Samstag, 4. Mai 2013

Kushtet jetësore të emigrantëve shqiptarë në Austri të Epërme


Rezultatet e studimit nga projekti i Universitetit të Linz-it

Nga Ramiz Selimi
 
Qëllimi i hartimit të këtij projekti ishte nxjerrja e numrit  të qytetarëve shqiptarë në Austri të Epërme, hulumtimi për formën  e të jetuarit, banimit, punën që kryejnë,ndjenjat për vendlindjen, shkollimin  dhe planet për të ardhmen.



Nënkryetari i Landit Josef Acker, Zonja Edvana Gjashta, Prof.DrJohan Bacher, Dr.Miran Sadiku, ambasadori Dr. Sabri Kiqmari zonja Mag. Daniela Wetzelhieter dhe Ramiz Selimi


Ka shumë kohë që spekulohet me numrin dhe mënyrën e jetesës së emigrantëve  shqiptarë në vende të ndryshme të botës, si nga vendet pritëse po ashtu edhe nga ato të origjinës. P.sh. në Austri organet shtetërore nuk japin shifra të sakta për numrin e atyre që flasin gjuhen shqipe, shkaku i vendit të origjinës dhe shtetësive të  ndryshme që posedojnë ata.  Sipas tyre numrat oficiel të këtij komuniteti sillen diku rreth 30 mijë shqiptarë në tërë Austrinë, që nuk është as përafërsisht i saktë.

Për të sqaruar ketë dilemë në Austri të Epërme është angazhuar Dr. Miran Sadiku, bashkëpunëtorë për projekte në Universitetin Johan Kepler të Linz-it, duke qenë njeri nga bartësit kryesorë të këtij projekti. Ai  është ndihmuar edhe nga zonja  Mag. Daniela Wetzelhieter  nën mbikëqyrjen e Univ. Prof. Dr. Johan Bacher. Ndërsa realizimin e bëri të mundshëm  me financimin e tij nënkryetari i Landit Josef Ackerl   dhe enti social i Austrisë së Epërme.

 Qëllimi i hartimit të këtij projekti ishte nxjerrja e numrit  të qytetarëve shqiptarë në Austri të Epërme, duke filluar nga mosha, gjinia, besimi si dhe hulumtimi për formën  e të jetuarit në emigracion, punën që kryejnë ,shkollimin,  banimin, planet për të ardhmen dhe shkollimin e fëmijëve. Hulumtimi vlen edhe për të përcaktuar nevojat e shoqatave aktive në fushën e integrimit , nevojat dhe orientimin e tyre në vitet e ardhshme.



Nga 5020 familje mbi 11000 të intervistuar

Numrat  e qytetarëve që flasin gjuhën shqipe janë nxjerrë nga  qendra e të regjistruarve në Austrinë e Epërme, duke u bazuar në  emra dhe vendlindjen nga gjenerata e parë. Ata që kanë ndryshuar emrat mund të mos jenë përfshirë në ketë numërim. Ky numër që është publikuar tani  (prej 18929 shqiptarë në Austri të Epërme, ose Linz me rrethinë) mund të jetë përafërsisht i saktë.  Objektivat e studimit ishin për të mbledhur informacione më të sakta mbi historinë e emigrimit si dhe perspektivat për të ardhmen.

Nga 5020 familje shqiptare që jetojnë në Austri të Epërme janë intervistuar  11229 persona për të fituar të dhënat e publikuara. Të intervistuarit vinin nga të gjitha viset shqiptare, nga Kosova me Luginë ishin 55,8%, nga Maqedonia 32,1 % dhe nga Shqipëria 12,1 %. Më shumë se gjysma e emigrantëve të intervistuar posedojnë shtetësinë austriake, 38,2 % kanë status të qëndrimit të kufizuar, 7,9 % kanë leje të pakufizuar qëndrimi, 3,5% e tyre janë nxënës të shkollave të mesme dhe student, 1,2 % janë azilkërkues dhe 1.1% janë të lindur austriak.

Sa i përket punësimit  në pyetjen, se sa kanë arritur të integrohen këta qytetarë në vendet e punës, shumica e tyre edhe pse punojnë punë të ndryshme fizike janë të lumtur me punën dhe profesionin që ushtrojnë.  Vetëm 14% e të punësuarve  janë të pakënaqur me punën që bëjnë.  Kënaqshmëria me kushtet e punës dhe klima e cila mbretëron në vendin e punës,  shumica janë shprehur  tejet të kënaqur, vetëm 7.4% nuk janë të kënaqur me kushtet  e ofruara në punë. Pothuajse numri  i përqindjes mbetet identik edhe në pyetjen, sa janë të kënaqur me të ardhurat mujore.  Mbi 91% janë të kënaqur dhe kanë raporte të mira me kolegët e tyre austriak.Gjithashtu raportet janë në nivel shumë të mirë edhe me mbikëqyrësit dhe me drejtuesit menaxhues.



Nënkryetari Landit Josef Ackerl dhe Ambasadori Dr. Sabri Kiqmari




40% e shqiptarëve kanë banesa ose shtëpi të tyre në Austri

70.2% e forcës punëtore janë të punësuar nga dy gjinitë, prej tyre 94,9 të gjinisë mashkullore punojnë dhe 39,1 nga gjinia femërore. Bie në sy papunësia e lart e gjinisë femërore, kjo mund të arsyetohet edhe me angazhimin e kësaj gjinie në përkujdesjen e familjes. Në bazë të shifrave të publikuar 60.9% e gjinisë femërore janë të papunë.

Martesat kanë më shumë rëndësi në organizimin familjar të qytetarëve që flasin gjuhën shqipe.  81,7%  e tyre janë të martuar. 13.9% jetojnë të vetëm, kurse 4,4% jetojnë në bashkëjetesë, të divorcuar dhe të vej(ushë)an.Familjet që nuk kanë fëmijë janë kështu: 63,4% të ardhurve nga Shqipëria nuk kanë fëmijë, 56,1 nga Maqedonia,39,7 nga Kosova, gjithsejtë 47,9 nga të anketuarit nuk kanë fëmijë. 27,9 % kanë nga një fëmijë, kurse 17,4% kanë nga dy fëmijë. 6% e familjeve nga Kosova kanë nga tre fëmijë dhe 3,8 nga Maqedonia. 4,4% e familjeve nga Kosova kanë katër dhe më shumë fëmijë. Asnjë familje e intervistuar nga Shqipëria  dhe Maqedonia nuk kanë nga katër fëmijë.

Secili shqiptarë mesatarisht posedon në Austri të Epërme 21,52 m² banimi për kokë, ndërsa 32,7 % e shqiptarëve kanë banesat apo shtëpitë pronë të tyre. Kostoja e banimit mesatarisht është  € -529, ose për m² =7,90 €, është me e lartë se sa mesatarja e qytetarëve vendas që paguajnë vetëm 5,7 € për m². Në pyetjen se sa jeni të kënaqur me kushtet e banimit, pothuajse mbi 90 % e tyre janë shumë të lumtur me kushtet që kanë.



Vetëm 11,3%  mendojnë se do të kthehen!

Mundësit rekreative dhe shfrytëzimi i kohës së lirë pëlqehet nga 78,1%. 66,0% vizitojnë të afërmit dhe miqtë, 65,7% merren me familjet e tyre, 28% merren me sport dhe 18,7 % me aktivitete kulturore. Në pyetjen për tu vetëvlerësuar, se sa e njohin gjuhën gjermane, 37,11  % e kanë gjuhën gjermane si gjuhë të parë, 58,2% e flasin gjuhën në fjalë dhe shkrim shumë mirë dhe mirë, 13,2% kanë deficite.

Interesant është fakti se shumica  e shqiptarëve edhe pse posedojnë shtetësi austriake ndihen si të huaj, 69,2% mendojnë që janë të huaj(Ausländer), 18,8% thonë se janë austriak me prejardhje te huaj, 4,1% mendojnë se janë te integruar mirë dhe ndihen plotësisht austriak.

Në pyetjen,perspektiva për të ardhmen dhe kthimi në atdhe, të intervistuarit dallojnë në mendime në bazë të moshës dhe gjeneratave. Përderisa gjenerata e parë jeton akoma me shpresën për tu kthyer ne vendlindje, gjenerata e dytë dhe e tret ka mendim komplet të kundërt me prindërit e tyre, duke ndryshuar mesataren  e studimit në ketë pyetje. 29,1% e shohin Austrinë si vendin e tyre të përhershëm dhe vetëm 11,3% e tyre mendojnë se njëditë do të kthehen, 27.5% janë në hamendje për të vendosur se ku do të jetojnë familjet e tyre, me tendencë Austrinë , por ata thonë sipas të gjitha gjasave nuk do të kthehen, 25,9%  nuk duan të mendojnë se cilit shtet do ti përkasin. 55,9% e të rinjve janë përcaktuar për Austrinë,  si shtetin e vetëm ku do ta  kalojnë jetën.


Dr. Miran Sadiku gjatë prezantimit, zonja Edvana Gjashta dhe nënkryetari Josef Ackerl



Dëshira e prindërve për shkollim të lartë, kontraproduktive

Kur të bashkohen të gjithë numrat së bashku nga gjenerata e dytë për të treguar ndjenjat se çfarë nacionaliteti i përkasin, 15,5% mendojnë se i përkasin nacionalitetit austriak, 45,0% të intervistuarve thonë se janë të nacionalitetit austriak, por me prejardhje të huaj, 37,2% mendojnë se nuk kanë nacionalitet austriak. 78,3% e anketuarve thonë se do mbeten çdoherë në Austri. Pjesa më e madhe e qytetarëve që flasin gjuhën shqipe do të dëshironin dyshtetësinë, e cila mbetet për tu aprovuar në parlament.

Edhe në ketë studim janë analizuar problemet dhe mungesa e suksesit  në shkollimin e lartë. Shumë prindër nga gjenerata e parë kanë përfunduar shkollën e mesme në vendlindje, e disa tjerë kanë studiuar. Një numër i vogël i tyre që përfunduan studimet në vendlindje emigruan jashtë. Të rrallë ishin ata që nostrifikuan diplomat, por edhe ata që vazhduan studimet. Shumica e tyre u punësuan dhe harruan shkollimin, është njerëzore që pas një periudhe të gjatë, duke punuar punë tjera,  të harrohet teoria e mësuar në vendlindje. Ata më shumë  i ngjajnë një punëtori paprofesion se sa një të shkolluari. Pikërisht këta  e përbejnë një pjesë bukur të madhe të mërgatës së sotme. Ata mendojnë se janë të shkolluar dhe bëjnë presion të vazhdueshëm në fëmijët e tyre, që me çdo kusht fëmija të arrij atje ku ai nuk kishte mundur, më ketë e dëmton pavetëdije fëmijën.

Shumica e prindërve të anketuar, apo saktësisht 54,9% dëshirojnë që fëmijët e tyre të përfundojnë studimet. 38,9 % shprehin dëshirën që fëmijët e tyre të përfundojnë maturën. Pikërisht aspiratat arsimore dhe pritjet e larta të prindërve, si rezultat i kësaj fëmijët po demonstrojnë  anën negative në suksese. Pritjet e larta e të pabaza të prindërve, në shumicën e rasteve po i vendosin fëmijët në një presion të madh psikik duke i shtyrë ata të devijojnë dhe të mbesin edhe pa profesione. Numrat dhe faktet e atyre që kanë përfunduar maturën apo studimet  nga fëmijët e mërgimtarëve janë shumë modeste, me nevojë të madhe përmirësimi. Kurse studentët mund të numërohen në gishta të dorës. Presioni i prindërve duhet të shmanget  sepse deri me tani është treguar kontraproduktive. Orientimi me kohë në zanate dhe profesione të ndryshme, do tu ndihmojë atyre në jetën e përditshme,  duke ju mundësuar zbulimin e talentit dhe dëshirës së tyre. Pa presion ata do e gjejnë edhe rrugën e mësimit.

Gjatë bisedës  me Prof,Dr, Johan Bacher, ai  tregonte se edhe sot vijnë shumë student nga Kosova me moton për të studiuar, por vetëm 1% e tyre arrin të studion, sepse provimi i gjuhës gjermane është kafshatë e pakapërcyeshme, vetëm 0,2% arrin të përfundojë studimet, do të thotë 2 student nga 800 të regjistruar. Pas tri-katër viteve pjesa dërmuese e këtyre studentëve integrohet në punë të ndryshme fizike.


Foto tjera:
 
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen