Sonntag, 2. November 2014

Mikel Gojani - Pesha e mallit


PESHA E MALLIT
(Vajzës sime në mërgim, Lurës)

1.
Në këtë Natë të Purgatorëve

Shumë ma ke shtuar peshën e mallit
E Bukurëza ime bijë
Rrudhat e ballit
Që dëshmojnë dekadat e rrugëtimit tim
Çdo ditë po më shtohen
Shpresat -
Që dikur kanë jetuar
Në urnën time të zjarrtë
Më janë zhdukur n’lartësinë qiellore
Vështrimi ngarend bashkë me to
Në kërkim të valëve të jetës
Nuk di -
E Bukurëza bija ime
Nga larg, shumë larg, deri këtu
Ka mbërritur kujtimi
Nga ditari
I notesit me fletët e verdha
Aty-
Në brendinë e tij
Në këtë natë plot errësirë
Takoj fotografinë
Që përcon mesazhe mallëngjimi
Një botë të tërë kujtimesh
Një trastë të madhe dhembjesh
Kurrë në jetën time
Nuk kam ëndërruar
Se do të largohesh dhe të jetosh
Në ishullin që i mungon drita
Në atë ishull pa diell
Kaq vite
Të më krijosh këtë zjarrmi dehëse
Të krijosh
Këtë nostalgji në sytë e mi të qelqtë


2.
Më jep fjalën
Pashë këtë Natë të Madhe
Se nuk ka natë më të madhe
Në universin e botës se kjo sontme
Shpejt të të vish
T’i hapësh krahët
E në përqafim të mbërthesh
Pemët e kopshtit të trendafiltë
E di që e kupton
Se te ne jeta
Ka marrë një trajtë të mungtë
Duke mos e kuptuar
Pafajësinë tonë


3.
Kjo fotografi
E palosur mes fletëve të verdha të notesit – ditar
Më ka shkaktuar prush në brendesinë e shpirtit
Ka copëtuar mishrat e mi
Edhe eshtrat e tërë
Si gurët e kalldrëmëve të vjetra
Ka errësuar rrugët e shpresave
Dhe tregon
Në shpirtin tim të trandur
Peshë zgjohen
Psherëtimat e mbretërive të ëndrrave
Nga Ama e Botës së Frymëzimit
Erupton një mall përvëlues
Që ka krijuar
Një botë të mynxyrshme…


31.10.2014