Sonntag, 15. März 2015

Emigrant

Poezi nga Agim GJAKOVA

Tërë natën gjer n’të gdhirë ...
ç’po të ik mendim i lirë
sypërgjumur shpresëkatran
gropëzat thellë e mendjen varë
ndiz e shuaj po atë cigar
emigrant!


Je njeri pa shtëpi pa strehë
je njeri pa miq pa shokë
je njeri pa gaz pa lot
këmbët nuk të zënë dhé
dhe n’varrezë s’ka vend vakant
emigrant!


Ku nuk futesh e ku s’të shtinë
ku s’të nxjerrin e ku s’të fshijnë
herë me letër me teserë
të përcjellin derë për derë
Francë, Turqi apo Dojçland
emigrant!


Dhe ti ecën troket gurëve
kokën varë e mendjen varë
këmbët zvarrë e zemrën vrarë
nëpër dimër nëpër acar
hapen fjalë dhe poterë
ku të shajnë ku vjellin vrer
ca të matin ca s’të flasin
rojet prapa t’i kërcasin
dhe e ruajnë hijen tënde
nëpër shtete nëpër vende
natë e ditë e ditë e natë
emigrant!


Dhe kur zhurmat pak fashiten
në klube dritat përpëliten
prapë në heshtje të shikojnë
dhe ty veshët të ushtojnë
si trumbetë e si xhezband
s’të merr gjumi të hapet balli
këqyr në hapësirë e psherëtin
për Kosovën ty të merr malli
emigrant!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen