Freitag, 22. Mai 2015

Haxhi Muhaxheri - Tetë poezi


SHQIPËRIA

Ishte nuse
që ia kishin zili perënditë

Nga shkëlqim i nurit të saj
dritë merrte edhe dielli

Kahmot e lakmonin
kodoshet e Olimpit

Ajo nuk jepej
ajo nuk merrej

Ata e mallkuan
trupin ia gjymtuan
 

Thonë se atëbotë
Europa qeverisej nga djalli

21. 03. 2014




KOSOVËS

Emrin lakuar ta kanë ndër shekuj
Pritë të zinin keqas djalli e i biri
Po ti stuhive u bëje ball
Me lutjen për të madhin
E bimën dardane

Këngën e mortit
Ktheve në këngë lavdie
Kosova ime diell (i)lirie




ÇAMËRIA

Çamëria është
Lumë i Loteve që nuk shteron
Malli i të dëbuarve që përvelon
Kënga e Shpresës që gjallëron
Ora e lutjeve që nuk mbaron

Është ëndrra jonë e përnatshme
Amaneti i shenjtë i etërve
Emblema jonë e krenarisë

Çamëria
Është damari i ngushtuar i atdheut
Tregimi ynë për barbarinë
Plaga ime e pashëruar
Libri i papërfunduar i historisë

Çamëria është
Kodi i pazbërthyer i perëndisë

29.04.2013




NE DHE LISAT

Kemi diçka të përbashkët
Rrënjët thellë në tokë
Kokën lart në qiell!

Lisat lëshojnë shtatin
Ne rrisim hapin

Ata i përkund era e moteve
E fëmijët tonë
Djepat me ninullat e lokeve

Lisat puthin qiellin
Ne lutemi për diellin
Të sotmën dashuri
Të ardhmën lumturi

Ata bartin historine e moshës
Ne kujtimet e trishta
Të kohëve me grip

Tokën tonë
E madhërojnë lisat
Shekujve
E zbardhin plisat!

25. 02. 2014




LISAT DHE PLISAT

Askush mund t‘i numëroj lisat
Askush mund t‘i përulë plisat

Me lisat flasin legjendat
Me plisat flet historia

Në gjokset tona
Shpesh u thyen stuhitë

Të mos na priteshin lisat
E kokën të na e zbardhnin plisat

26. 02. 2014




POETI

Fle me të gjitha të dashurat
Dhe zgjohet bashkë me dritën
Për ta zën frymëzimin e parë

Merr Udhën e Qumshtit
E gjuhën e yjve e mëson

Për vrimë të gjilpërës
Përbiron detin
Në kërkim
Të fjalës së pa thënë

Një këngë e re po vjen


ZGJOHU POET
(Ose: Thirrje për poetin Ali Podrimja)

Nuk jam engjull
Në tempullin e durimit
As memec i përgjumur

Zotin mallkoj
Që as kokën e ktheu
Kur Kosovës ia lidhje plagët

Zgjohu poet
Se përseri
Po „Tkurret Atdheu“ 

Zgjohu e zhvishi
Të gjitha marrëzitë e kësaj bote

Europa prap fle 

Dhe djalli lirshem ngre krye

Zgjohu për tokën dardane
E për „gjakun që nuk falet“

Zgjohu ore burr i dheut
E ti zëm pusi të keqës
Se koha nuk pret

17.06.2013




E MAGJISHMJA POEZI

Dritën ia vodha diellit
Hënës bukurinë

Fillikat i vetëm 
Rrugëtova planeteve
E luftë ju shpalla edhe perëndive
 
E në mes rrufesh
Futur e kam kokën
Qe shpirt ti jepja fjalës

Linda e vdiqa
Disa herë për Ty

Po prapë e virgjër mbete
E loze me mua
Si me një fëmijë

Ti e dashura ime 
E magjishmja pozi


21. 03. 2015  - 18:30 h  

Montag, 11. Mai 2015

Emigranti

 Tregim nga Sabit Abdyli

      U shemb si shkëmb prej karrige. Gjoksi i shkoi  lart – poshtë dhe lëshoi  një ofshamë të thellë. Pas tij gota u përplas në dysheme duke u bërë copë e grimë. Kapela i fluturoi tutje te këmbët e tavolinës. Sahati dhe  një  si kulet e vjetër i dolën nga xhepi i poshtëm i jelekut. Mejhanexhiu nxitimthi u afrua për ta ndihmuar bashkë me dy mysafirë të rastit.  E shtrinë për toke, ia shpërthekuan këmishën, e lagën me ujë...
     -“Kush është ky njeri” – pyeti mysafiri me këmishë mëngë përveshur, tej mase i shqetësuar.
     -“Nuk e njoh” -  gënjeu kafexhiu dhe vetëtimthi i kujtoi një për një fjalët, që ia kishte thënë të shtunën e kaluar:
     -“Në këtë moshë  s’munda ta  duroj dot burgun,  represionin e komunistëve, prandaj  u arratisa nga vendi im.  Si kalova kufirin,  jugosllavët së pari na strehuan në Serbi, pastaj na transferuan këtu në Kosovë. Këtu e kam paksa më mirë. Flas e merrem vesh me njerëz shqip. Ja, vendi im, prej këtu e shoh, tani po të më lejohet do nisëm në këmbë. Është krejt afër. Me siguri një ditë kam për t’u kthyer. Ky regjim, me drapër e çekan, s’duhet ta ketë jetën e gjatë. Po ndodhi ndryshe, mjerë shqiptarët. Djali im, ai i dyti, iku... mirë bëri, i lumtë.. u kthye në vendin e vet. Kam marrë vesh se e kanë fut në burg.  Medet!  Burg e lot  këtu, burg e mjerim atje... ”
      Dyqanxhiu e kujtoi rrëfimin e njeriut që tani ishte i shtrirë përtokë gjerë e gjatë para tij, me mustaqe të  thinjura, hundë të drejtë, me vrima paksa të theksuara, gjoks gjerë e leshator, mollëzat e faqeve të fryra, buzët  e  mavijosura. U kërrus mbi trupin pa jetë, ia hoqi shallin bojë kafe të zgafulluar rreth qafe dhe ia mbuloi  fytyrën.
     - “Të shtunave, i tha klientit të tij me çizme llastiku, gjithnjë vinte në mejhane rreth orës nëntë, sikur edhe sot, porosiste një byrek dhe gati në të njëjtën tavolinë ulej, ishte pika e burrit, fjalëpakë, dinjitoz, sa herë ngrihej për të shkuar  e shikonte orën e xhepit.”
      Burri me këmishë mëngë të përvjel dhe Ai tjetri me çizme llastiku morën  gjësendet e shkapërderdhura dhe fët e fët hapën   kuletën e saftjanit, gjetën dy bankënota letre të vogla dhe tri monedha metalike, kurse në shaminë e xhepit një flamur të kuq me shqiponjë dy krenare pa yllin pesëcepësh dhe një hartë të trojeve etnike shqiptare. Të frikësuare, shikuan përnjëherë drejt dritarezës së kuzhinës. Flamurin e  hartën mezi  i palosën duke u dridhur se mos i vërejti Ruzha, kuzhiniere, e cila sipas rastit prezantohej edhe me emrin Rufa.     Ndërkohë zhurmshëm erdhën me një xhip të vjetër: një polic, një mjek dhe hetuesi. Mjeku,  pasi shikoi  pulsin, bebëzat e syrit, i tha hetuesit: “Shoku Zumer, si duket ka pësuar infarkt në zemër, sulmi ka qenë i fortë,  prandaj goditjen nuk e ka përballuar dot”.
      Hetuesi me policin bënë fotografimin, morën deklaratat e të pranishmëve,  mblodhën me kujdes plaçkat, gjësendet, që mund të shërbenin  si prova dhe u larguan. Sapo e ngarkuan arkivolin në qerre, në derë u duk  inspektori i sigurimit shtetëror, truphollë, sylarashë e thinjak.
     -“Hë, ti je dyqanxhiu?”- pyeti ai me përçmim duke u shtirë se nuk e njihte.
     -“Po, unë jam”. -  u përgjigj pronari.
     -“Ka ardh shpesh në dyqan... ke pas far lidhje ti me të?”
     - “Jo, shoku  Aziz, pasha  Zotin... ”
     - “Mbylle! Ku ka Zot!? - e ndërpreu larashi, ktheu shpinën, dhe,  pa trokit fare në derë, u fut brenda në kuzhinë. Pëshpësh bisedoi diç me Ruzhën,  dhëmbëzhveshur  u nda nga ajo dhe me një ecje arrogante doli. Grumbulli i njerëzve kureshtar, të mbledhur para dyqanit, me përulësi ia hapën rrugën.
      Inspektori thinjak, posa mbërrini në zyre, hapi dosjen e të ndjerit dhe me kujdes lexoi  të dhënat: “A. L. Emigrant nga RPSH, i ardhur më 1949, antikomunist i përbetuar, njohës i mirë i zonës kufitare, me gjendje të mirë shëndetësore, parapëlqen ecjen në këmbë,  shumë i rrezikshëm, i kemi ofruar privilegje nëse vihet në shërbim të organeve tona,  por nuk ka pranuar. Të mbahet nën kontroll... “  Sa mbaroi së lexuari,  i ra me laps të kuq dy herë tejpërtej dosjes dhe e sistemojë në një raft tjetër.

Freitag, 1. Mai 2015

Agim Gashi - Shtigjeve të plisit


SHTIGJEVE TË PLISIT

Linda qava e qesha vetëm shqip

Dhe këngën kurrë nuk e ndala
Edhe kur diellin
Provuan të ma vërbojnë

Jetën e bëra krejt natyrshëm
Ashtu si vet desha
Edhe pse helmuar mi kanë ëndrrat
E pritë më zinin djallëzisht

Shtatë plagë në zemër i kam marrë
Si Gjegj Elez Alia në trup
Po shpirtin s’ma vranë dot
Miqtë… më lëkurën e qoftëlargut veshur

Sërish ngarend shtigjeve të plisit
E mbi shpinë të Pegasit
Loz valle me muzat
Kjo nuk është kënga ime e fundit

29.04.2015

Poetikë e trekëndshit mërgim-atdhedashuri-vendlindje

Nga Rrahim Sadiku
 
  • Fetah Musli Maliqi: “S´të harroj vendlindje”, poezi, SHB “Zgjimi”, Ferizaj, 2015

“Kosovës ia vura Kurorë
Zemrën time,
mallin tim –
t’i tregoja se sa e dua
edhe kur e kisha afër,
edhe tashti në mërgim!”
 
Janë këto vargje kushtuar Kosovës nga mërgimtari, aktivisti e poeti Fetah Musli Maliqi, që e shprehin në mënyrë të veҫantë ndjeshmërinë e tij për vendlindjen, me afri plotësisht jetësore ndaj saj; vargje këto që bëhen shtytje e tij programatike për krijime të reja dhe që mbesin madhështi shpirtërore e artistike. Janë ato vazhdimësi e trajtimit të mërgimit në artin imagjinativ shqiptar, si plagë shekullore dhe si mundësi e vetme për ikje nga varfëria; si shtytëse që të mos ndodh e të harrohet vendlindja, të mos bëhet asimilimi dhe që vendlindja të mbetet rrugë e dëshiruar kthimi në vatrën e të parëve, ashtu si kanë vepruar gjeneratat e gjenerata shqiptarash, në vazhdimësi dhe që kanë lënë gjurmë të dukshme kudo.
Gjithnjë dhe në të gjitha trojet shqiptare i është kënduar mërgimit, me mallë e me lotë, po ajo rrugë nuk është ndalur, as nga vuajtjet e as nga thirrjet e familjarëve, sepse ishin robëria e varfëria ato që e bënin të domosodshme daljen rrugëve të botës, duke mbetur me zemër e me mendje në atdhe. Por kohët kanë ndryshuar, mundësia e kthimit të shpeshtë në atdhe është bërë realitet dhe komunikimi shumë i lehtë, megjithatë, atdheu për mërgimtarin mbetet gjithnjë larg dhe me shumë ndodhi. Andaj te poeti është aq e pranishme dashuria për tokën e Kosovës, për historinë e saj, për të mirat e të këqijat që ndodhin këtu. Ai këndon për minatorët që detyrohen të mbyllen sërish nëpër zgafella dhe ka oprimizëm që ky problem do të zgjidhet, sepse Kosova ka rini të shkëqyeshme, ka njerëz që e duan, kudo janë dhe që japin krejt që kanë për të. Por, ka edhe njerëz të interesit, që Kosovën e shohin si mundësi pasurimi pa punë e përmes keqpërdorimesh pa fund, prandaj vargjet kushtuar atyre janë përplot sarkazëm e humor, po edhe të mbushur urrejte për pushtetaret e korruptuar.
Frymëzim tjetër i vazhdueshëm i Fetahut është vendlindja, bukuritë e saj të mëdha, veҫoritë e stinëve që ka përjetuar këtu. Me mallë e respket të thellë poetik e njerëzor ai këndon për Busovatën, fshatin e tij të lindjes, mësuesin, për dëshmoret e lirisë, për 28 Nentorin, për flamurin kombëtar, për ditën e pavarësisë së Kosovës, për vlerën e lirisë dhe traditës në të kaluarë e sot:

“Dhe ashtu e ruajtën porosinë e të parëve,
Atdheu ishte i të vdekurve sa i të gjallëve
Dhe gjysh stërgjyshi i Arbërisë
Ndër breza përcolli etjen e lirisë.”

Dhe shpërthimin e kësaj etje për liri poeti e gjen te lufta në Kosovë, te vendosmëria e treguar dhe te fitorja e arritur, sepse para kësaj ishte treguar se:

“Këtu nuk ka kushte normale
Këtu normale është vetëm
Lufta për Atdhe
Dhe kënga për liri!”


Në këtë këngë për liri hyjnë fuqishëm Beteja e Kosharjës dhe heronjë e saj të prirë nga heroi dhe legjendari Agim Ramadani.
Cikli për prindërit, të afërmit, shokët e fëmijërisë, kujtimet e hershme e të reja; për plisin si shenjë kohe e tradite; përshkrimi i familjes Fetahaj dhe i veҫorive që ka ajo në jetën e përditshme e në imagjinatën e poetit, zënë vend me rëndësi në vargjet e këtij libri. Po, me një ndjenjë të thellë e të rrallë janë vargjet kushtuar nënë e babait të tij. Ai babain e sheh në kujtime:

“Të shoh larë nga djersët
Me shikime ardhmërie.
Emri baba sa të kishte hije!”

Por, babai ngërthen në kujtime më shumë se një prind, ai është simbol për poetin e për të gjithë ata që e kanë njohur, po edhe më madhështor del i skalitur me fjalë:

„Babai Musli,
Njeri i rrallë,
Hije i kishte
Plisi mbi ballë.

Ia shtonte
Krenarinë,
ia zbukuronte
bukurinë!

Tek qeshte ai,
qeshte dhe plisi,
dukja e tij
si e një lisi!”


kurse për nënën poeti ligjëron:

„Dhe kujtimi yt
Do të jetë në mua,
kujtim i përjetshëm:
Nënë, të dua!“


Vargjet që cituam më lart nuk ngelin vetëm imagjinim poetik, ato kanë në nëntekstin e tyre një mallë të thellë, shtuar me vite e vite ndarjeje, vetmie, etje për të qenë në familje, në shoqëri, aty ku mendohet e fitet shqip.
Nje poezi e veҫantë, shumë e fuqishme, që dallon për vlera artistike, atdhedashurie e dhembjeje është ajo për Ҫamërinë, për të cilën Fetahu thot:

„Me gjak të bijëve,
me flijim të bijave
ece kujtimeve
hyre historisë,
Ҫamëri krenari
Ҫamëri dhembje,
na je më e madhja dashuri!“


Dhe për këtë dashuri të pafund, e cila është larë me lumenj gjaku e lumenj lotësh, poeti krijon vargje të qëndrueshme e plot kthesa artistike. Prandaj, këtë recension për librin “S´të harroj vendlindje”, po e përfunoj ma fjalët e dala nga zemra e krijuesit, Fetah Musli Maliqi:

„Na zgjatet dita,
na zgjatet viti,
O, zemra jonë
Priti e priti.

Dhe pret e pret
Këtu në mërgim,
Vetëm në Atdhe
Ajo gjen shërim!“


Duke e falënderuar Fetahun që shërimin fizik e poetik e ka jetur dhe e gjen në atdhe, ne urojmë që penda e tij të mos hesht kurrë dhe që vendlindja e tij dhe e jona, të bëhet vend i mirësive e i mbarësive, i arritjeve dhe i ardhmërisë, mu ashtu si do, ëndërron dhe për ҫka angazhohet ai.