Mittwoch, 10. September 2014

Fadil Curri - Letërsi mërgimtare (IV)

MUHAMET LUMA, 
KY RREZATUES POETIK
I AT(DHE)DASHURISË

Muhamet Luma: “Në shesh të shpirtit”(poezi), SHB “Ada”, Tiranë 2013

Nuk kishin gabuar fare redaktori Hasan Qyqalla dhe recensenti Demir Gjergji që kishin vënë firmën e lejimit që dorëshkrimi poetik i Muhamet Lumës të botohet dhe që shtëpia botuese e kishte nxjerrë tufën me poezi si libër ”Në shesh të shpirtit”. Sepse, bren
da kopertinave të tij ishte një botë poetike që rrezantonte ide e bukuri të fjalës së shkruar. Edhe mua më ka ndodhur që të më bien në duar krijimet e autorëve të panjohur, por në mëdyshjen time vulën e vendimit kritik e jepte vet cilësia poetike që hasej. Sigurisht këtë përvojë do ta kenë pasur dy oponentër letrarë të botimit.

Emblema poetike e Muhamet Lumës në këtë libër gërshetohet me titullin e shkrimi tim kritik - Ati, Dheu e Dashuria, preokupime të autorit që shtrihen në tre ciklet: “MUZ-ikë mbrëmjeje”, MUZ-at e mallit” dhe “MUZ-gjet e mëmëdheut”. Rrënjën leksike MUZ e shpërndan si frymëzim sibilor në tërë librin, thuajse barabarësisht. Rifjalësimi i rrënjës MUZ krijon trinitetin-shtyllë të librit.

Autori duket se është vetëm menaxhues i frymëzimit dhe formesimit poetik të tij, sepse udhëhiqet nga busolla poetike, përplot mall, identitet, figurshmëri, shpirtësi, ndërkohësi, mitologji, heroizëm, përditshmëri, trashëgimi, natyrshmëri, përkujdesje, e tj. Nëpër këto shembuj e dukuri endet treshi përmbajtësor.

Dashuria në poezi ka identitet shqiptar, me këtë racë. Jo vetëm që është letrare, por e kufishme. Identitetin per objektin-frymëzimin dashuror ia japin epitetet Perëndeshë, Hyjni, shtojzovalle, Zana e Malit, pastaj edhe të modernes; mistikë, valë, enigmë e pazbërthyer, buzëqeshje e tj. Pos kësaj, dashurinë shqiptare e bën edhe më joshëse pavdkeshmëria e Lasgushit e Serembes, ndaj shkolla e shprehjes shpirtërore si ndikim duket. Poashtu, e njeh shpirtin erotik folklorik autori, kur dëshiron të mos dalë agimi dhe të zgjatet nata në dashuri të pambarimtë, ngjashëm si te vargjet e folklorit tosk “Ulu mal të dalë hëna”. Së këndejmi, në të shprehurit dashuror të Lumës vërehet dëshira të mos dalë hëna dhe të zgjasë dashuria, kurse në këngën shqipe toske dëshirohet të dalë hëna, sepse mezi presin dashnorët të pllakosë terri dhe të takohen, si janë marrë vesh rëndomë. Dashuri e formatit mbarëkombëtr. Pra, në të dy shembujt letrarë kemi përshkrim të dashurisë së mishëruar. Sepse, në të ka puhthje që shuan zjarrminë, të cilën nuk e shuan as bora e Himalajeve gjatë natës që është vjedhur nga dashuria. Erotika në poezinë e Lumës nuk shprehet me njeri, por me shpirtësi, si kënaqësi e përgjithësuar, virtyt, finsikwri erotike.

Në poezi vërehen lojëra fjalësh e shprehjesh. MALI e MALLI janë të shkruar dendur nëpër vargje, jo vetëm si trysni rime, por edhe si metaforë e madhështisë së mallit identik me të malit. Loja me shprehje i jep domethënie dykuptimëshe ndonjë herë përshkrimit, si është krahasimi “sy i zi” dhe epiteti “Qershi”. Përcaktimin e lë në ëndjen e lexuesit. Lojë fjalësh mund të kuptohet edhe risemantizimi i rrënjës MUZ, që mund të ketë ndërmendje të Muzës, si frymëzim ose si MUZE e muzikave, ikjeve të mbrëmjeve, të mallit dhe të muzgjeve të mëmëdheut, si konservim në një vend të shprehjeve dhe rrezatimeve të autorit. Dashuria është me dëshmi trualllsore, e këndshme kur Sharri fle; identifikohet me një emër e një dëshirë, edhe kur rrufeja djeg tërë rrobat(teshat) e saj, që të jetë me të lakuriqësia. Në poezi vërehet shpirti i ndezur, ndaj nuk dëshiron të zhgenjehet në këtë botë e të ik nga jeta me pengun e dashurisë.

Se treshi frymëzimor është gërshetim, bindemi në vargjet kur dëshmon poetikisht, se kur ka lindur, asnjë pos tokës nuk ka pasur aty. Pra, është i pari njeri në këtë tokë dhe vetëm shqiponjat kanë fluturar rrotull, që dëshmon qenësinë e tij fillestare, historinë e banimit inicial edhe të dashurisë. Për tokën është i lidhur edhe binomi AT+DHE=(AT)DHE, në të cilin qarkullojnë njerëz e kohëra, fate e pafate, virtytet e veset, fitoret e dështimet. Atdheu për poetin nga shumë arsye është pengu i jetës së tij, ku buron dashuria e e ndaluar, e censuruar, individualisht e vrarë dhe e gjembosur në kufi, kolektivisht prore armiqësore. Edhe këtu kemi gjeografinë e shpirtit të shpërndarë andej-këndej. Atdheun e letrarizon, qoftë me njeriun baba e gjysh, qoftë me Kaçanikun e Sharrin, qoftë me Shqipërinë e Çamërinë e imagjinuar gjatë 100-vjetorit të shtetit shqiptar modern të Jovetes, për të cilët dëshmitarë janë heronjtë, si na qorton këtu përkushtimi ndaj Abdylgafurit. Njeriu shqiptar, përkundër mynxyrave, me plisin e barëdhë mbi kokë shton oxhaqe të plang-jetës në këto troje, për mikun e ka derën hapur vazhdimisht, por nëse i prek në sedër, e mban edhe sëpatën për armikun. Mallin për atdheun nuk e shuan mrekullia e Rajnës gjermane, bile as që do të shkruajë poezi në gjuhë tjera, nëse fillimisht nuk kumbon shqip.

Ndërkohësia i ngjan një personazhi metaforik. Në të fuqi shprehëse ka syçeltësinë dhe sypatrembur e udhëheq atë në betejat rrezatuese. I vie keq që Hasan Pishtina në Tiranë u rivra, nuk e do flamurin me ngjyra të rreme evropiane, por vetëm atë të Vlorës. Bile, i porosit Kalorësit e improvizuar të Pavarësisë jubilare të kthejnë kah varret. Droja nga rimashtrimi është porosi për vigjilencë atdhetare.

Më poshtë do të përpiqem lexuesve që nuke kanë librin, t’ua kujtoj simptomën e trikohësisë me ogurin në horizontin e fatit kolektiv:

a). E SHKUARA duket me përvoja të hidhura, mashtrime tkurrëse për tokën e shpirtin shqiptar:

“Merreni!
Merreni historinë dhe prapë shkruajeni ndryshe,
Përdhosni dhe varret, përdhosni të parët,
Nuk është hera e parë që në dorë u mbeti,
Historinë e kombit ta shkruajnë tregtarët.”

b). E TASHMJA duket shumë e brishtë, jopërdëftuese, e mangët, e pavullnetshme dhe e zhgënjyer nga binomi “bëmë – nuk morëm”;

“Dhe prapë mos ngurroni t’u ndani dekorata
Gjeneralëve të huaj që dje na masakruan,
N’ bajoneta mbanin embrionet tona,
Vranë, djegën e prenë, me endje përdhunuan.”


c). E ARDHMJA duket qortuese për rimashtrimin e mundshëm të atyre që pandehen “shteti e kombi jam jam unë” dhe që janë me lakmi vetjake:

“Merrni edhe atë copë të Atdheut të mbetur,
Ashtu të gjymtuar, nxirreni pazareve,
Për një çmim kolltuku, mos ngurroni, shiteni,
Nuk është hera e parë që është n’ duar të kusarëve.”


Trazimet e shqetësimet i bën më trishtuese pyetja retorike e Zanës së Malit, se në ka mbetur gjak kreshnikësh( tradita heroike e atdheruajtjes shqiptare si kulturë sot) dhe se a mos po tkurret edhe më tej Jutbina(gjeografia e etnisë shqiptare), që nënkuptimisht është fuqi poetike që shpreh shpresën për mbijetimin si shpëtim. Bile, poezia dedikuar gjyshit është himn e simbol i shpëtimit të Vetes dhe hapërimit të mëtejmë, kod i shërimit të brengës letrare për Njeriun Trikohesh, Dashurinë dhe Dheun në Rozafën poetike të Muhamet Lumës.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen