Sabit Abdyli |
KUR DO IK
(grues)
Një ditë kur do ik.
"Pse e pse bre"- ke me thanë:
Si harrove premtimin; gjithmonë me ty"
Asnjëherë s'më ka ndodhun të kesh shkelun fjalë!
Grue, mos vë kujë,
Në ty s'due ta shoh lotin, dhimbjen ... assesi!
Kujto ditët kur na buzëqeshte dielli
Dhe rritem katër fëmijë.
Qëndro si në ditët e mira me emrin tënd të mirë.
Nur dashurie, dorë e djathtë e shtëpisë!
Shkurt, 2018
VALA HILEQARE
Kreshtë e bardhë mbi valë
Pa pra i njom buzën
Bregut t’saj të tharë
Flladit bregun vala
Rërës i shuan zjarr
Mua flokun zbardh
Valë moj hileqare
Freskomë edhe mua
Se jam mërgimtar
Auckland, 17 tetor 2009
BORXH JAM
Borxh deri në fyt jam
Prindërve
Më rritën
Barit e dushkut
oksigjeni e shëndeti im
Borxh jam deri në fyt
Ëndrrave që nuk i bëra zhgjëndërr
Bregut lumit
Arave me grurë
Borxh jam gruas
Fëmijëve
Profesionit e punës
Që nuk bëra shumë më shumë
Sa do të doja unë
Borxh jam Shqiponjës
Që nuk fluturon e lirë
Mbi gjitha malet e fushat ku flitet shqip
Fund janari, 2018
EC E EC
Gur i shkulur,
spirancë maje thyer.
Ecë e ecë n’kërkim
edhe kur zë vend,
emrin muhaxhir!
Auckland, tetor 2013
DËSHIRË
Do të doja të jesh qiell,
dielli që ngrohë freskon.
Erë pranvere në vapë vere,
me hije dreke matur
mall pa hile,
më këmbë në tokë të jesh,
mendjen si kallinj gruri plotë
ta kesh!
Janar, 2014
KAPRICIOZE
Korba të zinj
Në eter mprehin thinjtë
Oxhak i shtëpisë tymos
me blozë
të zinjtë e zogjve kombçar
Majë lisave poshtërisht lëshohen
Me thonj e me sqepa
drejt shkëmbit të Prometheut
Shpendët sa grima
si të ishin kafshë nate
I kashaisa
I zhvesha mitesh me blozë
E ngura dot s'u hiqej
erë shurre kundërmojnë
EMRAT PA EMËR
Kalërojnë ligjet
Emrat pa emër zvarranikë
kalërojnë ndrydhin liritë
shkelin premtimet
zvarrë zvarrisin fjalën
me kode që ata dinë
hanë s’hanë fjalë
synojnë maje
të etur kroje shterojnë
grigja me gishta n’gojë
hajt bir
Shkurt, 2012
KANCELARIVE TË BOTËS
Në kancelari të Evropës Ismajilin në krah,
në Londër, Isai vetë i dytë.
Hartë e Evropës varur në mur.
Në hilet e lordit Boletini, brof çohet në këmbë!
Me dorën e tij të burrit,
në hartë trojet etnike mbulon me pëllëmbë.
Zotëri këtyre trojeve që kur mbiu lisi janë Albani!
Nuk ndahen këto toka për të madh gazep.
Heu Isa burri, raca jote sot!
Gladiatorë mes veti ;
kancelarive të botës, korridoreve të Parlamentit,
shtrëngojnë dorën armikut pazare bëjnë nën cergë,
lëpihen e lariten të huajve për shkam*!
Gusht, 2014
KËSHILLË
Dil nga orbitë i ngushtë mëhallësh
Mos u lako e mos ik nga vetja
Lajkatar e flamur ndërrues mos u bë
Bëhu gonxhe malesh e fushash tua
I gatshëm për të çelur në çdo stinë
Luleborë e ushtar motesh të mëdha
Janar 2018
ELOZH PËR GJERGJIN
Gradat, lavdet e sarajet e shtruara në ar
Nuk e lëkunden
Arbënia ishte dhembja tij e parë
Janar, 2018
SHËTITJE MBI FSHAT
Rrugicat mbyllur
Me shkurre, barishte, thera ...
Banorët ikën jashtë ose ranë në qytet.
Manaferrat mezhdave kalavesh të paprekura
Gjurmë bagëtish e njerëzish askund
Përroska mbuluar me kërpnaja e shelgje.
Gardh i gjallë që s'kalohej këtej e matanë.
Hutat e ketrit kishin zbrit nga mali.
S'më kishte ndodh ndonjë herë më parë.
Të dilja mbi fshat.
Dhe të mos shihja fushës bujq. barinj, bagëti
E kosëtarë tek ju jepnin krahëve në radhë.
Gra shamibardha tek çonin bukën në arë.
Kabash, korrik 2013
TEK FLISTE
Lidhte kujtimet në trastë nyjë
Me gjithçka nga pak; arra, mollë, kuleç
Çdo të pesëmbëdhjetën ditë
Me kokën në torbë nisej
Në vizitë djalit në Sremska Mitrovicë
Zgjidhte nyjë
Në heshtje i tregonte për situatën
Shokët e idealit, hafijet ...
Merrte djalit vargjet e shkruara n'qeli
Gardiani roje
I pafuqishëm të mbante kontrollin
Nëna tek fliste me sy
Shtator, 2017
GRATË
Ujëvara dashurish pafund,
Vargje baladash, tituj romanesh, Poezi.
Zana mali shtatëngjyrësh në sy.
Nota lirizmi, këngë,
Bulëz pranvere,
Stimul paqe e lirie,
Rimë shpirti, Gjithçka tek Ju.
Shtojzovalle mbi muzë
Dorë që përkëdhel
E rrit trima.
Gratë bashkëshorte, Nëna, ABËCË jete,
Hyjnesha që nuk braktisin kurrë…
Gusht 2017
PIKON
Pikon kulm i shtëpisë
Pikon
Hafije e ustallarë nga gjitha anët vijnë
Thirr e pa thirr
Kush ndreq kush prish
Tanët mjaftohen të jenë në krye të vendit
Të mos lagën
Gushë për gushë me qoftëlargun
E lëshojnë udhë
Korrik, 2017
KUJTIM PËR MOTRËN
Sa herë më ngushtohej shtegu
Shndriste si dielli dhe hapte rrugë
Zemrën e shpirtin erë të trëndafiltë
Vishnja ndanë dritares veshur me blerim
Kujtim pritjesh të ngrohta gravura të thella n'gur
S'i besoj urtisë: ”koha fshin gjurmë"
Me merakun Kosovë iku, tash 19 vjet!
Në Shkup më nuk më shkohet si dikur me qejf.
26 tetor 2017
ZË KOHE
(Haxhi Muhaxherit)
Jehonë kohësh të mira
Emrash rrënjësh e qëndrese
Furtunash e motesh lavdie
Nuk resht së vrari të keqën
Nuk resht së qëndisur fjalëmirët
E fjalës shqipe
Auckland, korrik 2017
MUR MBI URË
Në bisht ndër shalë
Ikën
U kthyen dhe mbyllën urën me drurë e gurë
Me lutjet e Evropës hoqën barrikadat
Çajnë dërrasa
Biçim vazo betoni ngrehen mbi urë
Hedhin pluhur syve bëjnë petulla në ujë
Me urë e pa urë
Mur mbi urë
Skërmiten qençe e bëjnë zhurmë
Sa me lindje sa me perëndim
Sorrë në dy hunj
Janar, 2017
IN MEMORIAM PËR SHKRIMTARIN R. KELMENDI
"Letrat prej Ulqini" me Ty takim im i parë
Aty mësova sa fort fishkëllen fjala shqip
Dhembjen ta zbulova te "Rrëfimi i njeriut me samar"
Me mësimet tua te Verrat e Llukës u morën ngryk
Gjithë ai nam
Te opusi yt letrar shijova të bukuren humorin me karar
Saktë e dije kur kositen livadhet dhe kur do të duhej
Të kërcasin e heshtin arm't
Auckland, 12 janar 2017
KROI I FSHATIT
Rrënjësh gërshetuara drurëve mali,
murmurit i kristaltë uji akullt.
Në mes vapës në ballë të pikë.
Barishtet valltare tunden gëzuar,
parfumojnë rogën e harlisur gjithandej.
Këngë e trishtilave n' degë,
deh e prek në shpirt!
Dhjetor 2016
NËNA RABË
Për dritë të gazishtës
Thurte çorapë
Ngrohte mëngjeset e ftohta
Dhembjen e njomte si lulet
Jetën
Fjalën
E qëndiste me ar
Gusht 2016
MËSUAR
Rrëzojnë diktaturën.
Derdhin në bronz një të njëjtë me bujë
dhe vazhdojnë jetën si më parë
në diktaturë!
Gusht 2016
BREGUT
Zhurmon vala
Tek përplaset shkëmbit
Shkumëzon shkumën thinjoshe
Bregut ec unë
Pulëbardhat tutje tehu fluturojnë
Njëra ndahet e më ndjek pas
Eja sikur më thotë plot gaz
Ta shuajmë mallin bashkë
Dhe era luan me flokun tim zbardhur
Rërë e nxehtë nën këmbë
Më djeg e nuk më ngroh
Korrik, 2016
NJËHERË E MIRË
Yjet zënë me shtëllunga të zeza resh
Shtigjesh bjeshkësh më në fund erdh Dielli
Rrëmujë e ngazëllime mëngjesi
Qentë qençe lehin Diellin
Azdisen në kohë lirie
Poeti vazhdon rrëfimin për ujkun
Dhe byryten mëzetërit që kullosin livadhet
E zëna me tre plisa dheu mbi mezhde
Ende në kërkim të ilaçit për të vrarë
Mizat bezdisëse njëherë e mirë
Korrik, 2016
ZOGJTË SHTEGTARË
Në tela telefoni tufa dallëndyshesh
Mëngjeseve në vjeshtë varg rreshtuar
Cicërimë e tyre dhembshëm tingëllon
Bëhen gati shtëpitë t'i lënë
Përmallshëm nisën buzën në vaj
Nga acari ikin në vendet me behar
Shtator 2015
ATË DITË KUR PO NISESHA USHTAR
(25 gusht 1970)
Nëna nga bunari nxori një kove ujë.
Piva një gërrqe se kështu ishte adet.
Shtrëngim duarsh, përqafime,
doja të mbahem burrë, loti më tradhton.
T’i shpëtosh të keqes, më thanë, sa më pak fjalë!
Me të ligun mos ngul kunja,
dosjet janë të hapura për shqiptarë!
Ne vetëm numra jemi,
mos beso kur të rrahin krahëve!
Në listat: “Të rrezikshëm për shtetin”
emrat tanë deri më një të sistemuar i kanë!
Nëntor, 2014
KU MBETI
Ku mbet moti kristal
Oxhakut tymi i shkonte drejt
Qëndisej me ar fjala e jeta plot harmoni
Ku mbeti fjala e thënë në sy
Kohë gjithçka prapa krahëve erdhi
Veshur me pendla të bardha mjellme
Brenda sterrë i zi
Ku mbeti autoritet i prindit
Shtetit
Shkollës
Familjes
Çiltëri e djalit vajzës
Fjala fjalë
Emrat shqip
Ku
Dhjetor, 2015
ITAKA
Josh gjithçkaje e saj
Shtegtarët me ditë e natë krahëve u japin
Hijeshi e sirenave e tmerr katallanësh nuk i ndal
Rendje mes shkretëtirave e resh
Aromë e vatrës ndjellë e thërret
Në zhgjëndërr e ëndërr shfaqet
Si këngë bilbili në rremb
Qershor, 2016
FJALË E FJALË
Në takime mërgimtarësh.
Secili ka një mendim.
Dy.
Tre.
Shumë.
Grijmë ujë në havan.
Komentojmë libra e tituj gazetash pa i lexuar,
Gjykojmë problemet madhore të shtetit, pa qenë atje!
Botën ujdisim,
Më mirë se perënditë ...
Shajmë diku të irrituar .
" Po të ishim ne, do të bëhej më mirë " !
Flasim si ekspertë,
Të shkolluar kushedi nga cila galaktikë.
Flasim me radhë pa e dëgjuar sho-shoqin.
Secili shtyhet të shkrep, qoftë edhe një fjalë.
Maj, 2016
NDRYSHIM I MADH
Kam mall,
dhe kujtoj motet,
kur brehej hekuri me dhëmb
dhe vdisje për Flamur.
Për të lexuar Fishtën, Konicën, Kadare,
Ernestin, Markezin ..
krijohej radhë.
Maj, 2016
EMIGRANT
Emigrant shkak luftë ngjyrash
Të tillë dikur pati edhe në fshatin tim
Të përndjekur nga e kuqja
Shtigjeve pafund në rrugëtim
Përtej oqeaneve mbërrin
I gjeta të plakur buzën shkrumb
Unë emigranti muhaxhir.
Në prag shekulli njëzetenjë
Dëgjuar keni nga gjyshërit
Për plagën e vjetër emigrant politik
Karvan në ecje lodhur
Me kujtimet plumb mbi kurriz
Mars, 2016
TESHTITJE KOHE
Gjithçkaje i doli boja
Karriget u përlloçën si është më keq
Filiza të së resë në ketë palcë acari të vijnë
Të ngjallin shpresat e humbura nga lakmitë
Të kapërcejmë inatet vetën
Dhe jugë e bardhë të fryjë
Mars, 2016
VENDÇE
Ecje mbi ferra e shkurre nëpër mote
Për jetën
Për diell më shumë
Dhe dalin nëngurët
Vjelin frutat e pemëve
Kafshojnë diellin pamëshirë
Mars, 2016
SHTERPËRI E GJELAVE
Gjelat kryengritës të mëngjeseve
I dehu fitorja
Nga pangopësia vetëlavdërimet
U ngjirën
Për të qëndruar majë mullari
U qullën e qullën si është më zi
Shkurt, 2016
MBASE
Donzhuanët kolonizuan shën Valentinin
Për të treguar besnikëri
Përmes dhuratave e luleve
Blerë dashuri
Mashtruar e fshehur kurvëritë
Shkurt, 2016
Shënime biografike
Sabit Abdyli u lind në Kabash të Anamoravës në vitin 1946. Shkollën fillore dhe të mesmen i mbaroi në Viti, SHLP në Shkup, kurse Fakultetin Filozofik: dega gjuhë dhe letërsi shqiptare në Prishtinë. Pas luftës (1999) Sabiti bashkë me familjen u vendos në Zelandë të Re. Atje vazhdon të merret me shkrime dhe të bashkëpunojë me gazeta e revista që dalin në gjuhën shqipe. Deri tash ka botuar këto vepra:
- Kabashi i Anamoravës, Prishtinë, 1997, (monografi)
- Ankthi i pranverës’99, Prishtinë, 2004, (libër-dokumentar)
- Kohë e lumtur, 2005, Prishtinë, përmbledhje me poezi
- Bijtë e shqipes në tokën e reve të bardha, Auckland, 2010, prozë, poezi dhe artikuj për Mërgatën shqiptare në Zelandë të Re.
- Letra, Anekdota, Aforizma, Gjilan, 2013
- Na kabashi jem t’ndam nji zjarrmi, Gjilan, 2013
- Dallgë malli, Prishtinë, 2016
- Tybe këta veë kabashë janë, Prishtinë, 2016
- Thërrmija jete, Prishtinë, 2017
- Letra për babuqin gasterbajter në Gjermani, Prishtinë, 2017
Sabit Abdyli, që nga vendosja e tij në Ishullin e largët (29 tetor 1999), është aktiv në organizimin e aktiviteteve artistike ndërthurur edhe me veprimtari për ruajtjen e unitetit, gjuhës dhe traditave kombëtare në mesin e Mërgatës shqiptare në Zelandë të Re.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen