Samstag, 28. März 2020

Liri Loshi : Në përvjetorin e Masakrës se Izbicës

Liri Loshi
(Tregimi im për Izbicën botuar në gazetën Koha Ditore 10 vite më parë!)

Në përvjetorin e dhjetë

PAS DHJETË VITESH IZBICA TROKET NË NDËRGJEGJËN TONË 

Shkruan: Liri Loshi


Më 28 mars 1999 masakra që bëri Serbia në Izbicë, mundi të trishtonte vetëm një grup njerëzish në Luginën e Izbicës, të cilët me dhembjen e madhe në shpirt për të afërmit dhe bashkëkombësit e tyre, arritën që brenda dy ditësh t`i varrosnin 127 trupa të pajetë. Pas një muaji, me deportimin e kasetës së Izbicës, kjo ngjarje trishtoi tërë botën.
​Pas 10 vjetësh në Izbicë, përveç një pllake te thjeshte, njeriu nuk gjen asnjë shenje tjetër përkujdesjeje qe flet për te vërtetën tone te dhembshme.

Më 31 mars dhe një prill 1999,  ushtarët e UÇK-së, familjarët, dhe civilët tjerë u bënin nderin e fundit viktimave të masakrës që kishte ndodhur vetëm dy ditë më parë. Duke varrosur të vdekurit, ata po injoronin rrezikun që mund të ishte fatal për jetët e tyre. Makineria serbe, si një bishë e kënaqur me prenë e saj, po kridhej vetëm disa qindra metra tutje. Sapo ta ndiente erën e njeriut te gjallë, ajo do të mund të kthehej përsëri në vendin e krimit.  Në punën e tyre të shenjtë, njerëzit po i ruante Zoti dhe reliefi kodrinor i kësaj pjese të Drenicës që bënte të padukshme pamjen e varreve dhe të njerëzve nga forcat serbe. Numri i të gjallëve që po hapnin varre ishte disa herë më i vogël se sa numri i trupave të vrarë. Ata nuk dinin ç`kishte ndodhur dy ditë më parë me gratë e fëmijët e tyre që ishin përzënë në drejtim të Shqipërisë, pikërisht në kohën kur po dëgjonin krismat e ekzekutimit te prindërve, gjyshërve e burrave te tyre. Këto krisma po shuanin jetët e fshatarëve të pafajshëm duke përpirë klithmat e dhembjeve të fundit që bashkë me shpirtin e tyre po ngjitej drejt qiellit hyjnor mbi tokën e shenjtë të atdheut. Gjaku gjysmë i tharë që dy ditë më parë kishte spërkatur fushat e Izbicës, nuk po i ligështonte njerëzit. Përkundrazi, ai gjak po ua shtonte forcën që ceremoninë e varrimit ta kryenin me sukses të plotë. 
​Dhe, derisa kamera bashkë me pamjet e tmerrshme po kapte edhe këtë akt madhështor të njerëzve të Drenicës, unë kisha filluar ta imagjinoja vetveten në një zog që ngrihet në qiell dhe duke fluturuar mbi re kalon vargonjtë e rrethimit serb për t`i dhënë botës lajmin dhe fotografinë e kasaphanës në Izbicë.

E VËRTETA QË DONTE TA SHPËRTHENTE TRASTËN E MJEKUT

Pasi varrosëm edhe trupat e fundit në ditën e dytë, gjeta tre dëshmitarët që kishin mbijetuar masakrën dhe i vura në vendin ku ende dukej i freskët krimi që të rrëfenin para syrit të kamerës për çastet e tyre të vdekjes që për ta nuk ishte shkruar të quhej vdekje. Dhe, ditën e tretë, me kasetën në trastë, me listën e pushkatimit dhe me pushkë në krah u nisa rrugëve të Drenicës për ta gjetur një telefon që thuhej se ekzistonte diku ne shtabin e Drenices afër Qirezit. Të nesërmen tjetër arrita ne shtab, arrita ta prekja telefonin, por jo edhe ta përdorja atë. Sapo isha futur në selinë e shtabit, erdhi lajmi se forcat serbe hyrën në Qirez. Tani Izbica dukej se po ndodhte gjithkund në Drenicë e anekënd tokës së Kosovës. Listën e lash në shtab me një porosi për përgjegjësin për informim te Zonës dhe vazhdova rrugën e kthimit në Izbicë, ku kisha lënë të plagosurit e mi. Bashke me listën lashë lajmin e shkruar qe duhej percjellur si dhe vërejtjen, se sapo te piqeshin kushtet kasetën do ta deportonim jashtë Kosove. Lajmi u dha shume shpejt, por prova për të vërtetën ishte ende në trastën time. Dhe kjo priste një ditë pakëz më të përshtatshme për ta kaluar kufirin me Shqipërinë.
Pas dy javësh të ngjarjes së Izbicës, NATO kishte arritur që t`i prezantonte botës pamjet e varrezave të Izbicës të bëra përmes sateliteve ajror, por prova për trupat e masakruar dhe për varret e tyre përsëri ishte shumë larg syrit të botës. Kjo provë ende po rrinte pranë ilaçeve dhe fashave në trastën time të mjekut dhe e trishtuar në errësirën e asaj traste, po kërkonte shpëtimin nga njeriu që bartte atë në krah.

Menjëherë pas lajmit dhe fotografive të NATOS, Televizioni i Beogradit ishte përkujdesur për t`i dhënë botës një fragment të një fshati tjetër, ku fshatarët serbë me "emra" shqiptarësh po dëshmonin për jetën e tyre të qetë në "Izbicë" dhe për ato që ata i quanin gënjeshtra të NATO-s dhe të shqiptarëve. Mediat në botë po komentonin në mënyra të ndryshme këtë ngjarje duke e prezantuar atë herë si një provë të mundshme për krimet serbe në Kosovë e herë si arsyetim të kurdisur të NATO-s që po bombardonte Serbinë "e pafajshme". Dhe ajo që duhej të fliste e t`i thoshte botës se unë jam e vërteta lakuriq për Izbicën, po ziente në vete me inat në trastën time. Ziente në vete kaseta apo ishte mendja ime e frustruar që shihja një dokument aq të fuqishëm që dukej se po vdiste dalëngadalë në duart e mia! Dhe, pas frustrimit ndjenja e fajit - ç'bëra unë për Kosovën në kohën kur i madhi Zot ma dha fatin dhe fuqinë që ta beja këtë dokument. Vdekja e këtij dokumenti për mua ishte turpi më i madh që do të më përcillte në jetë sikur të kisha fatin t`i shpëtoja asaj katrahure. Se duhej bërë diçka e dija, por si t`i merrja ata krahë e të fluturoja mbi qiell kur rrugët në tokën time tashmë pëllëmbë për pëllëmbë të djegur, më ishin bllokuar. A do të qahej ai bllokim?  Gjasat ishin 50 me 50! Vrasja apo zënia ime për së gjalli do të thoshte rënie në dorë apo zhdukje e kasetës që po pëlciste për të folur para botës për gjakun e derdhur të civilëve të pafajshëm në Izbicë. Prandaj unë duhej të dilja ta prekja prehrin e nënës Shqipëri para se të vritesha, sepse nga ai prehër mund të flisja lirshëm para botës për atë që pashë me sytë e mi. Unë duhet te jetoja për te folur. Qe nga 20 marsi nuk gjendej asnjë gazetar i perëndimit ne Kosove dhe gjasat qe ndonjëri syresh te hynte dhe t`ia jepte një lajm botes për zezonën tone, ishin baras me zero. 


KASETA MBUSHI BATERITË E MBËSHTETJES AMERIKANE

 ​Pas një plani të hollësishëm, me dy ushtarë të UÇK-së kalova bjeshkët e larta e te rrepishme dhe brenda ditës u gjenda ne Rozhaje. Aty, pasi kisha bere një dokument fals te identifikimit, ku emri im paraqitej si Burim Gashi nga Peja, kalova te gjitha punktet dhe kufirin malazezo-shqiptar dhe preka prehrin e ngrohte te nenës. Në Tiranë arrita t`i bëja disa kopje të kasetës dhe më pastaj atë t`i jepja NATO-s, Shtëpisë së Bardhë dhe Zyrës së Tribunalit të Hagës. Pamjet e tmerrshme për njerëzimin u dhanë së pari nga CNN, televizion ky që në mënyrën më të rrufeshme depërtonte lajmet për Kosovën.
Dhe përderisa lajmi për Izbicën po jepej  nga një televizion ne tjetrin ane e kënd botes, gruaja ime me tre fëmijët po përpëliteshin diku rrugëve të Malit të Zi për t`u bashkuar me  burrin dhe babanë e tyre në token e lire te Shqipërisë.  Me kolegët e informimit në Televizion e Kosovës në Tiranë, nuk e kisha folur asnjë fjalë rreth familjes. Të bisedosh për fatin e paditur të familjes tënde, në një kohë kur njerëz dhe familje të tëra në Kosovë kishin përfunduar dikush nën varre e te tjeret te mbetur pa varre, ishte baras me një dëshirë egoiste. ​
​Me 19 Maj 1999, pas disa ditësh pune intensive, inteligjenca e sigurimit shtetëror amerikan i kishte dhënë dritën jeshile Shtëpisë së Bardhë, se kaseta që ata kishin në dorë ishte vërtet ajo që kishin pritur dhe se shteti Amerikan mund të konfirmonte para botës se pamjet e bëra nga satelitët e NATOS me 14 prill, pra rreth dy javë pas masakrës dhe pamjet nga kopja e kasetës sime, ishin identike. Brifingu i James Rubin, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë në administratën e Klintonit, më 19 maj nuk kishte temë tjetër pos kasetën e Izbicës. Imazh pas imazhi, duke ndalë projektorin për t`i analizuar pamjet e kasetës sime, James Rubin demonstroi bindshëm çdo detaj të kësaj përputhjeje. Pastaj foli NATO edhe njëherë. Pastaj foli Haga. Fill pas kësaj u publikua aktakuza kundër Sllobodan Millosheviqit dhe makinerisë së tij për krimet në Kosovë. Drejtori i hetuesisë në Hagë, tha publikisht se pamjet e kasetës së Izbicës mposhten te gjitha hezitimet e Tribunalit për ta shpallur menjëherë Aktakuzën kundër Millosheviqit. Varianti tjetër ishte qe Aktakuza te shpallej pas përfundimit te luftës, meqë tani Millosheviqi i shtyre nga kjo mund ta zbrazte tere mllefin mbi shqiptaret e Kosovës. Komentuesit e kohës spekuluan se NATO mori kurajë morale për t`i vazhduar sulmet mbi caqet serbe. Millosheviqit i ra poshtë gënjeshtra se ai nuk po bënte krime në Kosovë dhe se nuk i kishte mbetur më ndonjë argument për ta sfiduar politikisht bombardimin. Presidenti Clinton ndjeu veten më të sigurt në misionin e tij ndaj katastrofës se Kosovës. Mbi të gjitha, populli amerikan i cili ishte ushqyer bukur keq nga propaganda serbosllave për “viktimat e pafajshme në Serbi” e për “një gjendje fare të qetë në Kosovë”, zu t`i mbushte përsëri bateritë e mbeshtetjes së Clintonit. (Kjo mbështetje, sipas miqve te mi ne SHBA, ne prag të shfaqjes së pamjeve nga kjo kasetë, kishte filluar te binte dukshem).


PAS DHJETË VITESH IZBICA FOLI PËRSËRI

Pas dhjetë vitesh, Izbica foli përsëri me gjuhën e argumenteve për gjenocidin serb mbi popullin e Kosovës, kur në Hagë u dha dënimi për zyrtarët serbë që organizuan krimin. Dëshmia e Izbicës ishte evidence kyçe e Prokurorisë së Hagës për të kërkuar ndëshkimin e fajtorëve në të tri gjykimet kundër krimineleve serbë në Hagë. Njëkohësisht, është evidence kyçe, në të cilat u bazua ky Gjyq për te shqiptuar dënimet ndaj te akuzuarve. Ajo vazhdon të mbetet evidence kyçe edhe ne Gjyqin e ish zyrtarit te larte te policisë serbe Miroslav Gjorgjeviq. Edhe ne ballafaqimin e pritur të Kosovës me Serbinë përsëri në Gjyq për "legjitimitetin" e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, ky dokument do të jetë shumë i dobishëm po u dit të përdoret si duhet. Ne fakt, dhe për fat te keq, Gjyqi i Hagës nga e tërë lufta në Kosovë ka vetëm këtë evidence qe provon përmes shiritit filmik se në Kosovë Serbia ka kryer krime.

Por, një gjë që nuk ma ka ënda ta përmend e që më duhet ta them, ishte zhgënjimi im i asaj mbrëmjeje me televizionin publik të Kosovës. Në kohen kur nga banesa ime përtej Oqeanit Atlantik, me frymë të mbushur po shikoja lajmet pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë, RTK nuk jepte fotografi autentike të ngjarjeve që ndodhen ne Kosovë në kohën dhe për krimet për të cilat vërtet ishin dënuar kasapët serbë. Televizioni ynë, kishte marrë një fotografi të Woker-it, të pamjeve nga masakra në Reqak për të cilën as që po bëhej fjalë në aktakuzën e Hagës! Nuk kishte as biseda me dëshmitarët që me gjithë tmerrin e përjetuar gjeten forcë për te kontribuuar qe dënimi kundër 6 zyrtareve serbe te akuzuar te ishte sa me i larte, edhe pse pjesa dërmuese e atyre njerëzve janë aty në Kosovë dhe mund te gjenden brenda ditës. Pa humbur në asnjë çast respektin për viktimat e Recakut dhe për Woker-in si zë i fuqishëm i Amerikës për Kosovën, nuk munda ta le anash diletantizmin profesional të televizionit tonë që e quan vetën televizion publik.  Prandaj, atë mbrëmje thash me vete, a është e mundur që televizioni i shtetit tim, te mbuloje ngjarjen historike të dënimit të krimeve mbi Kosovën pa kurrfarë ndërgjegje dhe strategjie te informimit? A është e mundur qe ne një moment aq historik, por edhe bukur delikat për Kosovën, kur po shpallet fajtor agresioni serb dhe po dënohet nga Gjyqi ndërkombëtar, ata qe bëjnë emisionin ne RTK te mos i kenë lexuar te paktën pikat e akuzës se gjashte zyrtareve serbe te akuzuar? Dhe, fitova përshtypjen se isha duke dëgjuar një televizion ta zëmë afrikan, apo kinez, apo ku di unë prej kah, qe po fliste pa takt për ngjarjet ne vendin tim.


KUJT PO I DHEMB KOKA NGA E KALUARA?

​ Dhe, tani vijmë te një gjë edhe më e keqe. Dhjetë vite pas masakrës në Izbicë, njeriu që dëshiron të dijë se çka ka ndodhur atje, përveç një pllake te thjeshte me emrat e atyre qe u pushkatuan, nuk gjen të thuash asnjë gjurmë tjetër për te vërtetën e dhembshme.

​Para dhjete vjetësh Izbica trokiti në ndërgjegjen e civilizimit botëror. Pas dhjetë vjetësh Izbica troket në ndërgjegjen tonë. A është e mundur që të harrojmë aq shpejt? Nëse neve fillon te na dhemb koka nga e kaluara dhe nuk merremi me vetveten, pse presim aq shumë që bota të merret me neve? A e kemi bërë ne vërtet shtetin e Kosovës, apo vetëm po shtiremi se e kemi bërë. Tani është koha që qeveria jonë të mendojë për ngritjen e monumenteve të dhunës serbe mbi popullatën civile jo vetëm në Izbicë, por kudo në Kosovë. Izbica, mbase është vendi ku duhet të bëhet menjëherë diçka në këtë drejtim. Izbica është monumenti ynë. Kaseta e Izbicës është një pasuri e çmueshme, sepse është një dokumentar i përgatitur me përkushtim për këtë ngjarje të tmerrshme dhe ne duhet të përkujdesemi që këtë film ta shohin jo vetëm brezat tonë që vijnë, po edhe njerëzit nga të katër anët e botës që duan të mësojnë për holokaustin e shekullit te njëzetenjë që Serbia ushtroi mbi Kosovën. Duke u kujdesur për të kaluarën, ne punojmë për të ardhmen e Kosovës.

1 Kommentar:

  1. Burri im më la mua dhe fëmijët e mi për më shumë se 6 muaj, të gjitha shpresat u humbën. Mendova se nuk do ta takoja më kurrë burrin tim sepse ai më bllokoi në të gjitha rrjetet sociale që mund të përdorja për të arritur tek ai. Kjo më la të trishtuar dhe zemërthyer derisa takova Dr. Dawn. Tani, unë i shpjegova gjithçka dhe ajo më premtoi se gjithçka do të ishte mirë në 3 ditë, për habinë time, burri im thirri dhe filloi të lypte 3 ditë pas magjisë, tani burri im është kthyer në shtëpi dhe ai më trajton shumë mirë dhe ne jetoni të lumtur së bashku tani, kontaktoni atë për ndihmë:
    *nëse dëshironi për të dashurit tuaj.
    *nëse doni të mbeteni shtatzënë.
    *nëse doni të kuroni ndonjë sëmundje.
    *nëse doni një fuqi shpirtërore.
    *nëse doni të ndaloni abortin.
    Email: dawnacuna314@gmail.com {+2348032246310}

    AntwortenLöschen