Montag, 20. Mai 2013

Besim Xhelili: Poezi


KËMBËT E DHEMBJES                                               
Erresirë e thellë, e ndytë                                           
ka mbuluar fushën e shenjtë                                  
fuqia e syrit të njomë                                      
ka humbur në pakuptimësi !                                  
 
Loti i pastër rreth hundës rrjedh                             
bie në liqenin e pafund,                                           
aty nën këmbët e dhembjes                            
aty ku përballen,-                                           
frika dhe siguria,                                                      
kujtesa e harresa,                                            
përbuzja e simpatia,                                        
mëkati dhe e vërteta,                                       
lodhja e qetësia,                                               
ferri dhe lumturia...!                                       
 
Aty ku ngadalë dreqi dhelpërak                             
shkurton këmbët...              
 

PA TITULL                                     
 
Kur e sheh se të gjitha rrugët                         
të dërgojnë vetëm në një vend,                      
aty ku bashkë me mikun gjakpirës               
lozni vallet krah për krah                              
mos prit ng ti mendime me vlerë.                           
 
Ato janë vetëm mbulojë                                  
e djallëzores që fshehet                         
brenda kufijve të tu,                     
e cila t`i nxit instinktet                          
që gjithë jetën e lumtur                         
ta kalosh me trazira çmendurie.
 
Në fund pa kuptuar                               
ia paguan dëmin vetes                          
me ndërrim të botërave...             
 

KONFLIKTI                                              
 
Ndjenjat pa bazë                                    
shndërrohen në egërsira                                
dhe nga brendia                                              
na nxjerrin në shesh,                            
gjithë përfytyrimet e mendimet                     
që mund të na çojnë në konflikt                   
me mendjen e shëndoshë...                   
 

SHPËRBLIMI
 
Harmoninë që ka truri yt i njomë                           
mos e trazo pa dëshirën e zemrës...               
Ndjenjat e tmerrshme mos i nxit                   
aq sa të të duket,                                    
sikur dëgjon zëra të turbullt,
se të kaplon frika pastaj
kinse djalli ka ardhur pas teje !
E ti s`kupton se pakuptimësia
vjen nga brendia e mendjes sate.
 
Prandaj, or vëlla jeto, jeto
ne fund shpërblehu
me vdekje ...
 

PRONARI I MENDJEVE
 
Kur mendja hutohet për asgjë,
mirësjellja humbet në errësi
dhe mendimet e neveritura
të çojnë drejt botës djallëzore.
 
Atëherë s`mbetet gjë tjetër
veç korrumpimit fatal
të racës së pastër njerëzore,
besimplote në magjira të zeza
që pret fisnikërinë e gatuar,
nga dreqi i gëzuar
që sundon mendimet e njerëzve.
 
Është bërë pronar i mendjeve !?
 


DËSHIRA E VOGËL
 
Duhet të më plotësohet
sëpaku dëshira më e vogël
ajo që vërtetë më del nga shpirti,
ajo që më vlon në gjoks,
ajo për të cilën çmendem,
ajo për të cilën jam i bindur,
për të cilën jetoj,
për të cilën vdes...
 
Ah, fantazi e kotë
ç`do të bëhej sikur secilit
t`i plotësohet dëshira ?!
 


VENDI I MËKATIT
 
Marinari me anijen moderne
ngadalë shkel detin e dhembjes.
 
Çdo fytyrë në anije ka pikëllim
zogjtë e ditës hedhin vallen e lotit
peshkaqenët me dhëmbët e artë
presin ndonjë i dehur të hudhet në ujë
ta përbijnë lakuriqësinë e tij..
 
Për një çast deti hap gjoksin e vet
anija dhe gjithçka reale zhduket
marrin rrugën e botës së panjohur !
 
Përmbi ujë mbesin
vetëm zogjtë e natës
të cilët hedhin valle gëzimi
rreth vendit të mëkatit
presin ditën e nesërme ...
 


DËNIMI
 
Shterren kujtimet e shumta
që fare s`kanë ekzistuar ...
 
Truri dhe njëqind metra ka
deri tek dyert e fundit
që duhet të hapen
për ta dërguar në harmoni.
 
Hëna dhe më tepër i egërson
u jep forcë vampirëve të natës
çmenduria gjithnjë e më shumë
botën e hipokrizisë
e mbush me njerëz fatalë
që kanë sunduar hyjnoren ...
 


NJERËZIT ME FANTAZI TË TEPRUAR             
 
- Roli i ligjit që nuk ekziston,-                      
u tha në lajmet që jepeshin
për të çmendurit,
- është të ruajë sigurinë tuaj
nga njerëzit e rëndomtë
vetëm me fantazi të tepruar !
 


SHKATTËRIM SHPIRTI
 
Po, e vërtetë është se shpirti
ndonjëherë mund të prishet,
nuk e di unë
ndoshta kur sheh të mundshmen
apo të paparën ... !
 
Atë që mendja e njeriut
dëshiron ta sundojë
ta fëlliq me papastërtitë e shenjta
të botës djallëzore !
 


MOS PRANO                                           
 
Zoti të ka udhëzuar në rrugë të drejtë          
të ka dhënë mend dhe gjithçka                     
që jetën ta bësh magjike ...                    
 
Shpirti yt ka forcë të shenjtë                          
mund t`u bashkohet engjujve                       
por, vetëm ti mos prano                                  
të të udhëheq dreqi, materia ...                       
 


E MUNDSHME ËSHTË !                                  
 
E pamundshme është                            
miza përdhese ta mbyt elefantin,                  
bleta të prodhojë molla të çuditshme,           
njeriu t`i tregojë kafshës se e zhduk,            
dhentë ta kullosin bariun,                    
dera të shërbejë si kosë për barin,                 
bilbili të ketë villë në Çikago
macet të lexojnë romane ...
 
Po, vetëm një gjë ta pranoj
e mundshme është
të mos vdesësh ... !
 


DY SHOKË                            
 
Dy shokë që nuk ndahen            
që çdoherë mes veti hahen
pas shumë kohë mundimesh
përsëri morën rrugën e drejtë
drejt ardhmërisë së lumtur
në jetën e amshuar ...
 


NË RRUGË                            
 
Hapën gojën kinse qeshet            
shpalon nofullën e kalbur,          
dhëmbët e zinjë
si copa thëngjilli
i qëndrojnë si mbrojtje,
gjuha me ngjyrë të gjelbërt
habitem pse m`i ç`lodh sytë ?!
 
Floktë e thinjura si fije bari
që i ka kapluar shiu, bora
më duken si perukë
e ndërtuar prej qimeve
të kryetares së dhelpërave ...
 


BARASPESHA
 
Mendja njerëzore ka dy drejtime -
të mirën
dhe skëterrën.
 
U habita kur një zë
sikur vinte nga brendia e gurit
e më tha për "asgjënë"
që gjendet mes të dyjave
dhe e mban baraspeshën
mes njeriut dhe kafshës.
 


RREGULLIM MORALI
 
Herën e parë gabon
në të dytën mësohesh ...
 
Për ty s`ka më të tretë
vetëm të kalosh kohën
të jetosh me jashtëtokësorët
me ata të cilët je i barabartë
në çdo aspekt ...!
 
Vetëm pak rregullo moralin ...!
 


AVENTURA
 
Pena e vdekur e shkrimtarit
nuk krijon dritë ardhmërie.
Piktori me brushën e tij
nuk krijon njerëz realë.
Që të dy marrin rrugën
e aventurës
që shpreh punën e tyre.
 


CILA ËSHTË E VËRTETA ?             
 
- Dëgjo çfarë muzike e bukur ,-          
i them të shurdhurit.                    
 
- Shih bukurinë e luleve,-                    
i them të verbërit.                         
 
- Ec nëpër drurin e brishtë
që lidh dy brigjet e lumit,-
i them njeriut me të meta.
 
Pyes gënjeshtarin:
- Cila është e vërteta ?!
 


MË INTELIGJENTËT SE KAFSHA
 
Në çdo kohë kur takoj
ndonjë prej atyre të thjeshtëve
rri i zymtë, i egërsuar
si gjarpëri që për hiç gjë
të kafshon ...
 
Gjithë psikiatërit e botës
nuk mund t`i sjellin në mend
këta njerëz të mjerë
rigorozisht të mbyllur
në ëndërrallat e tyre shekullore
ku kënaqen se jetojnë
janë qenie me vetëdije
janë më inteligjentë se kafsha ...
 
 

PA MËSHIRË
 
Sikur bora që bie pa mëshirë
në prag të pranverës së frytshme
dhe djeg pemët, lulet ...,
ua shuan jetën e posagjallëruar
ashtu dhe loti im i dalur nga ferri
pa mëshirë më vërshon syrin
më humb shikimin përjetë
mu tani kur fillova të kuptoj ...!
 
 

KUNDËRSHTITË
 
Kur syri sheh gabim
mendja punon drejtë.
Kur mendja mendon gabim
syri shikon drejtë.
U mundua këto kundërshti
t`i baraspeshojë mëkatari
dhe mbaroi tragjikisht.
 
 
BOTA E MENDIMEVE                  
 
Sepse ishte më i pasur                           
mendonte se është më i ditur               
nënvlerësonte tjetrin,-                           
të çmendurin edhepse ky            
flente në mendjen e tij                           
ishte bota e tij e mendimeve
nga ku shprehjet
dilnin të pastërta
si fëmija i posalindur
pa mëkate...
 

 
KALIMI NËPËR KOHË
 
Nga çmendina
të kthehesh në botën e mençur
ka një rrugë të pakufijtë
të errët, të pakuptimtë...
Duhet ta kalosh kohën
të përgatitesh
të jeshë i sigurt
se atje mund të jetosh !
 
 
KUR TË VIJË HARMONIA
 
Derisa të ç`lodhet shpirti
duhet të kalojë shumë kohë
që kur të vijë harmonia
të marrësh shpërblimin
e ëndërruar me dekada
që ka qenë ndaluar
nga e panjohura ...
 
 
RRUGA E HYJNORES
 
Po te besosh Zotin me të vërtetë
nuk mund të të gënjejnë
përfaqësuesit e dreqit në Tokë
se sjellja jote e morali
janë rruga e njerëzve
drejt hyjnores së pafundshme ...
 
 
MBI NJERËZIT
 
Sa dëshirë të vogël kishte
qeni i mbyllur në kafaz.
Kur e pyetën intelektualët
tha se kishte ëndërruar
të ketë forcë mendore
t`u tregojë njerëzve
se prej asgjësë
mund të bëhet diçka
gjegjësisht, të jetë mbi ta !
E ata ta shohin nje herë
se ç`është një jetë e qenit.
 
 
NJERIU I DYANSHËM
 
Kur njeriu
është i trashë në mendje
s`mund të dijë me zor
prandaj, le të jetojë edhe ai
një ëndërr ...
 
Kur njeriu
është i hollë në mendje
s`mund të mos dijë me zor
prandaj, mos të jetojë edhe ai
një ëndërr ...
 
 
KRITIKË E GABUAR
 
Që të parën herë kur të pashë
kuptova dobësinë tënde mentale
në fytyrën tënde me pamje idioti
qartë vërehej jonjerëzia e madhe
djallëzorja që fshehet
në mesluginën e trurit tënd
e cila pa arsye kërkon të jetë
thellësi e inteligjencës shekullore
kritikon të tjerët pa e ditur
se vet nuk vlen për asgjë ...
 
 
ÇMENDURI NË ÇDO SKAJ
 
Çdo ditë rrugëve
shoh njerëz të çmendur
që janë larg vetëdijes
por, të them të drejtën
nuk e kam ditur se ka
intelektualë të çmendur
që për shkak të një imtësire
të bëjnë vetëvrasje ...
 
 
FOLEJA E PRISHUR
 
Çdo ditë kërkoj
folenë e lejlekut ta gjej.
Më mori malli për të
sëpaku të hyp
një natë aty ta kaloj
por, ajo është e prishur
s`është i zoti i shtëpisë
ta rindërtojë
me kullosat e arta !
 
 

LUFTË HYJNORE
 
Idetë mëkatare
dridhin rruzullin tokësor
lajmërojnë engjujt shpëtimtarë
për ndihmë se ndryshe
njerëzit shkuan në varre ...
 
Vijnë engjujt rradhë - rradhë
syri nuk sheh as fillimin e as mbarimin
me armë magjike i gjuajnë dreqërit
që janë sulur mbi njerëzit.
 
Edhe dreqërit sulmojnë
me armët e tyre të dobëta
kështu engjujt fitojnë
i çlirojnë njerëzit
nga fatalizmi.
 
 
KOKË PA KONTROLLË
 
Gjysma e flokëve
i është shëmtuar
ndoshta nga mendjemprehtësia
ndoshta nga çmenduria.
Balli çdoherë i zverdhur i rri
dora plot forcë për rrahje
goja plot fjalë për fyerje
sytë pa arsye e gabojnë ...
 
Koka kur i dhemb
gjithë gjërat i pengojnë
sikur brenda të ketë një gjemb
që qelizat mendore nuk e kontrollojnë.
 
 
MUND TA IMITOJA ÇMENDURINË
 
Nga hipnoza që më ka marrë mendjen
nuk mund të besoj pse s`më dalin lotët.
 
Për një çast tymi i zi i duhanit
m`i kaplon ngadalë sytë e enjtur.
 
Ah, pa masë e falenderoj nga zemra
që një herë më mundëson
të kënaqem me dhembjen
sepse edhe pak do të ngrihesha
ta imitoj çmendurinë !
 
 
FSHEHTËSITË E NATËS
 
E di se nata është e egër
nuk dua ta kap kohën ajo
të më hudh në fshehtësitë e saj
pakuptimësinë pa kuptim
historinë pa fund e pa fillim
jetën e kufizuar
me hekuj të rëndë.
 
 
PA MË PYETUR
 
Nuk e di pse mendimet e mia të pafundta
më shtyejnë të ndjehem i vrarë, mëkatar
për një djalë të vogël
që çdo ditë nëpër fshat e shoh
duke ecur këmbëzbathur
me pantollona të leckosura
e fytyrë me pamje të të vdekurit ...
 
Ndoshta brenda meje
ka një Unë tjetër
që mund të veprojë
pa më pyetur mua ?!
 
 
DJALLI ME TRUP NJERIU
 
Posa dal në rrugë e shoh atë
djallin me trup njeriu q më pret
të më përcjell ngado që të shkoj
botën të ma kufizojë me shprehje
që nuk i takojnë natyrës së tij
pasiqë e dimë se djalli i vërtetë
është fenomen i njerëzimit
patjetër e ka t`i filtërojë
mendimet e njerëzve ...
 
 
I DUA TË ÇMENDURIT
 
Njoh një njeri me ndërgjegje të papastërt
çdo ditë e takoj e bisedojmë për çdo gjë.
Errësira që flen në sytë e tij të heshtur
më ringjall mendimet e egra për njerëzit
edhe pse fillova t`i dua ...
 
Tani kuptova se kam dashur shpirtërat
që janë pa mëkate dhe do të vazhdoj t`i dua
të çmendurit ...
 
 
SHTRATI I FËLLIQUR
 
Nga dobësia e padukshme
bindja e thelle e gabuar
paforca që ngjall ndërgjegja
shikimi krejt ndryshe
vlera e pamatur
asaj / atij i lind një ide fikse
se me çdo gjë që takohen
mund të hudhen
në shtratin e fëlliqur ...!
 
 
DYLUFTIM ME DREQIN
 
Kur për një çast ndalem e mendoj
se si në këtë ditë pikëllimi
dreqi ngadalë, fare pa droje
nëpër kokat e njerëzve të mjerë
hudh erë e pluhur vdekjeje
e shpirtin
ua lidh me zjarr ndytësire
dëshiroj të egërsohem
të dal në dyluftim me të
të sheh ai se ç`mundet njeriu !
 
 
JAM EGËRSUAR
 
Sapo nxjerr jashtë
të vërtetin Unë nga brenda
shoh kufizimin që më arsyeton
logjika e shëndoshë.
Atëherë kuptoj ligësinë
që gjallëron në mua
e që nuk më lë të ndjej
vlerën e shëndoshë.
 
 
MENDIMET I PROVON DJALLI
 
Nuk mund të ketë harmoni
as jetë të përbashkët
as dashuri të sinqertë
as marëdhënie seksuale pasionale
as zhvillim mentaliteti
përderisa mendimet që burojnë
së pari i provon djalli.
 
 
BJER O BORË
 
Bjer o borë e lashtë
me ujin tënd si lot dhembjeje
që përshkon zemrën e dashuruar ...
 
Pastro sytë e mjegulluar
zhduke vdekjen ...,
që iu është lidhur njerëzve
për nervat e kokës.
 
Hapi dritën shenjtësisë !
 
 

LARGOJ NJË MLLEF
 
Perëndia ka vënë ligj
po vrave një njeri
pa besim shkon në varr.
Unë, përsëri, e vras një
dhe e falenderoj Atë
që ma bëri të mundshme
ta liroj pak veten
duke shporur një mllef
nga mendja e okupuar ... !
 
 
KU ËSHTË REALITETI ?
 
Idetë nuk kanë të sosur
përderisa ekziston fantazia.
Ato shkojnë larg
fantazia i arrin shpejt,
ato këndojnë
fantazia qan në vetmi,
ato lodhin trurin e njeriut
fantazia vuan.
 
Kur një herë do të flitet
për realitetin ?!
 
 

S´ËSHTË IMJA
 
I them se shtëpinë
e shoh si një kuti shkrepsëse,
thotë se aty e kaloj jetën.
I them se lopa nuk më duket tjetër
vetëm se një gjarpër i egërsuar,
thotë se ajo më ushqen.
I them se njeriu nuk është tjetër
vetëm se një pasqyrim dreqi,
thotë se ai është më i vlefshëm.
I them se mendja ime
është e ndryshkur,
thotë se ajo më mban në jetë.
 
E ç`të bëj unë kur
ajo nuk është më imja ?!
 
 

MË FRIKËSON TRURI IM
 
Jam shtrirë në krevatin e qetë
butë është, por gjumi është i mplakur.
Nuk dua të zhytem në fshehtësitë e errëta
ku më pret ndjenja e dhembjes.
Ngadalë, i mbushur me frikë
shkeli shkallën e parë të fatkeqësisë.
Kam droje nga botërat
që lundrojnë diku në mjegullirën
e horizontit të trurit tim.
 
 
IMAGJINATA IME
 
Imagjinata ime e shfrenuar
më hap plagët e mbeturisë kohore
çdo fillim mendimi është një shpërthim
ç`vendosje kokash të neveritura.
Rrëmuja kalimtare bërtet hidhërueshëm
pjerrësia e egër fundos botën
gruas shtatzënë i rilind dhe nje demon
dy të dashuruar vetëvriten, hakmerren
kujtimet e pambaruara lundrojnë
hapin dyert e ardhmërisë së gabuar ...
 
 

NGADHNJIMTARE ËSHTË GËNJESHTRA
 
Koka më është bërë minikosmos bosh
posi floktë e arta të vajzës lazdrane
me fluturojnë mendimet  e çuditura
ngatërrohen rrugët e kundërta aty
po, kotësi është qenia ime
jam i paforcë të shpërthej flakët
ta kap diellin e çmendur me dorë ...
 
Ndjehem i vrarë pranë pasqyrës
ngadhnjimtare është vetëm gënjeshtra
le të merr statujën e shenjtë
të niset pafundshmërisë ...
 
 
HABI PA KUPTIM
 
U ula në karrigën pranë tavolinës
me nervozë mora makinën e shkrimit
dora më dridhej - nuk di pse
truri më vlonte nga ide pa pushim
që donin të hudheshin në letër.
Nga syri më shpërthen një lot i zjarrtë
bie dhe djeg letrat e mbushura
me romane, novela, poezi, ide ...
Unë mundohem t'i rikujtoj
ndoshta truri i ka inçizuar.
 
Punë e dreqëruar
disketa s'ka qenë lëshuar !
 
 

KAM FUTUR GISHTIN NË MENDJE
 
E thjeshtë, mirëpo e vërtetë
se shpesh me këmbëngulje
kam provuar së koti
të fus gishtin në mendje
të shoh mos pastrohen ndytësitë ...
 
E kotë, ajo nxjerr një grusht
më bie në kokë - më nxjerr agoninë
që më huton po atë mendje ...
Unë vazhdoj të jetoj dhe mendoj
po me atë mendje ...
 
 
VDESËSH PËR NJË RRUGËDALJE
 
Sa e rëndë dhe tronditëse duket
kur mundohesh, sëpaku
të sjellësh harmoni të shkurtër
në një kopsht të ç'thurur ...
Vuash me shpirt të fundosur
në agoninë dehëse
andaj dhe flijohesh
për një rrugëdalje !
 
 
PA LIDHJE MENDOJ
 
Ka parkuar veturën
thua punë të rëndësishme ka.
E vërteta është se ai
shet mend para vajzave !
Unë ndjej mburjen
gëzimin që ka vetura e tij ...
Nuk jam xheloz
vetëm më brengos paaftësia
e veshit të tij
të dëgjojë muzikë
në gjuhën e nënës !
 
 
ABSURDE
 
Lufta të errëta e gjakdhënëse zhvillohen
pa ndalur ndërtohen mure absurde
valë - valë puthiten kënaqësitë e mendimeve
e mira dhe e keqja bëhen shokë të rastit.
 
Kalohen kufijtë e armiqësive
kopshtet e lulëzuara mbushen përplot
vëllazërimi me prerjen e venëve
u del në ndihmë fatmjerëve
të marrëve, të sharëve, të vrarëve ...
 
 
UJKU I BRENDSHËM
 
Ka vendosur të shet egërsinë ?
 
Le t'i bjerr murit me kokë
le të sheh se është i paaftë
edhe për thjeshtësinë më të vogël
pastaj le të bindet se mundet
t'u bashkangjitet fëmijëve
të luajë lodra me ta
për një ditë le të argëtohet
ujku i egër brenda tij ...
 
 
S'DI Ç'BËJ
 
Sot kam harruar ç'ditë është
as që më intereson dikush të më tregojë
si zakonisht, si i marrë shëtis rrugëve
hyj pastaj lexoj ca faqe nga ndonjë libër
pij duhan, çaj, lëngje, harroj të ha bukë
shoh televizion, dëgjoj radio, bisedoj me macen
mendoj së koti, buzëqeshi pa lidhje
nga ngushtësia përbrenda
s'prish punë edhe nëse qaj ndonjëherë
unë kam të drejtën time.
Në mbrëmje
filloj ta jetoj ditën nga fillimi
duke rrëfyer atë që ndodhi !
 
 
NDJENJË FRIKE
 
Dënimet e pritjes së rrejshme
natës ia zgjerojnë barkun detar.
Shfaqjet reale para syve mëkatarë
shndërrohen në halucinacione vuajtjesh.
Zbehtësia që bie mbi urrejtjen e kotë
me thith intimitetin absurd.
Terri i dendur qorton përditshmërinë.
Jo nuk e dua kthjelltësinë
që ma ofrojnë kurthimtarët ...
 
 
KEQPËRDORIMI I BUKURISË
 
Ç'krijesë e ndytë jam
s'mund të bëhem i vetëdishëm
se truri im ngadalë copë - copë
futet në gojën e çdo krimbi fatlum
që më egërson ndjenjat ...
Pse jam i bindur
se sëpaku ndjehem i sigurt
brenda ferrit mallkues ?
Ah, dita kalon vrazhdë
pastaj dua ta kafshoj veten
kur shoh secilin t'ia hudh në qafë
duart e ndyta nga egoizmi
që keqpërdorin bukurinë e saj ...
 
 
TË ÇMENDESH
 
Nuk mund të pajtohem me fatin
që ti të vazhdosh me Parajsën tokësore
unë të hyj në shtëpinë e dreqit,
ti të ndjehesh e pasigurt
unë të përleshem me veten,
ti të jeshë në rrezik
unë të mos flijoj çdo gjë,
ty të të marrë era
unë të mos fluturoj si zog,
ty dikush të të rrëmbejë
unë të dashuroj një tjetër.
 
Ah, ç'do të thotë
të çmendesh për dikë !
 
 
DËSHIROJ TË JETOJMË BASHKË
 
Unë e di se ndjej nevojën
të të kem pranë ...
Ç'të bëj që dëshiroj
të mos humbesh në errësirë,
dëshiroj
të jetojmë bashkë
nën këtë qiell engjëllor !?
 
 
DHEMBJA IME
 
Sa bukur të përthehen buzët
gropëzat në faqe
të qëndrojnë hijshëm kur qesh.
Sa më befason e trondit
shkëlqimi i bebes së syrit tënd,
sa më mjegullon mendimet
përsosja e qafës tënde,
vetullat që më bëjnë të zalisur,
buzëqeshja jote që më rrëmben
e më hudh në një botë
të mbushur me dhembje ndjenjash
me trazira frymëzënëse ...
 
 
TË TË BËJ TË LUMTUR
 
Nuk e di pse s'mund të besoj
se qeshja jote më rrëfen diçka
më ngulit në zemër idenë
se bota është vetëm jona
se më të lumtur se ne nuk ka ...
 
Ah, engjull shpëtimtar
më bind për dashurinë
që ajo ndjen për mua
më jep forcë, vullnet, shpresë ...,
të jem gjallë në jetë
deri sa ta bëj të lumtur
shoqen time të shpirtit.
 
 

NË KRAHËT E TUA
 
Nganjëherë ndjehet nevoja
shpirti të shpalos gëzimin
të freskohen ndjenjat e vërteta
të pastrohet lumi i brendshëm
instinktet të largohen anash
të fillohet dëlirësisht
të shqyrtohen gjërat
të dihet shenjësi e pastër
që hap rrugët e ardhmërisë
kohës së mbushur me vullnet ...
Ah, vërtetë është përsosje
të hudhem në krahë e tua
aty ku gjej ngushëllimin
shpëtimin nga dreqërit e egër
aty ku ndjej atë që digjet
të vetmen dashuri.
 
 

BRENDIA
 
Shpesh është rëndë të gjej fjalë
e vërteta është humbur.
Në të vërtetë ç'duhet ajo
që të kuptosh se tek ty
kam varur çdo shpresë ?
Mos mendo se poezia s'është e gjatë
ashtu të përfytyrohet
kulmi i gjithçkaje është brenda ...
 
 
SHKOI IDIOTI
 
Ajo qëndron pranë dritares kolor
fytyra e saj reflektohet në sytë e mi
mendoj se është vonë, duhet më të shkoj.
Si qen ngrihem ngadalë i pasigurt
përshëndetem me një shoqe tjetër
dal nga dera me kokën menjanë
i hidhëruar, pa mendime të vlefshme.
Tanimë jam jashtë, i lirë
ajo me siguri më shikon nga prapa
shkoi ky idioti, thotë
i çmenduri pa arsye
ky që premton kotësira djalli
që ka dëshirë të shitet fodull
të tregohet i sjellshëm e i ndershëm
ky që më 'disponon ditën
ky që gënjehet aq thjeshtë ...
E unë, megjithatë, vazhdoj rrugën
vazhdoj ta dua ende më shumë.
 
 
E URDHËROJNË SI TË DASHUROJË
 
Ka disa ditë trishtuese
engjëllusha ime nuk më flet
ndjehet keq, e zymtë, e brengosur
ka frikë të më shikojë.
 
Ndoshta i pengoj, e bezdis
ndoshta nuk më do, nuk ndjen gje ...
Ç'të bëj kur vetëdija humane
kërkon të pastrojë realitetin
t'i ndihmojë një vajzeje
që është rob material
së cilës i urdhërohet
ç'të bëjë, si të jetojë, si të qeshë
si të flejë, si të qajë, si të dehet ...,
si të dashurojë ...?!
 
 
MOS KUJTO
 
Mos kujto se sjellja ime
turpi dhe shikimi i pastër
janë helm për ty
pasi t'i dhuroj
me inocensë ...
 
Tek ty kam besim të patundur
vullkan në zemrën time
nuk të shoh me sy të ligë
të lartësoj
deri në qiell ...
 
 
UNË NË SYTË E TU
 
O ligji im në këtë botë
o engjulli im në botën tjetër
o jeta ime e përhershme ...
Pse kur pa dashje më takon
( - Zoti ashtu e ka shkruar - )
i ke frikë shikimit tim
të ëmbël, fisnik, hyjnor ...
 
Shikim që si rreze drite
zhytet në sytë e tu të zinjë
ku ngul përgjithmonë
fytyrën time - tënden jehonë ?!
 
 
 
DITA - DITËS
 
Mos lejo të jem me ty
të t'i puth syte e mrekullueshëm
të të dua deri në amshim
vetëm në fantazinë time
e cila dita - ditës
më dërgon në çmenduri
dita - ditës
më shkurton shpirtin
dita - ditës
m'i hap dyert e ferrit
vetëm pse ...!?
 
 
DUA TË ÇMENDEM
 
Dua të nuhas erën e flokëve të tua
erën e Parajsës së mbushur me zell.
Dua të zhytem në mushkëritë e tua
nga aty të të dëgjoj frymëmarrjen.
Dua të futem brenda buzëve të tua
të ndjej forcën magjike të tyre ...
Dua të hyj në qelizat e tua të bardha
të shoh pse më mbyllin derën
për në botën tënde
... dua të çmendem ...!
 
 
PUNË NDJENJASH
 
Nuk mund t'i kontrolloj ndjenjat -
posa të shoh më ngrihet lumturia
pastaj përsëri mbetem anash botës
më zhduk pikëllimi si çdoherë.
Hyj në fantazi dhe si gjithmonë
jam me ty, më shtohet dëshira për jetë
e kur zgjohem realiteti më gëlltit
me dhëmbët e vampirit ...
 
Ç'të bëj kur ndjenjat
punojnë si duan vetë ?!
 

 
MË Ç'RREGULLON MENDJEN
 
Papritur me prushërove zemrën
turbullueshëm si bletë Parajse
me dhe mjaltin - më zgjate zgjuarsinë
esencën e fundshmërisë shpirtërore më dhe
dita - ditës më hudhje larte e më lartë në qiell
sa ndjehesha zemërmadh ...
 
Ah, moj e pafundshme, e pashtershme
pse tash bëhesh gjarpërushë?
M'i helmon kënaqësitë, dhembjet
ma egërson kuptimin mbi botën
më largon nga lotët
më sjell deformime në qenie
më ç'rregullon mendjen ?
 
 
FATI IM
 
Kam fatin e njëjtë me Sizifin
pasi të vdes do ta lus Zotin
të më lejojë të vij
edhe një herë në jetë
vetëm e vetëm të të shoh
pastaj përsëri të shkoj në ferr
i dënuar vetëm pse aq shumë
të desha ...
 
 
FLIJOHEM PËR ÇMENDURINË                       
 
Për mua nuk do të thotë gjë                           
një kënaqje e rëndomtë, e thjeshtë                
një gëzim i përkohshëm                                 
i kufizuar me papastërti ndjenjash.              
 
Unë freskoj shpirtin atëherë                          
kur dhembja më ngacmon kuptimin           
kur si i hutuar filloj të qaj për ty                   
kur me kaplojnë mendime                   
të pakapshme për logjikën                   
kur nga dashuria                                   
dehem deri në pafundësi                               
kur përjetoj praninë e Zotit                   
thellë në qenien time                             
kur shoh se ti e di                                  
se jam çmendur për ty.
 
Atëherë bërtas me shumë dhembje               
të dëshmoj flijimin që mund të bëj               
për çmendurinë ...
 
 
PROSTITUCIONI NUK ËSHTË ZGJIDHJE
 
Ti nuk ke kuptim të qartë
për bukurinë e paarritshme që ke
malli s'ta kaplon shpirtin me dhembje
për shfrytëzimin që të kurthojnë
je tëpër e preokupuar me thjeshtësi ...
Botën, jetën, përsosshmërinë ... përpara i ke
mundohu të lirohesh nga mistika
se prostitucioni nuk është zgjidhje ... !
 
 

BUKURIA JOTE
 
Kur të shoh
diçka më therr në zemër
një barrë i rëndë flen tek unë
e vuajtjet kalojnë në kolonë.
 
Bukuria jote prish shikimin tim
hija jote më del çdoherë përpara
ke pamje të dallëndyshes
e hijeshi të përjetshme ...
 
Në ëndërrimet e mia
nuk kam forcë të të shoh
bukuria jote më rrëmben
e unë bia nga një shpat i madh.
 
 
DASHURIA IME
 
Dashuria ime lindi
si iluzion në sytë e pangopshëm
qëllim absurd që nuk mund të arrihet
eufori nga lumi i brendshëm jetëdashës.
Iluzion mbeti ...
Nuk doje aspak të kuptosh
se një qenie digjet për ty.
Qëndrova dhe qëndroj besnik
ndaj bukurisë sate magjike.
Nuk të vjen rëndë, aq pa ndjenja
të zhdukësh një botë të përsosur
ardhmëri të përjetshme ...
 
 
SI TË DASHUROJ ?
 
Nuk mund të zgjohem
kur as që kam fjetur.
Si ta zhduk jetën
kur vdekja nuk ekziston.
Si do të mund të dashuroj
kur dashuria jote
i frigohet zemrës time ?
 
 
MOS DHURO DASHURINË
 
Sa zell të fshehur ka fytyra jote
ç'bukurira mund të shohin sytë e tu
ç'përsosshmërimund të të prekin duart
ç'vende të shenjta mund të të kalojnë këmbët
ç'mund të arrijë truri yt
sa e lumtur mund të jeshë ...!?
 
Sa keq kur je e robëruar
duhet ta shesësh trupin, bukurinë ...
 
Vetëm dashurinë mos dhuro !
 

 
KUR TË KËRKOJ
 
Kur të kërkoj një buzëqeshje
ma jep sepse ajo është fati im.
 
Kur ta kërkoj dorën tënde
ma jep sepse ajo më zgjeron zemrën.
 
Kur të kërkoj një të puthur
ma jep sepse ajo ma zgjat jetën.
 
Kur të kërkoj ty
eja sepse mështon ...
 
Ke shumë magji në vete ...!
 
 

MË KUPTO SE TË DUA
 
Sa e pa kuptimtë duket kënaqja jote
ta qetësosh shpirtin
t'u largohesh halleve
duke pirë alkooh e duhan
me bark të urritur,
të ushqesh familjen me paratë
që djallëzisht i fitoi trupi yt
që t'i dha më i pandershmi -
ai që keqpërdori virgjërinë tënde
që ndoti kopshtin tënd hyjnor
që u tall me prejardhjen tënde
që s'e kuptoi ligësinë e tij
që ma vrau mua ëndrrën ...
 
Pse nuk më kupton se të dua
e s'më lejon të të ndihmoj ... ?!
 
 
ENGJËLL PA PORTRET
 
Dikush ndonjëherë
do të zgjojë prushin tek ty ...
Atë që unë nuk munda ta ngjall
se t'u dhashë çmendurisht.
Ndodh të bëhem engjëll
pa krahë e ardhmëri
pa fotografi, portret e lumturi
që të më shohësh çdo ditë !
 
 

VARGJE NGUSHËLLIMI
 
O engjull pa mëkate
turpërohem për një çast
ndalem dhe kërkoj falje
nga mendja e rënduar ...
U mundova të ta shpreh
dhembjen e rëndë shumëvjeçare
dua të them, të shqetësova
ta lëndova shpirtin e lënduar ...
Ah, gabova ...!?
Sikur ende të të doja në fshehtësi
të më ç'lodhje kur të të shihja
kur të më shfrytëzoje materialisht
të isha i lumtur
kur ti të ishe e lumtur.
Më fal sepse si një imtësirë
të ngjalla urrejtje ndaj meje.
 
 
DEHEM SË MENDUARI
 
Nuk mund ta mohoj se bëhem xheloz
kur dikush të thërret : "Dashuria ime" .
Më vret thellë dëshira e tij
për një shfrytëzim të trupit tënd
pamundësia e dijes së tij
të kuptojë se bën krim
ndaj dhembjes së pastër njerëzore
pasiqë imponon dashuri
duke dhënë para të ndyta ...
Atëherë dehem me agoninë
dal në qytet dhe jetoj si shpirt
njerëzit nuk më shohin
 ... dhe dehem së menduari
për pastërtitë.
 
 
Ç'TË FAL DIKUSH TJETËR ?
 
Ç'të fal dikush tjetër ?
Trupin
që ia ka sunduar shtazorja?
Shpirtin
që ia ka helmuar djallëzorja?
Mendjen
që me ide çmendurie
luan me bukurinë tënde? !
E shpirti yt i njomë
s'mund të lirohet ...!
 
 
MË TENDOSEN VLERAT
 
Tash treni kalon tunelin
unë kam  ngulitur sytë e djegur
në dritaren përballë, që më jep shpresë
më përfytyrohet fytyra e saj
sikur më thotë diç të mrekullueshme.
Nxjerr tymin e duhanit si oxhak
bashkë me të një botë në vete
më rrjedhin lotët
bashkë me ta dëshirat për jetë
më ngushtohet fyti
bashkë me të më tendosen vlerat
që reflektojnë harmoni...
 
 
DUHET TË MË KUPTOSH
 
Duhet, sëpaku, shpirti të të tronditet
kur më sheh të vuajtur, të mjerë
në rrethin tënd plot thjeshtësi.
 
Duhet të ndjehesh e gëzuar
që vij të të shoh ...
 
Mundohu të më kuptosh
se dua të të hudh
në kopshin me lule.
Le të ndeshen shpirtërat tanë ...
Kjo është shëndet ...
 
 
RRUGËS PËR NË TETOVË
 
Rrugës për në Tetovë
i humbur në ngushtësinë e mendimeve
tek kënaqesha me bukuritë e natyrës
që shihja përmes dritares së trenit
m'u mbush zemra me mallë të lotosur
më shkoi mendja tek gruaja ime
që tani është larg ...
 
Andaj ula kokën të qaj me veten
pa vënë re udhëtarët tjerë.
 
Pashë unazën që ajo më ka dhënë
nxorra nga xhepi unazën që i  bleva.
Bashkë me të dyja dhuratat
lidha dashurinë
vuajtjet e pafundta.
 
 
KRIJIM DASHURIE
 
Qielli i ëmbël me fytyrë të qeshur
këto male të lulëzuara, kjo kohë plot zell
njerëzit plot xhelozi ndaj neve
qyteti i ringjallur nga hijeshia jote
zemra ime e kulluar nga krenaria jote
sytë e mi të tronditur nga malli
duart e mia të djegura nga prekjet e tua
ti e lumtur me mua
të gjitha këto janë rrëfyes hyjnorë
të dashurisë ideale që krijuam !
 
 
ROB I PAFORCË
 
I zhytur në pakufindshmërinë e natës
vajtueshëm duke lundruar nëpër errësirë
nuk mund të gjej shtegshpëtim për zemrën.
Ndjej lodhje nervash, një forcë tërheqëse
mendimet i kam të okupuara tinëzisht
qetësia e pakuptueshme m'i vret idetë
gëzimi ka frikë nga unë, ikën në pakthim
gjithçka që më ndan prej teje
më ka bërë rob të paforcë ...!
 
 
MALLËNGJEHEM PSE NUK TË SHOH
 
Sa e qaj kohën që ishim bashkë
po, atë natë të parë që të njoha
natën me shi dashurie të dhimbsur
kur m'u nda zemra, më kapën ethet
kur të shndërrova në ikonë vuajtjesh.
 
Tash jam larg teje
me vetminë si mik që më jep shpresa
i humbur në hapësirat e pafundta
djalli më ka kufizuar çdo mendim
pa qëllim jetoj - gjithçka më zhduk
gërryhem nga brenda, dua të plas
mallëngjehem pse s'mund të vij
të të shoh dhe një herë.
 
 
ARSYEJA QË JETOJ
 
Dua të ma fundosësh shpirtin
qiejve tatpjetë, drejt ardhmërisë sate.
Shëmtimi i mrekullisë së jetës
bukurisë kohore që na frymëzon
ma derdh zemrën botës së lotëve.
Dua t'i zbraps dyert e së tashmes
të dehem me kujtimet e kaluara.
Ja, moj hyjni e lindjes
kjo është arsyeja që jetoj ...
 
 
MENDIME TË VONSHME
 
Pa ty nuk më lejohet të jetoj
qielli çmendet nga madhësia e tij
insektet formojnë ushtri tejkohore
hëna i zbulon ndytësitë tokësore
i gjithë kosmosi egërsohet
nje gur gëlltit gjithçka që ekziston
gjithçkaja tjetër formon një gurë
orgazmat frytngrënëse të marrin frymën
lëngu trurëror, ah, ai dreq magjik
gjithë këto ndryshime i sheh në ekran ...
Sa e pafundtë është kjo natë ?!
 
 
DHASHTË ZOTI E DASHUR
 
Dhashtë Zoti e dashur
siç duash ta kalosh natën sonte
mos pish alkool, mos qash
mos ia bësh qejfin çdo idioti
mos të ta ndot trupin askush
mos të të duket e idhët vetja
të flesh si fëmijë fatmirë
t'i përjetosh mrekullitë e jetës
të valëvitesh kënaqësive shpirtërore
të jeshë mbretëreshë për veten
të ...
 
Dhashtë Zoti e dashur
të mendosh për mua, të më ndjesh
të kuptosh sa keq ndjehem larg
ta dish se dhembja jotë është dhe imja
të shpresosh se vuaj për fatin tënd
mos harrosh se të dua
se të tradhëtoj, të dal i pabesë
të pranosh se qaj përmallshëm
të ...
 
Dhashtë Zoti e dashur
sonte të vdesim të dy përnjëherë
të nesërmen aty afër njëri - tjetrit
të varrosin dy qenia të palumtura
ne të dy prap në fshehtësi të jemi bashkë !
 
 
PO TË MË THUASH
 
Kur t'i shoh ata sy vezullues
që kërkojnë dritë lumturie
ndjej dhembjet që duhet t'i përjetoj.
Po të ra një pikë loti zemëror
ardhmëria më ndalet mu në këtë çast.
Puthador e pagëzoj veten
po të më mëshirosh jetën e vuajtur.
Nuk është asgjë për mua vdekja
po të më thuash se më do ...
 
 
I BËJ ROJE HËNËS
 
Po ndodhi të mërzitesh sonte
po të hidhëruan klientët e mjerë
po të ra malli për nënë, babë
po t'u desh prehje zemre
po të torturoi dikush fizikisht
po deshe të më shohësh, bisedojmë
po deshe ndihmë, po t'u dridh shpirti
dil në mesnatë e shih hënën
atë që mund ta shohim të dy
dhe unë do të të pres
me krahët hapur ...
 
 

ARDHTË NJË DITË E RE PËR NE
 
Ashtu ngadalë hapen dyert e greminës
larg teje jam, lundroj flakëve mizore
bie të flej dhe ëndërrat më mundojnë
i premtoj vetes një ardhmëri
nuk kam zgjidhje, jam i zemëruar
ah, ti më nevojitesh.
 
Arratisjet që më shkaktojnë ditët pa ty
lajmet që pres me frymë të dobët shpirti
bari pranveror, mërzitë dhe dyshimet
i kanë tharrë ngazëllimet e fshehta në mua
natyra e pafundtë kotësisht më jep ngrohtësi
atje ku vuan ti dëshiroj vendin e varrit tim.
 
Sonatat e dashurisë përçajnë zemrat tona
armë të vetme, e dashur, kemi dhembjet.
 
Të rri të të dëgjoj shushurimën e gojës sate
është një dritë që përvjedh zbardhësinë time.
 
Dëshiroj ta derdh vetminë në prehërin tënd
u përmbysa nga tmerri i refuzimit tënd
ardhtë, e dashur, një ditë e re për ne.
 
 

NATA E PARË
 
Në këtë natë të fundosur nga gëzimi
kur qielli e toka në qetësi pushojnë
ne të dy hapërojmë qytetit të mallit
kërkojmë të vërtetën, jetën e lumtur.
Ftohtë është, por zemrat s'i ndjejmë
janë bërë lule të bardha miqësie.
Ti ma shtrëngon dorën, më magjeps
si engjëll fisnik më flet për dashuri
e unë, i pafajshmi, i varfër jam
por, falë Zotit, kjo  për ty s'është gjë
më ke kuptuar se të jap gjithçka tjetër.
Atëherë t'ia nisim Parajsës
ta duam njëri - tjetrin, pa fund ...
 
 
 
MUND TË ISHA I LUMTUR                            
 
Dëgjoj si të shajnë ç'u vjen në gojë                         
i kam prishur kështu nervat çdo ditë                     
gjumë nuk bëj - fati yt më ka helmuar                           
e ti nuk mendon të dalësh nga kjo agoni                        
më torturon heshtjen e ndjenjave.                          
 
Pa shih mjerimin që të burgos
ëndrrat e tua rinore duhet të lulëzojnë
rëndë e kam kur të shoh të sëmurë.
 
Tërë këto ditë pikëlluese më shtrëngojnë
ylli i agimit kur del përjetoj dhembjet e tua.
 
Afër kur të vij ndjej trishtime miqësie
lakuriq e kam shpirtin pa zemrën tënde
balli yt i përkryer, vallë, nuk është vërshim
i bukurisë sate magjepsëse, thesarit pa fund
nën gjoksin tënd diellor, erë e çiltër shprese
a nuk do të isha i lumtur, pa shqetësime ...?!
 
 
 
DRIDHJE ZEMRE
 
As fjalë e ëmbël më s'më ringjall
lotët e kotë të rinisë së përvuajtur
brodha andej - këndej të të përqafoj
i dhash vetes mallkimin më të rëndë
nuk mund të të prek, je rob i tjetërkujt
atij që çmendurisht ta shemb bukurinë.
 
Dridhet zemra ime si mali nga vullkani
ura në mes meje dhe qenies sate magjike
anembanë nesh i ka tërbuar të pashpirtët.
 
T'u betova të të ndihmoj
është e kotë, do të humbësh rininë më the.
 
Varrosën një njeri sot
do të lutem ti të keshë jetë të gjatë
e unë pas shumë viteve të të takoj
s'llogaris se kur, por patjetër.
 
 
 
IZOLIMI
 
Artistikisht u mundova ta zbuloj shpirtin tënd
lëvizja rreth teje si njeri me shije të hollë
banor i përhershëm i vendpunës sate u bëra
ideal i paarritshëm ishte zemra jote e ngrire
ndaj dhe humba gjakun tim të shëndoshë
ashtu mjerisht duke shpresuar në ty.
 
Shumë herë më the të gjej një vajzë tjetër
por, ja që i vërteti një herë dashuron
i mëshirshëm isha edhepse më tradhëtoje
rëndë është të mëndoj se nuk më do e të të harroj
t'i ik fatit, të izolohem nga vetmia.
 
 
 
MAGJI PA FUND
 
Antologjia e jetës time
lë vragë të pashlyeshme, të ç'thurura
barrikadat me të cilat luftoi shpirti im
i takojnë një çmendine të pakuptimtë
nuk mendoja për veten, por për ty
dhe ashtu në vetmi, flijoja gjithçka.
 
Dëshirat e mia më merrnin për armik
asnjë ditë nuk më kaloi pa u çmendur pak
shtëpia më dukej kështjellë ç'mallëse
u bëra krijesë e pagëzuar "mëkatar"
rashë në agoni përvëlonjëse
ia mora tiparet djallit të turbulluar
anash meje ishin vetëm prangat zhdukëse.
 
I mbyllur kështu duke vuajtur për ty
më fundosej vetja lumejve të përgjakur
e kjo magji dehëse nuk kishte fund.
 
 
 
LABIRINTH MENDIMESH                               
 
Ajri ka nisur të më sjell dëme organike                           
lezbiket, shoqet e tua më çojnë të vjell                   
bisha, që shitet dashnori yt më ndot qetësinë                 
i etshëm jam për ty, por jo për një natë                  
në forma të çuditshme zbret zemra ime                          
asnjëherë po të mos largohem nga ti.                     
 
Merrma shpirtin formo qafore për ty
është fati ai që na puthiti sytë tanë.                        
 
Darkën,po të duash, shtroje mbi trupin tim
atë zemër të ngrirë ngushëlloje në shtratin tënd           
shiu mëngjesor le të të lag flokët e arta                           
u bëfsh statujë e ngurtë që të të grabit                   
rrëzë detit të të çoj, qielli të ketë frikë
ombrellë ytja të bëhem, të të ruaj çdo ditë.
 
 
 
DUA TË MBAROJË ELEGJIA JONË
 
Aspak s'e kam pritur një fat të tillë
litarët e vdekjes të më ndjekin kudo
ballafaqimi me ty të më ngjall dashuri
i gjërë është rrethi që nuk të kupton
një herë nuk gjete lumturi njerëzore
a tha je e dënuar kaq herët ?!
 
Mbyllja hypnotizuese e syve të tu
është bërë ardhmëria ime e zymtë.
 
Tregomë e dashur si të të shpëtoj
rashë në kurthe të imëta, pa shpresë
etjen në zemër ti ma shuan, magjia
ta zgjata dorën që moti, eja të ikim
elegjia jonë të mbarojë përgjithmonë.
 
 
 
DIGJEM PAS TEJE
 
A të kujtohet, vallë, fëmijëria jote
laviret kur i ke mallkuar perjetë
babain kur kishe afër, motrat të shëtisnin
i vetmi vëlla, me të meta, për ty ishte i dashur
nënën kur përqafoje e ajo t'i fshinte lotët
a s'është, vallë, kjo mrekulli familjare ?
 
S'besoje atëherë fëlliqësitë e botës
as erë e bubullimë s'ta prishnin shenjtësinë.
 
E kjo kohë e lumtur një ditë mbaroi !
 
Bredhjet rrugëve, kafeneve fillove t'i duash
u shndërrove në pronë seksuale e të të prishurve
krahët, këmbët nuk i ndjeje më si të tuat
u përmbys bukuria jote engjellore
rebelët profitonin nga virgjëria jote.
 
Jo, megjithatë, ti për mua je frymë zemre
e tillë që, unë të dua, digjem pas teje ...
 
 
 
 
I LUMTUR JAM QË TË SHOH
 
Atë ditë kur ma shpalose zemrën
lumin tënd të vuajtjeve pa fund
bebëzat e syve t'u mbushën pikëllim
idhësimet e shpirtit tënd më verbuan
ndjeva qarjen tënde fëmijërore
ato duar që pa dashje filluan të dridhen.
 
Mu nga goja jote dilnin dhembjet e mia
ëmbël më kapën ethet tragjike.
 
Lëshova veten të ma marrë dreqi
e pashë kufomën time të ardhshme
jeta jote e zbrazët më bëri për vete
o Perëndi, thashë, ndihmoi të shkretës.
 
Të dy më pas qëndruam kokëulur
ëndërrat e lumtura kujtonim në vete.
 
Tani, thashë, duhet më të shkoj
është e diel, do të vij përsëri nesër.
 
Dramë e verbër u bë dhe jeta ime
u përballa me më të keqen në botë
ankthi agonik m'i ndiqte mendimet ...
 
 
 
NUK MË DUHET NATË E TILLË
 
Atje ku mbaron arsyeja ime e pastër
lutjet ku i kam të pashpresa, të shtypura
besomë, e dashur, as klithjet s'ndihmojnë
i vetmuar duke i burgosur nga madhështia jote
nuk e ndjej veten krenar, por thesar dëshpërimesh
aq e paskaj është bukuria jote sa më turbullon.
 
Besnikërinë duruese që kam ndaj teje
u mundova ta përsos, të të dhuroj lumturi
ke qenë ti ajo që më hudhe dritë në zemër
uri ndjej kur s'të shoh, të paqarta i kam ditët
respekti im ndaj teje më ka nënshtruar
iu bashkangjita të paforcëve, të vuajturve ...
 
Hallet më kanë shpërbërë pasurinë hyjnore
ylber dhembjesh është bërë jeta ime pa ty
ja, e dashur, ç'përçarje sjell tradhëtia
ndër të vdekurit çon një të gjallë
orvajtjet për shpëtim janë të pakta
rregullat e pabesisë më gërryejnë lirinë
e tillë, s'më duhet kjo natë pa ty.
 
 
 
DASHURIA E DËNUAR                                                       
 
Mungesa jote më sjell mendime të paqëllimta                         
pasqyrimi i fytyrës sate ditën ma bën shekull
fati yt më helmoi, më ka bërë snob
jetoj ndryshe nga të tjerët, s'jam më njeri
dhembjet e tua ma kanë shuajtur gëzimin
kur të shoh të mbyllur më mbyt mizeria.
 
Më vjen keq që s'kupton se frymëzimi im je ti
shpresa që më bën ta pres një të nesërme të ëmbël
zemra më është zemëruar, vetmia ëndërrat m'i përbiu
pa ty jam i shkretë, si duron i paturpshmi me ty të loz
s'është jeta ime arsyeja që të afrohem, por jotja lumturi
do të vdes i çmendur diku larg, të lutem mos më harro
kujtomë ndonjëherë, qaje zemrën timë që për ty jeton
ik e dashur nga ky vend, të pret diku një ardhmëri.
 
Pas shumë vitesh do të takohemi e të ç'mallemi
për dashurinë tonë që ishte e dënuar me mjerim.
 
 
 
 
AFËR TË KAM
 
Shumë afër të kam
ta ndjej zemrën e tronditur
t'i shoh buzët e arta
flokët e zeza që më hamendin
sytë si dy yje jetëdhënëse
duart që zjarr më dhurojnë ...
 
Ah, si nuk mundem të të prek
për një çast të jem i lumtur
ta lind nga brendia ime
të vërtetën ...
 
 
 
HELMI IM
 
Kujtimet shterrin pafundësinë
era e vdekjes trurin trazon
djalli sundon harmoninë
ah, dhe zemrën zjarri kaplon.
 
Të desha një kohë të gjatë
shpirti qëndroi çdo shtrëngatë
të ndalem mos të të dua
është helm që më zhduk mua.
 
Se të dua nuk bëj krim
di ta qëndroj çdo dënim
t'ringjallet dashuri e zjarrtë
që freski ndjenjash bart.
 
Humbet çdo shpresë për jetë
shpirti i lodhur nuk rri i qetë
mendimet rrjedhin fare pa rreshtur
fisnikëria nga frika ka heshtur.
 
Një fund çdo gjë le të merr
asnjëherë mos shoh më terr
t'shoh bukurinë tënde të përsosur
pastaj jam gati për t'u varrosur.
 
 
 
PANDERSHMËRIA
 
Janë ulur dy qenie të pafajshme
ajo buzëqesh si dreqi në ëndërr
të then nervat e folmja e saj
përdredh trupin sipas muzikës
ia ngre epshin atij ...
 
E ai, pi birra pa masë
s'ka lidhje se arsyeja e sëmurë
i çon të bëhen dreqër të dy.
 
Le ta udhëheq botën
pandershmëria ...
 
 
 
E PABESUESHME                           
 
Kush mund të besojë                    
se këta dy duhen ?!                      
 
Njërin e tërheq paraja                           
tjetrin gjinjtë e ç'thurura.                      
 
Edhe njëri edhe tjetri                    
kënaqësinë e gjejnë                      
vetëm në krevat
botë dhe bukuri për ta është
vetëm liria e trupave.
 
 
 
JETA E PASVARRIT
 
Në të vërtetë duhet të njihemi më mirë
të prekim kulmin e zemrave tona
por, nuk mund të duroj thjeshtësinë
çdokush të të bëjë ç'dëshiron
të të prek pa marrë parasysh turpin
kur s'ndjen asgjë për ty si qenie
të sheh vetëm me një sy të ngushtë.
 
E unë digjem nga një botë e plotë
kërkoj sa ë shpejtë jetën e pasvarrit.
 
 
 
ATË NATË TË FUNDIT
 
Ç'buzë të buta kishe
kur u ndeshën me të miat
atë natë të fundit
ti i mbylle sytë turpshëm
unë kisha humbur vetëdijen
isha mbushur me kënaqësi ...
 
Bukur isha me ty
shpirti m'u shpalos nga errësira
zemra ime e mplakur
u lidh me tënden
rilindi ...
 
 
 
TI M'I RILIND SYTË
 
Mos ma lësho diellin më herët
mos m'i nis ditët që më robërojnë
keq e kam pa ty, jeta ime fatlume
jam i vrarë, pa dëshirë të plotësuar.
 
Të besoj, ta di shenjtësinë
të ruaj thellë në zemër, o gëzimplote !
 
Poqëse verbohem do të vij përsëri
të m'i rilindësh sytë e mjegulluar
me pasionet e tua të zjarrta.
 
 
 
GËZIM MBI GËZIM
 
Nuk kam dëshirë të ta prek dorën
vlerën që ma kënaq zemrën
vetëm kur të përshëndetemi,
të të dua e të më duash
me druajtje nga të tjerët
të puthiten sytë tanë
pa ndjenja krenaria
të qeshemi me njëri - tjetrin
vetëm për shfrytëzim !
 
 
 
EJA MË SHPEJTË                                     
 
Ja ku janë lulet, pranvera me shpresë                    
ç'bukuri e ka çmendur natyrën                              
ja dhe zemra ime e vetmuar, ti je larg.                   
Sa lotë kanë lëshuar sytë e tu magjikë                   
aq dhembje e kanë fundosur shpirtin tim                      
sa ëndrra për mua ke parë deri tani                       
aq zbehtësi e rëndë më ka djegur qenien.                       
Nën vapën vezulluese të diellit të dobët                          
mëngjesi më gjen vetëm, dreka gjithashtu
s'mburem dot pasi fatin e njëjtë ka dhe nata
nuk kam qetësi pa gjysmën e zemrës
ti më mungon - deri kur kështu
vdiqa pa ty, e dashur, eja më shpejtë.
 
 
 
PSE MË NDALJE MOS TË TË SHOH ?
 
Kur të kisha afër, të përjetoja
kur të shihja drejt në sy, fshehurazi
kur ç'mallja shpirtin me praninë tënde
më thojë mos të të shikoj si i çmendur
ngase të vjen rëndë nga të tjerët.
 
E tani të kam larg, të humbur
nuk kam gjtur qetësi që gjatë kohë
më janë shkatërruar sytë nga pikëllimi
vërtetë nuk mund të të shoh ..
 
 
 
JETA JONË E ARDHSHME
 
Pas çdo ëndërre të idealizoj më shumë
pas çdo dite ndjej mungesën tënde të madhe
kur lulet çelën në pranverën e bardhë
ti nuk ishe me mua, u dogja një herë të të shoh
i ruaj fshehtësitë në gjelbërimet e brendshme
sa larg je, e dashur, sa errësi më tret !
Ndër yjet e natës kërkoj dy sytë e tu
më të bukurit që njeh zemra ime e dashuruar.
Mbolla fytyrën tënde në pasqyrën e shpirtit tim
ku kam frikë t'i hap fletët hyjnore
ku je ti, jeta jonë e ardhshme !?
 
 
 
RRUGA E PARAJSËS
 
Sa herë që ia nis të të shkruaj letër
të dëshiroj më shumë, të ndjej flakshëm
zjarre lumturie ngrihen e më përshkojnë zemrën
më shpalosin ardhmërinë tonë.
Kështu ngadalë qetësoj shpirtin e shtypur
pranoj rregullat e fatit dhe shpresës.
Në çastet më të vështira, në kulmin e vetmisë
kur dua të shijoj erën tënde që ndez dashuri
hapëroj plot qejf fantazmave të përkryera
jam me ty, shkojmë drejt mrekullive
krenaria dhe zemra jote, gëzimi yt
më zgjatin jetën, më shpiejnë në Parajsë.
 
 
 
TË PRES ME MALLË
 
Sonte, e dashur, dëshirova të t'i prek flokët
më mori malli, desha të ta ndjej zemrën
kaluan ditë e më ka sëmurë ikja jote
sa dhembje më kanë shëmtuar kënaqësitë !
Ç'bën ti, pse nuk vjen, pse më ke harruar ?!
Unë të dhashë besë, nuk u takoj tradhëtorëve
një jetë kemi, ta dëshmojmë se jetojmë
më nevojiten sytë e tu, balli yt i mrekullueshëm
qafa jote, faqet, gjithçka që është jotja.
Zemrës time i duhet lotët e tua të bardhë
enigmë në vete je, ç'fat pata unë i mjeri
por, tashmë jam vet e të pres me mallë ...



Nga libri "UNË NË SYTË E TU"- Poezi, Shkup 2007

Donnerstag, 16. Mai 2013

Letrari dhe veprimtari i shquar Shaban Cakolli


Letrar dhe veprimtar i njohur kombëtar

Shaban Cakolli, u lind në Krilevë të Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Dardanë, kurse studimet në Univerzitetin e Prishtinës. Nga mosha fëmijërore u frymëzua për shkrime, kulturë dhe veprimtari kombëtare. Si i ri punonte me rininë e fshatit në grupe letrare, ku nxirrte gazeta të murit. Me shkrime dhe kulturë vazhdoi edhe në shkollimin e mesëm dhe univerzitar. Ka botuar shkrime në poezi, prozë dhe publicistikë në gjitha gazetat që botoheshin atë botë në Kosovë, ku edhe tani boton në gazetat dhe revistat që botohën në diasporë e Kosovë.
Ka udhëhequr jetën kulturore në vendlindje dhe mërgatë. Në Gladbeck ishte sekretar i SHKA "Aleksandër Moisiu" në kryesinë e Bashkimit të Intelektualëve Shqiptar në Mërgim(BISHM), është në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar në Gjermani LSHAKSH.Ka botuar në gjuhën shqipe, gjermane dhe turke. Është i përfshirë në 18 antologji në gjuhën shqipe, një gjermane në mërgim dhe Kosovë. Përkohësisht është me banim në Gjermani.


Ka botuar:

"TOKË DARDANE"

 "LOTI I ATDHEUT"

 "DETI I QIELLIT"

 "KRISMA E FJALËS"

 "AGSHOLI"

 
Cikël Poetik nga Shaban Cakolli


SHEGË E ËMBËL

Porta të mëdhaja
kurrë s´kam dashtë
në to fati më ka përplasë
anë për anë globit i rashë
shoqen tënde kund se pashë

Këndej s´kam ardhë
se kisha halle
ç´paskan lindë nënat shqiptare
cila rreze ty të ka pjekë
moj e bukura e ëmbëla shegë

A je shegë ti,a je njeri
a mos je produkt sheqeri?

Mos je rritë ndokund n´Dardhishtë
bukur të rrin shkëlqimi syshë

E kam pas zemren me dry
ku e gjete ti atë shkathësi
në portë t´zemrës ti më ke hy
si tinëzare,ike shpejt
e lëndove si me shigjetë
tani zemra po dënesë
ja shkëpute ti njëren pjesë
dhe pa te ndihet e huaj
ti i thua më prit me muaj
lëngon zemra,thotë po vuaj
muaj ,muaj, shkon dhe viti
mos vono se s´mund të priti
ti pa mua dhe unë pa ty
lumturinë e mbyllim n´dry.




BUKUR PO SHKËLQEN KOSOVË

Veshë Kosova në petk të bardhë
po shëndritë si argjend e ar
në këtë shënim jubilar
i madh e i vogël këtu janë ardhë.

Me muzikë,kostum kombëtarë
shkëlqejnë çupat si burbuqe
këndojnë këngë e hedhin valle
na është bërë Kosova nuse.
T´qoftë me fat mori Kosovë
mos ke dert se nuk është vonë
vish jelekun me shqiponjë
këtë simbol krushqit kërkojnë.

Fort po ndritë nusja në shesh
me krushqërinë e UÇK-së
hidhu në valle e buzëqesh
gëzim të madh solle mes nesh.

Dasma jote nëpër mote
do të jetë kurorë nusërishë
një ndër dasmat kuptimplote
me krushqërinë e lavdërisë

Me kostume të kuqe
në mes me shqiponja
datën tënde të nusërisë
ta shënojmë me shkronja të arta
Në FAQET E HISTORISË.




Etje

Tërë ditën punova
tërë natën nuk fjeta
në ty kur mendova
se ç´më mori etja.

Krojeve të burimit
sa shumë piva ujë
në mes flakërave dhe tymit
etjen s´mund ta shuaj

Se ç´më pyeti vasha
ç´digjesh kështu aman
se më mori etja
për burimin tënd.




DUA TË DEHEM SONTE

Dua të dehem sonte
në ndërrimin e vitit
të i shëroj plagët
në thellësinë e shpirtit
thesaret e botës
asgjë s´janë për mua
dua veq të dehem
në buzët e tua.




MOJ KOSOVË MOJ PLAGË E VJETËR

Shkelë ndër thundër plotë gjashtë shekuj
turku e greku,të pabesë
ta prunë serbin e ta bënë pjesë
atë barbarin kriminel
që Karpateve për bukë ka bredhë
e ngulitën në toka t´Shqipërisë
me naj veshur rrobat e zisë
mori hov si gjarpër krajli
i thotë shqipes:Ja ku është varri
unë jam sërb e kam pushtet
s´ta lë nderin që të përket
por shqiptari e ka pasur traditë
mos me u mposhtur kurrë nga hordhitë
gjak ndër denj e zjarr në gji
s´ka pranuar kurrë me u joshë n´robëri
nuk ja njohim pushtimin bushtrës
me ta flasim për grykë të pushkës
me gjak tonin njomëm këtë dhe
nuk i lëmë këtu sërbit fole
Se Kosova zemër madhe
ka traditë në dasma e varre
shqip jetojmë e vdesim shqip
si nënshtrohemi të pabesëve t´lig
su nënshtruam kurrë nën serb
fyta-fytas plot njëqind vjet
na kanë vra në prag të shpisë
jo qyqarë por në log të burrërisë
brez pas brezi,djalë pas djali
për liri s´na trembi varri.
Skënderbeu dhe Adem Jashari
kanë bërë shumë këtu mos jetë barbari.





NËN SHIUN E GUSHTIT

Në një natë me shi
në atë muajin gusht
na i prenin petkat
që na binin ngusht.

Nuk kishim ombrella
zemra në zemër strukë
ne na ndau rrufeja
deshi me na zhdukë

Mua më dhanë një rrugë
ty të futën në mugë
nga ai gusht mallkimi
më nuk jemi dukë

Po të mori malli
të e shohish atë shi
eja se e gjenë
në dy sytë e mi.





S´DI SI TË THEM

Dua të të them yll
dua të të them hënë
atje më dukesh lart
dua të të kem pranë.

Dua të të them mollë
e ëmbël fryt i pemës
nuk mund të shoh në trung
dua të kem pranë zemrës.

S´di si të thërras
kam qindra emërtime
nuk dua të lë pas
je portë e zemrës time.





NË KUJTESË

Kur duhen dy zemra
nuk njohin largësi
herë futen në këngë
herë në poezi
ti ëndërron për mua
unë ëndërroj për ty
dy zemra t´bashkuara
bëjnë botë pa kufij.
Saherë të kujtoj
mbrëmje e agim
në zemër të ngroh
hyn në vargun tim
lexoj ti këto vargje
dhe mirë i kupto
unë të them të dua
ti mos thuaj jo...





ME TY

Një breshëri tërmetesh
dridhin shtratin tim
më troket një ëndërr
më thërret në takim

Në takimin tonë
udhërrëfyesja je ti
hapat ti numëroj
ndritë sikur shkëndijë
të përcjell me ëndëje
hiq pa përtesë
herë më end bulevardeve
herë dalim në kreshtë
më e madhja kujtesë.

Kështu rrugëtoi me ëndërra
me ty përçdo natë
herë dalim n´Prishtinë
herë dalim n´Çabrat.
për zgjedhje të titujve
ndjekim poezinë
në Hotel pesë yjesh
e ngrisim dollinë
më vardisen tjera
rreth meje mbërthejnë
veq teje lëvizje tjera
nuk dua të ndjejë
pas teje do jam
në flakën e zjarrit
vetëm të kem pranë
ja thyajm qafën mallit
desha në këtë çast
të sillem vërdallë
herë të puth në faqe
herë të puthë në ballë
o malli im zjarrë.
Ëndërra më sodiset
me muaj e vjet
mbyllja portën ëndërres
ktheje në realitet.





DASHURI E VRARË

Falma ngrohtësinë
vetëm dhe një herë
të kujtoi rininë
që na e patën prerë

loti nga qepalla
buza përmbi buzë
ngrohë ditët e vrara
të djegura si shpuzë.




KOHË SHTËRNGATASH

Kjo kohë me shtërngata
plot lutje dhe urata
E korba nëna më kot u lut
fëmijët të trishtojnë me zëra
nënë,duam bukë,bukë,bukë
ah kohë,e ndyrë,e shkretë
dikush gërsheton ëndërra
dikush nga uria,ndërron jetë
dhe s´u prish bota
as s´u bë tjetër
shumë jetëra ndërrohen
shumë shpresa lindin
për jetën
E në këtë kohë të zisë
të uriturit shkojnë drejt xhamisë
Hoxha lutjet i merr
Allahu ekberr
varfëri e tmerr
athua do ta shporrin ndonjëherë?!!






Intervistë me letrarin dhe veprimtarin Shaban Cakolli


Një popull i jep kuptim jetës duke krijuar dhe zhvilluar kulturën e vet kombëtare
               
-thotë poeti, publicisti dhe atdhetari i devotshëm në Gjermani Shaban Cakolli

Nga Sokol Demaku

 

Një popull i jep kuptim jetës duke krijuar, pasuruar, zhvilluar dh përfaqësuar kulturën e vet kombëtare.
Kjo do të tregon realitetin në të cilin jeton shoqëria jonë. Nëse kemi pasur fatin të përfaqësojmë një kulturë të mirëfilltë, para botës jemi më të njohur. Arti është ai që i jep kuptimin dhe realitetin kulturës.
Krijimtaria është diçka e shenjët, sidomos për ne shqiptarët të cilëve fati na ka përballur me vështërsi të tilla, ku pushtues pas pushtuesi, kanë kaluar mbi kurrizin tonë me qëllim për të na e mohuar atdheun. Pushtuesit tonë kishin dy forma për të na zhdukur: zhdukëjen fizike dhe kulturore , e që asnjëra nuk ishte më e padhimbshme se tjetra.Krijimtaria jonë është rruga më fisnike e cila mbanë gjallë ndërgjegjen kombëtare.
Njeriu që jeton në mërgim, temat i imponohen vetvetiu, kjo vie nga dashuria për atdheun, malli për njerëzit e tij, nga se kam fituar përshtypjen se njeriu peshën e dashrisë për atdheun e ndjenë kur është larg tij, kur atdheu i mungon. Pra krijimtaria në mërgim pa mëdyshje ka ngarkesën emocionale, ka peshën e mallit, e mungesës së atdheut, e të dashurëve të vet
 
 
Një prezantim të shkurtër.
 
Jam Shaban Cakolli, i lindur në Krilevë të Dardanës. Shkollën fillore e kreva në vendlindje, tmesmen në Dardanë, kurse studimet në Univerzitetin e Prishtinës. Nga mosha fëmijërore u frymëzova për shkrime, kulturë dhe veprimtari kombëtare. Si i ri punoja me rininë e fshatit në grupe letrare, ku nxirrnim gazeta të murit. Me shkrime dhe kulturë vazhdova edhe në shkollimin e mesëm dhe univerzitar. Kam botuar shkrime në poezi, prozë dhe publicistikë në gjitha gazetat që botoheshin atë botë në Kosovë, ku edhe tani botoj në gazetat dhe revistat që botohën në diasporë e Kosovë.
Kam udhëhequr jetën kulturore në vendlindje dhe mërgatë. Në Gladbeck isha sekretar i SHKA “Aleksandër Moisiu” në kryesinë e Bashkimit të Intelektualëve Shqiptar në Mërgim(BISHM),
jam në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar në Gjermani LSHAKSH. Kam botuar në gjuhën shqipe, gjermane dhe turke. Jam i përfshirë në 18 antologji në gjuhën shqipe, një gjermane në mërgim dhe Kosovë.
Përkohësisht jam me banim në Gjermani.
  
                
I lindur në Krilevë të Dardanës ku edhe kaluat rinin tuaj, çfarë mundë të na thoni për atë kohë për vendlindjen tuaj?
 
Po; fëmijërinë time e kam kaluar në këtë fshat të bukur, dhe malli për te më pushton gjëthnjë.Krileva është një fshat i bukur i komunës të Dardanës, me tokë pjellore, me kullosa, rrethuar me kororë malesh, me ajr të freskët,me gurra uji të ftohët të pijes;aty në arat e bukës kultivohen gjitha kulturat bujqësore,mes arave të punës kalon lumi,shtëpitë janë të ndërtuara përbri rrugës,e në mes të fshatit është shkolla,ambulanca dhe shitoret.
Krileva ka një shtrirëje mjaft të bukur gjeografike,të cilës ja kanë lakminë fshatërat për rreth.Më se njëqind shtëpi,me qindra banorë,me punë e aktivitete në të gëdhirë i japin gjallëri fshatit.
Në Dardanë(ish-Kamenicë) shqiptarët kanë frymuar më vështirë, mbase në punën zyrtare kanë mbretëruar sërbët.Vendasit e mijë nuk kanë pasur rastin atëbotë të punojnë në ndonjë vend pune me perspektivë.
Aty-këtu ndonjë kanë punuar si minatorë,apo rojtar të ndonjë fabrike.Po njerëzit e fshatit tim ishin punëtorë,punonin në bujqësi e blegtori,por fitonin rendimente të larta.Po,të parët tanë të fshatit ishin burra të mençur,këtë mençuri ua kishte falë përvoja e jetesës,burra të pashëm,të dalluar në veshëje,në mikpritëje,dhe udhëheqës të mirë familjar.Jam rritur mes tyre,si fëmijë kam ndejur me të vjetrit nëpër dhama të pritëjes së miqëve dhe kam mësuar shumë gjëra prej tyre.Kur vinin miqët nëpër odat tona,i zoti i shtëpisë ngrohej nga nderi që i bënin vizitorët,u bënte nderë e rrespekt,u shtronte në sofër gjithë të mirat që posedonte,pije nga më të veçanta,pemë,më pas shkriheshin në biseda shumë interesante,shpalosnin gëzimet e dhimbjet e tyre,përvojat e kujtimet.Kur vinin miqët dimrit qëndronin ditë të tëra,natën e parë
i mbante pritësi,të nesërmen vinte ia mirrte fqiu,e kështu fqinjë pas fqinji me radhë.Unë si i ri kam shkuar me miqët fqi,pas fqiut,kam dëgjuar biseda të këndshme dhe interesante,kam mësuar lojëra interesante që luanin fshatarët tanë odave,më pas tregime të ndryshme,këngë interesante që shpalosnin historinë tonë kombëtare,rrapsodët tanë para miqëve.Gjithçka e kishte bukurinë e vet.Shkollime pos atyre fillore deri në gjeneratat tona nuk kishte,fshatarët iu kishin përkushtuar punëve në blegtori e bujqësi dhe ndiheshin mirë,pasi fitonin mirë prej tyre.Kur kam filluar unë të shkollohem,nuk ishte shkolla e plotë fillore në vendlindje,aty kryanim katër klasët e para,pastaj tjerat në një fshat fqinjë që quhej Strezofc.Nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas,bënim katrëmbëdhjetë kilometra këmbë.Si të rinjë kjo nuk na pengonte aspak.
Pavarësisht kushteve të vështira ne mësonim, rrespektonim prindërit,arsimtarët dhe të vjetrit.Edukimin dhe frymëzimin e kam fituar në fshat në mesin e fshatarëve të mijë.Që në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare unë është dashur të shkëputem nga fshati,mësimet e mesme i kam kryar në Dardanë,ato univerzitare në Prishtinë,ku edhe blemë shtëpi dhe u vendosëm,po askund në asnjë vend,në asnjë ndejë,nuk jam ndier më i ngrohët ,më i lumtur,më i frymëzuar,se sa kur i kam bërë vizitë fshatit.Krileva është vend i bukur,ka njerëz të dashur e të mençur,ka një rini të shkëlqyeshme.Sot të gjithë të rinjët në Krilevë janë të shkolluar,kemi doktora shkencash,magjistër,profesor,mësues,shkrimtar e poet.Gjëthnjë kudo që gjindem,mendjen dhe mallin e kam te fshati im,i njerëzve të mijë Krileva e bukur e dashur dhe e ngrohët.
  
                
Shkollimin fillore ne Krilevë dhe të mesëm keni bërë në Dardan, mund të na thuash më shumë për jetën tuaj shkollore?
 
Jeta ime shkollore ishte pak e mundimshme: Në fshatin tonë nuk kemi pasur shkollën e plotë fillore.Shkolla në fshatin tonë atë botë ishte katër klasëshe,pjesën tjetër të shkollimit e kemi ndjekur në një fshat tjetër të komunës sonë.Fshati ku ndiqnim mësimet quhej Strezofc,nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas bënim 14 kilometra rrugëtim në këmbë. Kur ktheheshim nga shkolla,kishim pak pushim derisa drekonim, prindërit na angazhonin në punë të shtëpisë,mësimet i pregadisnim orët e natës,rryma elektrike ende mungonte në fshat,mësonim nën dritën e qiririt apo ndonjë vajguri.Mund të them se prindërit na flisnin fare pak,ose fare për rëndësinë e shkollimit,nga se ishin të lodhur me punën e tyre për mbijetesë.Ne i kushtonim rëndësi mësimit,madje garonim për notat më të larta,kemi pasur shumë rrespekt për mësimdhënësit,për të moshuarit.Kur nisa mësimet në shkollën e mesme në Dardanë, nuk kisha mundësi të udhëtoja,mungonin autobusët në fshatin tonë,u desh të paguaja banesë në Dardanë, po hargjime kishim më shumë,por kushtet për mësim ishin shumë më të mira,madje edhe kohë për aktivitete të lira kishim mjaft.Mundohesha të bëjë një orar kohe për mësime,për aktivitete,për miq,me një fjalë isha shumë i gjindshëm,i dalluar në mësime,në aktivitete kulturoro-letrare,i rrethuar me shumë miq.Mund të them në kohën e kushtet e vështira që kemi jetuar,kam pasur një jetë të mirë rinore,me kujtime të ngjeshura,të cilat i evakuoj tani shpesh.
  
                
Keni studiua në Prishtinë, çfarë ka në mendje sot Shabani nga këto kohëra, nga jeta studentore?
 
Jeta studentore për mua është e shenjët, pjesa më e mirë e jetës sime. Nuk kam banuar në konvikte, kam banuar në shtëpi private, por kam pasur mundësi të mira të rrugëtoj me kohën, si dhe të provoj gjëra që nuk kisha pasur rastin më parë të i provoj. Isha student i rregullt, kur ndiqja ligjeratat i përcillja me vemendje, kishim edhe literaturë të mjaftueshme, biblioteka ku mund të zgjidhnim tituj e mësonim.
Aty, kisha kohë më tepër të i përkushtohem krijimtarisë, madje isha i angazhuar edhe në disa Shoqëri Kulturore, Artistike(SHKA). Si student ndihesha më i pavarur, më i burrëruar, më i zhdërvjellur në aktivitete dhe shoqëri.
Edhe jetën e natës e bënim të organizuar, aty krijova rrethin, shoqërinë, aktivitetin, por fatkeqësisht nga viti 1981,filluan zbehëjet. Demostratat e studentëve u etiketuan si armiqësore, studentet si nacionalist, iridentist, e deri në kanibal. Filloj diferencimi ideopolitik, përcjellja në katedër, punë ,shoqërim,etj…Kohë të vështira ishin,por ishim të përkushtuar dhe ia dolëm të hapërojmë dhe të mbijetojmë ato kohë të liga.
 
 
Nga mosha fëmijërore u frymëzua për shkrime, kulturë dhe veprimtari kombëtare., kujtimet e juaja nga kjo kohë e rinisë suaj në punë me brezin e ri, një paralele mes punës si i ri në vendlindje dhe asaj në mërgim?
 
Po, kishim një mësues në shkollën fillore, quhej Ejup Ahmetaj, nga Hogoshti i Dardanës. Mësuesi banonte me familje në banesat e shkollës sonë. Më dukej mësues dhe mik, sikur tek ai isha më i ledhatuari i shkollës.
Më mirrte në banesën e vet më shoqëronte me fëmijët e vet, më udhëzonte si të pregadis lëndet, si të recitoj vjershat, si të vizatoj, të shkruaj tregime, më pas shkrova një vjershë kushtuar fshatit tim.
Mësuesi sikur në fytyrën e tij tregonte gëzimin për vjershën time, kjo më jipte kurajo dhe kohë më pas shkrova edhe disa nga vjershat. Në një program shkollor më prezantuan me vjershat e mia, kisha emocione, pak edhe frikë, po vjershat e mia u shpërblyan me duartrokitje,madje edhe muarën dhenë,kudo flitej për to,kjo më jepte forcë dhe më nxiste për punë.Fshati ynë kishte një rini të mrekullueshme,një rini të dashur,një rini aktive,kemi bashkëpunuar,kemi mbajtur gjallë jetën kulturoro-artistike,kemi shënuar ditën e shkollës,festa kombëtare,me programe letrare dhe artistike,kemi çfaqur koncerte me muzikë të pasur e të mirëfilltë shqipe,kudo jemi mirëpritur e shpërblyar. Kjo na ka nxitur të punojmë më shumë, kemi nxjerrur gazeta të murit në shkollë e lokale rinore, i kemi mbushur me vlera dhe zbukuruar mirë. Ishin punë të mira ato, i kujtoj me mallëngjim, kemi pasur shumë suksese por gjëthnjë kemi qenë të palodhur, në krye të aktiviteteve, duke u përpjekur gjithnjë që punën që kemi bërë të jetë më e mira, të jetë vlerë. Kur shkova në Dardanë në shkollën e mesme, aty ishte aktiv grupi letrar.
Në këtë grup u kyça edhe unë, u desh disa kohë pune dhe profesori i gjuhës shqipe më cilësoj si më aktivin në atë grup. Profesori quhej Mehmet Surdulli, një ditë më thirri në bisedë dhe ngadal e qetë me disa ledhatime, më lavdëroj duke më cilësuar si shumë të aftë me shkrime, më tha se duhej të botoja në gazeta e revista! Nuk munda pa e pyetur, si bëhet kjo? Ai më tha se njeh një poet të famshëm dhe do të më njeh me te: Kështu edhe u përcaktuam.
Një të shtune nga Dardana më mori për dore, më pagoi biletën e udhëtimit rrugëtuam drejt Prishtinës në Ulpianë më drejtoj në zyren e një poeti. Me vete kisha një fletore ku kisha renditur shkrimet. Tek kur hyra në byro, kuptova se me poetin që duhej të takohesha ishte Azem Shkreli! Për Azem Shkrelin kishim mësuar në shkollë, e dija se ishte poet me famë, por ajo çka më trishtonte mua ishte: Si do të mund të bashkëpunoja unë me Shkrelin? Profesori u përshëndet me ne, kurse mua më la kokë me kokë me Shkrelin. Filluan të më dridheshin gjunjët, por aty kam mësuar se Azem Shkreli ishte mik, nuk dallonte shoqëri në shtresa, ishte i thjeshtë me miqët, ishte poezia vet. Pas një bisede të gjatë, disa këshillave që mi bëri, më kërkoj fletoren e shkrimeve, ia lash me kënaqësi, u përshëndetëm me te. Nuk ishte bërë një muaj i plotë kur në revistën”Zëri i Rinisë” më zëri syri tri poezi të mijat, me pak ndryshime që kishte bë i madhi Shkreli, poezitë e mija ishin më të dalluarat në atë revistë. Nuk dijë të përshkruaj gëzimin që kam ndier, kemi pasur edhe shumë takime me Shkrelin, më ka ndihmuar të ndryshoja diçka që nuk shkonte, kështu kohë pas kohe arrita të botoj në gjitha gazetat e revistat që botoheshin në Kosovë. Kur erdhëm në mërgim, qëllimi ynë ishte të zhvillojmë veprimtari në dobi të kombit. U njohëm me mërgimtarë të të gjitha moshave.
Erdhëm në përfundim të formojmë një Shoqëri Kulturore mes të cilës do të zhvillonim veprimtarinë tonë. Shoqatën e pagëzuam”Aleksandër Moisiu”, e regjistruam te organet gjermane dhe vite të tëra kemi kryar aktivitete të nduarduershme, për atdheun dhe kombin. Përmes saj kemi internacionalizuar çështjen kombëtare tek gjermanët, kemi ndihmuar fondin e Qeverisë, Fondin Vendlindja Thërret, shkollat shqipe në Kosovë, skamnorët, kemi punuar me rininë, i kemi ndihmuar në jetën kulturore e letrare, ku në krye të punës gjithnjë isha unë.Kemi hapur shkollën shqip këtu në Gjermani,në vendin ku jetojmë ne,kam qenë vite të tëra si kryetar i këshillit të prindërve,kam ndihmuar krejt çka kam mundur në mbarëvajtëjen e mësimit të shkollës shqipe këtu në Gjermani.
 
 
Përveçse një mësues i pasionuar, shkrimtar me renome, do të ishte më interes të mësonim nga ju se si e përkufizoni rolin e shkrimtarit në jetën bashkëkohore?
 
Si mësues nuk vajti mbarë, ishte kohë e vështirë për shqiptarët, për mësuesit tanë. Nisa punën si mësimdhënës në një shkollë afër Prishtinës, punoja me përcjellje në çdo hap, komitetet atëhere më cilësonin si njeri i papërshtatshëm ideo-politikisht për arsim, dhe më dëbuan, pjesën tjetër kam punuar në “XIQ”Karaqevë. Mbase rolin e një krijuesi më së miri do e zhvilloja në arsim, por kjo nuk më ka lëkundur asnjëherë dhe kurrë nuk iu kam nda krijimtarisë. Krijimtaria është diçka e shenjët, sidomos për ne shqiptarët të cilëve fati na ka përballur me vështërsi të tilla, ku pushtues pas pushtuesi, kanë kaluar mbi kurrizin tonë me qëllim për të na e mohuar atdheun. Pushtuesit tonë kishin dy forma për të na zhdukur: zhdukëjen fizike dhe kulturore,e që asnjëra nuk ishte më e padhimbshme se tjetra.Krijimtaria jonë është rruga më fisnike e cila mbanë gjallë ndërgjegjen kombëtare.Nuk mundemi të themi se muza poetike ka shkathësi të shkatërroj luftëra,të mund ushtri,por mund të themi lirisht se ëndërren për liri e bëjnë të lakmueshme,ndez gjakëra për të i dalur zot atdheut, kjo ka dëshmuar përpjekëjet e gjata për të kundërshtuar zaptuesit,këtë e kanë dëshmuar rilindas pas rilindasi,lufta e fundit që i solli humbje pushtuesit,nga se arti ishte dhe mbetët shpirti i kombit që mëson të duam e mbrojmë atdheun, që ka mbajtur gjallë e të patjetërsueshëm kombin. Krijimtaria është fisnikëria e shpirtit ajo ka fisnikruar vendasit në mbrojtëje të atdheut, ajo fisnikronmërgimtarët që sot nuk janë pak, ku krijimtaria atje ka peshën e mallit, ngarkesen e madhe emocionale,,mungesen e atdheut,po që ndërton shoqërinë ,brezat më të ri,në forcimin e atdhedashurisë.Përmua krijimtaria e shkrimtarit bashkohës është e shejtë,është armë e fortë e mbrojtëjes së atdheut e kombit,gjuhës….Fatbardhësisht krijues bashkohës kemi sot më shumë se kurrë, për fat kemi të mëdhenj,e të vegjël, kjo është mirë, sot kemi një Kadare të madh, nesër do të kemi Kadare të tjerë dhe kjo është krenari për ne.
 
 
Qysh si student jeni marrë me shkrime, cilat janë shkrimet e juaja te para dhe ku i keni publikua në atë kohë ato?
 
Po, atë kohë nuk mendonim për ndonjë botim libri, nuk gjindej sponzor, kurse si student na mungonin mjetet materiale për këtë. E rëndësishme ishte se ne punonim në atë drejtim, nuk ndaleshim, më pas kur mendonim se punimi është brumosur mirë, ua shpërndanim redaksive të pakta që atëherë kishim në Kosovë. Dorën në zemër, na i kanë botuar të gjitha gazetat dhe revistat, na imponohej të kënaqeshim me mundësitë që kishim.
 
 
Krijimtaria juaj i përket një periudhe të gjatë kohore. Cila është tema dhe motivi ne veprat e juaja?
 
Unë fillova me shkrime në vegjëli, fillimisht si i vogël më nxiste të shkruaj për vendlindjen, më pas duke ndier vetën më të burrëruar më flaku motivi i dashurisë. Kam disa fletore të shkruara me poezi në këtë motiv.
Vitet e 80-ta, për ne filluan një dridhëje të madhe, hetime, përndjekje, burgosje, privime, kjo nuk do të thotë se na lëkundi nga krijimtaria, nga se pikërisht në këto kohë të vështira arti shpërthente më tepër, po u desh të u kthehemi temave të kohës.
Nuk dijë ndoshta kam gabuar, por më dukej se nuk kishim kohë për dashurinë, por as kohë dashurie nuk ishte, andaj me kujdes ato fletore të atij motivi i palosa në një kënd, ku sot e atë ditë, më kanë mbetur të pabotuara.
 
 
Nga e merrni frymëzimin, çfarë është tema apo subjekti në veprat e juaja?
 
Ju e dini, unë edhe pak muaj mbushi njëzet vite në mërgim. Njeriu që jeton në mërgim, temat i imponohen vetvetiu, kjo vie nga dashuria për atdheun, malli për njerëzit e tij, nga se kam fituar përshtypjen se njeriu peshën e dashrisë për atdheun e ndjenë kur është larg tij, kur atdheu i mungon. Pra krijimtaria në mërgim pa mëdyshje ka ngarkesën emocionale, ka peshën e mallit, e mungesës së atdheut, e të dashurëve të vet.
Më duket kjo krijimtari ka një ndikim më të fortë në ndërgjegjëjen e dashamirëve të saj. Madje nga këto rrethana, mendimi im është që shumë prej atyre që ndoshta kurrë më parë nuk janë marrur me krijimtari, pikërisht malli për atdheun e vet, rrethanat e jetës në mërgim i kanë nxitur të i rreken punës, të shkrojnë rreshta apo vargje për mallin e atdheut. Pra frymëzimi për temat, si të të gjithë krijuesit në mërgim është, atdheu, kombi, malli, kurbeti…
 
 
Ju keni botuar në shqip, çka ka botua deri më tani Shabani?
 
Kam mundur të botoj më shumë, ndryshe nga ata që nxitojnë të botojnë në numër, mua më duket më e arsyeshme të bëjë hapa më të ngadalshëm në botim. Më parë kam pasur dëshirë të botoj romane, por
për fat të keq, një roman në të cilin kam punuar disa vite”Gjurmëve të Vuajtjeve Shqip”më pat konfiskuar regjimi i atëhershëm dhe nuk e dijë sakt nëse ka përfunduar diku në flakë, apo shportë mbeturinash, por që kurrë më nuk ka rënë në dorën time. Thënë drejt më është dhimbsur shumë, kam hargjuar kohë e mund, dihet atëbotë si shtypej në kushte të vështira, me disa makina shkrimi aspak praktike. Nga atëherë sikur ndjejë një dozë frike të botoj libër në prozë, botoj pjesë në gazeta, por asnjëherë nuk i kam përmbledhur në libra. Jam përkushtuar në poezi, dhe deri më tani kam botuar:
 
“TOKË DARDANE”
“LOTI I ATDHEUT”
“DETI I QIELLIT”
“KRISMA E FJALËS”
“AGSHOLI”
 
Kam edhe të tjera për botim, nuk kam pasur ndonjëherë oferta për sponzor, botojmë me mjetet nga djersa, duhet të matemi mirë kur vie në radhë botimeve, nga se kemi edhe shumë halle tjera, të ndihmojmë familjet, të afërmit e ndonjë nga skamnorët, e rëndësishme është se ato rrijnë në sirtar të pregatitura, me shpresë një ditë do u vie radha. Jam i përshirë edhe nëpër shumë antologji, si e dini ju edhe në një antologji tuajn”Jehona e Shekujve”, e cila ka dalur një antologji mjaft e mirë për të cilën u jam mirënjohës.Jam futur edhe nëpër antologji gjermane,në të cilat jam mjaft i kënaqur,nga se punimet tona kanë kaluar nëpër duart e Ferdinand Lahollit, një përkthyesit më të njohur në shqip-gjermanisht.
 
 
Keni udhëhequr jetën kulturore në vendlindje dhe tani në mërgatë, cka mund të na thotë për këtë Shaban Cakolli?
 
Në kulturë kam qenë dhe jam i angazhuar gjithnjë. Kjo punë më duket punë me peshë dhe fisnike. Një popull i jep kuptim jetës duke krijuar, pasuruar, zhvilluar dh përfaqësuar kulturën e vet kombëtare.
Kjo do të tregon realitetin në të cilin jeton shoqëria jonë. Nëse kemi pasur fatin të përfaqësojmë një kulturë të mirëfilltë, para botës jemi më të njohur. Arti është ai që i jep kuptimin dhe realitetin kulturës.
Padyshim të punosh në këtë lëmi duhesh të jesh njohës i saj,po nuk mjafton vetëm kjo:duhet durim, qëndrushmëri e përkushtim.Duhesh të luash me më të çmuarën ,kohën,unë kam humbur kohë,madje kam dëgjuar njerëz të më përqeshin si unë humbas kohë,por kur i kam vërejtur rezultatet,më është dukur shpërblim.Në vendlindje kjo kishte një lehtësim,ishim edhe të sigurtë për rezultate,kurse në megrim kishte pragje të panjohurash:Nuk njihnim të rinjët,nuk dinim prirëjet,shkathësitë dhe kjo ishte më tepër se mundi. Unë në mërgim e kam nisur i vetëm këtë nismë, tek kur të tjerët kanë pa rezultatet e para kanë filluar aty-këtu të më bashkangjiteshin.Në qytetin ku unë gjeta strehë në mërgim,kishte shumë të rinjë e të reja shqiptare.Fatkeqësisht mes vete bisedonin në gjuhën gjermane.Kjo mua më brente,ishte dhimbje,shkolla shqipe ende nuk kishte,fillimisht më është dashur të zbuloj dhuntitë dhe talentet e të rinjëve që nuk i njihja.Ishte e vështirë,por jo edhe e pamundur.Problem tjetër ishte se isha i nxënë me punë, nuk kam ditur të mendoj për pushimin,kam kaluar edhe orët e vona të mesnatës me të rinjët nëpër ushtrime me të rinjët. Lokale për ushtrime nuk kishim,i patëm nda dhoma nga banesat tona për ushtrimore.
Një lokal për shënime kulturore e paguanim.Me këta të rinjë kam punuar në gjitha fushat e kulturës,l etërsi, art, muzikë, sport, më pas edhe kemi organizuar kuize për matjen e njohurive në lëmi tjera.
Veç kësaj gjatë jetës kulturore fëmijët janë pasuruar edhe me të folurit dhe të shkruarit drejt në gjuhën amtare. Pas hapjes së shkollave shqipe udhëheqja e jetës kulturore sado pak na u lehtësua. Punonim
bashkarisht me mësuesit dhe ushtrimet i mbanim nëpër lokalet e shkollave. Falë kësaj, ne kemi zhvilluar një veprimtari të begatshme kulturore, kemi organizuar orë letrare,ekspozita,programe muzikore, kemi shënuar festa të shkollave, festa kombëtare, jemi prezantuar në Ditët e kulturës, e cila mbahet në vit në Gjermani. kemi prezantuar kulturën tonë dhe kudo kemi dalur faqebardhë.Kishim një mësues të vyar Sejdi Gashi,tani në pension me te kam qenë i pandarë në aktivitetet kulturore, si për këtë veprimtaria ime është futur nëpër disa monografi të shkollave shqipe. Në vendlindje për organizimin e kësaj veprimtarie ndoshta kushtet ishin më të vështira, por kemi pasur veprim të përbashkët me njohës të mirë të kësaj lëmie, kemi njohur edhe talentët, kështu që na nevojitej vetëm mundi dhe koha, të cilat në asnjë rast nuk i kemi kursyer.
 
 
Ishit sekretar i SHKA “Aleksandër Moisiu” dhe në kryesinë e Bashkimit të Intelektualëve Shqiptar në Mërgim, cfarë është roli i këtyre sdhoqateve në mërgim?
 
Bashkimi i Intelektualëve Shqiptar në Mërgim(BISHM) kishte për qëllim të bashkonte intelektualët e shkapërderdhur nëpër mërgim, njerëz me vyrtyte njerëzore, të dashur dhe intelektual të kompletuar,
që të tillë në Gjermani ka shumë. Ata duhej të tuboheshin, të analizonin gjendëjen e atdheut i cili ishte nën okupim, të formulonin e publikonin mendime, rreth formave të organizimit, për të dalur nga ajo
gjendëje e mjerueshme. Zëri i tyre do të duhej të dëgjohej e jo rrallë këtë zë të tyre e përhapnim edhe ne mes mjeteve të informimit. Fillimisht këtë nismë e pat marrur një intelektual i mirëfilltë, një veprimtar i shquar Ramiz Kugleci, tani i ndjerë.Në këtë BISHM,isha edhe unë anëtar kryesie.Për habi ky Bashkim i Intelektualëve Shqiptar në Mërgim,i cili ndoshta ishte shpresa më e madhe e mërgimtarëve,nuk qëndroj shumë.
Përse, si, çndodhi?Për këtë nuk mund të flas më shumë nga se nuk kam njohuri të sakta,një gjë mund të them,nuk ia dolën të organizoheshin si kërkohej.
 
 
Jeni ne Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar në Gjermani LSHAKSH, cka mund të na thoni përpunën tuaj në këtë Shoqatë?
 
Ndryshe është me Lidhjen e Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve shqiptar(LSHAKSH), ajo u themelua tani pesë vite. Nismëtar i themelimit të LSHAKSH, ishte Martin Çuni,një intelektual,veprimtar i shquar,i burgosur politik, reporter i luftës së Kosovës,njeri i penës dhe pushkës,njeri i dashur për miqët,i kalitur për punë,mbas të cilit kemi hecur çdo hap.LSHAKSH,nuk ka lokal të vetin në Gjermani,organizohen tubime vend,pas vendi në Gjermaninë e madhe, krijuesit bëjnë qindra kilometra udhëtime, për të marrur pjesë në tubime. Gjithçka arritet vetëm me vullnetin e mirë të krijuesve.LSHAKSH, veprimtarinë e kryajnë me një fond shumë të vogël,po aty janë bërë punë të mëdha e sukseshme.Janë promovuar disa dhjetëra libra të krijuesëve tanë,janë botuar disa antologji nga LSHAKSH,si:Asht e Gjak Arbërie,Trinomi i Lirisë,”Një Shekull Dritë”,e disa që për momentin nuk po më kujtohen.LSHAKSH,fillimisht kishte organ të vetin”Muzçn Poetike”,revistë mujore,tani po e njejta nxirret në formë elektronike,poashtu ka një faqe në facebook ,me emrin LSHAKSH.Krijuesit tanë të palodhshëm secili ka dhënë kontributin e vet, organizojmë orën e Pavarësisë që mbahet njëherë në vit,organizojmë poashtu Takimet”Azem Shkreli”, është organizuar çdo vit Dita e Kulturës,Njëqindvjetori i lindjes së Nënë Terezës.
LSHAKSH, në çdo vit ndanë çmime e mirënjohëje për të merituarit në gjitha fushat e arteve kulturore dhe veprimtarëve të kombit. LSHAKSH, posedon gjitha seksionet e kulturës, letërsi, art, pikturë, muzikë …. Në aktivitetet e LSHAKSH, marrin pjesë edhe krijuesit jashtë Gjermanisë :si nga Holanda, Belgjika e Zvicrra,Është për të përmendur Valdete Berishën,një poete dhe piktore e shquar,e cila nga Belgjika ndjek tubimet tona.
Ajo vitin e kaluar ka marrë çmimin për pikturën më të mirë, por këtë çmim ajo menjëherë e dedikoj për fëmijët bonjak në Kosovë. Muaj më parë ka pasur zgjedhje në LSHAKSH, ku kryetar u zgjodh Hasan Qyqalla, një krijues intelektual, një punëtor i pa epur, unë jam zgjedhur sekretar, po punojmë, kemi promovuar antologjinë”Trinomi i Lirisë”, kushtuar vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, është mbajtur orë kushtuar letrarit dhe veprimtarit Tahir Desku, është promovuar libri”NJË SHEKULL DRITË” në shenjë të njëqindvjetorit të pavarësisë të Shqipërisë, libër ky që është promovuar edhe në Tiranë e Prishtinë, nga LSHAKSH.
Është mbajtur orë letrare për Ali Podrimen, e kemi në plan edhe shumë aktivitete të ngjeshura, çka besoj se do të shkojnë mirë. Lirisht mund të themi se punët më të mira që munden të kryhen në mërgatë janë kryar nga LSHAKSH.
 
 
Sa jeni ju i kënaqur me punën në shkolla në mërgim kur kemi të bëjmë me
Lëndën e Gjuhës shqipe, sa është ky mësim sot efektiv tek fëmijët mërgimtar?
 
Organizimi i mësimit të shkallave shqipe me mësim plotësues në gjuhën shqipe, në Gjermani është tradicional. E them këtë nga se në korrik të këtij viti, unë mbushë njëzet vite qëndrim në Gjermani.
Njëzet vite, janë shumë vite por Shkollat shqipe në Gjermani kanë funksionuar shumë më heret se të vinim ne këtu. Kur flasim për mësimin shqip në Gjermani, nuk flas në çdo cep të Gjermanisë, nga se Gjermania është shumë e madhe, duhet shumë rrugëtime për të u njohur me gjendëjen e saktë të mërgimtarëve tanë. Unë po flas për republikën në të cilën jetoj unë Nord Rhein Westfahlen(NRW) si republikë shumë e madhe. Natyrisht shkollimi në gjuhën shqipe është bërë nëpër etapa, ashtu si shqiptarët kur dhe ku janë strehuar.Në qytetin Gladbeck,ku unë jam strehuar,kjo traditë e punës së shkollës shqipe është nëntëmbëdhjetë vjeçare.Kohën kur unë erdha këtu,në këtë qytet nuk ka pasur shkollë shqipe.E kujtoj si sot,mbas mësimit të gjuhës gjermane,fëmijët shqiptar kohën e lirë e kalonin nëpër strehimore, apo rrugëve duke biseduar në gjuhën gjermane.Kjo nuk më linte të qetë,kishte dhjetëra fëmijë shqiptar që po të vazhdonin kështu do të tjetërsoheshin.Pata vendosur që të u përkushtohem këtyre fëmijëve pa pagesë dhe bëra kërkesë te organet gjermane.Fati i keq për mua ishte si për çdo shqiptar fillestar në mërgim.Nuk kisha status qëndrimi dhe nuk e njihja gjuhën gjermane,gjithëçka bëhej mes përkthyes.
Dorën në zemër, organet gjermane na kanë pritur mirë, ata na thanë se këtu në Gjermani mësimin e shkollave shqipe e paguajnë, por mësuesi duhet të ketë status qëndrimi, të cilin unë nuk e kisha.
Kam lobuar kohë për një mësues shqiptar. Nuk po zgjërohem shumë rreth kësaj, dikur në gazetën “Bota Sot”, pata bërë një shkrim me titull”Ditën kur loboja për shkollën shqipe, në shtëpinë time kishte dasmë”
Dikush që ka mundur të e lexoj do të i kujtohet, pra në shtëpinë time kishte dasmë, por unë nuk isha prezent në dasmën tonë! Ishim në kërkim të një mësuesje shqiptare dhe fatbardhësisht e gjetëm. Më kujtohet kur ime më pat pyetur: Je normal ti im shoq? Mendoj se po, iu pata përgjegjur,por më thuaj përse më pyet?Si përse të pyes,në shtëpinë tonë ka dasmë,kurse kreu i shtëpisë nuk është në shtëpi,mu gjegj ajo!
I pata thënë: Sot kishte dasmë vetëm në shtëpinë tonë, po nëse do bëjmë shkolla shqipe këtu gjithë shqiptarët do të kenë dasmë, dhe qesh ndier mirë, kur ajo miratoj mendimin tim.Mësuese e patëm zgjedhur Feride Gashin, e cila ka bërë punë të madhe në edukimin e rinisë tonë këtu.Po kthehem në fillim të pyetjes sërish:Shkollat shqipe në Gjermani kanë bërë dhe po bëjnë një punë të madhe kombëtare,dhe këtë përmes formave të ndryshme të organizimit:Përmes mësimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe, historisë kombëtare, gjeografisë të trojeve shqiptare,artit e kulturës sonë,angazhohen me të madhe për të arritur njohuri të mëdha, për traditën kombëtare shqiptare,historinë dhe kulturën e popullit tonë të lashtë. E them këtë me plot besim, sepse i kam ndjekur angazhimet e tyre në ditët e shkollave, në festat kombëtare, në kuizin e diturisë i cili mbahet në çdo vit nëpër qytete të ndryshme të Gjermanisë, ku fëmijët tanë kanë dëshmuar me rezultate të mëdha në matëjen e njohurive. Fëmijët që flasin e shkruajnë drejt gjuhën amtare, që përzemërsisht i shkruajnë e recitojnë atdheut, kombit, gjuhës, flamurit, dëshmorëve, që mësojnë historinë kombëtare, që kanë rrënjosur në zemër gjeografinë e vendit të tyre, nuk u kanoset asimilimi.
Këtë rezultat pa dyshim ua kanë mundësuar prindërit, mësuesit dhe intelektualët e rrethit të tyre. Tani mund të ketë edhe vende ku mësimi në gjuhën shqipe për fëmijët tanë në Gjermani, nuk organizohet.
Nëse është kështu, do të më vinte keq. Unë do të thoja: aty ku ka dhjetë fëmijë, duhet të hapet shkolla shqipe, këtë mundësi duhet të ua ofrojnë mësuesit, prindërit dhe intelektualët tanë.Askush të mos mendojnë se një ditë gjermanët do të vijnë e të na lusin:Ju keni shumë fëmijë dhe ja ne po ua hapim një paralele shqipe!Ata të cilët duhet të bëjmë këto kërkesa jemi ne,madje duhet edhe shumë mund e djersë për këtë, po më në fund shpërblimi është i yni.
 
 
Keni botuar në gjuhën shqipe, gjermane dhe turke sa jeni i kënaqur me prezsentim e punës suaj?
 
 
I kënaqur nuk mund të jetë njeriu me atë që ka bërë brenda një periudhe.Nëse themi jemi të kënaqur gabojmë rëndë,ne synojmë për arritëje tjera më të mëdha,përpara kemi mund,por detyra e krijuesit nuk bëhet ndryshe.Në botimet shqip duhet të jem i kënaqur,ate që kam dhënë nga vetja,e kam nxjerrë nga bota shpirtërore,tani libri im më nuk është i imi,librat e mija kanë rënë në dortë të lexuesëve, lexuesit e thonë mendimin për te, fundja kjo është ajo që kam pasur mundësi të e bëjë. Në gjermanisht, kjo mua më duket mirë, është mirë lexuesit gjerman të njohin kulturën tonë,poashtu ne kulturën e tyre. E ceka diku më lart, libri im ka kaluar nëpër dorë të sigurt të përkthyesit, Ferdinand Laholli, është ndër përkthyesit më të sigurtë të letësisë shqip-gjermanisht, po e themi ne, kështu e kanë thënë edhe gjermanët. Në gjuhën turke, as që më ka shkuar mendja të përkthej. Sot mundësia mes internetit është njeriu të zgjedh. Dikush nga turqit shqipfolës e ka përkthyar librin tim”TOKË DARDANE” në gjuhën turke, nuk mund të flas për nivelin e përkthimit pasi nuk e njoh gjuhën turke, e kam pa edhe në një forum turk komplet librin tim të përkthyar, unë nuk di as të flas, as të lexoj turqisht,sidoqoftë u jam mirënjohës atyre që kanë marrur mund të përkthejnë librin tim.
 
 
Një shkrimtar, një publicist, një përkthyes kërkon te jetë pothuajse për gjithçka i informuar. Kjo ka të bëjë kryesisht me natyrën e personit. Thjesht doja një përgjigje te shkurtër si është Shbani nga natyra ?
 
Fillimisht më duhet të them: krijues mund të jetë një individ që lexon, që mediton leximin, i nxjerr thelbin, gjithnjë kërkohet leximi. Vartësi për ne është se ne jemi larg atdheut tonë, gjëra të ndryshme zhvillohen brenda ditës në atdheun tonë dhe jasht tij, që mua më nxisin të njoh aktualitetin e përditshëm. Pra përdor shumë mjetet elektronike dhe të shkruara, kërkoj gjëra interesante, lexoj literaturë tonën dhe të huajn, dua të ndjek të arriturat kulturore kombëtare dhe ato të huaja, kjo është natyrë e imja, nëse ndonjëherë pamundësohem të i njoh këto, nuk ndihem mirë.
 
 
Ju jeni shkrimtar, publicist, çfarë është aktiviteti juaj në media. Si e ndieni veten si shkrimtar, publicist në mërgim?
 
Të arriturat, por edhe humbjet njeriu më së miri i përballon në vendin e vet. Tani ne jemi jasht atdheut dhe nuk mund të vajtojmë e arsyetohemi: ja jemi në vend të huaj, çka na duhet shtypi, çka na duhet libra, e jona është të punojmë, të sigurojmë familjet, të kthehemi nga puna, të pushojmë e relaksohemi. Ata që mendojnë kështu bëjnë gabim të madh. Unë kam qenë i lidhur me mediat si i ri në vendlindje, por nuk e kam pushuar kurrë interesimin tim për mediat. Fillimisht lexoj, për të ditur tani çka duhet të shkruaj. Po, në media aktiviteti imështë mjaft i përhapur, në gazeta, revista, radio, televizion,internet,faqe interneti,pushimin nuk e dua,as nuk e njoh. Si fëmijë kam lexuar pak revista e gazeta që botoheshin atë botë te ne: Rilindja, Zëri i rinisë, Pioneri, e ndonjë revistë e kësaj natyre, më vonë kam botuar në të gjitha dhe në gazetën studentore. Për fat, tani ne kemi shumë media të shkruara dhe elektronike, kjo është mirë, unë trajtoj shkrime publicistike, opinjone, letërsi, po duke falemnderuar redaksitë që më botojnë shkrimet e mia, thuaj se jam i pranishëm në të gjitha. Kam bashkëpunuar dhe bashkëpunoj me gazeta e revista, që disa prej tyre sot nuk janë aktive si: Rilindja, Zëri i Rinisë, Republika, EmigrantiShqiptar, Kosovapress, Zëri i Kosovës, RRuga jonë po që bashkëpunoj gjithnjë me Bota Sot, Zeri i Dites, Fakti, madje me revistën tuaj Dituria, për të cilën ju jem mirënjohës. bashkëpunoj me shumë radio shqiptare, kurse të përhershme e kam Radio Zeri i Arbërit në Norvegji, ku më së miri e gjejë veten, bashkëpunoj fal jush edhe me radion lokale tuajn Dituria dhe ate në Athinë.
Si krijues i LSHAKSH, kemi bashkëpunime edhe me RTK, Rrokum, e televizione tjera, që përshkruajn aktivitetet tona por edhe shpalosin opinjonet tona, për të cilat u jam mirënjohës.
 
 
Planet e Shbana cakollit për të ardhmen, çka lexuesit presin nga ju?
 
Jeta e njeriut është shumë interesante e ngjeshur me plane, e pangopur, jetë si hije që diçka realizon gjatë kohës, e shumë shkrihen si vesa brenda pak çastesh. Kështu ndodhi me mikun tim të madh të letrave shqipe Azem Shkrelin, i cili kishte shumë plane vetëm një javë para se të ndahej nga jeta, Podrimja, Ibrahim Ibishi, Adem Berisha, Ferit Ramadani, etj. që shumë plane iu shkëputën përgjysmë.
Diku më lart e ceka: Në krijimtari punoj nuk ndalem, kam materiale për botim, por për momentin materialisht nuk qëndroj mirë. Sponzor në letërsi nuk hasen shpesh, janë koncentruar më shumë në fusha tjera, ku ka fitime materiale. Nëse do të jem shëndosh, me forcat e mia vetanake, në një të ardhme jo të largët para lexuesëve do të dal me një përmbledhje të re poetike, që e kam titulluar “ME MALLIN E LULEVE”, dhe ka kohë prit botimin.
 
 
Nëse do te kishe mundësinë te jepje ndihmësen tende në realitetin që jetojmë ne shqiptaret pa marrë parasysh se ku, ku mendon konkretisht që duhet ndryshuar diçka ne për të mirë?
 
Ndoshta vetëm pse jam shqiptar, po nuk mendoj kështu, më duket në realitet se shqiptarët janë populli më i lashtë, më tradicional, më i vuajturi në Ballkan, krenarë, i pathyeshëm në realizimin e ënërrave të tyre për aspirata kombëtare. Këto mundësi nuk i kam unë, unë kam ndonjë mundësi të vogël për të ndihmuar ndonjë individ sadopak, por për shqiptarët në përgjëthsi kam shumë dëshira: Shqiptarët janë më të coptëzuar se çdo komb tjetër këtë coptëzim ua sollën të tjerët. Të punojmë pa rreshtur për të ia bashkuar atdheut copëzat që ia grabitën grabitçarët. Sot shqiptarët po mendojnë se kjo nuk është e rëndësishme, nuk po them për shqiptarët në tërësi(për krerët e tyre) që mendojnë se integrimi europian, do të ulte rëndësinë e teritoreve!
Unë mendoj se shqiptarët e coptëzuar, në Evropën e bashkuar, kanë pak, apo fare hiq rëndësi.Si të tillë shqiptarët nëse arrijnë në pragun evropian ,janë të parëndësishëm dhe të varur nga të tjerët. Dëshira dhe mendimi im është: Shqiptarët duhen të bëjnë bashkimin kombëtar dhe të bashkuar të hyjnë në portat e Evropës, kështu do të ishin të fortë dhe të pavarur nga të tjerët.
 
 
Çka mendoni mbi gjendjen politike shqiptare në përgjithësi, parë në prizmin Shqipëri-Kosovë dhe trojet tjera shqiptare?
 
Pa pritur këtë pyetje nga ju, sikur dhash përgjigjejen më lart. Shqiptarët kanë bërë hapa në njëqindvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë si dhe katërvjetorin e pavarësisë së Kosovës, por shqiptarët kanë të bëjnë edhe shumë. Si krijues asnjëherë nuk jam ngjeshur në politikë, por opinjonin drejt çështjes kombëtare e shoh obligim kombëtar e moral. Shqipëria në njëqind vjet pavarësi ka hapëruar ngadal, i duhen dyfishuar dhe përshpejtuar hapat. Kosova fatbardhësisht ka bërë hapin e rëndësishëm, të cilin e ka la me gjak e sakrifica një shekull, nën këmbët e huaja. Tani falë gjakut dhe sakrificave të kombit, përkrahëjes të miqëve nga bota Kosova sot nuk e ka këmben fashiste mbi kokë, por nuk mund të themi se po frymon krejt lirshëm.
Disa uzurpime, banda, barikada, sikur i kanë mbyllë portat Mitrovicës, kurse Kosova Lindore mbeti e shkeputur dhe nën sundimin e huaj, shqiptarët nën pushtetin maqedonas dhe malazez janë të përbuzur, pa harruar asnjëhere Greqinë që ka tjetërsuar e greqizuar trojet tona. Sot në çdo vend të shqiptarëve flitet për mossundim të ligjit, varfëri, urrejtëje, analfabetizëm, tregëtim me njerëz, me substanca narkotike, njerëz të humbur, pasuri të vjedhur, etj……. Shqiptarëve më tepër se pasuria materiale,e cila e paligjshme po bie në gjepa të individëve, kurse populli ka rënë në varfëri, i duhet mençuri, i duhen qofshin edhe sakrifica me të cilat jemi të mësuar, që të bashkojnë copëzat që po na i mbajnë me dhunë të tjerët, i duhet bashkimi kombëtar, udhëheqja intelektuale dhe reale, që atëhere shqiptarët do të jenë të fortë, të lirë e të pasur.
 
 
Përveç artit te të shkruarit, publicistikës si e kalon kohën e lirë Shabani?
 
Gjumi dhe pushimi nuk më pëlqejnë, kur nuk kam kohë të lirë hulumtoj miq intelektual, për të shkëmbyar ndonjë pije, opinjonet tona rreth kombit, kulturës, traditës më pëlqen shetitja me familjen, me miqët, muzika e mirëfilltë shqipe, ngapak shiqoj televizor sidomos emisione nga kultura, por kohë të lirë e konsideroj leximin e librave dhe afirmimin e krijuesve të rinjë të cilin e kam bërë gjithnjë dhe vazhdoj të e bëjë, në gazeta, revista, faqe shqiptare në net, radio, e kështu me radhë…..

 
Çka ju benë të lumtur dhe çka ju mundon më së shumti në jetë?
 
Asgjë më të lumtur se shëndeti, puna dhe ndihma nëse mund të ua ofroj të tjerëve, për mua nuk ka, kjo është lumturia ime.
Më mundojnë breshëritë e vuajtëjeve që kanë rënë padrejtësisht mbi popullin tim. Ato në memorien tonë kanë mbetur të pashlyera, edhe pse ndoshta për interesin kombëtar duhen të falen, por jo të harrohen. Aq më mundon ngecja shtetërore e shqiptarëve dhe përqarëja e tyre, si dhe pasurimi i disa individëve në kurriz të popullit tanë.

_______________
Marrë nga www.filolet.com