Montag, 20. Mai 2013

Besim Xhelili: Poezi


KËMBËT E DHEMBJES                                               
Erresirë e thellë, e ndytë                                           
ka mbuluar fushën e shenjtë                                  
fuqia e syrit të njomë                                      
ka humbur në pakuptimësi !                                  
 
Loti i pastër rreth hundës rrjedh                             
bie në liqenin e pafund,                                           
aty nën këmbët e dhembjes                            
aty ku përballen,-                                           
frika dhe siguria,                                                      
kujtesa e harresa,                                            
përbuzja e simpatia,                                        
mëkati dhe e vërteta,                                       
lodhja e qetësia,                                               
ferri dhe lumturia...!                                       
 
Aty ku ngadalë dreqi dhelpërak                             
shkurton këmbët...              
 

PA TITULL                                     
 
Kur e sheh se të gjitha rrugët                         
të dërgojnë vetëm në një vend,                      
aty ku bashkë me mikun gjakpirës               
lozni vallet krah për krah                              
mos prit ng ti mendime me vlerë.                           
 
Ato janë vetëm mbulojë                                  
e djallëzores që fshehet                         
brenda kufijve të tu,                     
e cila t`i nxit instinktet                          
që gjithë jetën e lumtur                         
ta kalosh me trazira çmendurie.
 
Në fund pa kuptuar                               
ia paguan dëmin vetes                          
me ndërrim të botërave...             
 

KONFLIKTI                                              
 
Ndjenjat pa bazë                                    
shndërrohen në egërsira                                
dhe nga brendia                                              
na nxjerrin në shesh,                            
gjithë përfytyrimet e mendimet                     
që mund të na çojnë në konflikt                   
me mendjen e shëndoshë...                   
 

SHPËRBLIMI
 
Harmoninë që ka truri yt i njomë                           
mos e trazo pa dëshirën e zemrës...               
Ndjenjat e tmerrshme mos i nxit                   
aq sa të të duket,                                    
sikur dëgjon zëra të turbullt,
se të kaplon frika pastaj
kinse djalli ka ardhur pas teje !
E ti s`kupton se pakuptimësia
vjen nga brendia e mendjes sate.
 
Prandaj, or vëlla jeto, jeto
ne fund shpërblehu
me vdekje ...
 

PRONARI I MENDJEVE
 
Kur mendja hutohet për asgjë,
mirësjellja humbet në errësi
dhe mendimet e neveritura
të çojnë drejt botës djallëzore.
 
Atëherë s`mbetet gjë tjetër
veç korrumpimit fatal
të racës së pastër njerëzore,
besimplote në magjira të zeza
që pret fisnikërinë e gatuar,
nga dreqi i gëzuar
që sundon mendimet e njerëzve.
 
Është bërë pronar i mendjeve !?
 


DËSHIRA E VOGËL
 
Duhet të më plotësohet
sëpaku dëshira më e vogël
ajo që vërtetë më del nga shpirti,
ajo që më vlon në gjoks,
ajo për të cilën çmendem,
ajo për të cilën jam i bindur,
për të cilën jetoj,
për të cilën vdes...
 
Ah, fantazi e kotë
ç`do të bëhej sikur secilit
t`i plotësohet dëshira ?!
 


VENDI I MËKATIT
 
Marinari me anijen moderne
ngadalë shkel detin e dhembjes.
 
Çdo fytyrë në anije ka pikëllim
zogjtë e ditës hedhin vallen e lotit
peshkaqenët me dhëmbët e artë
presin ndonjë i dehur të hudhet në ujë
ta përbijnë lakuriqësinë e tij..
 
Për një çast deti hap gjoksin e vet
anija dhe gjithçka reale zhduket
marrin rrugën e botës së panjohur !
 
Përmbi ujë mbesin
vetëm zogjtë e natës
të cilët hedhin valle gëzimi
rreth vendit të mëkatit
presin ditën e nesërme ...
 


DËNIMI
 
Shterren kujtimet e shumta
që fare s`kanë ekzistuar ...
 
Truri dhe njëqind metra ka
deri tek dyert e fundit
që duhet të hapen
për ta dërguar në harmoni.
 
Hëna dhe më tepër i egërson
u jep forcë vampirëve të natës
çmenduria gjithnjë e më shumë
botën e hipokrizisë
e mbush me njerëz fatalë
që kanë sunduar hyjnoren ...
 


NJERËZIT ME FANTAZI TË TEPRUAR             
 
- Roli i ligjit që nuk ekziston,-                      
u tha në lajmet që jepeshin
për të çmendurit,
- është të ruajë sigurinë tuaj
nga njerëzit e rëndomtë
vetëm me fantazi të tepruar !
 


SHKATTËRIM SHPIRTI
 
Po, e vërtetë është se shpirti
ndonjëherë mund të prishet,
nuk e di unë
ndoshta kur sheh të mundshmen
apo të paparën ... !
 
Atë që mendja e njeriut
dëshiron ta sundojë
ta fëlliq me papastërtitë e shenjta
të botës djallëzore !
 


MOS PRANO                                           
 
Zoti të ka udhëzuar në rrugë të drejtë          
të ka dhënë mend dhe gjithçka                     
që jetën ta bësh magjike ...                    
 
Shpirti yt ka forcë të shenjtë                          
mund t`u bashkohet engjujve                       
por, vetëm ti mos prano                                  
të të udhëheq dreqi, materia ...                       
 


E MUNDSHME ËSHTË !                                  
 
E pamundshme është                            
miza përdhese ta mbyt elefantin,                  
bleta të prodhojë molla të çuditshme,           
njeriu t`i tregojë kafshës se e zhduk,            
dhentë ta kullosin bariun,                    
dera të shërbejë si kosë për barin,                 
bilbili të ketë villë në Çikago
macet të lexojnë romane ...
 
Po, vetëm një gjë ta pranoj
e mundshme është
të mos vdesësh ... !
 


DY SHOKË                            
 
Dy shokë që nuk ndahen            
që çdoherë mes veti hahen
pas shumë kohë mundimesh
përsëri morën rrugën e drejtë
drejt ardhmërisë së lumtur
në jetën e amshuar ...
 


NË RRUGË                            
 
Hapën gojën kinse qeshet            
shpalon nofullën e kalbur,          
dhëmbët e zinjë
si copa thëngjilli
i qëndrojnë si mbrojtje,
gjuha me ngjyrë të gjelbërt
habitem pse m`i ç`lodh sytë ?!
 
Floktë e thinjura si fije bari
që i ka kapluar shiu, bora
më duken si perukë
e ndërtuar prej qimeve
të kryetares së dhelpërave ...
 


BARASPESHA
 
Mendja njerëzore ka dy drejtime -
të mirën
dhe skëterrën.
 
U habita kur një zë
sikur vinte nga brendia e gurit
e më tha për "asgjënë"
që gjendet mes të dyjave
dhe e mban baraspeshën
mes njeriut dhe kafshës.
 


RREGULLIM MORALI
 
Herën e parë gabon
në të dytën mësohesh ...
 
Për ty s`ka më të tretë
vetëm të kalosh kohën
të jetosh me jashtëtokësorët
me ata të cilët je i barabartë
në çdo aspekt ...!
 
Vetëm pak rregullo moralin ...!
 


AVENTURA
 
Pena e vdekur e shkrimtarit
nuk krijon dritë ardhmërie.
Piktori me brushën e tij
nuk krijon njerëz realë.
Që të dy marrin rrugën
e aventurës
që shpreh punën e tyre.
 


CILA ËSHTË E VËRTETA ?             
 
- Dëgjo çfarë muzike e bukur ,-          
i them të shurdhurit.                    
 
- Shih bukurinë e luleve,-                    
i them të verbërit.                         
 
- Ec nëpër drurin e brishtë
që lidh dy brigjet e lumit,-
i them njeriut me të meta.
 
Pyes gënjeshtarin:
- Cila është e vërteta ?!
 


MË INTELIGJENTËT SE KAFSHA
 
Në çdo kohë kur takoj
ndonjë prej atyre të thjeshtëve
rri i zymtë, i egërsuar
si gjarpëri që për hiç gjë
të kafshon ...
 
Gjithë psikiatërit e botës
nuk mund t`i sjellin në mend
këta njerëz të mjerë
rigorozisht të mbyllur
në ëndërrallat e tyre shekullore
ku kënaqen se jetojnë
janë qenie me vetëdije
janë më inteligjentë se kafsha ...
 
 

PA MËSHIRË
 
Sikur bora që bie pa mëshirë
në prag të pranverës së frytshme
dhe djeg pemët, lulet ...,
ua shuan jetën e posagjallëruar
ashtu dhe loti im i dalur nga ferri
pa mëshirë më vërshon syrin
më humb shikimin përjetë
mu tani kur fillova të kuptoj ...!
 
 

KUNDËRSHTITË
 
Kur syri sheh gabim
mendja punon drejtë.
Kur mendja mendon gabim
syri shikon drejtë.
U mundua këto kundërshti
t`i baraspeshojë mëkatari
dhe mbaroi tragjikisht.
 
 
BOTA E MENDIMEVE                  
 
Sepse ishte më i pasur                           
mendonte se është më i ditur               
nënvlerësonte tjetrin,-                           
të çmendurin edhepse ky            
flente në mendjen e tij                           
ishte bota e tij e mendimeve
nga ku shprehjet
dilnin të pastërta
si fëmija i posalindur
pa mëkate...
 

 
KALIMI NËPËR KOHË
 
Nga çmendina
të kthehesh në botën e mençur
ka një rrugë të pakufijtë
të errët, të pakuptimtë...
Duhet ta kalosh kohën
të përgatitesh
të jeshë i sigurt
se atje mund të jetosh !
 
 
KUR TË VIJË HARMONIA
 
Derisa të ç`lodhet shpirti
duhet të kalojë shumë kohë
që kur të vijë harmonia
të marrësh shpërblimin
e ëndërruar me dekada
që ka qenë ndaluar
nga e panjohura ...
 
 
RRUGA E HYJNORES
 
Po te besosh Zotin me të vërtetë
nuk mund të të gënjejnë
përfaqësuesit e dreqit në Tokë
se sjellja jote e morali
janë rruga e njerëzve
drejt hyjnores së pafundshme ...
 
 
MBI NJERËZIT
 
Sa dëshirë të vogël kishte
qeni i mbyllur në kafaz.
Kur e pyetën intelektualët
tha se kishte ëndërruar
të ketë forcë mendore
t`u tregojë njerëzve
se prej asgjësë
mund të bëhet diçka
gjegjësisht, të jetë mbi ta !
E ata ta shohin nje herë
se ç`është një jetë e qenit.
 
 
NJERIU I DYANSHËM
 
Kur njeriu
është i trashë në mendje
s`mund të dijë me zor
prandaj, le të jetojë edhe ai
një ëndërr ...
 
Kur njeriu
është i hollë në mendje
s`mund të mos dijë me zor
prandaj, mos të jetojë edhe ai
një ëndërr ...
 
 
KRITIKË E GABUAR
 
Që të parën herë kur të pashë
kuptova dobësinë tënde mentale
në fytyrën tënde me pamje idioti
qartë vërehej jonjerëzia e madhe
djallëzorja që fshehet
në mesluginën e trurit tënd
e cila pa arsye kërkon të jetë
thellësi e inteligjencës shekullore
kritikon të tjerët pa e ditur
se vet nuk vlen për asgjë ...
 
 
ÇMENDURI NË ÇDO SKAJ
 
Çdo ditë rrugëve
shoh njerëz të çmendur
që janë larg vetëdijes
por, të them të drejtën
nuk e kam ditur se ka
intelektualë të çmendur
që për shkak të një imtësire
të bëjnë vetëvrasje ...
 
 
FOLEJA E PRISHUR
 
Çdo ditë kërkoj
folenë e lejlekut ta gjej.
Më mori malli për të
sëpaku të hyp
një natë aty ta kaloj
por, ajo është e prishur
s`është i zoti i shtëpisë
ta rindërtojë
me kullosat e arta !
 
 

LUFTË HYJNORE
 
Idetë mëkatare
dridhin rruzullin tokësor
lajmërojnë engjujt shpëtimtarë
për ndihmë se ndryshe
njerëzit shkuan në varre ...
 
Vijnë engjujt rradhë - rradhë
syri nuk sheh as fillimin e as mbarimin
me armë magjike i gjuajnë dreqërit
që janë sulur mbi njerëzit.
 
Edhe dreqërit sulmojnë
me armët e tyre të dobëta
kështu engjujt fitojnë
i çlirojnë njerëzit
nga fatalizmi.
 
 
KOKË PA KONTROLLË
 
Gjysma e flokëve
i është shëmtuar
ndoshta nga mendjemprehtësia
ndoshta nga çmenduria.
Balli çdoherë i zverdhur i rri
dora plot forcë për rrahje
goja plot fjalë për fyerje
sytë pa arsye e gabojnë ...
 
Koka kur i dhemb
gjithë gjërat i pengojnë
sikur brenda të ketë një gjemb
që qelizat mendore nuk e kontrollojnë.
 
 
MUND TA IMITOJA ÇMENDURINË
 
Nga hipnoza që më ka marrë mendjen
nuk mund të besoj pse s`më dalin lotët.
 
Për një çast tymi i zi i duhanit
m`i kaplon ngadalë sytë e enjtur.
 
Ah, pa masë e falenderoj nga zemra
që një herë më mundëson
të kënaqem me dhembjen
sepse edhe pak do të ngrihesha
ta imitoj çmendurinë !
 
 
FSHEHTËSITË E NATËS
 
E di se nata është e egër
nuk dua ta kap kohën ajo
të më hudh në fshehtësitë e saj
pakuptimësinë pa kuptim
historinë pa fund e pa fillim
jetën e kufizuar
me hekuj të rëndë.
 
 
PA MË PYETUR
 
Nuk e di pse mendimet e mia të pafundta
më shtyejnë të ndjehem i vrarë, mëkatar
për një djalë të vogël
që çdo ditë nëpër fshat e shoh
duke ecur këmbëzbathur
me pantollona të leckosura
e fytyrë me pamje të të vdekurit ...
 
Ndoshta brenda meje
ka një Unë tjetër
që mund të veprojë
pa më pyetur mua ?!
 
 
DJALLI ME TRUP NJERIU
 
Posa dal në rrugë e shoh atë
djallin me trup njeriu q më pret
të më përcjell ngado që të shkoj
botën të ma kufizojë me shprehje
që nuk i takojnë natyrës së tij
pasiqë e dimë se djalli i vërtetë
është fenomen i njerëzimit
patjetër e ka t`i filtërojë
mendimet e njerëzve ...
 
 
I DUA TË ÇMENDURIT
 
Njoh një njeri me ndërgjegje të papastërt
çdo ditë e takoj e bisedojmë për çdo gjë.
Errësira që flen në sytë e tij të heshtur
më ringjall mendimet e egra për njerëzit
edhe pse fillova t`i dua ...
 
Tani kuptova se kam dashur shpirtërat
që janë pa mëkate dhe do të vazhdoj t`i dua
të çmendurit ...
 
 
SHTRATI I FËLLIQUR
 
Nga dobësia e padukshme
bindja e thelle e gabuar
paforca që ngjall ndërgjegja
shikimi krejt ndryshe
vlera e pamatur
asaj / atij i lind një ide fikse
se me çdo gjë që takohen
mund të hudhen
në shtratin e fëlliqur ...!
 
 
DYLUFTIM ME DREQIN
 
Kur për një çast ndalem e mendoj
se si në këtë ditë pikëllimi
dreqi ngadalë, fare pa droje
nëpër kokat e njerëzve të mjerë
hudh erë e pluhur vdekjeje
e shpirtin
ua lidh me zjarr ndytësire
dëshiroj të egërsohem
të dal në dyluftim me të
të sheh ai se ç`mundet njeriu !
 
 
JAM EGËRSUAR
 
Sapo nxjerr jashtë
të vërtetin Unë nga brenda
shoh kufizimin që më arsyeton
logjika e shëndoshë.
Atëherë kuptoj ligësinë
që gjallëron në mua
e që nuk më lë të ndjej
vlerën e shëndoshë.
 
 
MENDIMET I PROVON DJALLI
 
Nuk mund të ketë harmoni
as jetë të përbashkët
as dashuri të sinqertë
as marëdhënie seksuale pasionale
as zhvillim mentaliteti
përderisa mendimet që burojnë
së pari i provon djalli.
 
 
BJER O BORË
 
Bjer o borë e lashtë
me ujin tënd si lot dhembjeje
që përshkon zemrën e dashuruar ...
 
Pastro sytë e mjegulluar
zhduke vdekjen ...,
që iu është lidhur njerëzve
për nervat e kokës.
 
Hapi dritën shenjtësisë !
 
 

LARGOJ NJË MLLEF
 
Perëndia ka vënë ligj
po vrave një njeri
pa besim shkon në varr.
Unë, përsëri, e vras një
dhe e falenderoj Atë
që ma bëri të mundshme
ta liroj pak veten
duke shporur një mllef
nga mendja e okupuar ... !
 
 
KU ËSHTË REALITETI ?
 
Idetë nuk kanë të sosur
përderisa ekziston fantazia.
Ato shkojnë larg
fantazia i arrin shpejt,
ato këndojnë
fantazia qan në vetmi,
ato lodhin trurin e njeriut
fantazia vuan.
 
Kur një herë do të flitet
për realitetin ?!
 
 

S´ËSHTË IMJA
 
I them se shtëpinë
e shoh si një kuti shkrepsëse,
thotë se aty e kaloj jetën.
I them se lopa nuk më duket tjetër
vetëm se një gjarpër i egërsuar,
thotë se ajo më ushqen.
I them se njeriu nuk është tjetër
vetëm se një pasqyrim dreqi,
thotë se ai është më i vlefshëm.
I them se mendja ime
është e ndryshkur,
thotë se ajo më mban në jetë.
 
E ç`të bëj unë kur
ajo nuk është më imja ?!
 
 

MË FRIKËSON TRURI IM
 
Jam shtrirë në krevatin e qetë
butë është, por gjumi është i mplakur.
Nuk dua të zhytem në fshehtësitë e errëta
ku më pret ndjenja e dhembjes.
Ngadalë, i mbushur me frikë
shkeli shkallën e parë të fatkeqësisë.
Kam droje nga botërat
që lundrojnë diku në mjegullirën
e horizontit të trurit tim.
 
 
IMAGJINATA IME
 
Imagjinata ime e shfrenuar
më hap plagët e mbeturisë kohore
çdo fillim mendimi është një shpërthim
ç`vendosje kokash të neveritura.
Rrëmuja kalimtare bërtet hidhërueshëm
pjerrësia e egër fundos botën
gruas shtatzënë i rilind dhe nje demon
dy të dashuruar vetëvriten, hakmerren
kujtimet e pambaruara lundrojnë
hapin dyert e ardhmërisë së gabuar ...
 
 

NGADHNJIMTARE ËSHTË GËNJESHTRA
 
Koka më është bërë minikosmos bosh
posi floktë e arta të vajzës lazdrane
me fluturojnë mendimet  e çuditura
ngatërrohen rrugët e kundërta aty
po, kotësi është qenia ime
jam i paforcë të shpërthej flakët
ta kap diellin e çmendur me dorë ...
 
Ndjehem i vrarë pranë pasqyrës
ngadhnjimtare është vetëm gënjeshtra
le të merr statujën e shenjtë
të niset pafundshmërisë ...
 
 
HABI PA KUPTIM
 
U ula në karrigën pranë tavolinës
me nervozë mora makinën e shkrimit
dora më dridhej - nuk di pse
truri më vlonte nga ide pa pushim
që donin të hudheshin në letër.
Nga syri më shpërthen një lot i zjarrtë
bie dhe djeg letrat e mbushura
me romane, novela, poezi, ide ...
Unë mundohem t'i rikujtoj
ndoshta truri i ka inçizuar.
 
Punë e dreqëruar
disketa s'ka qenë lëshuar !
 
 

KAM FUTUR GISHTIN NË MENDJE
 
E thjeshtë, mirëpo e vërtetë
se shpesh me këmbëngulje
kam provuar së koti
të fus gishtin në mendje
të shoh mos pastrohen ndytësitë ...
 
E kotë, ajo nxjerr një grusht
më bie në kokë - më nxjerr agoninë
që më huton po atë mendje ...
Unë vazhdoj të jetoj dhe mendoj
po me atë mendje ...
 
 
VDESËSH PËR NJË RRUGËDALJE
 
Sa e rëndë dhe tronditëse duket
kur mundohesh, sëpaku
të sjellësh harmoni të shkurtër
në një kopsht të ç'thurur ...
Vuash me shpirt të fundosur
në agoninë dehëse
andaj dhe flijohesh
për një rrugëdalje !
 
 
PA LIDHJE MENDOJ
 
Ka parkuar veturën
thua punë të rëndësishme ka.
E vërteta është se ai
shet mend para vajzave !
Unë ndjej mburjen
gëzimin që ka vetura e tij ...
Nuk jam xheloz
vetëm më brengos paaftësia
e veshit të tij
të dëgjojë muzikë
në gjuhën e nënës !
 
 
ABSURDE
 
Lufta të errëta e gjakdhënëse zhvillohen
pa ndalur ndërtohen mure absurde
valë - valë puthiten kënaqësitë e mendimeve
e mira dhe e keqja bëhen shokë të rastit.
 
Kalohen kufijtë e armiqësive
kopshtet e lulëzuara mbushen përplot
vëllazërimi me prerjen e venëve
u del në ndihmë fatmjerëve
të marrëve, të sharëve, të vrarëve ...
 
 
UJKU I BRENDSHËM
 
Ka vendosur të shet egërsinë ?
 
Le t'i bjerr murit me kokë
le të sheh se është i paaftë
edhe për thjeshtësinë më të vogël
pastaj le të bindet se mundet
t'u bashkangjitet fëmijëve
të luajë lodra me ta
për një ditë le të argëtohet
ujku i egër brenda tij ...
 
 
S'DI Ç'BËJ
 
Sot kam harruar ç'ditë është
as që më intereson dikush të më tregojë
si zakonisht, si i marrë shëtis rrugëve
hyj pastaj lexoj ca faqe nga ndonjë libër
pij duhan, çaj, lëngje, harroj të ha bukë
shoh televizion, dëgjoj radio, bisedoj me macen
mendoj së koti, buzëqeshi pa lidhje
nga ngushtësia përbrenda
s'prish punë edhe nëse qaj ndonjëherë
unë kam të drejtën time.
Në mbrëmje
filloj ta jetoj ditën nga fillimi
duke rrëfyer atë që ndodhi !
 
 
NDJENJË FRIKE
 
Dënimet e pritjes së rrejshme
natës ia zgjerojnë barkun detar.
Shfaqjet reale para syve mëkatarë
shndërrohen në halucinacione vuajtjesh.
Zbehtësia që bie mbi urrejtjen e kotë
me thith intimitetin absurd.
Terri i dendur qorton përditshmërinë.
Jo nuk e dua kthjelltësinë
që ma ofrojnë kurthimtarët ...
 
 
KEQPËRDORIMI I BUKURISË
 
Ç'krijesë e ndytë jam
s'mund të bëhem i vetëdishëm
se truri im ngadalë copë - copë
futet në gojën e çdo krimbi fatlum
që më egërson ndjenjat ...
Pse jam i bindur
se sëpaku ndjehem i sigurt
brenda ferrit mallkues ?
Ah, dita kalon vrazhdë
pastaj dua ta kafshoj veten
kur shoh secilin t'ia hudh në qafë
duart e ndyta nga egoizmi
që keqpërdorin bukurinë e saj ...
 
 
TË ÇMENDESH
 
Nuk mund të pajtohem me fatin
që ti të vazhdosh me Parajsën tokësore
unë të hyj në shtëpinë e dreqit,
ti të ndjehesh e pasigurt
unë të përleshem me veten,
ti të jeshë në rrezik
unë të mos flijoj çdo gjë,
ty të të marrë era
unë të mos fluturoj si zog,
ty dikush të të rrëmbejë
unë të dashuroj një tjetër.
 
Ah, ç'do të thotë
të çmendesh për dikë !
 
 
DËSHIROJ TË JETOJMË BASHKË
 
Unë e di se ndjej nevojën
të të kem pranë ...
Ç'të bëj që dëshiroj
të mos humbesh në errësirë,
dëshiroj
të jetojmë bashkë
nën këtë qiell engjëllor !?
 
 
DHEMBJA IME
 
Sa bukur të përthehen buzët
gropëzat në faqe
të qëndrojnë hijshëm kur qesh.
Sa më befason e trondit
shkëlqimi i bebes së syrit tënd,
sa më mjegullon mendimet
përsosja e qafës tënde,
vetullat që më bëjnë të zalisur,
buzëqeshja jote që më rrëmben
e më hudh në një botë
të mbushur me dhembje ndjenjash
me trazira frymëzënëse ...
 
 
TË TË BËJ TË LUMTUR
 
Nuk e di pse s'mund të besoj
se qeshja jote më rrëfen diçka
më ngulit në zemër idenë
se bota është vetëm jona
se më të lumtur se ne nuk ka ...
 
Ah, engjull shpëtimtar
më bind për dashurinë
që ajo ndjen për mua
më jep forcë, vullnet, shpresë ...,
të jem gjallë në jetë
deri sa ta bëj të lumtur
shoqen time të shpirtit.
 
 

NË KRAHËT E TUA
 
Nganjëherë ndjehet nevoja
shpirti të shpalos gëzimin
të freskohen ndjenjat e vërteta
të pastrohet lumi i brendshëm
instinktet të largohen anash
të fillohet dëlirësisht
të shqyrtohen gjërat
të dihet shenjësi e pastër
që hap rrugët e ardhmërisë
kohës së mbushur me vullnet ...
Ah, vërtetë është përsosje
të hudhem në krahë e tua
aty ku gjej ngushëllimin
shpëtimin nga dreqërit e egër
aty ku ndjej atë që digjet
të vetmen dashuri.
 
 

BRENDIA
 
Shpesh është rëndë të gjej fjalë
e vërteta është humbur.
Në të vërtetë ç'duhet ajo
që të kuptosh se tek ty
kam varur çdo shpresë ?
Mos mendo se poezia s'është e gjatë
ashtu të përfytyrohet
kulmi i gjithçkaje është brenda ...
 
 
SHKOI IDIOTI
 
Ajo qëndron pranë dritares kolor
fytyra e saj reflektohet në sytë e mi
mendoj se është vonë, duhet më të shkoj.
Si qen ngrihem ngadalë i pasigurt
përshëndetem me një shoqe tjetër
dal nga dera me kokën menjanë
i hidhëruar, pa mendime të vlefshme.
Tanimë jam jashtë, i lirë
ajo me siguri më shikon nga prapa
shkoi ky idioti, thotë
i çmenduri pa arsye
ky që premton kotësira djalli
që ka dëshirë të shitet fodull
të tregohet i sjellshëm e i ndershëm
ky që më 'disponon ditën
ky që gënjehet aq thjeshtë ...
E unë, megjithatë, vazhdoj rrugën
vazhdoj ta dua ende më shumë.
 
 
E URDHËROJNË SI TË DASHUROJË
 
Ka disa ditë trishtuese
engjëllusha ime nuk më flet
ndjehet keq, e zymtë, e brengosur
ka frikë të më shikojë.
 
Ndoshta i pengoj, e bezdis
ndoshta nuk më do, nuk ndjen gje ...
Ç'të bëj kur vetëdija humane
kërkon të pastrojë realitetin
t'i ndihmojë një vajzeje
që është rob material
së cilës i urdhërohet
ç'të bëjë, si të jetojë, si të qeshë
si të flejë, si të qajë, si të dehet ...,
si të dashurojë ...?!
 
 
MOS KUJTO
 
Mos kujto se sjellja ime
turpi dhe shikimi i pastër
janë helm për ty
pasi t'i dhuroj
me inocensë ...
 
Tek ty kam besim të patundur
vullkan në zemrën time
nuk të shoh me sy të ligë
të lartësoj
deri në qiell ...
 
 
UNË NË SYTË E TU
 
O ligji im në këtë botë
o engjulli im në botën tjetër
o jeta ime e përhershme ...
Pse kur pa dashje më takon
( - Zoti ashtu e ka shkruar - )
i ke frikë shikimit tim
të ëmbël, fisnik, hyjnor ...
 
Shikim që si rreze drite
zhytet në sytë e tu të zinjë
ku ngul përgjithmonë
fytyrën time - tënden jehonë ?!
 
 
 
DITA - DITËS
 
Mos lejo të jem me ty
të t'i puth syte e mrekullueshëm
të të dua deri në amshim
vetëm në fantazinë time
e cila dita - ditës
më dërgon në çmenduri
dita - ditës
më shkurton shpirtin
dita - ditës
m'i hap dyert e ferrit
vetëm pse ...!?
 
 
DUA TË ÇMENDEM
 
Dua të nuhas erën e flokëve të tua
erën e Parajsës së mbushur me zell.
Dua të zhytem në mushkëritë e tua
nga aty të të dëgjoj frymëmarrjen.
Dua të futem brenda buzëve të tua
të ndjej forcën magjike të tyre ...
Dua të hyj në qelizat e tua të bardha
të shoh pse më mbyllin derën
për në botën tënde
... dua të çmendem ...!
 
 
PUNË NDJENJASH
 
Nuk mund t'i kontrolloj ndjenjat -
posa të shoh më ngrihet lumturia
pastaj përsëri mbetem anash botës
më zhduk pikëllimi si çdoherë.
Hyj në fantazi dhe si gjithmonë
jam me ty, më shtohet dëshira për jetë
e kur zgjohem realiteti më gëlltit
me dhëmbët e vampirit ...
 
Ç'të bëj kur ndjenjat
punojnë si duan vetë ?!
 

 
MË Ç'RREGULLON MENDJEN
 
Papritur me prushërove zemrën
turbullueshëm si bletë Parajse
me dhe mjaltin - më zgjate zgjuarsinë
esencën e fundshmërisë shpirtërore më dhe
dita - ditës më hudhje larte e më lartë në qiell
sa ndjehesha zemërmadh ...
 
Ah, moj e pafundshme, e pashtershme
pse tash bëhesh gjarpërushë?
M'i helmon kënaqësitë, dhembjet
ma egërson kuptimin mbi botën
më largon nga lotët
më sjell deformime në qenie
më ç'rregullon mendjen ?
 
 
FATI IM
 
Kam fatin e njëjtë me Sizifin
pasi të vdes do ta lus Zotin
të më lejojë të vij
edhe një herë në jetë
vetëm e vetëm të të shoh
pastaj përsëri të shkoj në ferr
i dënuar vetëm pse aq shumë
të desha ...
 
 
FLIJOHEM PËR ÇMENDURINË                       
 
Për mua nuk do të thotë gjë                           
një kënaqje e rëndomtë, e thjeshtë                
një gëzim i përkohshëm                                 
i kufizuar me papastërti ndjenjash.              
 
Unë freskoj shpirtin atëherë                          
kur dhembja më ngacmon kuptimin           
kur si i hutuar filloj të qaj për ty                   
kur me kaplojnë mendime                   
të pakapshme për logjikën                   
kur nga dashuria                                   
dehem deri në pafundësi                               
kur përjetoj praninë e Zotit                   
thellë në qenien time                             
kur shoh se ti e di                                  
se jam çmendur për ty.
 
Atëherë bërtas me shumë dhembje               
të dëshmoj flijimin që mund të bëj               
për çmendurinë ...
 
 
PROSTITUCIONI NUK ËSHTË ZGJIDHJE
 
Ti nuk ke kuptim të qartë
për bukurinë e paarritshme që ke
malli s'ta kaplon shpirtin me dhembje
për shfrytëzimin që të kurthojnë
je tëpër e preokupuar me thjeshtësi ...
Botën, jetën, përsosshmërinë ... përpara i ke
mundohu të lirohesh nga mistika
se prostitucioni nuk është zgjidhje ... !
 
 

BUKURIA JOTE
 
Kur të shoh
diçka më therr në zemër
një barrë i rëndë flen tek unë
e vuajtjet kalojnë në kolonë.
 
Bukuria jote prish shikimin tim
hija jote më del çdoherë përpara
ke pamje të dallëndyshes
e hijeshi të përjetshme ...
 
Në ëndërrimet e mia
nuk kam forcë të të shoh
bukuria jote më rrëmben
e unë bia nga një shpat i madh.
 
 
DASHURIA IME
 
Dashuria ime lindi
si iluzion në sytë e pangopshëm
qëllim absurd që nuk mund të arrihet
eufori nga lumi i brendshëm jetëdashës.
Iluzion mbeti ...
Nuk doje aspak të kuptosh
se një qenie digjet për ty.
Qëndrova dhe qëndroj besnik
ndaj bukurisë sate magjike.
Nuk të vjen rëndë, aq pa ndjenja
të zhdukësh një botë të përsosur
ardhmëri të përjetshme ...
 
 
SI TË DASHUROJ ?
 
Nuk mund të zgjohem
kur as që kam fjetur.
Si ta zhduk jetën
kur vdekja nuk ekziston.
Si do të mund të dashuroj
kur dashuria jote
i frigohet zemrës time ?
 
 
MOS DHURO DASHURINË
 
Sa zell të fshehur ka fytyra jote
ç'bukurira mund të shohin sytë e tu
ç'përsosshmërimund të të prekin duart
ç'vende të shenjta mund të të kalojnë këmbët
ç'mund të arrijë truri yt
sa e lumtur mund të jeshë ...!?
 
Sa keq kur je e robëruar
duhet ta shesësh trupin, bukurinë ...
 
Vetëm dashurinë mos dhuro !
 

 
KUR TË KËRKOJ
 
Kur të kërkoj një buzëqeshje
ma jep sepse ajo është fati im.
 
Kur ta kërkoj dorën tënde
ma jep sepse ajo më zgjeron zemrën.
 
Kur të kërkoj një të puthur
ma jep sepse ajo ma zgjat jetën.
 
Kur të kërkoj ty
eja sepse mështon ...
 
Ke shumë magji në vete ...!
 
 

MË KUPTO SE TË DUA
 
Sa e pa kuptimtë duket kënaqja jote
ta qetësosh shpirtin
t'u largohesh halleve
duke pirë alkooh e duhan
me bark të urritur,
të ushqesh familjen me paratë
që djallëzisht i fitoi trupi yt
që t'i dha më i pandershmi -
ai që keqpërdori virgjërinë tënde
që ndoti kopshtin tënd hyjnor
që u tall me prejardhjen tënde
që s'e kuptoi ligësinë e tij
që ma vrau mua ëndrrën ...
 
Pse nuk më kupton se të dua
e s'më lejon të të ndihmoj ... ?!
 
 
ENGJËLL PA PORTRET
 
Dikush ndonjëherë
do të zgjojë prushin tek ty ...
Atë që unë nuk munda ta ngjall
se t'u dhashë çmendurisht.
Ndodh të bëhem engjëll
pa krahë e ardhmëri
pa fotografi, portret e lumturi
që të më shohësh çdo ditë !
 
 

VARGJE NGUSHËLLIMI
 
O engjull pa mëkate
turpërohem për një çast
ndalem dhe kërkoj falje
nga mendja e rënduar ...
U mundova të ta shpreh
dhembjen e rëndë shumëvjeçare
dua të them, të shqetësova
ta lëndova shpirtin e lënduar ...
Ah, gabova ...!?
Sikur ende të të doja në fshehtësi
të më ç'lodhje kur të të shihja
kur të më shfrytëzoje materialisht
të isha i lumtur
kur ti të ishe e lumtur.
Më fal sepse si një imtësirë
të ngjalla urrejtje ndaj meje.
 
 
DEHEM SË MENDUARI
 
Nuk mund ta mohoj se bëhem xheloz
kur dikush të thërret : "Dashuria ime" .
Më vret thellë dëshira e tij
për një shfrytëzim të trupit tënd
pamundësia e dijes së tij
të kuptojë se bën krim
ndaj dhembjes së pastër njerëzore
pasiqë imponon dashuri
duke dhënë para të ndyta ...
Atëherë dehem me agoninë
dal në qytet dhe jetoj si shpirt
njerëzit nuk më shohin
 ... dhe dehem së menduari
për pastërtitë.
 
 
Ç'TË FAL DIKUSH TJETËR ?
 
Ç'të fal dikush tjetër ?
Trupin
që ia ka sunduar shtazorja?
Shpirtin
që ia ka helmuar djallëzorja?
Mendjen
që me ide çmendurie
luan me bukurinë tënde? !
E shpirti yt i njomë
s'mund të lirohet ...!
 
 
MË TENDOSEN VLERAT
 
Tash treni kalon tunelin
unë kam  ngulitur sytë e djegur
në dritaren përballë, që më jep shpresë
më përfytyrohet fytyra e saj
sikur më thotë diç të mrekullueshme.
Nxjerr tymin e duhanit si oxhak
bashkë me të një botë në vete
më rrjedhin lotët
bashkë me ta dëshirat për jetë
më ngushtohet fyti
bashkë me të më tendosen vlerat
që reflektojnë harmoni...
 
 
DUHET TË MË KUPTOSH
 
Duhet, sëpaku, shpirti të të tronditet
kur më sheh të vuajtur, të mjerë
në rrethin tënd plot thjeshtësi.
 
Duhet të ndjehesh e gëzuar
që vij të të shoh ...
 
Mundohu të më kuptosh
se dua të të hudh
në kopshin me lule.
Le të ndeshen shpirtërat tanë ...
Kjo është shëndet ...
 
 
RRUGËS PËR NË TETOVË
 
Rrugës për në Tetovë
i humbur në ngushtësinë e mendimeve
tek kënaqesha me bukuritë e natyrës
që shihja përmes dritares së trenit
m'u mbush zemra me mallë të lotosur
më shkoi mendja tek gruaja ime
që tani është larg ...
 
Andaj ula kokën të qaj me veten
pa vënë re udhëtarët tjerë.
 
Pashë unazën që ajo më ka dhënë
nxorra nga xhepi unazën që i  bleva.
Bashkë me të dyja dhuratat
lidha dashurinë
vuajtjet e pafundta.
 
 
KRIJIM DASHURIE
 
Qielli i ëmbël me fytyrë të qeshur
këto male të lulëzuara, kjo kohë plot zell
njerëzit plot xhelozi ndaj neve
qyteti i ringjallur nga hijeshia jote
zemra ime e kulluar nga krenaria jote
sytë e mi të tronditur nga malli
duart e mia të djegura nga prekjet e tua
ti e lumtur me mua
të gjitha këto janë rrëfyes hyjnorë
të dashurisë ideale që krijuam !
 
 
ROB I PAFORCË
 
I zhytur në pakufindshmërinë e natës
vajtueshëm duke lundruar nëpër errësirë
nuk mund të gjej shtegshpëtim për zemrën.
Ndjej lodhje nervash, një forcë tërheqëse
mendimet i kam të okupuara tinëzisht
qetësia e pakuptueshme m'i vret idetë
gëzimi ka frikë nga unë, ikën në pakthim
gjithçka që më ndan prej teje
më ka bërë rob të paforcë ...!
 
 
MALLËNGJEHEM PSE NUK TË SHOH
 
Sa e qaj kohën që ishim bashkë
po, atë natë të parë që të njoha
natën me shi dashurie të dhimbsur
kur m'u nda zemra, më kapën ethet
kur të shndërrova në ikonë vuajtjesh.
 
Tash jam larg teje
me vetminë si mik që më jep shpresa
i humbur në hapësirat e pafundta
djalli më ka kufizuar çdo mendim
pa qëllim jetoj - gjithçka më zhduk
gërryhem nga brenda, dua të plas
mallëngjehem pse s'mund të vij
të të shoh dhe një herë.
 
 
ARSYEJA QË JETOJ
 
Dua të ma fundosësh shpirtin
qiejve tatpjetë, drejt ardhmërisë sate.
Shëmtimi i mrekullisë së jetës
bukurisë kohore që na frymëzon
ma derdh zemrën botës së lotëve.
Dua t'i zbraps dyert e së tashmes
të dehem me kujtimet e kaluara.
Ja, moj hyjni e lindjes
kjo është arsyeja që jetoj ...
 
 
MENDIME TË VONSHME
 
Pa ty nuk më lejohet të jetoj
qielli çmendet nga madhësia e tij
insektet formojnë ushtri tejkohore
hëna i zbulon ndytësitë tokësore
i gjithë kosmosi egërsohet
nje gur gëlltit gjithçka që ekziston
gjithçkaja tjetër formon një gurë
orgazmat frytngrënëse të marrin frymën
lëngu trurëror, ah, ai dreq magjik
gjithë këto ndryshime i sheh në ekran ...
Sa e pafundtë është kjo natë ?!
 
 
DHASHTË ZOTI E DASHUR
 
Dhashtë Zoti e dashur
siç duash ta kalosh natën sonte
mos pish alkool, mos qash
mos ia bësh qejfin çdo idioti
mos të ta ndot trupin askush
mos të të duket e idhët vetja
të flesh si fëmijë fatmirë
t'i përjetosh mrekullitë e jetës
të valëvitesh kënaqësive shpirtërore
të jeshë mbretëreshë për veten
të ...
 
Dhashtë Zoti e dashur
të mendosh për mua, të më ndjesh
të kuptosh sa keq ndjehem larg
ta dish se dhembja jotë është dhe imja
të shpresosh se vuaj për fatin tënd
mos harrosh se të dua
se të tradhëtoj, të dal i pabesë
të pranosh se qaj përmallshëm
të ...
 
Dhashtë Zoti e dashur
sonte të vdesim të dy përnjëherë
të nesërmen aty afër njëri - tjetrit
të varrosin dy qenia të palumtura
ne të dy prap në fshehtësi të jemi bashkë !
 
 
PO TË MË THUASH
 
Kur t'i shoh ata sy vezullues
që kërkojnë dritë lumturie
ndjej dhembjet që duhet t'i përjetoj.
Po të ra një pikë loti zemëror
ardhmëria më ndalet mu në këtë çast.
Puthador e pagëzoj veten
po të më mëshirosh jetën e vuajtur.
Nuk është asgjë për mua vdekja
po të më thuash se më do ...
 
 
I BËJ ROJE HËNËS
 
Po ndodhi të mërzitesh sonte
po të hidhëruan klientët e mjerë
po të ra malli për nënë, babë
po t'u desh prehje zemre
po të torturoi dikush fizikisht
po deshe të më shohësh, bisedojmë
po deshe ndihmë, po t'u dridh shpirti
dil në mesnatë e shih hënën
atë që mund ta shohim të dy
dhe unë do të të pres
me krahët hapur ...
 
 

ARDHTË NJË DITË E RE PËR NE
 
Ashtu ngadalë hapen dyert e greminës
larg teje jam, lundroj flakëve mizore
bie të flej dhe ëndërrat më mundojnë
i premtoj vetes një ardhmëri
nuk kam zgjidhje, jam i zemëruar
ah, ti më nevojitesh.
 
Arratisjet që më shkaktojnë ditët pa ty
lajmet që pres me frymë të dobët shpirti
bari pranveror, mërzitë dhe dyshimet
i kanë tharrë ngazëllimet e fshehta në mua
natyra e pafundtë kotësisht më jep ngrohtësi
atje ku vuan ti dëshiroj vendin e varrit tim.
 
Sonatat e dashurisë përçajnë zemrat tona
armë të vetme, e dashur, kemi dhembjet.
 
Të rri të të dëgjoj shushurimën e gojës sate
është një dritë që përvjedh zbardhësinë time.
 
Dëshiroj ta derdh vetminë në prehërin tënd
u përmbysa nga tmerri i refuzimit tënd
ardhtë, e dashur, një ditë e re për ne.
 
 

NATA E PARË
 
Në këtë natë të fundosur nga gëzimi
kur qielli e toka në qetësi pushojnë
ne të dy hapërojmë qytetit të mallit
kërkojmë të vërtetën, jetën e lumtur.
Ftohtë është, por zemrat s'i ndjejmë
janë bërë lule të bardha miqësie.
Ti ma shtrëngon dorën, më magjeps
si engjëll fisnik më flet për dashuri
e unë, i pafajshmi, i varfër jam
por, falë Zotit, kjo  për ty s'është gjë
më ke kuptuar se të jap gjithçka tjetër.
Atëherë t'ia nisim Parajsës
ta duam njëri - tjetrin, pa fund ...
 
 
 
MUND TË ISHA I LUMTUR                            
 
Dëgjoj si të shajnë ç'u vjen në gojë                         
i kam prishur kështu nervat çdo ditë                     
gjumë nuk bëj - fati yt më ka helmuar                           
e ti nuk mendon të dalësh nga kjo agoni                        
më torturon heshtjen e ndjenjave.                          
 
Pa shih mjerimin që të burgos
ëndrrat e tua rinore duhet të lulëzojnë
rëndë e kam kur të shoh të sëmurë.
 
Tërë këto ditë pikëlluese më shtrëngojnë
ylli i agimit kur del përjetoj dhembjet e tua.
 
Afër kur të vij ndjej trishtime miqësie
lakuriq e kam shpirtin pa zemrën tënde
balli yt i përkryer, vallë, nuk është vërshim
i bukurisë sate magjepsëse, thesarit pa fund
nën gjoksin tënd diellor, erë e çiltër shprese
a nuk do të isha i lumtur, pa shqetësime ...?!
 
 
 
DRIDHJE ZEMRE
 
As fjalë e ëmbël më s'më ringjall
lotët e kotë të rinisë së përvuajtur
brodha andej - këndej të të përqafoj
i dhash vetes mallkimin më të rëndë
nuk mund të të prek, je rob i tjetërkujt
atij që çmendurisht ta shemb bukurinë.
 
Dridhet zemra ime si mali nga vullkani
ura në mes meje dhe qenies sate magjike
anembanë nesh i ka tërbuar të pashpirtët.
 
T'u betova të të ndihmoj
është e kotë, do të humbësh rininë më the.
 
Varrosën një njeri sot
do të lutem ti të keshë jetë të gjatë
e unë pas shumë viteve të të takoj
s'llogaris se kur, por patjetër.
 
 
 
IZOLIMI
 
Artistikisht u mundova ta zbuloj shpirtin tënd
lëvizja rreth teje si njeri me shije të hollë
banor i përhershëm i vendpunës sate u bëra
ideal i paarritshëm ishte zemra jote e ngrire
ndaj dhe humba gjakun tim të shëndoshë
ashtu mjerisht duke shpresuar në ty.
 
Shumë herë më the të gjej një vajzë tjetër
por, ja që i vërteti një herë dashuron
i mëshirshëm isha edhepse më tradhëtoje
rëndë është të mëndoj se nuk më do e të të harroj
t'i ik fatit, të izolohem nga vetmia.
 
 
 
MAGJI PA FUND
 
Antologjia e jetës time
lë vragë të pashlyeshme, të ç'thurura
barrikadat me të cilat luftoi shpirti im
i takojnë një çmendine të pakuptimtë
nuk mendoja për veten, por për ty
dhe ashtu në vetmi, flijoja gjithçka.
 
Dëshirat e mia më merrnin për armik
asnjë ditë nuk më kaloi pa u çmendur pak
shtëpia më dukej kështjellë ç'mallëse
u bëra krijesë e pagëzuar "mëkatar"
rashë në agoni përvëlonjëse
ia mora tiparet djallit të turbulluar
anash meje ishin vetëm prangat zhdukëse.
 
I mbyllur kështu duke vuajtur për ty
më fundosej vetja lumejve të përgjakur
e kjo magji dehëse nuk kishte fund.
 
 
 
LABIRINTH MENDIMESH                               
 
Ajri ka nisur të më sjell dëme organike                           
lezbiket, shoqet e tua më çojnë të vjell                   
bisha, që shitet dashnori yt më ndot qetësinë                 
i etshëm jam për ty, por jo për një natë                  
në forma të çuditshme zbret zemra ime                          
asnjëherë po të mos largohem nga ti.                     
 
Merrma shpirtin formo qafore për ty
është fati ai që na puthiti sytë tanë.                        
 
Darkën,po të duash, shtroje mbi trupin tim
atë zemër të ngrirë ngushëlloje në shtratin tënd           
shiu mëngjesor le të të lag flokët e arta                           
u bëfsh statujë e ngurtë që të të grabit                   
rrëzë detit të të çoj, qielli të ketë frikë
ombrellë ytja të bëhem, të të ruaj çdo ditë.
 
 
 
DUA TË MBAROJË ELEGJIA JONË
 
Aspak s'e kam pritur një fat të tillë
litarët e vdekjes të më ndjekin kudo
ballafaqimi me ty të më ngjall dashuri
i gjërë është rrethi që nuk të kupton
një herë nuk gjete lumturi njerëzore
a tha je e dënuar kaq herët ?!
 
Mbyllja hypnotizuese e syve të tu
është bërë ardhmëria ime e zymtë.
 
Tregomë e dashur si të të shpëtoj
rashë në kurthe të imëta, pa shpresë
etjen në zemër ti ma shuan, magjia
ta zgjata dorën që moti, eja të ikim
elegjia jonë të mbarojë përgjithmonë.
 
 
 
DIGJEM PAS TEJE
 
A të kujtohet, vallë, fëmijëria jote
laviret kur i ke mallkuar perjetë
babain kur kishe afër, motrat të shëtisnin
i vetmi vëlla, me të meta, për ty ishte i dashur
nënën kur përqafoje e ajo t'i fshinte lotët
a s'është, vallë, kjo mrekulli familjare ?
 
S'besoje atëherë fëlliqësitë e botës
as erë e bubullimë s'ta prishnin shenjtësinë.
 
E kjo kohë e lumtur një ditë mbaroi !
 
Bredhjet rrugëve, kafeneve fillove t'i duash
u shndërrove në pronë seksuale e të të prishurve
krahët, këmbët nuk i ndjeje më si të tuat
u përmbys bukuria jote engjellore
rebelët profitonin nga virgjëria jote.
 
Jo, megjithatë, ti për mua je frymë zemre
e tillë që, unë të dua, digjem pas teje ...
 
 
 
 
I LUMTUR JAM QË TË SHOH
 
Atë ditë kur ma shpalose zemrën
lumin tënd të vuajtjeve pa fund
bebëzat e syve t'u mbushën pikëllim
idhësimet e shpirtit tënd më verbuan
ndjeva qarjen tënde fëmijërore
ato duar që pa dashje filluan të dridhen.
 
Mu nga goja jote dilnin dhembjet e mia
ëmbël më kapën ethet tragjike.
 
Lëshova veten të ma marrë dreqi
e pashë kufomën time të ardhshme
jeta jote e zbrazët më bëri për vete
o Perëndi, thashë, ndihmoi të shkretës.
 
Të dy më pas qëndruam kokëulur
ëndërrat e lumtura kujtonim në vete.
 
Tani, thashë, duhet më të shkoj
është e diel, do të vij përsëri nesër.
 
Dramë e verbër u bë dhe jeta ime
u përballa me më të keqen në botë
ankthi agonik m'i ndiqte mendimet ...
 
 
 
NUK MË DUHET NATË E TILLË
 
Atje ku mbaron arsyeja ime e pastër
lutjet ku i kam të pashpresa, të shtypura
besomë, e dashur, as klithjet s'ndihmojnë
i vetmuar duke i burgosur nga madhështia jote
nuk e ndjej veten krenar, por thesar dëshpërimesh
aq e paskaj është bukuria jote sa më turbullon.
 
Besnikërinë duruese që kam ndaj teje
u mundova ta përsos, të të dhuroj lumturi
ke qenë ti ajo që më hudhe dritë në zemër
uri ndjej kur s'të shoh, të paqarta i kam ditët
respekti im ndaj teje më ka nënshtruar
iu bashkangjita të paforcëve, të vuajturve ...
 
Hallet më kanë shpërbërë pasurinë hyjnore
ylber dhembjesh është bërë jeta ime pa ty
ja, e dashur, ç'përçarje sjell tradhëtia
ndër të vdekurit çon një të gjallë
orvajtjet për shpëtim janë të pakta
rregullat e pabesisë më gërryejnë lirinë
e tillë, s'më duhet kjo natë pa ty.
 
 
 
DASHURIA E DËNUAR                                                       
 
Mungesa jote më sjell mendime të paqëllimta                         
pasqyrimi i fytyrës sate ditën ma bën shekull
fati yt më helmoi, më ka bërë snob
jetoj ndryshe nga të tjerët, s'jam më njeri
dhembjet e tua ma kanë shuajtur gëzimin
kur të shoh të mbyllur më mbyt mizeria.
 
Më vjen keq që s'kupton se frymëzimi im je ti
shpresa që më bën ta pres një të nesërme të ëmbël
zemra më është zemëruar, vetmia ëndërrat m'i përbiu
pa ty jam i shkretë, si duron i paturpshmi me ty të loz
s'është jeta ime arsyeja që të afrohem, por jotja lumturi
do të vdes i çmendur diku larg, të lutem mos më harro
kujtomë ndonjëherë, qaje zemrën timë që për ty jeton
ik e dashur nga ky vend, të pret diku një ardhmëri.
 
Pas shumë vitesh do të takohemi e të ç'mallemi
për dashurinë tonë që ishte e dënuar me mjerim.
 
 
 
 
AFËR TË KAM
 
Shumë afër të kam
ta ndjej zemrën e tronditur
t'i shoh buzët e arta
flokët e zeza që më hamendin
sytë si dy yje jetëdhënëse
duart që zjarr më dhurojnë ...
 
Ah, si nuk mundem të të prek
për një çast të jem i lumtur
ta lind nga brendia ime
të vërtetën ...
 
 
 
HELMI IM
 
Kujtimet shterrin pafundësinë
era e vdekjes trurin trazon
djalli sundon harmoninë
ah, dhe zemrën zjarri kaplon.
 
Të desha një kohë të gjatë
shpirti qëndroi çdo shtrëngatë
të ndalem mos të të dua
është helm që më zhduk mua.
 
Se të dua nuk bëj krim
di ta qëndroj çdo dënim
t'ringjallet dashuri e zjarrtë
që freski ndjenjash bart.
 
Humbet çdo shpresë për jetë
shpirti i lodhur nuk rri i qetë
mendimet rrjedhin fare pa rreshtur
fisnikëria nga frika ka heshtur.
 
Një fund çdo gjë le të merr
asnjëherë mos shoh më terr
t'shoh bukurinë tënde të përsosur
pastaj jam gati për t'u varrosur.
 
 
 
PANDERSHMËRIA
 
Janë ulur dy qenie të pafajshme
ajo buzëqesh si dreqi në ëndërr
të then nervat e folmja e saj
përdredh trupin sipas muzikës
ia ngre epshin atij ...
 
E ai, pi birra pa masë
s'ka lidhje se arsyeja e sëmurë
i çon të bëhen dreqër të dy.
 
Le ta udhëheq botën
pandershmëria ...
 
 
 
E PABESUESHME                           
 
Kush mund të besojë                    
se këta dy duhen ?!                      
 
Njërin e tërheq paraja                           
tjetrin gjinjtë e ç'thurura.                      
 
Edhe njëri edhe tjetri                    
kënaqësinë e gjejnë                      
vetëm në krevat
botë dhe bukuri për ta është
vetëm liria e trupave.
 
 
 
JETA E PASVARRIT
 
Në të vërtetë duhet të njihemi më mirë
të prekim kulmin e zemrave tona
por, nuk mund të duroj thjeshtësinë
çdokush të të bëjë ç'dëshiron
të të prek pa marrë parasysh turpin
kur s'ndjen asgjë për ty si qenie
të sheh vetëm me një sy të ngushtë.
 
E unë digjem nga një botë e plotë
kërkoj sa ë shpejtë jetën e pasvarrit.
 
 
 
ATË NATË TË FUNDIT
 
Ç'buzë të buta kishe
kur u ndeshën me të miat
atë natë të fundit
ti i mbylle sytë turpshëm
unë kisha humbur vetëdijen
isha mbushur me kënaqësi ...
 
Bukur isha me ty
shpirti m'u shpalos nga errësira
zemra ime e mplakur
u lidh me tënden
rilindi ...
 
 
 
TI M'I RILIND SYTË
 
Mos ma lësho diellin më herët
mos m'i nis ditët që më robërojnë
keq e kam pa ty, jeta ime fatlume
jam i vrarë, pa dëshirë të plotësuar.
 
Të besoj, ta di shenjtësinë
të ruaj thellë në zemër, o gëzimplote !
 
Poqëse verbohem do të vij përsëri
të m'i rilindësh sytë e mjegulluar
me pasionet e tua të zjarrta.
 
 
 
GËZIM MBI GËZIM
 
Nuk kam dëshirë të ta prek dorën
vlerën që ma kënaq zemrën
vetëm kur të përshëndetemi,
të të dua e të më duash
me druajtje nga të tjerët
të puthiten sytë tanë
pa ndjenja krenaria
të qeshemi me njëri - tjetrin
vetëm për shfrytëzim !
 
 
 
EJA MË SHPEJTË                                     
 
Ja ku janë lulet, pranvera me shpresë                    
ç'bukuri e ka çmendur natyrën                              
ja dhe zemra ime e vetmuar, ti je larg.                   
Sa lotë kanë lëshuar sytë e tu magjikë                   
aq dhembje e kanë fundosur shpirtin tim                      
sa ëndrra për mua ke parë deri tani                       
aq zbehtësi e rëndë më ka djegur qenien.                       
Nën vapën vezulluese të diellit të dobët                          
mëngjesi më gjen vetëm, dreka gjithashtu
s'mburem dot pasi fatin e njëjtë ka dhe nata
nuk kam qetësi pa gjysmën e zemrës
ti më mungon - deri kur kështu
vdiqa pa ty, e dashur, eja më shpejtë.
 
 
 
PSE MË NDALJE MOS TË TË SHOH ?
 
Kur të kisha afër, të përjetoja
kur të shihja drejt në sy, fshehurazi
kur ç'mallja shpirtin me praninë tënde
më thojë mos të të shikoj si i çmendur
ngase të vjen rëndë nga të tjerët.
 
E tani të kam larg, të humbur
nuk kam gjtur qetësi që gjatë kohë
më janë shkatërruar sytë nga pikëllimi
vërtetë nuk mund të të shoh ..
 
 
 
JETA JONË E ARDHSHME
 
Pas çdo ëndërre të idealizoj më shumë
pas çdo dite ndjej mungesën tënde të madhe
kur lulet çelën në pranverën e bardhë
ti nuk ishe me mua, u dogja një herë të të shoh
i ruaj fshehtësitë në gjelbërimet e brendshme
sa larg je, e dashur, sa errësi më tret !
Ndër yjet e natës kërkoj dy sytë e tu
më të bukurit që njeh zemra ime e dashuruar.
Mbolla fytyrën tënde në pasqyrën e shpirtit tim
ku kam frikë t'i hap fletët hyjnore
ku je ti, jeta jonë e ardhshme !?
 
 
 
RRUGA E PARAJSËS
 
Sa herë që ia nis të të shkruaj letër
të dëshiroj më shumë, të ndjej flakshëm
zjarre lumturie ngrihen e më përshkojnë zemrën
më shpalosin ardhmërinë tonë.
Kështu ngadalë qetësoj shpirtin e shtypur
pranoj rregullat e fatit dhe shpresës.
Në çastet më të vështira, në kulmin e vetmisë
kur dua të shijoj erën tënde që ndez dashuri
hapëroj plot qejf fantazmave të përkryera
jam me ty, shkojmë drejt mrekullive
krenaria dhe zemra jote, gëzimi yt
më zgjatin jetën, më shpiejnë në Parajsë.
 
 
 
TË PRES ME MALLË
 
Sonte, e dashur, dëshirova të t'i prek flokët
më mori malli, desha të ta ndjej zemrën
kaluan ditë e më ka sëmurë ikja jote
sa dhembje më kanë shëmtuar kënaqësitë !
Ç'bën ti, pse nuk vjen, pse më ke harruar ?!
Unë të dhashë besë, nuk u takoj tradhëtorëve
një jetë kemi, ta dëshmojmë se jetojmë
më nevojiten sytë e tu, balli yt i mrekullueshëm
qafa jote, faqet, gjithçka që është jotja.
Zemrës time i duhet lotët e tua të bardhë
enigmë në vete je, ç'fat pata unë i mjeri
por, tashmë jam vet e të pres me mallë ...



Nga libri "UNË NË SYTË E TU"- Poezi, Shkup 2007

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen