të tëra në ankth pa ditur është apo nuk është gjallë Islami, kurse në anën tjetër, regjimi komunist i burgosi e i persekutoj pamëshirshëm. Motrën e madhe të Islamit e mbajnë, e torturojnë për 8 muaj rresht në hetuesi. Tri ditë pasi e lirojnë si të pafajshme, vdes. Familjarët e saj nuk u lejuan të marrin pjesë në varrimin, lamtumirën e fundit të së ndjerës. Kullajt u goditën në mënyrë më barbare nga vorbulla e luftës së klasave duke i  trajtuar si armiq e kundërshtarë të shtetit për 50 vjet me radhë. Në fund të vitit 1975 kur morën lajmin e hidhur për vdekjen e Islamit, motrat kanë qarë në fshehtësi, në fshehtësi janë djegur e përvëluar për të mësuar se vërtet ndërroi jetë Isalmi apo ndoshta është gjallë, nëse ka vdekur a pati kush ta varroste, ku prehet trupi i tij pa jetë, çka u bë me trashëgimtarin e tij...? Me hapjen e Shqipërisë, mbesa e Islamit vendoset në Belgjikë. Nga Belgjika vajza e mbesës Erisa, nis gjurmimet për të mësuar të vërtetën ne lidhje me Islam Kullën. Me të marrë vesh për këtë iniciativë të Erisës dhe i prekur shpirtërisht me ketë dramë të dhimbshme iu përvesha punës për ta ndihmuar motrën Diture, gjyshen e Erisës.

E kërkoja trashëgimtarin e Islamit me emrin Arben e gjeta me emrin Richard. Pas shumë peripecive, hulumtimeve gati njëvjeçare në zyrat e gjendjes civile, në Arkivat e Departamentit të Punëve te Brendshme, në... pata sukses dhe gjeta të dhënat se: Islami është martuar me Patrica Walton në vitin 1966. Po atë vit ata janë bërë me një djalë, i cili është regjistruar me emrin Richard Xhemali Kulla, pra jo Arben siç mendohej. Ne vitin 1974 Isalmi e Patrica janë ndarë. Në vitin 1975 Islami është ndarë nga kjo jetë. Pas ndarjes Patricia  ia ka ndryshuar të birit prej Richard Xhemali Kulla ne: Richard Thomas Mulvena. Ky ndryshim më nxori shume telashe gjatë kërkimit, por sidoqoftë me 29.3.2006, enigma u zbardh, arrita ta kisha në dorë adresën, numrin e telefonit të Richardit, trashëgimtarit të Isalm Kulles. E thërras në telefon Richardin. U befasua. Mbeti pa fjalë. Megjithatë e mori veten shpejt... kujtoj që tha – një sekondë Enis, sa ta marr një karrige. U gëzua jashtë mase. Ndër të tjera më tha se qysh si fëmijë ka dashur të gjejë rrënjët, trungun, gjakun, fisin e vet, por nuk ka mundur. Me nuanca të paqëndrueshme të zërit  përfundoi – ky lajm është dhuratë më e ëmbël, më e mirë, me e shtrenjtë për ditëlindjen time të 40-të, që po përgatitem ta festoj më 2 prill. Ja pra, edhe një arsye më shumë për Richardin që më 2 prill të jetë dyfish i lumtur – mendova dhe, i trazuar mezi e mbaja receptorin e telefonit në dorë. Sidoqoftë, tashmë Richardi është në lidhje me hallën Diturie, kushërirën Erisa, me ... dhe po bëhet gati që sa me shpejt të jetë e mundur te niset për te halla, kushërinjtë, te njerëzit e gjakut të tij në Shqipëri, të cilët gjashtë dekada  po presin një lajm prej Ishullit të largët dhe, mirësia e Zotit deshi që ky lajm të jete i gëzuar për ta.” – përfundoi Enisi. Richard Thomas Mulvena këto ditë u kthye nga vizita në Shqipëri, atje Richardi ka takuar njerëzit e babait, hallën, kushërinjtë dhe i ngazëllyer me pritjen flet me admirim, entuziazëm për gjithë ato që i ka përjetuar, parë në Tiranë. “Gjithmonë nëna, shokët me thoshin prej nga ti me këtë karakter ndryshe nga të tjerët, i rrëmbyer, i dhembshur, inatçi, dorëlirë, i afërt me njerëz, i gatshëm për t’i dalë në ndihmë të ligshtit, të pambrojturit, asnjëherë nuk dija si t’u thosha, si t’u përgjigjesha. Gjatë qëndrimit në Tiranë mësova pse isha me “karakter ndryshe” nga rrethi ku u rrita, në Shqipëri mësova se në dejtë e mi rrjedh gjak shqiptari dhe për këtë jam krenar.

Ja shihe, - më thotë, duke hequr xhaketën dhe me tregon tatuazhin, shqiponjën me dy krerë, në krahun e majtë, kurse në veturë kishte varur flamurin shqiptar. Do të kthehem në Tiranë, atje do të jem për Vitin e Ri, gjaku ujë nuk bëhet. Gëzohem që tashmë nuk jam fill i vetëm, por kam shumë njerëz të fisit tim, mburrem me historinë aq të bujshme të babait, gjyshit tim, kënaqesha kur më thoshin “pinjolli i Isalm Kullës”. Sa e sa herë, vazhdoi Richardi, më kujtohet  momenti kur takova babin për herë të fundit. Ngrohtësinë e atij takimi kurrë nuk e harroj. Më qafoi e ledhatoi, më foli ëmbël-ëmbël sa nuk  mund ta imagjinoni, prandaj këto ditë do ta nis procedurën për kthimin e mbiemrit Kulla dhe do ta mbaj me nder për jetë të jetës. Do ta mësoj edhe gjuhën shqipe. Këto ia kam borxh babait.... Të ju them edhe këtë, pas vizitës në Tiranë për mua ka filluar një jetë më dinamike, më e vrullshme dhe shumë interesante – më tha në fund  të bisedës Richardi.

Sonntag, 19. Juli 2015

Harmonia fetare dhe kombëtare e mërgimtarëve

Nga Makfire Maqedonci Canolli

Në qytetzën ku banoj unë dhe familja ime e quajtur Canajoharie e cila ndodhet jo shumë larg kryeqytetit të New Yorku-t me emrin Albany, jetojnë 6-8000 banorë amerikanë ku në mesin e tyre ishim edhe tri familje shqipëtare ku për ironi të fatit ishim që të trija me religjione të ndryshme, muslimane, katolike dhe orthodokse, por jo vetëm kaq njëra nga këto familje ishte me të dy fetë e bashkuar kryefamiljari Aleksandri i përkiste fesë orthodokse ndërsa bashkëshortja e tij ishte nga feja katolike. Bashkëshorti ishte nga Shqipëria ndërsa zonja e tij vinte nga Mali i Zi dhe së bashku i kishin edhe dy vajza të bukura qe quheshin Aleksandra dhe Albana!

Ata e kishin edhe biznesin e tyre të cilin e kan edhe sot, një restoran mesatar qe quhet "Mercato"! Ne në fillim banonim në një vend tjetër nja 18 mile larg këtu dhe për fat ishim të vetmit shqipëtarë në atë vend dhe një ditë një mik amerikan i tregon bashkëshortit tim se jo larg jush ndodhet edhe një familje tjetë shqipëtare. Ne u gëzuam dhe menjëhere u përpoqem t'i gjenim dhe të binim në kontakt me ta. Një ditë familjarisht u nisëm pë në restoranin e tyre të drekojmë dhe të njihemi nga afër me ta. na pritën ashtu siq e ka zakon shqipëtari me buzëqeshje e përqafime dhe thua se njiheshim prej kohësh por qe nuk ishim takuar një kohë të gjatë. ndenjëm e drekuam së bashku, u çmallëm e i harruam brengat e hallet e mërgimit dhe u përqafuam me lotë në sy me shpresën dhe dëshirën qe të takohemi sërish. Pas asaj vizite unë menjëherë u interesova qe edhe ne të bëhemi banorë të kësaj qytetze pasi dëgjova fjalë të mira nga ata dhe ajo që më bëri përshtypje ishte shkolla për fëmijët kur dëgjova se mbrenda saj është një staf i mrekullueshëm i mësueseve dhe ishte një ndër shkollat më të dalluara në gjithë Amerikën! Nga ana tjetër kisha dëshirë të jemi bashk me këtë familje të mrekullueshme. Kuptova se nuk ishin vetëm ata ishte edhe një familje tjetër shqiptare por qe edhe ajo i përkiste besimit krishter pra ishte znj. Maria me dy vajzat e saj dhe një djalë. Pas disa ditësh ne e vendosëm ta blejmë shtëpinë tonë dhe pas procedurave të plotësimit të dokumenteve dhe kontratës mes shitësit dhe neve s'i blerës përfundimisht u vendosëm në shtëpi dhe u bëmë banorë të kësaj qytetze ku jetojmë edhe sot.


Unë fillova të punoj në një fabrikë ku për fat punonte edhe Maria me vajzën e saj dhe dita kalonte për mrekulli sa qe shpesh harroja se ndodheshim në Amerikë, më dukej se ishim në Kosovë për vetë faktin se ishim nonstop bashk s'i në punë, ashtu edhe gjat pushimeve qe i bënim ndërmjet orarit të punës dhe çkado qe kishim për të ngrënë e pirë e ndanim së bashku s'i motra. Por edhe pas orarit të punës e vizitonim njëra tjetrën, bashkoheshim për drek apo darkë në fundjavë pa e harruar edhe familjen tjetër të Aleksandrit dhe Shaqes! Kur kishim festa si kjo e stomja e Bajramit ata vinin dhe na uronin me dashamirësi e bashkoheshin me ne por edhe ne kur ishte festa e pashkëve apo ajo e Kërshëndellave ishim aty në mesin e tyre. E bëmë traditë qe kur ishte festa e Bajramit ku për fat ne i kemi dy lloj Bajramash ata ishin gjithmonë te ne dhe festonim së bashku, kur ishin Pashkët ishim të ftuar në restoranin e familjes së Shaqes dhe kur ishin Kërshëndellat shkonim te Marija! Një natë ishim të tri familjet bashkarisht në restoranin e Aleksandrit dhe ne të rriturit ishim në një tavolinë, ndërsa fëmijët tanë ishin ulur bashkarisht në një tavolinë tjetër. Të gjithë qeshnim, bisedonim, tregonim ndonjë barcoletë, darkonim bashkarisht dhe herë pas here une ia merrja këngës:


Moj e bukura moreee si të lash e më s'të pashë,
si të lashë, si të lashë, si të lashë e më s'të pashë!
E pastaj e filloja këngën:
Ne jem tosk e ne jem gegë
jem një lis o me dy degë,
nuk ka fe as s'ka parti
qe përqanë këtë shqiptari!!!


Ata duke qeshur e vazhdonin s'i refren pas meje dhe kështu shpesh herë na zinte mesi i natës gjer në oret e para të mëngjesit duke kënduar e duke u kënaqur mes veti të tri familjet tona pavarësisht qe i takonim besimeve të ndryshme ishte gjuha, gjaku, Flamuri e Atdheu qe na bashkonin!


Shpeshë herë mysafirët amerikanë aty në restoran na shiqonin duke qeshur dhe na pyesnin ç'farë po këndoni dhe kur pronari i lokalit u tregonte se ç'farë po këndojmë dhe se ne ishim me besime të ndryshme fetare por qe ishim të gjithë shqipëtarë ata buzëqeshnin dhe na duartrokisnin duke na thënë: JU LUMTË!


Kështu filloi ta kuptoj e gjithë qytetza se pavarsisht se i takonim tri feve të ndryshme ne ishim shqiptarë dhe se pak kishte rëndësi ajo çështje pasi qe të gjithë ne e thonim me krenari se ne na bashkon një Zot dhe një Atdhe bashk me Flamurin kuq e zi dhe kjo është ajo qe ne kemi dashuri dhe respekt për njëri tjetrin!


Sot i kujtoj me mallë ato ditë dhe sa do të doja qe sërish të bashkohemi por familja e Maries u largua pas disa vitesh dhe u vendosë në një qytet tjetër larg neshë pasi ju rritën fëmijët. Vajzat e Aleksandrit dhe Shaqes edhe ato u larguan për studime, po ashtu edhe vajzat tona i morrë krahët s'i zogjët shtegtarë, Shaqja ka mbetur e vetme me biznesin e saj dhe sa herë bëhemi bashk i kujtojmë me nostalgji ato ditë e netë qe i kaluam së bashku!


Një gjë më bënë krenare qe sa herë i takoj fqinjët dhe viztiroët e lokalit " Mërcato" e pamundur është pa më thënë: " Ju shqiptarët jeni shembulli më i mirë i tolerancës fetare"1 Dhe unë me buzëqeshje u themë;
Faleminderit, por kështu na mësuan prindërit tanë dhe ne e kemi obligim ta përcjellim te fëmijët tanë këtë dashuri, pavarësisht cilit religjion i takojmë ne jemi shqipëtarë dhe e duam njëri tjetrin!


Pra, pavarësisht se ishim të krahinave të ndryshme apo i përkisnim feve të ndryshme mjaftonte për ne qe të gjithë e kishim nënë Shqipërinë!!!


17 Korrik 2015

Freitag, 22. Mai 2015

Haxhi Muhaxheri - Tetë poezi


SHQIPËRIA

Ishte nuse
që ia kishin zili perënditë

Nga shkëlqim i nurit të saj
dritë merrte edhe dielli

Kahmot e lakmonin
kodoshet e Olimpit

Ajo nuk jepej
ajo nuk merrej

Ata e mallkuan
trupin ia gjymtuan
 

Thonë se atëbotë
Europa qeverisej nga djalli

21. 03. 2014




KOSOVËS

Emrin lakuar ta kanë ndër shekuj
Pritë të zinin keqas djalli e i biri
Po ti stuhive u bëje ball
Me lutjen për të madhin
E bimën dardane

Këngën e mortit
Ktheve në këngë lavdie
Kosova ime diell (i)lirie




ÇAMËRIA

Çamëria është
Lumë i Loteve që nuk shteron
Malli i të dëbuarve që përvelon
Kënga e Shpresës që gjallëron
Ora e lutjeve që nuk mbaron

Është ëndrra jonë e përnatshme
Amaneti i shenjtë i etërve
Emblema jonë e krenarisë

Çamëria
Është damari i ngushtuar i atdheut
Tregimi ynë për barbarinë
Plaga ime e pashëruar
Libri i papërfunduar i historisë

Çamëria është
Kodi i pazbërthyer i perëndisë

29.04.2013




NE DHE LISAT

Kemi diçka të përbashkët
Rrënjët thellë në tokë
Kokën lart në qiell!

Lisat lëshojnë shtatin
Ne rrisim hapin

Ata i përkund era e moteve
E fëmijët tonë
Djepat me ninullat e lokeve

Lisat puthin qiellin
Ne lutemi për diellin
Të sotmën dashuri
Të ardhmën lumturi

Ata bartin historine e moshës
Ne kujtimet e trishta
Të kohëve me grip

Tokën tonë
E madhërojnë lisat
Shekujve
E zbardhin plisat!

25. 02. 2014




LISAT DHE PLISAT

Askush mund t‘i numëroj lisat
Askush mund t‘i përulë plisat

Me lisat flasin legjendat
Me plisat flet historia

Në gjokset tona
Shpesh u thyen stuhitë

Të mos na priteshin lisat
E kokën të na e zbardhnin plisat

26. 02. 2014




POETI

Fle me të gjitha të dashurat
Dhe zgjohet bashkë me dritën
Për ta zën frymëzimin e parë

Merr Udhën e Qumshtit
E gjuhën e yjve e mëson

Për vrimë të gjilpërës
Përbiron detin
Në kërkim
Të fjalës së pa thënë

Një këngë e re po vjen


ZGJOHU POET
(Ose: Thirrje për poetin Ali Podrimja)

Nuk jam engjull
Në tempullin e durimit
As memec i përgjumur

Zotin mallkoj
Që as kokën e ktheu
Kur Kosovës ia lidhje plagët

Zgjohu poet
Se përseri
Po „Tkurret Atdheu“ 

Zgjohu e zhvishi
Të gjitha marrëzitë e kësaj bote

Europa prap fle 

Dhe djalli lirshem ngre krye

Zgjohu për tokën dardane
E për „gjakun që nuk falet“

Zgjohu ore burr i dheut
E ti zëm pusi të keqës
Se koha nuk pret

17.06.2013




E MAGJISHMJA POEZI

Dritën ia vodha diellit
Hënës bukurinë

Fillikat i vetëm 
Rrugëtova planeteve
E luftë ju shpalla edhe perëndive
 
E në mes rrufesh
Futur e kam kokën
Qe shpirt ti jepja fjalës

Linda e vdiqa
Disa herë për Ty

Po prapë e virgjër mbete
E loze me mua
Si me një fëmijë

Ti e dashura ime 
E magjishmja pozi


21. 03. 2015  - 18:30 h  

Montag, 11. Mai 2015

Emigranti

 Tregim nga Sabit Abdyli

      U shemb si shkëmb prej karrige. Gjoksi i shkoi  lart – poshtë dhe lëshoi  një ofshamë të thellë. Pas tij gota u përplas në dysheme duke u bërë copë e grimë. Kapela i fluturoi tutje te këmbët e tavolinës. Sahati dhe  një  si kulet e vjetër i dolën nga xhepi i poshtëm i jelekut. Mejhanexhiu nxitimthi u afrua për ta ndihmuar bashkë me dy mysafirë të rastit.  E shtrinë për toke, ia shpërthekuan këmishën, e lagën me ujë...
     -“Kush është ky njeri” – pyeti mysafiri me këmishë mëngë përveshur, tej mase i shqetësuar.
     -“Nuk e njoh” -  gënjeu kafexhiu dhe vetëtimthi i kujtoi një për një fjalët, që ia kishte thënë të shtunën e kaluar:
     -“Në këtë moshë  s’munda ta  duroj dot burgun,  represionin e komunistëve, prandaj  u arratisa nga vendi im.  Si kalova kufirin,  jugosllavët së pari na strehuan në Serbi, pastaj na transferuan këtu në Kosovë. Këtu e kam paksa më mirë. Flas e merrem vesh me njerëz shqip. Ja, vendi im, prej këtu e shoh, tani po të më lejohet do nisëm në këmbë. Është krejt afër. Me siguri një ditë kam për t’u kthyer. Ky regjim, me drapër e çekan, s’duhet ta ketë jetën e gjatë. Po ndodhi ndryshe, mjerë shqiptarët. Djali im, ai i dyti, iku... mirë bëri, i lumtë.. u kthye në vendin e vet. Kam marrë vesh se e kanë fut në burg.  Medet!  Burg e lot  këtu, burg e mjerim atje... ”
      Dyqanxhiu e kujtoi rrëfimin e njeriut që tani ishte i shtrirë përtokë gjerë e gjatë para tij, me mustaqe të  thinjura, hundë të drejtë, me vrima paksa të theksuara, gjoks gjerë e leshator, mollëzat e faqeve të fryra, buzët  e  mavijosura. U kërrus mbi trupin pa jetë, ia hoqi shallin bojë kafe të zgafulluar rreth qafe dhe ia mbuloi  fytyrën.
     - “Të shtunave, i tha klientit të tij me çizme llastiku, gjithnjë vinte në mejhane rreth orës nëntë, sikur edhe sot, porosiste një byrek dhe gati në të njëjtën tavolinë ulej, ishte pika e burrit, fjalëpakë, dinjitoz, sa herë ngrihej për të shkuar  e shikonte orën e xhepit.”
      Burri me këmishë mëngë të përvjel dhe Ai tjetri me çizme llastiku morën  gjësendet e shkapërderdhura dhe fët e fët hapën   kuletën e saftjanit, gjetën dy bankënota letre të vogla dhe tri monedha metalike, kurse në shaminë e xhepit një flamur të kuq me shqiponjë dy krenare pa yllin pesëcepësh dhe një hartë të trojeve etnike shqiptare. Të frikësuare, shikuan përnjëherë drejt dritarezës së kuzhinës. Flamurin e  hartën mezi  i palosën duke u dridhur se mos i vërejti Ruzha, kuzhiniere, e cila sipas rastit prezantohej edhe me emrin Rufa.     Ndërkohë zhurmshëm erdhën me një xhip të vjetër: një polic, një mjek dhe hetuesi. Mjeku,  pasi shikoi  pulsin, bebëzat e syrit, i tha hetuesit: “Shoku Zumer, si duket ka pësuar infarkt në zemër, sulmi ka qenë i fortë,  prandaj goditjen nuk e ka përballuar dot”.
      Hetuesi me policin bënë fotografimin, morën deklaratat e të pranishmëve,  mblodhën me kujdes plaçkat, gjësendet, që mund të shërbenin  si prova dhe u larguan. Sapo e ngarkuan arkivolin në qerre, në derë u duk  inspektori i sigurimit shtetëror, truphollë, sylarashë e thinjak.
     -“Hë, ti je dyqanxhiu?”- pyeti ai me përçmim duke u shtirë se nuk e njihte.
     -“Po, unë jam”. -  u përgjigj pronari.
     -“Ka ardh shpesh në dyqan... ke pas far lidhje ti me të?”
     - “Jo, shoku  Aziz, pasha  Zotin... ”
     - “Mbylle! Ku ka Zot!? - e ndërpreu larashi, ktheu shpinën, dhe,  pa trokit fare në derë, u fut brenda në kuzhinë. Pëshpësh bisedoi diç me Ruzhën,  dhëmbëzhveshur  u nda nga ajo dhe me një ecje arrogante doli. Grumbulli i njerëzve kureshtar, të mbledhur para dyqanit, me përulësi ia hapën rrugën.
      Inspektori thinjak, posa mbërrini në zyre, hapi dosjen e të ndjerit dhe me kujdes lexoi  të dhënat: “A. L. Emigrant nga RPSH, i ardhur më 1949, antikomunist i përbetuar, njohës i mirë i zonës kufitare, me gjendje të mirë shëndetësore, parapëlqen ecjen në këmbë,  shumë i rrezikshëm, i kemi ofruar privilegje nëse vihet në shërbim të organeve tona,  por nuk ka pranuar. Të mbahet nën kontroll... “  Sa mbaroi së lexuari,  i ra me laps të kuq dy herë tejpërtej dosjes dhe e sistemojë në një raft tjetër.

Freitag, 1. Mai 2015

Agim Gashi - Shtigjeve të plisit


SHTIGJEVE TË PLISIT

Linda qava e qesha vetëm shqip

Dhe këngën kurrë nuk e ndala
Edhe kur diellin
Provuan të ma vërbojnë

Jetën e bëra krejt natyrshëm
Ashtu si vet desha
Edhe pse helmuar mi kanë ëndrrat
E pritë më zinin djallëzisht

Shtatë plagë në zemër i kam marrë
Si Gjegj Elez Alia në trup
Po shpirtin s’ma vranë dot
Miqtë… më lëkurën e qoftëlargut veshur

Sërish ngarend shtigjeve të plisit
E mbi shpinë të Pegasit
Loz valle me muzat
Kjo nuk është kënga ime e fundit

29.04.2015

Poetikë e trekëndshit mërgim-atdhedashuri-vendlindje

Nga Rrahim Sadiku
 
  • Fetah Musli Maliqi: “S´të harroj vendlindje”, poezi, SHB “Zgjimi”, Ferizaj, 2015

“Kosovës ia vura Kurorë
Zemrën time,
mallin tim –
t’i tregoja se sa e dua
edhe kur e kisha afër,
edhe tashti në mërgim!”
 
Janë këto vargje kushtuar Kosovës nga mërgimtari, aktivisti e poeti Fetah Musli Maliqi, që e shprehin në mënyrë të veҫantë ndjeshmërinë e tij për vendlindjen, me afri plotësisht jetësore ndaj saj; vargje këto që bëhen shtytje e tij programatike për krijime të reja dhe që mbesin madhështi shpirtërore e artistike. Janë ato vazhdimësi e trajtimit të mërgimit në artin imagjinativ shqiptar, si plagë shekullore dhe si mundësi e vetme për ikje nga varfëria; si shtytëse që të mos ndodh e të harrohet vendlindja, të mos bëhet asimilimi dhe që vendlindja të mbetet rrugë e dëshiruar kthimi në vatrën e të parëve, ashtu si kanë vepruar gjeneratat e gjenerata shqiptarash, në vazhdimësi dhe që kanë lënë gjurmë të dukshme kudo.
Gjithnjë dhe në të gjitha trojet shqiptare i është kënduar mërgimit, me mallë e me lotë, po ajo rrugë nuk është ndalur, as nga vuajtjet e as nga thirrjet e familjarëve, sepse ishin robëria e varfëria ato që e bënin të domosodshme daljen rrugëve të botës, duke mbetur me zemër e me mendje në atdhe. Por kohët kanë ndryshuar, mundësia e kthimit të shpeshtë në atdhe është bërë realitet dhe komunikimi shumë i lehtë, megjithatë, atdheu për mërgimtarin mbetet gjithnjë larg dhe me shumë ndodhi. Andaj te poeti është aq e pranishme dashuria për tokën e Kosovës, për historinë e saj, për të mirat e të këqijat që ndodhin këtu. Ai këndon për minatorët që detyrohen të mbyllen sërish nëpër zgafella dhe ka oprimizëm që ky problem do të zgjidhet, sepse Kosova ka rini të shkëqyeshme, ka njerëz që e duan, kudo janë dhe që japin krejt që kanë për të. Por, ka edhe njerëz të interesit, që Kosovën e shohin si mundësi pasurimi pa punë e përmes keqpërdorimesh pa fund, prandaj vargjet kushtuar atyre janë përplot sarkazëm e humor, po edhe të mbushur urrejte për pushtetaret e korruptuar.
Frymëzim tjetër i vazhdueshëm i Fetahut është vendlindja, bukuritë e saj të mëdha, veҫoritë e stinëve që ka përjetuar këtu. Me mallë e respket të thellë poetik e njerëzor ai këndon për Busovatën, fshatin e tij të lindjes, mësuesin, për dëshmoret e lirisë, për 28 Nentorin, për flamurin kombëtar, për ditën e pavarësisë së Kosovës, për vlerën e lirisë dhe traditës në të kaluarë e sot:

“Dhe ashtu e ruajtën porosinë e të parëve,
Atdheu ishte i të vdekurve sa i të gjallëve
Dhe gjysh stërgjyshi i Arbërisë
Ndër breza përcolli etjen e lirisë.”

Dhe shpërthimin e kësaj etje për liri poeti e gjen te lufta në Kosovë, te vendosmëria e treguar dhe te fitorja e arritur, sepse para kësaj ishte treguar se:

“Këtu nuk ka kushte normale
Këtu normale është vetëm
Lufta për Atdhe
Dhe kënga për liri!”


Në këtë këngë për liri hyjnë fuqishëm Beteja e Kosharjës dhe heronjë e saj të prirë nga heroi dhe legjendari Agim Ramadani.
Cikli për prindërit, të afërmit, shokët e fëmijërisë, kujtimet e hershme e të reja; për plisin si shenjë kohe e tradite; përshkrimi i familjes Fetahaj dhe i veҫorive që ka ajo në jetën e përditshme e në imagjinatën e poetit, zënë vend me rëndësi në vargjet e këtij libri. Po, me një ndjenjë të thellë e të rrallë janë vargjet kushtuar nënë e babait të tij. Ai babain e sheh në kujtime:

“Të shoh larë nga djersët
Me shikime ardhmërie.
Emri baba sa të kishte hije!”

Por, babai ngërthen në kujtime më shumë se një prind, ai është simbol për poetin e për të gjithë ata që e kanë njohur, po edhe më madhështor del i skalitur me fjalë:

„Babai Musli,
Njeri i rrallë,
Hije i kishte
Plisi mbi ballë.

Ia shtonte
Krenarinë,
ia zbukuronte
bukurinë!

Tek qeshte ai,
qeshte dhe plisi,
dukja e tij
si e një lisi!”


kurse për nënën poeti ligjëron:

„Dhe kujtimi yt
Do të jetë në mua,
kujtim i përjetshëm:
Nënë, të dua!“


Vargjet që cituam më lart nuk ngelin vetëm imagjinim poetik, ato kanë në nëntekstin e tyre një mallë të thellë, shtuar me vite e vite ndarjeje, vetmie, etje për të qenë në familje, në shoqëri, aty ku mendohet e fitet shqip.
Nje poezi e veҫantë, shumë e fuqishme, që dallon për vlera artistike, atdhedashurie e dhembjeje është ajo për Ҫamërinë, për të cilën Fetahu thot:

„Me gjak të bijëve,
me flijim të bijave
ece kujtimeve
hyre historisë,
Ҫamëri krenari
Ҫamëri dhembje,
na je më e madhja dashuri!“


Dhe për këtë dashuri të pafund, e cila është larë me lumenj gjaku e lumenj lotësh, poeti krijon vargje të qëndrueshme e plot kthesa artistike. Prandaj, këtë recension për librin “S´të harroj vendlindje”, po e përfunoj ma fjalët e dala nga zemra e krijuesit, Fetah Musli Maliqi:

„Na zgjatet dita,
na zgjatet viti,
O, zemra jonë
Priti e priti.

Dhe pret e pret
Këtu në mërgim,
Vetëm në Atdhe
Ajo gjen shërim!“


Duke e falënderuar Fetahun që shërimin fizik e poetik e ka jetur dhe e gjen në atdhe, ne urojmë që penda e tij të mos hesht kurrë dhe që vendlindja e tij dhe e jona, të bëhet vend i mirësive e i mbarësive, i arritjeve dhe i ardhmërisë, mu ashtu si do, ëndërron dhe për ҫka angazhohet ai.

Samstag, 25. April 2015

Shoqata "Anadrini" dhe sukseset e veprimtarisë së saj

Shkruan: Miftar Zagragja, Steyr (Austri)

Më 27 mars të vitit 2010- të  në Hinzenbach - Eferding të Austrisë është themeluar Shoqata kulturore “Anadrini”. Shoqata është pagëzuar me ketë emër për faktin se shumica mërgimtarëve që jetojnë në Eferding me rrethinë vijnë nga trevat e anës së Drinit të Bardhë. (Emri origjinal me të cilin është regjistruar kjo shoqatë është ky: “VEREIN ZUR ERHALTUNG DER KOSOVARISCHEN KULTUR , "ANADRINI”, që shqipërohet kështu: “SHOQATA PËR RUAJTJEN E KULTURËS KOSOVARE”.  Shoqata jonë është e regjistruar sipas ligjit për Shoqata në Republikën e Austrisë më ketë numër portokoli: Der ZVR-Zahl: 901099862.

Pothuajse në të gjitha vendbanimet e Eferdingut të Austrisë, tash e disa vite, jetojnë edhe shqiptarët. Në vendbanimet e kësaj ane, numëri më i madh i tyre kanë ardhur nga  komunat Rahovec, Prizren, Suharekë dhe Malishevë, por ka edhe nga qytetet e tjera të Kosovës. Bashkëkombasit tonë janë të ardhur nga Kosova në fillim të viteve të 90-ta, si pasojë e dhunës nga pushteti i atëhershëm policor e ushtarak serb, i udhëhequr nga politika shoviniste e Milosheviqit. Kësisoj, shqiptarët e përndjekur kanë gjetur strehim dhe ngrohtësi edhe në qytetin, Eferding i cili gjendet në Austrinë e Epërme.

Eferdingu njihet si qyteti i tretë më i vjetër në Austri (statuti i qytetit 1212). Vetë qyteti i Eferdingut ka rreth 4000 mijë banorë, por në mesin e tyre janë rreth 500 mërgimtarë nga trojet shqiptare, kurse në nivel komune me një madhësi prej 259,46 km², ka rreth31.743 banorë. Prej tyre, rreth 80 familje janë shqiptare, me rreth 2000 anëtarë të moshave, gjinive dhe të profesioneve të ndryshme.
 


Shumica e bashkëkombësve tanë që janë vendosur në Eferding, kanë ardhur nga ana e Rahovecit, por ka edhe nga qytetet tjera të Kosovës, si dhe trojet tjera të banuara me shqiptarë. Që nga koha kur kanë ardhur e deri tash, këta bashkëkombës, kanë arritur të integrohen në jetën dhe shoqërinë austriakë, por duke ruajtur edhe gjuhën, kulturën dhe traditën kombëtare shqiptare. Numri më i madh i të rriturve, tashmë kanë gjetur vende pune, punojnë, fitojnë dhe me djersë mbajnë anëtarët e familjes. Kurse bashkëkombësit tanë të moshës të re, të gjithë, pa përjashtim, ndjekin mësimet në të gjitha nivelet e  shkollimit, duke përfshirë këtu edhe studimet universitare.

Si shoqatë,  por edhe si komunitet shqiptar në përgjithësi, kanë bërë përpjekje për të qenë aktivë në jetën shoqërore, kulturore dhe sportive. Janë zhvilluar aktivitete të shumta, si në veprimtaritë kulturore po ashtu edhe në ato sportive. Veprimtarët e shoqatës dhe komuniteti shqiptar gjithmonë bashkarisht i kanë shënuar ditët e lavdishme të historisë shqiptare, siç janë:  28 Nëntori -  Dita e Flamurit, 17 Shkurti – Dita e Pavarësisë së Kosovës dhe festat tjera me rëndësi kombëtare. Poashtu, shqiptarët që jetojnë këtu, kanë kontribuar për grumbullimin e ndihmave për Kosovën. Ata njihen për të mirë në organizimin e mjeteve materiale të njohura si “Fondi i Trepërqindëshit” dhe ai “Vendlindja Thërret”. Po ashtu nuk kanë munguar as aksionet tjera në të cilat kanë kontribuar bashkëkombësit tanë nga Eferdingu.



Me nismën e një grupi të të rinjve, në këtë qytet është themeluar Shoqata e Kulturore Shqiptare ”Anadrini”. Në kuvendin themelues është zgjedhur kryesia dhe organet tjera që do të udhëheqin shoqatën. Kryetar është zgjedhur Sherif Hajredini, Randubravë - K.K.Prizrenit. Kryesia e Shoqatës “Anadrini”, përbëhet nga gjithsej 10 anëtarë të kryesisë, ku nga këta 6 janë aktiv si  dhe 4 si këshillëdhënës të cilët punojnë ngushtë dhe kanë të drejtën e votës në vendimmarrje. Shoqata  ka dy auditorë (kontrollorë) të cilët e bëjnë auditimin dhe arsyetimin e fondit dhe të punës në shoqatë.

Kryesia e shoqatës është kjo: 

  1. Kryetar, Haxhi Krasniqi, Xërxë - Rahovec. (Kryetar i mëhershëm për katër vite ishte Sherif Hajredini, Randubrave - Prizren)
  2. Nënkryetar, Isuf Qeperlaku, Hoçë e Vogël-Rahovec
  3. Sekretar, Bajram Sallashi, Prizren
  4. Zv. sekretar, Bujar Kryeziu, Xërxë-Rahovec
  5. Arkëtar, Rizaj Mustafa, Potoqan - Rahovec
  6. Zv. arkëtar, Qamil Haxhimustafa, Rahovec
  7. Këshilltar për muzikë, Haxhi Krasniqi, Xërxë-Rahovec
  8. Këshilltar për marëdhënie me shoqata tjera, Bekim Thaqi, Retijë e Ulët-Rahovec
  9. Këshilltar për sport, Bujar Kryeziu, Xerxe-Rahovec
  10. Këshilltar i përgjithshëm, Agim Berisha, Brestovc-Rahovec

Auditorë të shoqatës “Anadrini” janë:

  1. Halit Gashi, Sapniq - Rahovec
  2. Eshref Gashi, Sapniq - Rahovec

Shoqata “Anadrini” deri më tani ka mbajtur 3 takime të Asamblesë së përgjithshme, me tre Kuvende zgjedhore. Mandati i kryesisë dhe auditorit ka afat 3 vjeçar.

Veprimtarër e Shoqatës “Anadrini” gëzojnë respektin dhe përkrahjen e të gjithë bashkëkombësve në Eferding. Kësisoj janë regjistruar edhe 115 anëtarë të rinj, të cilët njëherit e kanë pranuar Statutin dhe Planin e punës së shoqatës. Ata janë të moshave dhe gjinive të ndryshme, ndonëse pjesa më e madhe e anëtarësisë,  tash për tash i takojnë brezit të ri. Presim që në shoqatë të anëtarësohen edhe bashkëkombës të tjerë.

Në planin e veprimtarisë për këtë vit (2015) janëi paraparë disa aktivitete. Do të behën përpjekje për të qenë sa më aktiv në lojën e futbollit, të tenisit, shahut e të biljardit. Pastaj do të organizohen veprintari dhe aktivitete me fëmijë e rini. Ndërkaq në bashkëpunim me organet kompetente të komunës dhe me anëtarët e shoqatës, do të organizohën edhe kurse të ndryshme me qëllim të ngritjes profesionale të anëtarësisë.

Gjithashtu, integrimi  i mëtejmë në jetën dhe shoqërinë austriake, do të jetë pikësynim i përhershëm,  duke qenë gjithmonë të kujdesshëm që mërgimtarët të ruajnë pikësepari  identitetin, gjuhën, kulturën dhe traditën tonë kombëtare. Shoqata ”Anadrini” do të bashkojë bashkëkombësit e sidomos të rinjtë këtu në Eferding dhe do të kontribojë që ata të krijojnë miqësi ndërmjet veti, të kenë respekt për njëri tjetrin dhe të angazhohën sa më shumë në zhvillimin e veprintarive të mirëfillta kulturore e sportive. Sëkëndejmi, shoqata jonë do të jetë sofër e përbashkët për parandalimin e ngjarjeve të padëshirueshme, në të cilatfat nganjëherë për fatin e keq po përfshihen edhe të rinjtë shqiptarë.

Adresa:

Shoqata Kulturore-Sportive ”Anadrini”
Linzerstrasse 8
4074 Alkoven
Tel.0043-664/5456681
E-mail: shoqata-anadrini@live.com