Freitag, 27. April 2018

Buqetë me poezi nga Sabit Abdyli

Sabit Abdyli

KUR DO IK
(grues)

Një ditë kur do  ik.
"Pse e pse bre"- ke me thanë:
Si harrove premtimin; gjithmonë me ty"
Asnjëherë s'më ka ndodhun të  kesh shkelun  fjalë!
Grue, mos vë kujë, 
Në ty s'due ta shoh lotin,  dhimbjen ... assesi!
Kujto ditët kur na buzëqeshte dielli 
Dhe rritem katër fëmijë.
Qëndro si në ditët e mira me emrin tënd të mirë.
Nur dashurie, dorë e djathtë e shtëpisë!

Shkurt, 2018 


VALA HILEQARE

Kreshtë e bardhë mbi valë
Pa pra i njom buzën
Bregut t’saj të tharë

Flladit  bregun vala
Rërës i shuan zjarr
Mua flokun zbardh

Valë moj hileqare
Freskomë edhe mua
Se jam mërgimtar
                                      
Auckland, 17 tetor 2009 



BORXH JAM

Borxh deri në fyt jam
Prindërve 
Më rritën 
Barit e dushkut 
oksigjeni e shëndeti im
Borxh jam deri në fyt
Ëndrrave që nuk i bëra zhgjëndërr
Bregut lumit
Arave me grurë
Borxh jam gruas
Fëmijëve
Profesionit e punës
Që nuk bëra shumë më shumë
Sa do të doja unë
Borxh jam Shqiponjës 
Që nuk fluturon e lirë 
Mbi gjitha malet e fushat ku flitet shqip

Fund janari, 2018



EC E EC

Gur i shkulur,
spirancë maje thyer.
Ecë  e ecë n’kërkim
edhe kur zë vend,
emrin muhaxhir!

Auckland, tetor 2013


DËSHIRË

Do të doja  të jesh qiell, 
dielli që ngrohë freskon.
Erë pranvere në vapë vere,
me hije dreke matur
mall pa hile,
më këmbë në tokë të jesh,
mendjen si kallinj gruri plotë
ta kesh!

Janar, 2014



KAPRICIOZE 

Korba të zinj
Në eter mprehin thinjtë

Oxhak i shtëpisë tymos
me blozë
të zinjtë e zogjve kombçar

Majë lisave poshtërisht lëshohen
Me thonj e me sqepa
drejt shkëmbit të Prometheut

Shpendët sa grima 
si të ishin kafshë nate
I kashaisa
I zhvesha mitesh me blozë

E ngura dot s'u hiqej
erë shurre kundërmojnë 



EMRAT PA EMËR 

Kalërojnë  ligjet 
Emrat pa emër zvarranikë 
kalërojnë ndrydhin liritë
shkelin premtimet
zvarrë zvarrisin  fjalën
me kode që ata dinë
hanë s’hanë fjalë 
synojnë  maje 
të etur kroje shterojnë
grigja  me gishta n’gojë
hajt bir 
                       
Shkurt, 2012 



KANCELARIVE TË BOTËS

Në kancelari të Evropës Ismajilin në krah,
në Londër, Isai vetë i dytë.
Hartë e Evropës varur në mur.
Në hilet e lordit Boletini, brof çohet në këmbë!
Me dorën e tij të burrit,
në hartë trojet etnike mbulon me pëllëmbë.
Zotëri këtyre trojeve që kur mbiu lisi janë Albani!
Nuk ndahen këto toka për të madh gazep.
Heu Isa burri, raca jote sot!
Gladiatorë mes veti ;
kancelarive të botës, korridoreve të Parlamentit,
shtrëngojnë dorën armikut pazare bëjnë nën cergë,
 lëpihen e lariten të huajve për  shkam*!

Gusht, 2014



KËSHILLË

Dil nga orbitë  i ngushtë mëhallësh
Mos u lako e mos  ik nga vetja
Lajkatar e flamur ndërrues  mos u bë
Bëhu gonxhe malesh e fushash tua
I gatshëm për të çelur  në çdo stinë
Luleborë e ushtar motesh të mëdha

Janar 2018


ELOZH  PËR GJERGJIN

Gradat, lavdet e sarajet  e shtruara  në ar
Nuk e lëkunden 
Arbënia   ishte dhembja  tij  e parë

Janar, 2018



SHËTITJE MBI FSHAT

Rrugicat mbyllur
Me shkurre, barishte,  thera ...
Banorët  ikën jashtë ose ranë në qytet.
Manaferrat mezhdave kalavesh të paprekura
Gjurmë  bagëtish e njerëzish askund
Përroska mbuluar me kërpnaja e shelgje.
Gardh  i gjallë që s'kalohej këtej e matanë.
Hutat e ketrit kishin zbrit  nga mali.
S'më kishte ndodh ndonjë herë më parë.
Të dilja mbi fshat.
Dhe të mos shihja fushës bujq. barinj, bagëti
E kosëtarë tek ju jepnin krahëve  në radhë.  
Gra shamibardha tek çonin bukën në arë. 

Kabash, korrik 2013



TEK FLISTE

Lidhte kujtimet në trastë nyjë
Me gjithçka nga pak; arra, mollë, kuleç
Çdo të pesëmbëdhjetën ditë
Me kokën në torbë nisej 
Në vizitë djalit në Sremska Mitrovicë
Zgjidhte nyjë
Në heshtje i tregonte për situatën
Shokët e idealit, hafijet ...
Merrte djalit vargjet e shkruara n'qeli
Gardiani roje 
I pafuqishëm të mbante kontrollin
Nëna tek fliste me sy

Shtator, 2017



GRATË

Ujëvara dashurish pafund, 
Vargje baladash, tituj romanesh, Poezi. 
Zana mali shtatëngjyrësh në sy. 
Nota lirizmi, këngë, 
Bulëz pranvere, 
Stimul paqe e lirie, 
Rimë shpirti, Gjithçka tek Ju. 
Shtojzovalle mbi muzë 
Dorë që përkëdhel 
E rrit trima. 
Gratë bashkëshorte, Nëna, ABËCË jete, 
Hyjnesha që nuk braktisin kurrë…

Gusht 2017



PIKON

Pikon kulm i shtëpisë 
Pikon 
Hafije e ustallarë nga gjitha anët vijnë
Thirr e pa thirr
Kush ndreq kush prish
Tanët mjaftohen të jenë në krye të vendit
Të mos lagën 
Gushë për gushë  me qoftëlargun
E lëshojnë udhë

Korrik, 2017



KUJTIM PËR MOTRËN

Sa herë më ngushtohej shtegu 
Shndriste si dielli dhe hapte rrugë
Zemrën e shpirtin erë të trëndafiltë
Vishnja ndanë dritares veshur me blerim 
Kujtim pritjesh të ngrohta gravura të thella n'gur 
S'i besoj urtisë: ”koha fshin gjurmë"
Me merakun Kosovë iku, tash 19 vjet!
Në Shkup më nuk më shkohet si dikur me qejf.

26 tetor 2017 



ZË KOHE
(Haxhi Muhaxherit)

Jehonë kohësh të mira
Emrash rrënjësh e qëndrese
Furtunash e motesh lavdie
Nuk resht së vrari të keqën
Nuk resht së qëndisur fjalëmirët
E fjalës shqipe

Auckland, korrik 2017


MUR MBI URË

Në bisht ndër shalë
Ikën 
U kthyen dhe mbyllën urën me drurë e gurë 
Me lutjet e Evropës hoqën barrikadat
Çajnë dërrasa
Biçim vazo betoni ngrehen mbi urë 
Hedhin  pluhur syve bëjnë petulla në ujë 
Me urë e pa urë 
Mur mbi urë
Skërmiten qençe e bëjnë zhurmë
Sa me lindje sa me perëndim
Sorrë në dy hunj

Janar, 2017


IN MEMORIAM PËR SHKRIMTARIN R. KELMENDI

"Letrat prej Ulqini" me Ty takim im i parë 
Aty mësova sa fort fishkëllen fjala shqip
Dhembjen ta zbulova te "Rrëfimi i njeriut me samar"
Me mësimet tua te Verrat e Llukës u morën ngryk 
Gjithë ai nam 
Te opusi yt letrar shijova të bukuren humorin me karar
Saktë e dije kur kositen livadhet dhe kur do të duhej
Të kërcasin e heshtin arm't

Auckland, 12 janar 2017



KROI I FSHATIT

Rrënjësh gërshetuara drurëve mali, 
murmurit i kristaltë uji akullt. 
Në mes vapës në ballë të pikë. 
Barishtet valltare tunden gëzuar, 
parfumojnë rogën e harlisur gjithandej.
Këngë e trishtilave  n' degë,
deh e prek në shpirt!
Dhjetor 2016


NËNA RABË

Për dritë të gazishtës
Thurte çorapë
Ngrohte mëngjeset e ftohta
Dhembjen e njomte si lulet
Jetën 
Fjalën 
E qëndiste me ar

Gusht 2016



MËSUAR

Rrëzojnë diktaturën. 
Derdhin në bronz  një të njëjtë me bujë
dhe vazhdojnë jetën si më parë
në diktaturë!
Gusht 2016


BREGUT

Zhurmon vala
Tek përplaset shkëmbit
Shkumëzon shkumën thinjoshe
Bregut ec unë
Pulëbardhat tutje tehu fluturojnë
Njëra ndahet e më ndjek pas
Eja sikur më thotë plot gaz 
Ta shuajmë mallin bashkë
Dhe era luan me flokun tim zbardhur
Rërë e nxehtë nën këmbë
Më djeg e nuk më ngroh

Korrik, 2016



NJËHERË E MIRË

Yjet zënë me shtëllunga të zeza  resh 
Shtigjesh bjeshkësh më në fund erdh Dielli
Rrëmujë e ngazëllime mëngjesi
Qentë  qençe lehin Diellin
 Azdisen në kohë lirie
Poeti vazhdon  rrëfimin për ujkun
Dhe byryten  mëzetërit që  kullosin livadhet
 E zëna me tre plisa dheu mbi mezhde
Ende  në kërkim të  ilaçit për të vrarë
Mizat bezdisëse njëherë e mirë  

Korrik, 2016


ZOGJTË SHTEGTARË

Në tela telefoni tufa dallëndyshesh
Mëngjeseve në vjeshtë varg rreshtuar
Cicërimë e tyre dhembshëm tingëllon
Bëhen gati shtëpitë t'i lënë
Përmallshëm nisën buzën në vaj
Nga acari ikin në vendet me behar

Shtator 2015



ATË DITË KUR PO NISESHA USHTAR
(25 gusht 1970)

Nëna nga bunari nxori një kove ujë.
Piva një gërrqe se kështu ishte adet.
Shtrëngim duarsh, përqafime,
doja të mbahem burrë, loti më tradhton.
T’i shpëtosh të keqes, më thanë, sa më pak fjalë!
Me të ligun mos ngul kunja,
dosjet janë të hapura për shqiptarë!
Ne vetëm numra jemi,
mos beso kur të rrahin krahëve!
Në listat: “Të rrezikshëm për shtetin” 
emrat tanë deri më një të sistemuar i kanë! 

Nëntor, 2014



KU MBETI

Ku mbet moti kristal 
Oxhakut tymi i shkonte drejt
Qëndisej me ar fjala e jeta plot harmoni
Ku mbeti fjala e thënë në sy
Kohë gjithçka prapa krahëve erdhi
Veshur me pendla të bardha mjellme
Brenda sterrë i zi
Ku mbeti autoritet i prindit 
Shtetit
Shkollës
Familjes
Çiltëri e djalit vajzës
Fjala fjalë
Emrat shqip
Ku

Dhjetor, 2015



ITAKA

Josh gjithçkaje e saj
Shtegtarët me ditë e natë krahëve u japin
Hijeshi e sirenave e tmerr katallanësh nuk i ndal
Rendje mes shkretëtirave e resh
Aromë e vatrës ndjellë e thërret
Në zhgjëndërr e ëndërr shfaqet
Si këngë bilbili në rremb

Qershor, 2016



FJALË E FJALË

Në takime mërgimtarësh. 
Secili ka një mendim. 
Dy. 
Tre. 
Shumë. 
Grijmë ujë në havan. 
Komentojmë libra e tituj gazetash pa i lexuar, 
Gjykojmë problemet madhore të shtetit, pa qenë atje! 
Botën ujdisim, 
Më mirë se perënditë ... 
Shajmë diku të irrituar . 
" Po të ishim ne, do të bëhej më mirë " ! 
Flasim si ekspertë, 
Të shkolluar kushedi nga cila galaktikë. 
Flasim me radhë  pa e dëgjuar sho-shoqin. 
Secili shtyhet  të shkrep, qoftë  edhe një fjalë.

Maj, 2016



NDRYSHIM I MADH

Kam mall, 
dhe  kujtoj motet,
kur brehej hekuri me dhëmb
dhe vdisje për Flamur.
Për të lexuar Fishtën, Konicën, Kadare,
Ernestin, Markezin ..
krijohej radhë.

Maj, 2016



EMIGRANT

Emigrant shkak luftë ngjyrash
Të tillë dikur pati edhe në fshatin tim
Të përndjekur  nga e kuqja
Shtigjeve pafund në rrugëtim
Përtej oqeaneve mbërrin
I gjeta të plakur buzën shkrumb
Unë emigranti muhaxhir. 
Në prag shekulli njëzetenjë 
Dëgjuar keni nga gjyshërit 
Për plagën e vjetër emigrant politik
Karvan në ecje lodhur 
Me kujtimet plumb mbi kurriz

Mars, 2016



TESHTITJE KOHE

Gjithçkaje i doli boja 
Karriget u përlloçën si është më keq
 Filiza të së resë në ketë palcë acari të vijnë
Të ngjallin shpresat e humbura nga lakmitë
Të kapërcejmë inatet vetën 
Dhe jugë e bardhë të fryjë

Mars, 2016



VENDÇE

Ecje mbi ferra  e shkurre nëpër mote
Për jetën 
Për diell më shumë
Dhe dalin nëngurët 
Vjelin  frutat e pemëve
Kafshojnë diellin  pamëshirë 

Mars, 2016



SHTERPËRI  E GJELAVE

Gjelat kryengritës të mëngjeseve
I dehu fitorja
Nga pangopësia vetëlavdërimet
U ngjirën   
Për të qëndruar majë mullari
U qullën e qullën si është më zi

Shkurt, 2016



MBASE

Donzhuanët  kolonizuan shën Valentinin
Për të treguar besnikëri
Përmes dhuratave e luleve
Blerë dashuri
Mashtruar e fshehur kurvëritë
Shkurt, 2016



Shënime biografike 

Sabit Abdyli u lind në Kabash të Anamoravës në vitin 1946. Shkollën fillore dhe të mesmen i mbaroi në Viti, SHLP në Shkup, kurse  Fakultetin Filozofik: dega gjuhë dhe letërsi shqiptare në Prishtinë.  Pas luftës (1999) Sabiti bashkë me familjen u vendos në Zelandë të Re. Atje  vazhdon të merret me shkrime dhe të bashkëpunojë me gazeta e revista që dalin në gjuhën shqipe.  Deri tash ka botuar këto vepra:

  1. Kabashi i Anamoravës, Prishtinë, 1997, (monografi)
  2. Ankthi i pranverës’99, Prishtinë, 2004, (libër-dokumentar)
  3. Kohë e lumtur, 2005, Prishtinë, përmbledhje me poezi 
  4. Bijtë e shqipes në tokën e reve të bardha, Auckland, 2010, prozë, poezi dhe artikuj për Mërgatën shqiptare në Zelandë të Re.
  5. Letra, Anekdota, Aforizma, Gjilan, 2013
  6. Na kabashi jem t’ndam nji zjarrmi, Gjilan, 2013
  7. Dallgë malli, Prishtinë, 2016
  8. Tybe këta veë kabashë janë, Prishtinë, 2016
  9. Thërrmija jete, Prishtinë, 2017
  10. Letra për babuqin gasterbajter në Gjermani, Prishtinë, 2017

Sabit Abdyli, që nga vendosja e tij në Ishullin e largët (29 tetor 1999), është aktiv në organizimin e aktiviteteve artistike ndërthurur edhe me veprimtari për ruajtjen e unitetit, gjuhës dhe traditave kombëtare në mesin e Mërgatës shqiptare në Zelandë të Re.

Mittwoch, 31. Januar 2018

Fakete Rexha: EJA VEQ PËR MU

Fakete Rexha

EJA VEQ PËR MU

- Unë të prek, e t'flas, si n'andërr. 
Kaq fort të dua, e andërr s'të shoh?
- Po, eja, ti n'andrrat e mia!
Do ti harroj kujtimet e helmta të dashunisë 
së fshehtë. Kohës së shelgjeve që shushërinin 
buzëmbramjes mbi lumë. Kohën e ngarendjeve 
pas pemëve që posa piqen në kopshtet mbi çati.
- Eja! Në zemër kam një shtrat të butë mëndafshi. 
Bojejorgovani të ndezur purpur. Rreth e rreth 
korniza fildishi. Aty, çdo natë unë fle, e gjysma 
ime e ftohtë. Andërr eja! Si n'andrra dielli. 
Me dorë ta thajë gjysmën time me shi e me borë. 
Do t'baj vend, bashkë do t'biem, të blertë. 
Shtratit do t'flemë mbi lulet e qëndisura.
Nëse mend se banë largësinë, ti vetëm eja! 
Si bandillin e përrallës t'pres. Nga rrugë 
e largët kur vie, me pluhurin vetullës. 
Pa m'trokit në derë. 
Eja, veq për mu!

Mittwoch, 24. Januar 2018

Alketa Maksuti Beqari: ERDHA

Alketa Maksuti Beqari

ERDHA

Erdha.
U ktheva.
Për ty.

Erdha.
Të përshëndeta.
Diellëzoj.
Për ty.

Erdha.
Të përqafoj.
Ngrohtë.
Për ty. 

Samstag, 23. Dezember 2017

Haxhi Muhaxheri: VARGJE ME GRIP



VARGJE ME GRIP

Kot bredh 
Brigjeve të mendjes
Ënd֝ërr më ëndërr
Viteve
Miteve
Lëgjendave
E historisë
Në kërkim të fjalës
Së humbur planeteve

Edhe nëntë bijat e Zeusit
I ka zën gripi
E dashur
Më nuk i ndihmon 
Vitamina C
E as çaji 
Me lëng limoni

Mbaje veten
Perëndeshë (I)lirie
Merr ngrohtësinë
E trupit tim
Puth diellin 
Mëngjeseve
Shpirt jepu Lirikave
Që dashuria 
Ta vrasë sëmundjen
E kënga 
Ta mund vajtimin

22 dhjetor 2017

Dienstag, 17. Oktober 2017

Ju prezantojmë poeten e talentuar Yllka Sheqiri

Yllka Sheqiri
Yllka Sheqiri u lind në Prishtinë me 13 shtator 1987. Ishte vetëm katërvjeçare kur bashkë me prindërit mërgoi në Suedi. Shkollën fillore dhe të mesme, drejtimin natyror, i kreu në qytetin e bukur Karlskrona. Në këtë qytet një kohë të gjatë qe aktive në grupin e vallëtareve ”Fëmijët e Lirisë”mtë Shoqatës kulturore shqiptare ”Ardhmëria”. Më pas u aktivizua Në shoqatën ”Muzik i Blekinge” e në grupin ”Spaider”. më vonë ajo themelore dhe udhëhoqi grupin e fëmijëve ”Gliter”. Në Universitetin e Lundit Yllka  ka studiuar dramaturgjinë. E më pas  ka studiuar për film, regji, skenar dhe produksion filmik. Yllka si fëmijë ka ilustruar disa libra për fëmijë të babait të saj. Arti, vallja dhe krijimtaria letrare qysh herët u bënë pasion i saj i veçantë. Është prezantuar në disa antologji me poezi për fëmijë, p.sh. në antologjinë ”Atdheun e kam në Zemër”, në librin shkollor ”Urat tona”, etj. Disa vite me radhë ka shkruar skenarë për teatër me grupin e skenarit të shkollës. Gjatë vitit shkollor 2007/2008 ka udhëheq kursin themelor për gjuhën ”Gjuha çelës për integrim” në gjuhën shqipe dhe suedeze në Karlskrona.

Gjatë studimeve ka qenë asistente e regjisë për dramën ”Komedia hyjnore” e Dantes (2006) që është vënë në skenë nga studentët në Teatrin e Studentëve në Lund.

 Në vitin 2005 ka debutuar me përmbledhjen e parë me poezi në gjuhën suedeze  ”Jag lyssnar inte alltid” (Unë nuk dëgjoj gjithmonë) për të vazhduar pastaj me përmbledhjen tjetër me poezi me titull ”Men” (Por), të botuar tre vjet më vonë - më 2008. Poezia e Yllkës është vlerësuar nga kritika e poashtu është përfshirë edhe nëpër shumë antologji.
  
Në vitin 2007 me poezinë ”Kasta mig i öknen (Më hedh në shkretëtirë)” Yllka është prezantuar në përmbledhjen antologjike ”Via Mystica” /Përmes mistikës/ nga autorët Jonas Ek, Stefan Klint, Beata Åhrman-Ekh në botim të Shtëpisë Botuese Verbum. Një antologji me krijime letrare që botohet në qindra mijëra kopje dhe shpërndahet te të rinjtë suedezë që hyjnë në moshën e pjekurisë. Më 2008 është përfshirë në antologjinë ”Revansch 2008”, botim i Shtëpisë Botuese ”Skrivarsidan” dhe “Vulkan”. Yllka është përfshirë edhe në antologjinë e poezisë ”Poesiplanken – Göteborg 2010” botuar nga Författares Bokmaskin në Stockholm. Më 2010, gjatë Panairit Ndërkombëtar të Librit në Göteborg është shpërblyer në Konkursin për poezi të gazetës ditore suedeze Göteborg Posten. Poezia e Yllkës u shpërblye edhe në konkursin e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë në Gjermani. Ndërsa në Festivalin e VIII-të të Poezisë dhe Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë organizuar nga Unioni i Shoqatave Shqiptare, në qytetin e Malmës, në Suedi, më 2010 Yllka Sheqiri u shpërblye me Vendin e dytë për poezinë ”Pa titull”.Yllka Sheqiri u prezentua me poezitë e veta edhe në Festivalin e Poezisë e të Këngës të Blekinges që u mbajt në Karlshamn të Suedisë më 23 tetor 2010. Pastaj në Festivalin e Poezisë Poetry Slam në Borås në pranverën e vitit 2011, etj. Poezitë e Yllkës në shqip e suedisht janë publikuar gjithandej nëpër revistat e gazetat më prestigjioze letrare e kulturore në gjuhën shqipe dhe në atë suedeze, siç janë revista letrare ”Pelegrin”, revista ”Metafora”, revista letrare ”Groblad”, gazeta ”GP”, si dhe në shumë revista letrare e artistike që botohen edhe në mënyrë digjitale gjithandej në botë.Yllka u prezentua me poezitë e veta në Festivalin e pestë  të  Poezisë dhe të Këngës të Blekinges që u mbajt më 23 tetor 2010 në Karlshamn  në Suedi. Ndërsa më 8 tetor 2011 Yllka ishte pjesëmarrësja, poetja nikoçire dhe moderatorja e këtij Festivali (Blekinge Vis- och poesifestival 2011 që këtë vit u mbajt në Karlskrona).  ”Lotët e virgjër” është edhe njëra nga antologjitë ku janë prezantuar babë e bijë Rizah dhe Yllka Sheqiri e ku kanë marrë pjesë 143 poetë. Në Festivalin e Filmit “Tellus 2009” që u mbajt në Karlshamn, Çmimin e  publikut  në kategorinë senior, për film të shkurtër artistik, e mori filmi ”Në pus  pa fund” me skenar dhe në regji  të Yllka Sheqirit. Në Festivalin e filmit të shkurtër artistik “Alfredgalan 2009” nga juria profesionale Yllka u nderua me Çmimin për  aktrim. Në festivalin e filmit “Tellus 2009”( 18-20 shtator 2009) u nderua  me Çmimin  e  publikut. Më vonëfilmi "Pikat budallaqe" /”Dumma prickar”/ me skenar dhe regji të Yllka Sheqirit bën jehonë në gjithë Suedinë.Ky filmi është recensuar nga BTJ dhe është shpërndarë nëpër shumë biblioteka dhe filmoteka të vendit. Filmi është i luajtur në gjuhën suedeze, por me titrim në gjuhën shqipe dhe në atë angleze. Për filmin kanë shkruar edhe masmediat e njohura elektronike, portalet elektronike dhe wbsajtet e njohura. Për filmin janë shkruar, xhiruar e transmetuar reportazhe në gazetat ditore e reviale, nga më të mëdhat në Suedi, si në ”Expressen”, “Aftonbladet”, ”Metro”, “BLT”, ”Sydostran”, ”Commercen”, ”Vårt Göteborg”, ”Göteborgs fria” si dhe ”Göteborg nonstop”. Pastaj në  Radio Blekinge, P-4, Sveriges Radio P 2, SVT 1, SVT 4, në revistën “Barn & Cancer” si dhe në revistën më të njohur për gra“ “Amelia”, etj.

Më 2014 Yllka dhe Rizah Sheqiri janë prezentuar në një antologji poetike suedeze bashkë me 38 poet e krijues tjerë suedez të cilën e botoi Klubi i Krijuesëve Letrar të Blekinges.Yllka Sheqiri ka shkruar edhe skenare filmi të shkurtër që janë realizuar nga kolegët e saj gjatë studeimeve, ka ralizuar edhe një varg shfaqejesh me Grupin fëmijëve në Göteborg, ka përgatitur, organizuar dhe moderuar Mini shown vjetor për festat e fundvitit, etj. Është edhe anëtare e Klubit Letrar të Blekinges dhe vitin 2011 ka qenë e deleguara e këtij Klubi në Mbledhjen solemne vjetore të Akademisë Suedeze.
  
Është koautore e një Antologjinë me ese dhe i një libri për fëmijë "Så många jag"  i nominuar për cmimin  " Selmapriset" 2016 dhe nga 200 libra ishte  Top 5 dhe u shpërblye me cmim special.
   
Yllka Sheqiri më 2016 ka qenë producente e Festivalit Ndërkombtar të muzikës teatrit dhe vallimit që   në cdo 2 vjet mbahet në Göteborg të Suedisë. Ka realizuar disa filma të shkurtër artistik, filma të animur e dokumentar. Ka punuar një  kohë edhe si producente teatri Në Gëteborg, ndërsa aktualisht është udhëheqëse e një projekti për integrime kulurore i mbshtetur edhe nga unioni Evropian.  Jeton e punon në qytetin Geteborg të Suedisë.(R.Sh)



Poezi nga Yllka Sheqiri


PARRËNJËSI
  
Mua më janë sosur mendimet 
Ngase e zeza mbetet e zezë 
Sado që mundohem ta mendoj të bardhë? 

Falja nuk bëhet me vetdëshirë  
Kur e ndërron atdheun për më shumë lodra.  
Merrë parrënjësinë dhe shumë varre për të vizituar. 
Lodrat nuk ngushëllojnë netëve  
kur mendimet fermentohen, e   g.u.f.O.J.n.ë 
Kurrë nuk kam zgjedhur vend për vete,  
dhe as që kam menduar ndonjëherë  
se çfarë do të ndodhte sikur të isha mbytur  
në afërsi të detit Mesdhe.  
Heret a vonë njeriu  e gjen rrënjën e vet,  
por kur e ke humbur garën në vrapim 
gjashtëdhjetëmetërsh drejt së ardhmes,  
atëherë e kupton se kjo gjë është goxha e pashpresë. 

Mua më janë sosur ndjenjat 
Një hartë në dorë 
Dhe nuk e gjej dot shtëpinë.



PUTHJE NËNE 

Puthjen që ma dhe sot 
Ishte krejt e papritur 

Megjithatë ishte diçka që e prisja 

Nganjëherë ne s’mirremi vesh  
Thjesht qëndrime të ndryshme 

Nganjëherë qajmë 
Bashkë 

Ti më mëson 
Unë dëgjoj 
Jo gjithmonë 

Kështu që grindemi 

Por sot 

Një puthje e vogël nga ti, nëna ime 
Ndjehej aq e madhe në zemrën time.




MË HIDHË NË SHKRETËTIRË  

Më hidhë në shkretëtirë 
Më lë të kalbem 

Me hidhë në zjarrë 
Më lë të digjem 

Me sill fort 
Më lë të përgjakem 

Më hidhë në det 
Më lë të mbytem 

Më lë të ndjej dhimbje fizike  
Sepse atë psiqike 

S’e duroj dot.




VETMI 

Unë jam e vetëmuar 
Si një diell pa qiell 
Unë jam e zbrazët 
Si një krua pa ujë 
Unë jam tutje e harruar 
Si një ëndërr e ndrydhur në jetën e njeriut 
Unë jam për së gjalli e vdekur 
Si një trup pa zemër 
Ti 
që më mbyte të tërën 
Ishe ti 
Tash të them me çiltërsi 
Të urrej të urrej të urrej 
Vetmi!




UNË FALË PO NUK HARROJ 

Gjurmët e plagëve mbesin 
Për gjithçka që the 
Për gjithçka që bëre 
Gjurmë plagësh gëdhendur përbrenda meje 
Unë mundohem të falë 
Mundohem të harroj 
Mundohem të jem njerëzore 
Unë falë 
Por nuk harroj 
Ti 
Më ke damkosur 
për jetë.




PRINCESHË E FRIKËSUAR

Princesha 
deshi të shkoi 
Dhe shkoi 
Larg tutje 
Shkoi 
Dhe kurrë më nuk u kthye 
Ajo ishte e frikësuar 
E frikësuar 
Të qëndroi 
Dhe 
Ta lë përrallën të rifilloi




KUR JETA TË KETË HARRUAR 

Kur jeta të të ketë harruar tutje 
Dhe ti vetëm ekziston 

Kur shpirti yt të jetë bërë një i huaj 
Dhe ndjenjat t’u kenë bërë vend demonëve 
Brenda teje 

Kur besimi që njëherë e pate 
Nuk të jep më shpresë 

Kur zemra jote të jetë bërë vetëm organ  
që pompon gjak 
Dhe dashuria të jetë fëshehur 
Në hijen e armikut 

Kur  të mos mundësh të frymosh 
Nga dhembja që të ha nga përbrenda 
Dhe kur mendon se s’mund të përballosh 
Më shumë 

Qëndro miku im! 
Qëndro!




MENDIM POETIK 

Nëse ekziston një përpjetëz deri në qiell 
Ajo duhet të jetë jashtëzakonisht e gjatë. 

Tmerrësisht tepër tepër e gjatë!




ANKTH 

Unë nuk kam frikë nga vdekja 
Unë kam frikë nga procesi i vdekjes.

________________
Përgatiti: R. Sheqiri