Freitag, 21. Januar 2022

Mustafë Krasniqi: MASHTRIMI

Mustafë Krasniqi

MASHTRIMI
(Mërgimtarëve)

Çka mendoni ju…
Kokën pa shall e plis 
Luteni për rrugën  
Ikjen për në mërgim!?

Fëmijëve ua hani kokën
Prapa kodrave mashtruese
Në fund të botës së ferrit
Ende pa rënë perdja e diellit.

Të rinjtë rrugëve bredhin
Me një copë bukë, në dorë
Përvëlohet në diell,
Në acar i ngrihet loti n‘fyt

I riu në këtë rrugë të verbër
Shpërthehet n’lot dhimbje
Lutet për baltën e dheut 
Koha ia han shpresën!

Mashtrimi i bëhet gur malli
Në rrugët e botës helm
Ende pa rënë perdja e diellit
Faqeve lotët u thahen!

Kthehu gjaku im i njom, rini
Mashtrimi i rrugës së mërgimit
Është mallkimi i jetës sonë!

Mos ikni nga atdheu i (I)lirisë
Rinia ime me plise e zemër të bardhë!

Sonntag, 11. Oktober 2020

Veprimtari e suksesshme katërvjeçare e Radio Lyrës


Shkruan: Haxhi MUHAXHERI

Me shtate shtator u bënë katër vjet qëkur Radio Lyra filloi të transmetoj nga Suedia në internet programe muzikore dhe argetuese për dëgjuesit e saj. Fillimisht, përpos themeluesit të saj z. Hysni Baliu, kontributin e tyre nëpër emisonet që transmetoheshin e kanë dhënë edhe bashkemoderatoret tjerë, si: Agim Gashi, Nexhmedin Grlica dhe Xhemë Buçi. E pikërisht këta katër që i përmendem, me angazhimin dhe punën e tyre u bënë sebep që kjo radio ta fitonte dalngadale besimin e dëgjuesve dhe ta merrte të mbarën, duke ngarendur kësisoj drejt formësimit dhe pasurimit të skemës programore. Për të qenë sa më i saktë, duhet përmendur se në ketë radio (për një kohë të shkurtër), me paraqitjet e tij ka kontribuar edhe moderatori Agim Zeka. Po ashtu, nuk duhet harruar edhe kontributin qe kanë dhën poetet Lirije Bimi dhe Hana Xhihani, me deklamimin e poezive të autorëve të ndryshëm shqiptarë.


Ardhjet e reja dhe pasurimi i skemës programore

Me kalimin e kohës, ekipi i Radio Lyrës u zgjerua me me moderator te tjere të cilët me emisionet dhe kontributin e tyre ndikuan padyshim në pasurimin e skemës programore. Kjo bëri që Radio Lyra te jetë edhe më afër me degjuesit, të ketë me tepër laryshi programore, te plotësoj kërkesat dhe dëshirat e dëgjuesve me emisione të ndryshme argetuese që atyre iu pelqenin. Kështu, zërat e rinj që filluan të dëgjoheshin nga pulti i transmetimit, zgjuan kërshërinë dhe interesimin e dëgjuesve për këtë radio. Dhe padyshim, numri i tyre u rrit. U rrit, sepse u shtuan emisionet. U shtua numri i dëgjuesve, sepse u zgjat koha e transmetimeve të drejtëpërdrejta. Dhe krejt kjo ndodhi falë ardhjës dhe kontributit të moderatorëve Viktor Prenaj, Zana Berisha, Shenasi Aliu, Nazim Salihu-Noli dhe Anila Kodra. Por, doemos duhet thënë se meritat me të mëdha i takojnë patjetër themeluesit Hysni Baliu, i cili pënjëmend u tregua tepër i zoti përsa i përket qështjës organizative, duke komunikuar hapur dhe duke u dalur gjithmonë në ndihmë bashkëpunëtorëve të tij.


Programet që transmeton Radi Lyra

„Mesdita me Zanën“, „Krejt nga pak“, “Emisioni i natës”, “Noli Show”, “Të mendojmë pozitivisht”, „Poezia në Radio Lyra“, „Të qeshim së bashku“, „Bimet aromatike dhe shëndeti“, „Kujtime jete“, Dëgjuesit në moderim“ etj.

Vlenë përmendur njëherit se emisioni që më së shumti i sjell dëgjues Radio Lyrës është "Emisioni i natës" i udhëhequr krejt spontanisht dhe natyrshëm nga Viktor Prenaj.

E krejt në fund, mbase pa modesti por nga dëshira për të mos lejuar që ta mbulojë pluhuri i harresës; po e cekim se pikërisht autori i këtij shkrimi ishte ai që i dha emër kësaj radio, duke e pagëzuar atë me emrin e bukur që mban - Radio LYRA.

E po, suksese miq!

Samstag, 28. März 2020

Liri Loshi : Në përvjetorin e Masakrës se Izbicës

Liri Loshi
(Tregimi im për Izbicën botuar në gazetën Koha Ditore 10 vite më parë!)

Në përvjetorin e dhjetë

PAS DHJETË VITESH IZBICA TROKET NË NDËRGJEGJËN TONË 

Shkruan: Liri Loshi


Më 28 mars 1999 masakra që bëri Serbia në Izbicë, mundi të trishtonte vetëm një grup njerëzish në Luginën e Izbicës, të cilët me dhembjen e madhe në shpirt për të afërmit dhe bashkëkombësit e tyre, arritën që brenda dy ditësh t`i varrosnin 127 trupa të pajetë. Pas një muaji, me deportimin e kasetës së Izbicës, kjo ngjarje trishtoi tërë botën.
​Pas 10 vjetësh në Izbicë, përveç një pllake te thjeshte, njeriu nuk gjen asnjë shenje tjetër përkujdesjeje qe flet për te vërtetën tone te dhembshme.

Më 31 mars dhe një prill 1999,  ushtarët e UÇK-së, familjarët, dhe civilët tjerë u bënin nderin e fundit viktimave të masakrës që kishte ndodhur vetëm dy ditë më parë. Duke varrosur të vdekurit, ata po injoronin rrezikun që mund të ishte fatal për jetët e tyre. Makineria serbe, si një bishë e kënaqur me prenë e saj, po kridhej vetëm disa qindra metra tutje. Sapo ta ndiente erën e njeriut te gjallë, ajo do të mund të kthehej përsëri në vendin e krimit.  Në punën e tyre të shenjtë, njerëzit po i ruante Zoti dhe reliefi kodrinor i kësaj pjese të Drenicës që bënte të padukshme pamjen e varreve dhe të njerëzve nga forcat serbe. Numri i të gjallëve që po hapnin varre ishte disa herë më i vogël se sa numri i trupave të vrarë. Ata nuk dinin ç`kishte ndodhur dy ditë më parë me gratë e fëmijët e tyre që ishin përzënë në drejtim të Shqipërisë, pikërisht në kohën kur po dëgjonin krismat e ekzekutimit te prindërve, gjyshërve e burrave te tyre. Këto krisma po shuanin jetët e fshatarëve të pafajshëm duke përpirë klithmat e dhembjeve të fundit që bashkë me shpirtin e tyre po ngjitej drejt qiellit hyjnor mbi tokën e shenjtë të atdheut. Gjaku gjysmë i tharë që dy ditë më parë kishte spërkatur fushat e Izbicës, nuk po i ligështonte njerëzit. Përkundrazi, ai gjak po ua shtonte forcën që ceremoninë e varrimit ta kryenin me sukses të plotë. 
​Dhe, derisa kamera bashkë me pamjet e tmerrshme po kapte edhe këtë akt madhështor të njerëzve të Drenicës, unë kisha filluar ta imagjinoja vetveten në një zog që ngrihet në qiell dhe duke fluturuar mbi re kalon vargonjtë e rrethimit serb për t`i dhënë botës lajmin dhe fotografinë e kasaphanës në Izbicë.

E VËRTETA QË DONTE TA SHPËRTHENTE TRASTËN E MJEKUT

Pasi varrosëm edhe trupat e fundit në ditën e dytë, gjeta tre dëshmitarët që kishin mbijetuar masakrën dhe i vura në vendin ku ende dukej i freskët krimi që të rrëfenin para syrit të kamerës për çastet e tyre të vdekjes që për ta nuk ishte shkruar të quhej vdekje. Dhe, ditën e tretë, me kasetën në trastë, me listën e pushkatimit dhe me pushkë në krah u nisa rrugëve të Drenicës për ta gjetur një telefon që thuhej se ekzistonte diku ne shtabin e Drenices afër Qirezit. Të nesërmen tjetër arrita ne shtab, arrita ta prekja telefonin, por jo edhe ta përdorja atë. Sapo isha futur në selinë e shtabit, erdhi lajmi se forcat serbe hyrën në Qirez. Tani Izbica dukej se po ndodhte gjithkund në Drenicë e anekënd tokës së Kosovës. Listën e lash në shtab me një porosi për përgjegjësin për informim te Zonës dhe vazhdova rrugën e kthimit në Izbicë, ku kisha lënë të plagosurit e mi. Bashke me listën lashë lajmin e shkruar qe duhej percjellur si dhe vërejtjen, se sapo te piqeshin kushtet kasetën do ta deportonim jashtë Kosove. Lajmi u dha shume shpejt, por prova për të vërtetën ishte ende në trastën time. Dhe kjo priste një ditë pakëz më të përshtatshme për ta kaluar kufirin me Shqipërinë.
Pas dy javësh të ngjarjes së Izbicës, NATO kishte arritur që t`i prezantonte botës pamjet e varrezave të Izbicës të bëra përmes sateliteve ajror, por prova për trupat e masakruar dhe për varret e tyre përsëri ishte shumë larg syrit të botës. Kjo provë ende po rrinte pranë ilaçeve dhe fashave në trastën time të mjekut dhe e trishtuar në errësirën e asaj traste, po kërkonte shpëtimin nga njeriu që bartte atë në krah.

Menjëherë pas lajmit dhe fotografive të NATOS, Televizioni i Beogradit ishte përkujdesur për t`i dhënë botës një fragment të një fshati tjetër, ku fshatarët serbë me "emra" shqiptarësh po dëshmonin për jetën e tyre të qetë në "Izbicë" dhe për ato që ata i quanin gënjeshtra të NATO-s dhe të shqiptarëve. Mediat në botë po komentonin në mënyra të ndryshme këtë ngjarje duke e prezantuar atë herë si një provë të mundshme për krimet serbe në Kosovë e herë si arsyetim të kurdisur të NATO-s që po bombardonte Serbinë "e pafajshme". Dhe ajo që duhej të fliste e t`i thoshte botës se unë jam e vërteta lakuriq për Izbicën, po ziente në vete me inat në trastën time. Ziente në vete kaseta apo ishte mendja ime e frustruar që shihja një dokument aq të fuqishëm që dukej se po vdiste dalëngadalë në duart e mia! Dhe, pas frustrimit ndjenja e fajit - ç'bëra unë për Kosovën në kohën kur i madhi Zot ma dha fatin dhe fuqinë që ta beja këtë dokument. Vdekja e këtij dokumenti për mua ishte turpi më i madh që do të më përcillte në jetë sikur të kisha fatin t`i shpëtoja asaj katrahure. Se duhej bërë diçka e dija, por si t`i merrja ata krahë e të fluturoja mbi qiell kur rrugët në tokën time tashmë pëllëmbë për pëllëmbë të djegur, më ishin bllokuar. A do të qahej ai bllokim?  Gjasat ishin 50 me 50! Vrasja apo zënia ime për së gjalli do të thoshte rënie në dorë apo zhdukje e kasetës që po pëlciste për të folur para botës për gjakun e derdhur të civilëve të pafajshëm në Izbicë. Prandaj unë duhej të dilja ta prekja prehrin e nënës Shqipëri para se të vritesha, sepse nga ai prehër mund të flisja lirshëm para botës për atë që pashë me sytë e mi. Unë duhet te jetoja për te folur. Qe nga 20 marsi nuk gjendej asnjë gazetar i perëndimit ne Kosove dhe gjasat qe ndonjëri syresh te hynte dhe t`ia jepte një lajm botes për zezonën tone, ishin baras me zero. 


KASETA MBUSHI BATERITË E MBËSHTETJES AMERIKANE

 ​Pas një plani të hollësishëm, me dy ushtarë të UÇK-së kalova bjeshkët e larta e te rrepishme dhe brenda ditës u gjenda ne Rozhaje. Aty, pasi kisha bere një dokument fals te identifikimit, ku emri im paraqitej si Burim Gashi nga Peja, kalova te gjitha punktet dhe kufirin malazezo-shqiptar dhe preka prehrin e ngrohte te nenës. Në Tiranë arrita t`i bëja disa kopje të kasetës dhe më pastaj atë t`i jepja NATO-s, Shtëpisë së Bardhë dhe Zyrës së Tribunalit të Hagës. Pamjet e tmerrshme për njerëzimin u dhanë së pari nga CNN, televizion ky që në mënyrën më të rrufeshme depërtonte lajmet për Kosovën.
Dhe përderisa lajmi për Izbicën po jepej  nga një televizion ne tjetrin ane e kënd botes, gruaja ime me tre fëmijët po përpëliteshin diku rrugëve të Malit të Zi për t`u bashkuar me  burrin dhe babanë e tyre në token e lire te Shqipërisë.  Me kolegët e informimit në Televizion e Kosovës në Tiranë, nuk e kisha folur asnjë fjalë rreth familjes. Të bisedosh për fatin e paditur të familjes tënde, në një kohë kur njerëz dhe familje të tëra në Kosovë kishin përfunduar dikush nën varre e te tjeret te mbetur pa varre, ishte baras me një dëshirë egoiste. ​
​Me 19 Maj 1999, pas disa ditësh pune intensive, inteligjenca e sigurimit shtetëror amerikan i kishte dhënë dritën jeshile Shtëpisë së Bardhë, se kaseta që ata kishin në dorë ishte vërtet ajo që kishin pritur dhe se shteti Amerikan mund të konfirmonte para botës se pamjet e bëra nga satelitët e NATOS me 14 prill, pra rreth dy javë pas masakrës dhe pamjet nga kopja e kasetës sime, ishin identike. Brifingu i James Rubin, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë në administratën e Klintonit, më 19 maj nuk kishte temë tjetër pos kasetën e Izbicës. Imazh pas imazhi, duke ndalë projektorin për t`i analizuar pamjet e kasetës sime, James Rubin demonstroi bindshëm çdo detaj të kësaj përputhjeje. Pastaj foli NATO edhe njëherë. Pastaj foli Haga. Fill pas kësaj u publikua aktakuza kundër Sllobodan Millosheviqit dhe makinerisë së tij për krimet në Kosovë. Drejtori i hetuesisë në Hagë, tha publikisht se pamjet e kasetës së Izbicës mposhten te gjitha hezitimet e Tribunalit për ta shpallur menjëherë Aktakuzën kundër Millosheviqit. Varianti tjetër ishte qe Aktakuza te shpallej pas përfundimit te luftës, meqë tani Millosheviqi i shtyre nga kjo mund ta zbrazte tere mllefin mbi shqiptaret e Kosovës. Komentuesit e kohës spekuluan se NATO mori kurajë morale për t`i vazhduar sulmet mbi caqet serbe. Millosheviqit i ra poshtë gënjeshtra se ai nuk po bënte krime në Kosovë dhe se nuk i kishte mbetur më ndonjë argument për ta sfiduar politikisht bombardimin. Presidenti Clinton ndjeu veten më të sigurt në misionin e tij ndaj katastrofës se Kosovës. Mbi të gjitha, populli amerikan i cili ishte ushqyer bukur keq nga propaganda serbosllave për “viktimat e pafajshme në Serbi” e për “një gjendje fare të qetë në Kosovë”, zu t`i mbushte përsëri bateritë e mbeshtetjes së Clintonit. (Kjo mbështetje, sipas miqve te mi ne SHBA, ne prag të shfaqjes së pamjeve nga kjo kasetë, kishte filluar te binte dukshem).


PAS DHJETË VITESH IZBICA FOLI PËRSËRI

Pas dhjetë vitesh, Izbica foli përsëri me gjuhën e argumenteve për gjenocidin serb mbi popullin e Kosovës, kur në Hagë u dha dënimi për zyrtarët serbë që organizuan krimin. Dëshmia e Izbicës ishte evidence kyçe e Prokurorisë së Hagës për të kërkuar ndëshkimin e fajtorëve në të tri gjykimet kundër krimineleve serbë në Hagë. Njëkohësisht, është evidence kyçe, në të cilat u bazua ky Gjyq për te shqiptuar dënimet ndaj te akuzuarve. Ajo vazhdon të mbetet evidence kyçe edhe ne Gjyqin e ish zyrtarit te larte te policisë serbe Miroslav Gjorgjeviq. Edhe ne ballafaqimin e pritur të Kosovës me Serbinë përsëri në Gjyq për "legjitimitetin" e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, ky dokument do të jetë shumë i dobishëm po u dit të përdoret si duhet. Ne fakt, dhe për fat te keq, Gjyqi i Hagës nga e tërë lufta në Kosovë ka vetëm këtë evidence qe provon përmes shiritit filmik se në Kosovë Serbia ka kryer krime.

Por, një gjë që nuk ma ka ënda ta përmend e që më duhet ta them, ishte zhgënjimi im i asaj mbrëmjeje me televizionin publik të Kosovës. Në kohen kur nga banesa ime përtej Oqeanit Atlantik, me frymë të mbushur po shikoja lajmet pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë, RTK nuk jepte fotografi autentike të ngjarjeve që ndodhen ne Kosovë në kohën dhe për krimet për të cilat vërtet ishin dënuar kasapët serbë. Televizioni ynë, kishte marrë një fotografi të Woker-it, të pamjeve nga masakra në Reqak për të cilën as që po bëhej fjalë në aktakuzën e Hagës! Nuk kishte as biseda me dëshmitarët që me gjithë tmerrin e përjetuar gjeten forcë për te kontribuuar qe dënimi kundër 6 zyrtareve serbe te akuzuar te ishte sa me i larte, edhe pse pjesa dërmuese e atyre njerëzve janë aty në Kosovë dhe mund te gjenden brenda ditës. Pa humbur në asnjë çast respektin për viktimat e Recakut dhe për Woker-in si zë i fuqishëm i Amerikës për Kosovën, nuk munda ta le anash diletantizmin profesional të televizionit tonë që e quan vetën televizion publik.  Prandaj, atë mbrëmje thash me vete, a është e mundur që televizioni i shtetit tim, te mbuloje ngjarjen historike të dënimit të krimeve mbi Kosovën pa kurrfarë ndërgjegje dhe strategjie te informimit? A është e mundur qe ne një moment aq historik, por edhe bukur delikat për Kosovën, kur po shpallet fajtor agresioni serb dhe po dënohet nga Gjyqi ndërkombëtar, ata qe bëjnë emisionin ne RTK te mos i kenë lexuar te paktën pikat e akuzës se gjashte zyrtareve serbe te akuzuar? Dhe, fitova përshtypjen se isha duke dëgjuar një televizion ta zëmë afrikan, apo kinez, apo ku di unë prej kah, qe po fliste pa takt për ngjarjet ne vendin tim.


KUJT PO I DHEMB KOKA NGA E KALUARA?

​ Dhe, tani vijmë te një gjë edhe më e keqe. Dhjetë vite pas masakrës në Izbicë, njeriu që dëshiron të dijë se çka ka ndodhur atje, përveç një pllake te thjeshte me emrat e atyre qe u pushkatuan, nuk gjen të thuash asnjë gjurmë tjetër për te vërtetën e dhembshme.

​Para dhjete vjetësh Izbica trokiti në ndërgjegjen e civilizimit botëror. Pas dhjetë vjetësh Izbica troket në ndërgjegjen tonë. A është e mundur që të harrojmë aq shpejt? Nëse neve fillon te na dhemb koka nga e kaluara dhe nuk merremi me vetveten, pse presim aq shumë që bota të merret me neve? A e kemi bërë ne vërtet shtetin e Kosovës, apo vetëm po shtiremi se e kemi bërë. Tani është koha që qeveria jonë të mendojë për ngritjen e monumenteve të dhunës serbe mbi popullatën civile jo vetëm në Izbicë, por kudo në Kosovë. Izbica, mbase është vendi ku duhet të bëhet menjëherë diçka në këtë drejtim. Izbica është monumenti ynë. Kaseta e Izbicës është një pasuri e çmueshme, sepse është një dokumentar i përgatitur me përkushtim për këtë ngjarje të tmerrshme dhe ne duhet të përkujdesemi që këtë film ta shohin jo vetëm brezat tonë që vijnë, po edhe njerëzit nga të katër anët e botës që duan të mësojnë për holokaustin e shekullit te njëzetenjë që Serbia ushtroi mbi Kosovën. Duke u kujdesur për të kaluarën, ne punojmë për të ardhmen e Kosovës.

Sonntag, 15. Dezember 2019

Demush Gjonbalaj: LOKEMADHJA SHQIPËRI

Demush Gjonbalaj

LOKEMADHJA SHQIPËRI

Larg më ka degdisur jeta
E malli më përvëlon për Ty
Natëpërnatë të shoh në ënderr
Dhe zgjohem përplot me dashuri 

Oh - të kam si dritën e syve
Dhe më je e vetmja dashni
Ti më e bekuara e planetit
Lokemadhja ime - Shqipëri

1 dhjetor 2019

Freitag, 13. Dezember 2019

Raporti financiar i LSHKSH "Aleksandër Moisiu" në Austri

Atë që nuk e ka bërë deri më tash LKSHM, e bëri shoqata "A.Moisiu" në Austri. Sipas raportit të tyre financiar (2012 - 2019), del se fondi është menagjuar në mënyrën më serioze të mundshme. Prandaj, lirisht mund të themi se ky mund të jetë shembull i mirë edhe për shoqatat tjera simotra.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë "Aleksandër Moisiu" në Austri
Raporti financiar 2012 - 2019
(Klikoni mbi foto për ti parë ato në format të madh)
























Montag, 9. Dezember 2019

Kah i bie rruga për në Kleçkë?

Shkruan: Rrustem Xhemajl Seferi

Isa Boletini në konakun e Sefer Kleçkës

       Isa Boletini, pasi ia kthej pushken pushtusit gjonturk dhe pas luftes që e bëri në Boletin, shkoj të kusheri  i tij prej gjaku ne Isniq. Pasi qëndroj për disa kohe aty, një natë pyeti të pranishqmit që ishin në odë:
       - A din kush se kah i bie rruga për në Kleqkë?
       Isniqasit e gjeten një person që e shoqeroj Isa Begun deri në LLadrovc, në oden e Beqir Veselit. Dhe, pasi pushojnë pak aty, burrat e Lladrovcit e dërgojnë Isa Boletinin drejt e në kullën e Sefer Kleqkes. Me ta parë Isa Boletinin, Sefer Kleqkës filloj t‘i shndriste nuri nga gezimi qe ne konak i kishte shkuar Isa Begu, ky burr i lavdishem i Kosovës heroike.

       Seferi, me ta kuptuar se Isa Boletini kishte plagë ne trup,  dërgoj menjëherë një njëri të vetin në fshatin Shkozë për ta ftuar mjekun Shaban Mjeku, qe të merrej me kurimin e plagëve të Isa Boletinit.  Pastaj, Seferi njoftoj edhe miqte e tij besnik se ne konak i kishte ardhur Isa Begu, dhe njëri ndër ta ishte edhe Adem Voci nga Samadragja.

       Isa Boletin qëndroj tre vjet në konokun e Sefer Kleqkës, përderisa e mori veten mirë nga plaget që kishte marrë. Dhe nga kulla e Sefer Klqekës, ai bënte plane për organizimin dhe vazhdimin e luftës kundër pushtuesit. Kësisoj, Isa Boletini e dha kushtrimin dhe u bëri thirrje të gjithë prijësve të krahinave të Kosovës qe të mblidheshin në një kuvend të Verrat e Llukës,  për të lidhur besë që bashkarisht t'ja kthenin pushkën hasmit dhe të luftonin përkrah njëri tjetrit deri në çlirim.

       Vlenë të përmendet se nga ajo kohe, dy familje te respektuara krijuan miqësi. Kjo miqësi nuk u ndërpre asnjëherë dhe vazhdon edhe në ditët e sotme. Është fjala për familjet e nderuara të dy atdhetarëve, Sefer Kleqkës nga Kleçka dhe Adem Vocit nga Samadragja e Suharekës. Ishte pikërisht ideali i tyre i shenjtë për çlirim që i lidhi këto dy familje për ti qëndruar besnik njëri tjetrit dhe për të luftuar krapërkrah kundër pushtuesit të eger turk.

       Për luftën e Carralevës nuk ka shkruar askush më mirë se nipi i Isa Boletinit – Tafili, në librin e tij me kujtime në formë të ditarit me titull: "Pranë Isa Boletinit 1892-1916". 
Në atë liber tregohet se në lutën e Caralevës mbeten të vrarë e të plagosur 48 luftetarë. Nder ta ishin edhe vëllai i Sefer Kleqkës, Shaban Kleqka dhe kusheriri i tij Rexhep Kleqka. Tashmë, eshtrat e këtyre dy luftetarëve janë varrosur në kompleksin memorial të dëshmorëve në Kleqkë.

       Duhet cekur se gjonturqit u hakmoren në mënyrën më të vrazhdë ndaj familjës së Sefer Kleqkës. Ata ia dogjën shtëpinë dhe ia rrafshuan deri ne themel, kurse gruan Nailen dhe vajzën e Seferit - Fetijen, ia burgosën dhe ia torturuar në mënyrat më të tmerrshme fizike dhe psiqike. Mëpastaj, bija e Sefer Kleqkes - Fetija, rrefenë se në burgun e Prishtinës ishte edhe familja e kolosit të luftës për liri, Idriz Seferi.


Miku i mirë, për ditë të veshtirë!

       Një natë, bijtë e Adem Vocës sjellin në shtëpi dy kuaj të ngarkuar me miell. Pak më vonë shtrohet darka me të gjitha të mirat. Të gjithë fillojnë të hanë me lezet, përveç Ademit. Atij, sikur iu kishte ldhur një nyje në fyt. Ishte ngrysur në fytyrë dhe nuk hante. Nuk hante, sepse mendja i kishte fluturuar diku tjetër. Përderisa anëtarët e familjës së tij kënaqëshin duke e shijuar darkën e bereqetshme të asaj nate, Ademit iu kujtua miku i tij Sefer Kleqka, të cilit pushtuesit ia kishin shkrumbuar shtëpinë dhe ia kishin shkatërruar të gjithë pasurinë. E si mund të kënaqej Adem Voca duke mbushur barkun e vet, përderisa familja e mikut të tij t’mos ketë buke në sofër?! Në atë çast, papritmas, lëshoj një ofshamë dhe ca pika lotësh iu rrokullisën faqeve. Bijt e tij e vërejten menjëherë se diçka nuk shkonte.
       - Çka ke o babë, nuk ndjehesh mirë? – e pyeti djali i madh.
       - E si mund të jetë mirë baba ore lum djali, kur e di se familja e Sefer Kleqkës nuk e ka trohen e bukes në sofer…
       - Hajt o babë, nisja me hangër e mos ke dert se n’kofshim gjallë e shëndosh, po ta japim besën se edhe jaranin tënd nuk kemi me e lënë pa buk në sofër.
       Pas fjaleve qe i dëgjoj nga biri i tij, Adem Vocës sikur i erdhi shpirti në vend. Filloj edhe ai me hanger darkë.
       Dhe, ashtu si u tha edhe u bë. Të nesërmën, djemt e Adem Vocës arrijnë në Kleqkë. Kur i afrohen shtëpisë së mikut të babait, ashtu si e do rendi e zakoni,  lëshuan një zë:
       - Oooo Sefer Kleqka, a do miq?
       - Oooo mire se ju bjen i madhi Zot! – u dëgjua zëri i thekshëm i Sefer Kleqkës.
Seferi kishte dalur te dyert e oborrit për t‘i pritur miqte. Fshiu syte dhe përballë iu shfaqen dy djem,  me një kali që mbante në shpinë dy thasë me miell.
       - Për besë, ju duhet të jeni djemt e Adem Vocës se, edhe po i përngjani! – tha Sefer Klqka, duke ua zgjatur dorën.
       - Po qëbesa, djemt e Ademit jena. – U pëgjigjen ata, dhe mëpastaj u marrur ndryk mes vete.
       Atë ditë Sefer Kleqka kishte pasur edhe miq të tjerë. Në zjarr vëlonte kazani me mish, por ai ishte zën tepër ngusht, sepse nuk e kishte pasur as një fije buk për miqtë. Pasi që i mbërrini mielli të cilin ia kishte dërguar shoqi i tij, mori frymë më lirshëm dhe, duke qeshur tha:
       - Nuk kanë thanë badihava se miku i mirë njihet në ditë të vështirë! Sot, jarani jem Adem Voca, sot mi paska dërguar krejt hambarët e Samadragjës!


* * * * *

Kjo ngjarje, të cilën e tregonin shpesh babi im Xhemajl Bradheci dhe Halil e Fazli Seferi, më është ngulitur në mendje dhe vazhdon të rikujtohet brez pas brezi, në shenjë respekti për Adem Vocin dhe pasarësit e tij: Qazimin, Hysenin etj.

Montag, 11. November 2019

Driton Smakaj: USHTARI NGA MËRGATA



USHTARI NGA MËRGATA

Sa i çmendur je!..
Po ik nga e ëmbla jetë
Po ik nga krahët e mi
Po më le në ankth për ty
Po më le në vetmi.

Po shkon në një katrahurë
Ku vdekja merr gjithçka
Burra gra e femijë...
Po shkon në një zjarr
Po shkon drejt e në varr.

Ah e dashur grua
Këtë jetë shumë e dua
Por s’rrij dot në shtëpi
Duke parë këtë çmendi.

Sa shumë shpirtin ma tërbon
Që jam larg në vend të huaj
Vetëm shoh barbarinë
Vrasin gratë dhe feminë...
Ai gjak i derdhur që po vlon
Është gjaku im,
Andaj zemrën ma trazon.

Nuk po dua të ndaloj
Me dhembje në zemër
Shumë fat t’uroj
Mos harro një dashuri
Femijët të presin në shtëpi.

Do jeni kudo në mendjen time
Ju jeni vet jeta ime...
Po shkoj të mbroj lirinë
Po shkoj të mbroj drejtësinë
Po shkoj të mbroj gra e femijë
Po shkoj në luftë për atdhe
Siç bëri i madhi Skënderbe.

Je një nënë një mrekulli
Të lutëm në paqe mi rritë k’ta f’mi
Nëse nuk kthehem në shtëpi.