Sonntag, 10. August 2014

Fadil Curri - Letërsi mërgimtare (III)

QESHJA KUMTUESE
E MENDJES
DHE E BUKURISË POETIKE  

 Iliaz Bobaj: “KALI I PUSHTETIT”(poezi), sh. b. “Asdreni”, Shkup 2012

I cytur të ndjek letërsinë e mërgimtarëve shqiptarë nëpër skutat e ndryshme të botës, kësaj kategorie krijuesish paksa të pakrah dhe të veçuar, më ra në dorë libri me poezi “Kali i pushtetit” i shkrimtarit shqiptar në Greqi. Që në fillim të tij, pra me të lexuar poezitë e para, fitova përshtypjen se lexuesi mangetizohet nga njëra poezi dhe të ngjet për tjetrën, me temën që e shtjellon, personazhet-ngjarje dhe porosinë e vargjeve. Duke shfletuar kalimthi librin, shpesh ndalem në pyetjen se autori është poet, prozator fabulash të vargëzuara, publicist ose hulumtues shembujsh e dukurish devijante në shoqëri, është psikolog e portretizues klarakteresh të njeriut si njësi themelore e popullit, ose qortues i terapisë shëruese të tij. Sidoqoftë, hasa në një labirint kërshërie, në të cilin hyra e nuk dija nga të dilja, sepse preokupimi ishte poliaspektual.

Autori Iliaz Bobaj temën e merr nga ndërkohësia, me personazhet e lashtësisë biologjike të botës shtazore, por e komunikon duke ia veshur petkun e modernitetit analogjik. Duket se preokupimi i tij shtjellues në poezi është karakteri, te cilin me potencën krahasimtare e shtron në laboratorin metodologjik të shkak-pasojës, e diagnostifikon dhe e hedh si ide e bukuri të fjalës për lexuesin, që ai të marrë mësim, edukatë dhe kurajo shrpirt e mendjeformuese, pa imponim, por me përshkrim ndërgjegjësimi. Pluralizmi pushtetor i brishtë dhe demagogjik i shoqërisë ka krijuar dramë në kurriz të ulëtit(popullit), ndërsa lart luhet komedia e litarëve të elitarëve(kalorësve të pushtetit). Shpotitet jeta politike, alenacat tragjikomike shpesh edhe kundër parimit të premtuar të vetes.

Kali e kalorësi janë personazhe fabulative-realiste, identifikim i pushtetarëve e popullit. Kur ujku e shan mbretërinë, dhelpra e ngushëllon duke i thënë se nuk duhet të shahet vetëm mbreti. Kalorësi i pushtetit, kur është ngusht, e sakrifikon kalin, i cili i shërben duke e mbajtur shërbimthi. Solla këta dy shembuj nga dhjetëra të tjerë për të pasqyruar potencën poetike, që përmes fabulës si rrëfim dhe asaj si zhanër poetik, të përshfaq kënaqësinë që përjeton lexuesi, duke arritur edhe të qeshurën e pazë në dukje të parë, por kushtruese si ide e pastajme me bukurinë e kumtin e saj.

Brenda vargjeve të këtij libri autori shpotit shumë ligësi, por unë i veçova disa të shëmtisë kulturore-letrare. Kur jepeshin shpërblimet letrare, i pari iu dha një vajze që konkuronte për bukuroshe, i dyti një ylloreje 18 vjeçe dhe i treti një studenteje të bukur, kurse ai inkurajues një vajze 16-vjeçare. Pra, shpërblehet autori, jo poezia. Në fushën e letërsisë thumbon edhe kritikun letrar, që me hipkrizi i tall shkrimtarët për “cilësitë e tyre letrare”. Në një shembull tjetër stigmatizon jurinë e korruptuar nga një “poet”, i cili pasi e blen jurinë, merr çmimin, ndonëse nuk e njeh letërsinë.

Anarkia shoqërore sjell shumë të zeza, sipas poezisë. I vie radha miut të krijojë parti për mbrojtjen e kafshëve, por e zhgjepuros macja me fjalët se ai e ka me hile, duke dashur vetëm thërrimet t’i mbledhë. Joshëse është shpështirosja e diplomëmanisë në poezinë kur derri lakmon të marrë titullin shkencor të profesorit:

Se sot kohët kanë ndërruar,
Tjetërkund qëndron sekreti:
Tani s’ shohin sa di koka,
Shohin vetrëmn sa ka xhepi.


Senzacionalizmi, dikur i krijuar nga përgojimet në mulli(për burrat) ose te kroi i fshatit(për gratë), sot duket se është zhvendosur në ndonjë kanal televiziv, ku jepet lajmi se një gomar do të pjellë dy kërriçë bineq, e që në të vërtetë del se ai nuk kishte qenë shtatzanë, sepse ishte mashkull. Objet i thumbit nuk janë vetëm poltikanët e pushtetarët, kalorësit, që në të vërtetë është shumësia frymëzuese kjo kategori, por edhe shkrimtarët lëvdatëmarrës e puthadorë të pushtetarëve e kalorësve të këtillë:

Për këtë vit u ngopëm me lëvdata,
(E për kë pati kritika, veç politikanëve?).
Dikur lëvdatat s’ jua kursenin femrave.
Sot,
S’ jua kursejnë shkrimtarëve.

Poezia e Iliaz Bobajt, këtij mërgimtari shqiptar në Greqi, meriton të lexohet dendur. Sepse, jo vetëm që pasqyron realitetin me një gjuhë të kuptueshme, por sjell revoltën jonënshtruese, kumtin e luftës intelektuale kundër të keqes. Poezia qëndron si purgator ndërmjet skëterrës së zezë në popull dhe së bardhës së nxirë nga shpresëthyerarja e shkaktuar. Kuptohet, poezia ka misionin e saj shpëtimtar. Ngacmimi ndërgjegjësues, tematizimi (sh)karakterizues i personazhit, joshja e fjalës-ankth, gjuha fjalëpakë e porosishumë, humori këndellës e shumë cilësi të tjera letrare krijojnë gurrën e orëmirës poetike në këtë libër.

Samstag, 9. August 2014

Fadil Curri - Letërsi mërgimtare (II)

POEZI E KODIT TË VETVETES

Edmond Shallvari: "Mos e ndiqni hijen!”

(poezi), e.b. “D.I.J.A Poradeci”, Pogradec-Selanik 2008, fq 95

Gjatë një takimi letrarësh para dy vjetësh poeti dhe gazetari mërgimtar nga Shqipëria në Greqi, D. Sh., i shpërndau disa libra të poetit tjetër mërgimtar, bashkëkombësit Edmond Shallvari. Sa herë që më falin libra, më kujtohet thënia e një shkrimtari dhe profesori universitar që kishte thënë ose shkruar diku se ata që më japin libra, mendojnë se ua lexoj. Si për inat të tij, librat e falur i shfletoj dhe, nëse vërej diçka që më ngacmon kërshërinë, i lexoj kryekreje me vëmendje. Kësisoj më ndodhi edhe me poetin Shallvari, librat e të cilit i lashë në leximet e radhës. Si me short, e tërhoqa njërin nga ta, “Mos e ndiqni hijen”.

Qysh në nismë të këtij shkrimi për librin e Shallvarit vërejta se poeti ka në laboratorin e tij hijen e objektivit objekt, hijen e dikujt real dhe kureshtar për poetin, hijen e vetvetes burimore e identitetore. Nëse e kuptojmë identitetin e krijuesit letrar, këtë herë poetik, si analogji ose sinonim i vetvetes, libri lë të kuptohet se hija e ndjek autorin në shumë dimensione mbarështrimi.

Përshtypje qendrore që më lanë poesitë, është autori bën hospitimin e hijes së vet, pra vetes përmes dialogut zbërthyes me veten, ia mat e shmat mirësitë e ligësitë dhe është i vendosur që edhe nëse në parajsë dërgohet me të dytat, do të shkojë me veten. Sjell antiteza karakteresh, sikur një ekspozitë që lë lirshëm të pëlqejë të mirën, si del porosia poetike te “I verbëri unë”. Duke ndjekur qëmtimin e hijes, poezia del dëshmi e veçantisë gjenetike, bind se ndryshimi i moshes nuk e zhbën shpirtësinë e identitetit(vetvetes). Karaketri i hijes së vërtetë sheshohet edhe te poezia “Porosia ditarit” dhe tipizimi i poetit-bojaxhi te një tjetër ose i dytësuari i brendajashtë vetes, i veshur me guxim e thjeshtësi të pronarit të hijes, pra vetes. Identifikohet edhe dashuria, si kurrë e tepërt, dëshira e aspiruar nga ajo me përmbyllje fatlume.

Poezia e Edmond Shallvarit e ka identitetin e vet që prodhon hijen origjinale, qoftë kur merr për zbërthim temat nga e veçantja drejt së përgjithshmes ose anasjelltas. Në letërpoezinë Skenderbeut stigmatizon ikjen nga vetja e derdemenëve, që as hija e fatosit nuk janë.Skënderbeu është hija e vetes dhe nuk ka nevojë për balada e legjenda, sepse i rrezaton vet ato. Pasojë e mungesës së vetvetes është edhe mungesa e Kosovës së vërtetë, e cila nuk përmendet në poezi, por nënkuptohet me cilësimin e fatit të saj si më mirë se dje e më keq se nesër, edhe pas pavarësimit të saj më 17 shkurt 2008. Lidhmëria historike e dy frymëzimeve lë të kuptojë se populli, kombi e prijësi i tyre duhet të jenë vetja e përbashkët, jo hija e tij e përdhosur, sikundër na porosit poezia “I dyti Atdhe”. Edhe statuskuoja, që poetikisht duhet të kuptohet si gjendje zombiane(as i gjallë e as i vdekur), nuk është vetja, bile në një poezi duket si kundërvetja, antistatuskuo. Si në të përgjithshmen, ashtu edhe në të veçantën, lirisht mund të themi personalen e autobiografizon, se vetvetja duhet të ruhet me palëkundje edhe kur te shajnë të tjerët, pra të kesh krenarinë e shqiptarit, se nuk duhet tëhuajësohesh me përrallat e Ezopit dhe as me xhyben e Nastradinit. Pra, prore je vetja, e ke hijen tënde të papërdhosur, është nënteksti i poezisë së shumështresuar të Edmond Shallvarit. Shkrimtari këlthet e fshikullon impinuesit e puthadories e palaçollëkut, të cilët heshtin edhe kur kanë të drejtë të flasin, pra e heshtin të vërtetën edhe kur duhet sheshuar. Në prizmin e veçantësisë drejt së përgjithshmes, ruajtjes së vetes dhe mbrojtes së saj, është edhe letërpoezia Omar Khajamit, të cilit ia jep të gjitha femrat e botës, pos njërës, në të cilën pushon hija e vet, vetetvetja.

Në këtë qëmtim të nxituar dhe fragmentar librit “Mos e ndiqni hijen” nuk do të ishte e udhës pa e përmendur edhe një moment psikoletrar, identitetin e krijuesit, vetveten e rtij letrare. Poezia e Shallvarit përshkohet me gjuhë të thjeshtë, herë-herë me burimësi folklorike, tipike për thuktësinë e ëmbëlsinë e toskërishtes popullore. Poezia shpesh pas një enumeracioni, përmbyllet me gjykim karakteri, individi, rrethane e dukurie. Fjala e poetit ka fuqinë narrative pas përshkrimit, e përshkon loja e antitezave të fjalëve, shprehjeve dhe gjendjeve. Sidomos fjalët e përbëra e kompozitat e fundvargjeve të një strofe rimike (ëndërrkryer, zemërrahje, shpirtrrëfyer, skuqjefaqe) te poezia “Atë kohë” krijojnë ritmin emocinal e intelektual që zbojnë monotinë vargëruese te lexuesi, si e vërejmë shpesh me supersimbolikën e pashteg. Identiteti i krijuesit vërehet edhe në stilin kureshtar të poezisë-kronikë, si është ajo për shpërthimin në Gërdec.

Sipas stilit, metrikës e ndërtimit, poezia e ka identitin shallvarian, e ka fjalën që ngacmon tema, karaktere e dukuri, që shpërfaqen me guximin shprehës dhe bukurinë e fjalës poetike, cilësi që joshin letërsidashësit. Në këtë libër përshkohet poezia me strofa katërvargëshe të rimuara. Kritika, as edhe në këtë libër, nuk e ka thënë fjalën e merituar për vlerat dhe joshjet letrare të Edmond Kadire Shallvarit, kodin e fjalës së tij në poezi.

Donnerstag, 7. August 2014

Fadil Curri - Letërsi mërgimtare (I)

POEZI ME IDE E BUKURI MALLI

Besim Xhelili: “Mes luleve e lotit”(poezi), SHB “Ura”, Prishtinë 2013

Poeti Besim Xhelili në librin e tij më të ri “Mes luleve e lotit” na vie me hapërim shumë më madhështor se në librat paraprakë, në të cilët frymëzimi përshkohej nga fabula deklarative e përjetimeve. Këtë herë autori përfutet në qëmtimin e temave më të guximshme,...
më të ndjeshme dhe më madhore e që kërkojnë dealbirintizime historike, aktuale e perspektive. Trikohësia e mallit dhe e krenarisë kolektive në sheshin poetik shfaqet si kundrim autorial tejet relaksues, herë si mall për të shkuarën e zhbërë, herë me krenarinë e shpëtuar, herë me platformë rivitalizuese të krenarisë kombëtare. Te shkuarën e ka frymëzim në ciklin “…ethe Atdheu”.

Koshient për padrejtësitë e bëra popujve të vegjël nëpër konferencat vendimmarrëse gjatë historisë nga ana e popujve të mëdhenj, autori është kundër hartave të skicuara me imponim e levërdi të njëanshme, ndaj edhe me bashkëbisedë të poetizuar porosit të grisen hartat, sepse në to nuk janë pajonët, dalmatët e dardanët e tretur dhe i vetmi ngushëllim do të ishte bashkimi i dashurive dhe tokave shqiptare në një Shqipëri të bashkuar të Evropës së po të këtillë. Vendin e tij historik e aktual, kuptohet me syrin perspektiv, poeti sikur e prindëron me ATDHE e MËMËDHE.

Shtati i tij nuk është si i paracaktuar nga armiqtë, por që flitet nga një abetare civilizuase, çelës i shprehjes së dëshirave në Tetovë, Shkup, Preshevë, Ulqin e Janinë, pra edhe në atë shtrat ku gjenden gjymtyrët e tij jashtë jorganit. Kundër hartës së shtatit është autori, duke kujtiuar se edhe Tetovën Perëndia e la këtu ku është, si ishte ilirike.

Në këto poezi harta e gëzimit të atdheut nuk është e tkurur sipas qejfit të të huajve, por shtrihet sipas dëshirës reale të banuesve të saj dhe në gëzime hedhin valle për shtetbërien bashkërisht, kudo ku flitet shqipja.

Atje sot flamujt valojnë Kuq e zi është bërë rruga
Nga Tirana në Prishtinë Shkupi, Tetova deri te Struga.
Nga Malësia deri në Shkodër
Hidhet vallja e shqipeve me lodër
N’ Mitrovicë e Preshevë pushkët krisin
Dhe në Prizren vallen e nisin.

 

Grisësve të hartave vetanake u fshikullon kamçikun poetik autori, herë me stigmatizimin fabulativ në Teatrin e kafshëve e të katilëve, përibindëshve, qenve të tërbuar, ujqve e ardhacakëve që duan t’ua përdhosin pasurinë lëndore e shpirtërore vendësve. Heshtja ndaj këtyre dramave ndjellakeqe është temë përzgjimi për poetin, sa nuk është bërë vonë. Këto mbrapështi sjellin edhe tmerrin e jetës mjerane, sa edhe Migjenin e kërkon të jetë krah i lëmoshëtarëve të pakrahë. Në këtë cikël frymëzimesh mes mallit e krenarisë, mes të dukshmes shpresëdhënëse e të padukshmes së zhbërë, janë edhe konturat e shpirtit të pathyer, të pezmatuar dhe që meriton rindërtimin e tij. Fjalët Atdheu e Flamur janë të përveçme dhe shkruhen me gërma të mëdha, ndaj në këtë nuk ndikojnë as edhe ndasitë fetare që përpiqen të bëjnë ndaj myslimanëve e katolikëve përçarësit e shqiptarisë, të cilët e flasin gjuhën që e trashëgojnë me shpirt të përbashkët historik shumëfetar.

Një botë tejet intime e përshkon ciklin e dytë të përmbledhjes së poezisë “…mes luleve e lotit”. Ndjenja e dashurisë në vargje kundrohet me realitet dhe asnjanjësi, por me intimitet të thjeshtë sipas lakmisë së sinqertë. Idila dashurore vie në trajta të kujtimeve me ide të këndshme, që paksa mund të ketë edhe ndikime foklorike, si është dalja me fustan shkallëve. Vedlindjen këtu e identifikon me “atje poshtë”, kundruar vendin ku ndodhet personazhi krijues në kurbet. Në “atje poshtë” nxjerrin dritë edhe bestytnitë për mbulesën e bukurisë, që të mos shëmtohet nga syri i huaj. Dashuria platonike është asgjë karshi dashurisë substanciale, të qenshmes. Flijimi bëhet edhe në përpjekjet për regjisor, yjësor, shkrimtar e qyqe të jetë pranë saj prore.

Nuk mugonjnë përshkrimet figurative, metaforizimet e ngjarjeve të përjetuara, kur paraburgim identifikohet çasti i puthjes. Dashuria është derë e lumturisë, ndaj edhe nuk është ligësi nëse ka dhembje zemre nga mungesa e saj. Ndjenja e dashurisë lundron inspirativisht nga poeti nëpër stinë e ditënatë, trazime shpirtërore herë të gëzueshme e herë dëshpëruese, herë shpresëhumbur e herë kurajuese. Poezia do realizimin faktik të shiprtëtsisë dashurore.

Mos u pafshim në atë botë,
Nëse këtu sot ma pi gjakun!
Pastaj, po në të njëjtën poezi
sikur do të klithë dëshpërueshëm:
Mos u pafshim në atë botë,
Edhe nëse duan të na falin!
Mos u pafshim në atë botë,
Edhe nëse duan të na shndërrojnë ne engjuj!


Ndryshe, si dashuri e vdekur, nuk e do as në parajsë, as në çastin e gjykimit në tjetërbotë. Megjithë rëniengritjet dashurore, poeti prore e vë në vijimësi jetën, vetëkurajimin dhe rikrijimin. Pra. porosia vargëruese rrëfen që e bukura dhe dashuria janë të frytshme në të gjallë, kur edhe është krijuar të shërbejë si erë e lehtë që i ledhaton e freskon krihët e zogut, si e thotë në një poezi. Dashuria është lumturi, ringjallje, shpëtim e strehim.

Interesant është edhe cikli i fundit “Përmallim”, në të cilin kryekeje ka krionika të poetizuara të mallit e të kujtimeve për vendlindjen e atdheun. Dendur vehet në qarkullim figura e personifikimit, herë si erë e herë si dallëndyshe, por i mbërthyer nga malli e kujtimi. Na kujton këtu dallëndyshen e Filip Shirokës që e dërgon nga kurbeti në Shkodër, bukolikën e Naim Frashërit për vendet e bukura të maleve e fushave të Shqipërisë. Malli është emblemë e frymëzimit dhe e hapërimit poetik edhe kur personifikon me dallëndyshet:

Ju e dini sa larg kam shkuar
Shumë herë me veten për ju flas,
Jo, jo, juve nuk ju kam harruar
Shpirti më qan, zemra më plas.


Ose,

Atje ku keni ndërtuar folenë
Ku më ngroh një ndjenjë e pafund,
Atje me ju dua të ndaj harenë
Dallëndyshet e mia, ju shoh gjithkund.


E lut erën që ta marrë e ta kthejë në vendlindjen e tij, ku do të përqafojë nënën e babain, të shohë shkollarët si shkojnë në shkollë, të rishohë zogjtë që i mungojnë reciprokisht, të endet nëpër luadhet duike e kujtuar çapkënllëkun fëmijëror, duke vjedhur speca e domate. Ndër poezitë më të bukura të këtij cikli, mbase edhe tërë librit, është “Dallëndyshet e mia”, në të cilën derdhet i tërë shpiriti përmallues i një mërgimtari. Këtu del premtimi se shmangia nga atdheu është relative, sepse pleqërinë pandeh ta ketë atje, si do të thoshte Çajupi - “ku i duket balta më e ëmbël se mjalta”.

Edhe këtë cikël e përshkon pikëllimi, sidomos për shokët e vdekur, me të cilët i lidh kujtimi i jetës së shkuar me ta në fëmijëri e rini, sportimet e miqësimet e pahile, malli për mësuesin dhe Përshefcën e tij të dashur, vendlindjen e paharrueshme dhe që është krenar që nga ajo doli. E konsideron të djeshmen, të sotmen e të nesërmën nënë e baba, veten e ndjen të madh e të fortë sa një mal, dashuri e zhgënjim, shpresë e rimëkëmbje.

Përgjithësisht shikuar, libri “Mes luleve e lotit” i Besim Xhelilit sjell freski letrare ndër lexuesit. Karakterizohet me pjekuri të përparuar nga veprimtaria e deritashme letrare, komunikon me poezinë frymëzimisht e fugurativisht shumë këndshëm. Idetë e autorit për çështjet historike kombëtare e jo vetëm kaq, për fatet e ndërlikuara me padashje nga ai, janë tejet të çiltëra e të guximshme. Vërehet edhe një përparim i mbarështrimit poetik, tejet i këndshëm për lexuesit.