Mittwoch, 19. April 2017

Mark Juncaj: Kurimi i vartësisë së alkoolit

Nga: Ermira Babamusta

Mark Juncaj është sportist amerikan me origjinë shqiptare që njihet me emrin Mark Superfit. I lindur dhe rritur në Detroit, Miçigan nga dy prindër shqiptar, Kola dhe Tolja Juncaj, nga Hoti, afër Tuzit të Malit të Zi. Ai ka mbaruar diplomën universitare në Manaxhim të Biznesit, dhe tani po ndjek studimet për Teologjji, Bachelor, në Miçigan.

Pas suksesit në katër sporte në bejsboll, futbollin amerikan, basketboll dhe hokei, Mark Superfit tani është ekspert i fitnesit (Instagram: @Marksuperfit) si dhe mbështet kauzën për kurim ndaj alkoolizmit dhe vartësisë. Është kreytari i Komitetit Shqiptar të Alkolizmit/Adiktimit në Detroit, Miçigan, dhe planifikon të themelojë fondacionin e tij po me të njëjtin emër në shërbim të familjeve dhe të rinjve shqiptarë që kërkojnë kurim nga alkoolizmi. Po ashtu ai shërben dhe si “spokesperson” folës motivues për kompani të ndryshme, midis të tjerave edhe “Raising the Bar Detroit”, fondacion bamirës për të rinjtë.
  
Gjatë karrierës së tij të suksesshme në sport ka fituar disa kampionate kombëtare. Në bejsboll ka fituar 2 kampionate, dhe ka thyer çdo rekord të bazës. Ka fituar 5 kampionate të qytetit të Detroitit, dhe dy herë vendin e dytë në ligën verore të kampionatit kombëtar për shtetin e Miçiganit. Në hokei ka fituar 5 kampionate liga të qytetit, dhe ka marrë 5 tituj. Në basketboll ka fituar disa turne kampionate dhe ka drejtuar skuadrën në pikët fituese.

Mark Juncaj (Mark Superfit) shpreson të udhëtojnë nëpër qytete të ndryshme shqiptare të flasi për kurë ndaj abuzimit me alkolin dhe shëndetin. Ai është i pari që mbajti takimin në gjuhën shqipe për shërim dhe kurim me shqiptarët e Miçiganit, aprovuar nga selia qëndrore e Nju Jorkut. Momentalisht ai ka marrë përsipër projektin e përkthimit nga anglishtja në shqip librin “12 hapat”, që nuk është bërë asnjëherë më parë në shqip dhe shpreson ta shpërndajë këtë libër te takimet dhe seminaret që do zhvillojë.

Sportisti amerikan me origjinë shqiptare Mark Jucaj që njihet si Mark Superfit

Intervista me sportistin, dhe ekspertin e fitnesit Mark Superfit

Duke qenë sportist për shumë vite çfarë keni mësuar nga sporti dhe sukseset e arritura?

Mark Juncaj: Si sportist e kam patur për nder dhe privilegj të jem pjesë e ekipit. Duke patur mentorë afër meje, jo vetëm që mësova se lidershipi i jep forcën njeriut për të gjetur motivimin e duhur në vetvete, por dhe jep inspirim që i gjithë grupi të jetë së bashku dhe të arrijë sukses si një ekip i bashkuar. Duke qenë pjesë e disa ekipeve sportiste në Detroit, Miçigan kjo më dha nderin dhe respektin të përfaqësoj qytetin tim dhe shtetin e Miçiganit në shumë kampionate kombëtare dhe të sjell fitore për ekipin tim. 

Çfarë vlerëson në rolin tuaj si mentor me punën me të rinjtë?

Mark Juncaj: Të punoj me të tjerët kjo është pjesa më e rëndësishme e jetës dhe punës time sot. Nëse i zgjasim duart për ndihmë dikujt pa pritur asgjë në kthim, kjo krijon një kulturë të mrekullueshme që influencon çdo person rreth nesh. Ndjehem shumë i lumtur kur shoh që njerëzit përreth meje po arrijnë ndryshime pozitive afatgjate në jetën e tyre, dhe po jetojnë një jetë me qëllim dhe plot kuptim.

Si lindi bashkëpunimi me fondacionin “Raising the Bar Detroit”?

Mark Juncaj: Jam spokesperson dhe model që përfaqësoj imazhin e fondacionit bamirës në Detroit “Raising the Bar Detroit,” që është një kompani e mrekullueshme në shërbim dhe përkrahje të fëmijëve dhe të rinjve në Miçigan. Fondacioni ka për qëllim përmirësimin e kualitetit të jetës dhe ngrejnë fonde si dhe organizojnë aktivitete të tjera për të sjellë mundësi të ndryshme për zhvillimin dhe ecurinë e të rinjëve sot. Themeluesi Marco Polo Italiano ka patur një impakt të madh në jetën e të rinjëve në Detroit. Vështirësitë që kemi kaluar vetë në jetë na bashkon në idealin tonë të përbashkët për të ndihmuar rininë të eci përpara dhe të arrijë sukses.

Në fitnes njiheni me emrin “Mark Superfit”. Cilat janë këshillat tuaja për shëndetin si ekspert dhe këshilltar i fitnesit?

Mark Juncaj: Ruajtja e shëndetit krijon balanc në jetën tonë. E kam trajnuar veten të punoj në dobësitë e mia, dhe jo në pjesët që jam i prirë të avancoj. Po këtë këshillë ia jap edhe të tjerëve sepse është diçka që aplikohet edhe në pjesët e tjera të jetës. Shumica prej nesh bëjmë atë që dimë më mirë apo më të lehtën, sepse kemi frikë të dalim jashtë zonës tonë të rehatisë. Duke u përqendruar në anët tona më të dobëta, kam mësuar se këtë mentalitet ne vetëvetiu e kalojmë edhe në pjesë të tjera të jetës tonë, duke krijuaj balanc.

Një jetë e shëndetshme të çon në një jetë të mrekullueshme të balancuar. Kam vënë re që ato njerëz që avancojnë në dietë të shëndetshme dhe fiskulturë, ato kanë edhe një qëndrim pozitiv që shihen dukshëm në të gjitha pjesët e jetës së tyre.

Gjithmonë i këshilloj klientët e mi të krijojnë vese të mira, të mos hajnë ushqime jo të shëndetshme, të cilat të çojnë në sabotim të vetes. Duke e vënë veten në pozicionin më të mirë për sukses, është mënyra më e mirë për të qëndruar më gjatë në rrugën e duhur të shëndetit, dietës dhe fiskulturës.

Mark, jeni lindur dhe rritur në Amerikë, nga dy prindër shqiptarë. Çfarë nënkupton kultura shqiptare për ju?

Mark Juncaj: Të jesh shqiptar do të thotë të jesh të jesh kampion. Si komb kemi një forcë nga brenda që ia tejkalon të tjerëve. Unë kam lindur shqiptar dhe i dua shumë shqiptarët. Me të vërtetë nuk ka më mirë se të jesh shqiptar. E dua kulturën time shqiptare dhe shqiptarët. Ka aq shumë kuptim po edhe përgjegjësi të qenurit shqiptar. Ne jetojmë, ne duam, ne ecim para! Jemi rritur si komb dhe kemi treguar çdo të thotë të punosh shumë dhe të jetosh një jetë me qëllim. Vlerësoj më tepër nga kultura shqiptare mundësinë dhe vlerat për të dashur miqtë, familjen me gjithë zemër, dashuri dhe mikpriktje. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë dashurinë dhe respektin që kam për shqiptarët dhe kombin shqiptar. Dua të jap kontributin tim ndaj komunitetit shqiptar.

Cila është marrëdhënia juaj me komunitetin shqiptar?

Mark Juncaj: Jam i përfshirë dhe angazhuar me komunitein shqiptar në Miçigan dhe në Nju Jork. Së shpejti shpresoj të udhëtoj nëpër qytete shqiptare me projektin që po merrem tani. Besoj se Zoti më ka dhënë qëllim jetës time, duke përdorur historinë time të ndihmoj shqiptarët. Unë kam për qëllim të ndihmoj të rinjtë dhe familjet që varen nga alkooli dhe adiktimi. Jam duke përkthyer librin “12 hapat” nga anglishtja në shqip që ndihmon si të largohesh nga alkoolizmi. Dhe dua ta shpërndaj librin kudo për shqiptarët për të ndihmuar të varturit nga alkooli. Vartësia nga alkooli është një problem social dhë sëmundje e dëmshme për shëndetin fizik dhe mendor.

Na trego pak më tepër për angazhimin tuaj me komunitetin shqiptar në luftën kundra alkoolizmit dhe vartësisë ndaj saj?

Mark Juncaj: Të jesh shqiptar vjen me shumë krenari! Shpeshherë kjo na çon të bëjmë gjëra të mëdha. Por nga ana tjetër kemi krijuar një kulturë duke patur frikë në disa tema. Si shqiptarë, besoj që jemi njerëz të mrekullueshëm, me aftësi për të arritur gjëra të mrekullueshme. Por në disa tema tabu, për arsye të turpit, fajit dhe frikës, na mungon mbështetja e duhur për të përballuar disa pjesë të jetës. Kjo është një nga frikët më të mëdha të komuniteti shqiptar kur bëhet fjalë për adiktimin dhe vartësi në alkool. Reputacioni do të thotë gjithçka për ne shqiptarët.

Nganjëherë problemet tona sociale bëhen aq të madhe dhe paralizuese kur kemi frikë se një shqiptar tjetër do i marri vesh problemet tona, saqë disa e kanë më të lehtë të tregojnë se kanë një sëmundje vdekjeprurëse ose vuajnë nga kanceri sesa të tregojnë apo pranojnë që janë vartës të alkoolit. Kjo frikë duhet të ndalojë tani! Ky është qëllimi i punës time, t’i jap fund kësaj frike dhe të ofroj rrugë për shërim dhe kurë. Dua t’i tregoj shqiptarëve që nuk është turp të dështosh dhe se egziston mundësia për të qenë dikushi sërish në jetë, pavarësisht problemeve që njeriu ka kaluar. Njeriu mund ta mbajë kokën lart edhe pas rrëzimit apo dështimit në jetë.

Duke u përpjekur, duke punuar shumë, ne mund të arrijmë shumë gjëra. Nëse ndryshojmë atë çfarë bëjmë apo si veprojmë, ne mund të ndryshojmë atë që mendojmë. Nëse bëjmë gjëra pozitive, atëherë ne do mendojmë pozitivisht, dhe do kemi mundësinë të prekim njerëzit përreth nesh në mënyra të pabusueshme.

Cilat janë planet e tuaja për 2017?

Mark Juncaj: Momentalisht jam kryetar i “Albanian Committee for Alcoholism/Addiction” (Komiteti Shqiptar i Alkolizmit/Adiktimit). Zhvillova takimin e parë mbajtur ndonjëherë në gjuhën shqipe për shërim nga alkoolizmi/adiktimi në Miçigan, që është nëshkruar dhe përkrahur nga kryeqendra e klubit “Alkolikët Anonim” në New York. Planifikoj të themeloj fondacionin tim “Komiteti Shqiptar i Alkolizmit” për të ndihmuar ato që po vuajnë nga adiktime dhe vartësi të ndryshme. Shpresojmë të kemi mbështetje kudo, në mbarë botën, për të ndihmuar në veçanti shqiptarët që vuajnë nga alkoolizmi dhe vartësia dhe për të sjellë kurën e duhur.

Qëllimi i fondacionit është të krijojë një sistem përkrahje dhe mbështetje për shqiptarët, duke i ofruar ndihmën e duhur, dhe të krijojmë një program që të çon në kurim dhe sukses. Do na duhet ndihma e të gjithëve në mënyrë që sistemi që do krijojmë të funksionojë për një kohë shumë të gjatë. Do na duhet kohë, por me kujdes dhe dashuri nga njerëzit mund të arrijmë çdo gjë. Dhe me Zotin asgjë nuk është e pamundur.

Për projektet më të fundit mund të më ndiqni në rrjetet sociale: në Instagram @Marksuperfit https://www.instagram.com/marksuperfit ose në https://www.facebook.com/MarkSuperfit.