Donnerstag, 11. Oktober 2018

Ndue Lazri - Dy cmime Nobel në një rrugë

Ndue Lazri

(Nënë Tereza e Guglielmo Marconi )

Po ngjiteshim nga Venezia për në Treviso bashkë me mikun tim, Gjergj Dedaj, zëvendësministër i jashtëm i Republikës së Kosovës. Jemi të ftuar për të marrë pjesë në përurimin e shtatores së Nënë Terezes, në Quinto. Një iniciativë e komunitetit shqiptar në zonën e Trevisos, pritur me kënaqësi nga kryetari i bashkisë dhe e gjithë komuna e Quintos, që kanë ndihmuar konkretisht në realizimin e këtij projekti.
Gjergji është njeri shumë patriot, i lidhur familjarisht me rrënjët e vërteta të shqiptarizmit, me tokën e traditat shqiptare në Shqipëri e në Kosovë e me figura të tilla si Gjergj Kastrioti e Nënë Tereza, që janë emblema të identitetit tonë kombëtar. Prandaj edhe biseda rreth këtyre figurave vjen e natyrshme. 
-Është gjë e bukur e me vlerë që diaspora po kujtohet për të vënë shtatore e monumente të Nënë Terezes aty ku jetojnë e punojnë shqiptarë në emigracion. Kjo na i mbush zemrat me gëzim e na bën të vijmë me shumë kënaqësi në përurime të tilla,-thotë Gjergji.
Unë i tregoj që emigrantët shqiptarë në Itali i kushtojnë shumë vëmendje figurës së Nënë Terezes. Ne kemi dy shoqata që mbajnë emrin e kësaj gruaje të madhe të kombit tonë, në Pesaro e në Modena. Po i flisja edhe për aktivitetin e bukur të organizuar një javë më parë nga Forum Donne Indipendenti e shkolla “Scanderbeg” Parma, kushtuar pikërisht Nënë Terezes. Kur vjen shtatori, muaj që na kujton ditën e shenjtërimit të kësaj shenjtoreje shqiptare, shumë shoqata të emigrantëve shqiptarë në Itali organizojnë veprimtari të ndryshme për të evokuar emrin dhe figurën e Nënë Terezes, që na bën të ndihemi krenarë dhe të devotshëm ndaj saj. E aktiviteti në Parma, që kishte vazhduar për disa orë me këngë e recitime kushtuar Nënë Terezes, me fëmijët që përcillnin në kartela të shkruara fjalët e saj të mençura, me vallet e bukura të grupit “Mille stelle”, që e ka shtuar repertorin e vet me valle të reja, ishte një nga aktivitetet më të bukura kushtuar kësaj figure.
Hyjmë në komunën e Quintos dhe ja tek gjendemi në rrugën “Guglielmo Marconi”. E pikërisht aty në krye të kësaj rruge është vendosur shtatorja e Nënë Terezes, e mbuluar akoma, për t'u zbuluar në ceremoninë e përurimit të saj. Më vjen idea që jo rastësisht është zgjedhur pikërisht kjo rrugë për të vënë shtatoren e Nënë Terezes. Guglielmo Marconi, shkencëtari i shquar nga provinca e Bolonjës, është fitues i çmimit Nobel për fizikën. Dhe Nënë Tereza, misionarja e shenjtorja e shquar shqiptare është fituese e çmimit Nobel për paqen. Dy emra, të cilët që nga kjo ditë i japin një peshë e domethënie më të madhe kësaj rruge në qendër të Quintos. Më vjen ndër mendje edhe ajo ditë kur Nënë Tereza pat ardhur në Bolonjë dhe iu rezervua një pritje e jashtëzakonshme. Mbi dhjetë minuta duartrokitje të publikut të ngritur në këmbë në sallën ku ajo shqiptoi fjalë të mençura që i prekën thellësisht të pranishmit.
Ceremonia e përurimit zhvillohet me një pjesëmarrje të gjerë të komunitetit shqiptar në zonë, por edhe të shumë qytetarëve italianë që e presin shenjtoren shqiptare si banoren më të re të komunës së tyre, me pjesëmarrjen e autoriteteve të pushtetit lokal, por edhe të mysafirëve të nderuar që kanë ardhur nga larg, nga Kosova, nga ambasada e Kosovës në Romë, nga konsullata shqiptare e ajo e Kosovës në Milano, nga parlamenti i Kroacisë etj.
Dom Lush Gjergji, vikar i përgjithshëm i ipeshkvisë së Kosovës thotë një lutje të shkurtër me këtë rast. Ai është njohës perfekt i jetës dhe veprimtarisë së shenjtores shqiptare, ka shkruar 17 libra kushtuar asaj. Madje disa libra i ka sjellë edhe këtu për pjesëmarrësit në këtë festë të shënuar. Ai do të mbante më pastaj edhe një fjalë emocionuese kushtuar Nënë Terezes.
Shtatoren, midis duartrokitjeve të të pranishmëve e zbuloi zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj. Dhe ja tek shfaqet figura e dashur e nënë Terezes, me atë buzëqeshjen e saj të ngrohtë e atë vështrim që çonte dritë e shpresë në zemrat e njerëzve më të mjerë e të atyre që mbase jetonin ditët e orët e fundit. Ajo duket sikur zbret në çast midis njerëzve, midis bashkëatdhetarëve e do të lëvizë bashkë me ta nëpër rrugën “Marconi”. Në këtë pozicion e ide e ka kompozuar veprën e tij skulptori Agron Bytyçi. E njerëzit e komunitetit shqiptar në Quinto kanë kontribuar me punë e të ardhura që kjo figurë e dashur e kombit tonë të zbriste kështu si e gjallë midis tyre për të qenë përjetësisht aty.
Deputetja e parlamentit kroat, Erminia Leka Perljaskaj afrohet e bën foto tek shtatorja e thotë: Një gëzim të tillë e përjetuam para disa ditësh edhe në Rjeka të Kroacisë. Edhe aty e inauguruam monumentin e Nënë Terezes.
Takoj ambasadoren e Kosovës, Alma Lama. E kudogjendur në aktivitetet e shqiptarëve, ajo vjen me kënaqësi kur e ftojnë shoqatat, duke qenë një diplomate e shkrirë me komunitetin shqiptar, gjithnjë e përzemërt, dashamirëse, buzagaz e me një thjeshtësi që të bën për vete. Ajo flet shpenguar para kamerave të TV Rai, që ka ardhur të pasqyrojë këtë eveniment, por edhe në tribunën e ngritur me këtë rast solemn.
Flasin edhe kryetari i bashkisë së Quintos, Mauro Dal Zilio zëvendësministri i jashtëm i Kosovës Anton Berisha, zëvendësministri i diasporës Afrim Bekteshi, profesoresha e nderuar Lucia Nadin që e ndjek me aq dëshirë historinë e kulturën shqiptare e ka publikuar disa libra interesantë në këtë fushë e të tjerë.
Sheshi përpara tribunës është i mbushur plot me pjesëmarrës në këtë festë të bukur. Takoj me kënaqësi Shpresa Kameraj Patterer e koleget e saj që vijnë nga Fondacioni Dukagjini në Austri, Heset Ahmeti e prof. Peter Shtoka që vijnë nga Koperi në Slloveni, Ndue Pal Qokaj, grupi i valleve “Shqiponja” e aktivistja Antoneta Nushi që vijnë nga Lecco, intelektualët dhe drejtuesit e shoqatës “Besa” në Padova, Vojsava Zagali e Gëzim Muçolli, veporimtaren e palodhur të diasporës Vitore Stefa Leka, valltarët e talentuar të Trevisos e shumë të tjerë.
Kryetarin e këshillit drejtues të këtij evenimenti, Bajram Desku e shikoj disi më të relaksuar pas disa muaj lodhjeje e preokupimesh që gjithçka të shkonte mirë në ardhjen e Nënë Terezes në Quinto. Me të kishim folur në seminarin e arsimit të diasporës në Tiranë e ai që atëherë mundohej të organizonte gjithçka në detaje për ditën e shënuar. I palodhuri Bajram është edhe mësues i shkollës shqipe në Quinto.
Festa vazhdon deri vonë, ndonëse me mikun tim, Gjergj Dedaj në një farë ore u larguam sërish drejt Venezias. Ajo do të vazhdonte me meshën e organizuar me këtë rast, me darkën e bukur midis bashkatdhetarësh në një nga lokalet e Quintos dhe me takimin e organizuar të nesërmen nga përfaqësues të shtetit të Kosovës me përfaqësues të diasporës shqiptare në Itali.


Mbrëmja bie e bukur mbi Quinto. Ndizen dritat në rrugën “Marconi” e Nënë Tereza i përshëndet ngrohtësisht kalimtarët, me të cilët tashmë do të shkëmbejë përjetësisht buzëqeshjen e saj emblematike.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen