Freitag, 26. Oktober 2018

Katër poezi nga Agim Gashi


JETA MBAN EMRIN TËND
(Njeriut që më dhuroi mëlçinë ) 

Akoma jetoj me frikën, 
Dhe bisedoj me ty
Vëlla a motër ishe nuk e di.

Ne mua jeton edhe ti.
Bashkë me endrrat dhe shpresën
Për të ardhmën 

Ti
Jetën deshe
Më shumë nga të gjithë
E dashurisë i dhe shpirt

Jeton në frymen time
Në këngët që po lindin

Jeton në Formulën e Dhembjës
Në Planetin e Dashurisë 

Jeta mban emrin tënd
Dhe lutjen për të nesërmen



 KUR BIE SHI

 Kur ngryset qielli
 Ngryset zemra ime

 Kur bie shi
 Lotojnë edhe sytë

 Sa shpesh
 Erret qielli
 Dhe bies hi

 Bubullimë 
 Në shpirtin tim


  
 ATDHEU

 Atdheut i fala dashurinë,
 Ishte pak

 Ia fala lumturinë
 aq sa kisha

 I fala djalin
 Oh…
 Te bukurin e babit.

 Do ia falë të gjitha përbesë
 Për një varr e një bajrak



BIJA IME, SHQIPJA IME.

Emer të shenjtë të pata dhënë
E shqip derdha edhe lotet për Ty
Kur ike për ta takuar perëndinë
Bija ime Shqipja ime Dielli im

Më janë shuar rrezet e zemrës
Jetës i humbën të gjitha ngjyrat
E dhembja mi dogji damarët e shpirtit
Po keq e le babin moj bij

Montag, 22. Oktober 2018

Fillimi i vitit të ri shkollor në Quinto

Hamit Kurti
Shkruan:Hamit Kurti
Shkolla Shqipe "SHËN NËNA TEREZË" në Quinto di Treviso sot solemnisht festoj fillimin e vitit të ri shkollor me emrin e bijës shqiptare të Shenjtës -Nënës Terezë!
Të shoqëruar me prindërit e tyre ishin të pranishëm shumë fëmijë që tashmë disa vite ndjekun mësimet pranë kësaj shkolle , por kishte edhe të tillë që kishin ardhur që të bëhen pjesë e mësimit këtë vit .
Duke parë sukseset e kësaj shkolle dhe sidomos angazhimin e pashoq të mësuesit të kësaj shkolle prof. Bajram Desku i cili e bëri faktor comunitetin kosovaro-shqiptar jo vetëm në këtë qytet ,por edhe bashkëpunëtorëve të tij mësues , natyrisht me përkrahjen e madhe të prindëve të nxënësve , bashkëatdhetarëve dhe bisnesmenëve që dhe veprojnë në këtë zonë të Italisë ku nuk mungoj as përkrahja e institucioneve vendore sidomos komuna e Quintos dhe organet kishtare .
Për respekt takimin e përshëndeti Don Roberto i cili tha se asnjërë nuk do ndalet përkrahja ime në aktivitetet tuaja sepse jeni shembull për të mirë .

Jo vetëm lokalet por gjithçka që është e mundur do ua vë në dispozicion për realizimin e dëshirave tuaja . 
Ai për mungesë kohe u largua , pasi u falënderua nga të pranishmit për përkrahjen i përcjellur me duartrokitje të gjata !
Prof.Bajram Desku shfrytëzoj rastin që të ndaj mirënjohje për prindërit dhe shumë nga ata që ndihmuan dhe nuk ndahen nga asnjë nismë që shkon në mbarëvajtjen e mësimit shqip dhe në dobi të komunitetit shqiptar .

Për ti argëtuar të pranishmit erdhi enkas Grupi Artistik Iliria ku me vallet e tyre kenaqen sit fëmijët ashtu edhe të rriturit .
Për të pranishmit ishte organizuar edhe një koktel rasti nga ana e afaristit z.Hetem Zogaj , njërit ndër sponzorët kryesor te Shkollës Shqipe dhe të të gjitha nismave dhe aktiviteteve shqiptare .
Me dëshirën e të gjithëve u vendos të vizitohej shtatorja e Shën Nënës Terezë emrin e së cilës që nga sot me krenari e mban Shkolla Shqipe në Quinto di Treviso dhe bashkërisht u marshua deri aty ku pranë shtatores Grupi Artistik Iliria me veshje kombëtare ekzekutuan valle nga çdo trevë shqiptare sikur donin ti thonin "nëna e shejtë jemi nga çdo cep i Shqipërisë " dhe ajo ashtu me duartë e bashkuara sikur i bekonte të gjithë .

Quinto di Treviso 
20 Tetor 2018

Donnerstag, 11. Oktober 2018

Ndue Lazri - Dy cmime Nobel në një rrugë

Ndue Lazri

(Nënë Tereza e Guglielmo Marconi )

Po ngjiteshim nga Venezia për në Treviso bashkë me mikun tim, Gjergj Dedaj, zëvendësministër i jashtëm i Republikës së Kosovës. Jemi të ftuar për të marrë pjesë në përurimin e shtatores së Nënë Terezes, në Quinto. Një iniciativë e komunitetit shqiptar në zonën e Trevisos, pritur me kënaqësi nga kryetari i bashkisë dhe e gjithë komuna e Quintos, që kanë ndihmuar konkretisht në realizimin e këtij projekti.
Gjergji është njeri shumë patriot, i lidhur familjarisht me rrënjët e vërteta të shqiptarizmit, me tokën e traditat shqiptare në Shqipëri e në Kosovë e me figura të tilla si Gjergj Kastrioti e Nënë Tereza, që janë emblema të identitetit tonë kombëtar. Prandaj edhe biseda rreth këtyre figurave vjen e natyrshme. 
-Është gjë e bukur e me vlerë që diaspora po kujtohet për të vënë shtatore e monumente të Nënë Terezes aty ku jetojnë e punojnë shqiptarë në emigracion. Kjo na i mbush zemrat me gëzim e na bën të vijmë me shumë kënaqësi në përurime të tilla,-thotë Gjergji.
Unë i tregoj që emigrantët shqiptarë në Itali i kushtojnë shumë vëmendje figurës së Nënë Terezes. Ne kemi dy shoqata që mbajnë emrin e kësaj gruaje të madhe të kombit tonë, në Pesaro e në Modena. Po i flisja edhe për aktivitetin e bukur të organizuar një javë më parë nga Forum Donne Indipendenti e shkolla “Scanderbeg” Parma, kushtuar pikërisht Nënë Terezes. Kur vjen shtatori, muaj që na kujton ditën e shenjtërimit të kësaj shenjtoreje shqiptare, shumë shoqata të emigrantëve shqiptarë në Itali organizojnë veprimtari të ndryshme për të evokuar emrin dhe figurën e Nënë Terezes, që na bën të ndihemi krenarë dhe të devotshëm ndaj saj. E aktiviteti në Parma, që kishte vazhduar për disa orë me këngë e recitime kushtuar Nënë Terezes, me fëmijët që përcillnin në kartela të shkruara fjalët e saj të mençura, me vallet e bukura të grupit “Mille stelle”, që e ka shtuar repertorin e vet me valle të reja, ishte një nga aktivitetet më të bukura kushtuar kësaj figure.
Hyjmë në komunën e Quintos dhe ja tek gjendemi në rrugën “Guglielmo Marconi”. E pikërisht aty në krye të kësaj rruge është vendosur shtatorja e Nënë Terezes, e mbuluar akoma, për t'u zbuluar në ceremoninë e përurimit të saj. Më vjen idea që jo rastësisht është zgjedhur pikërisht kjo rrugë për të vënë shtatoren e Nënë Terezes. Guglielmo Marconi, shkencëtari i shquar nga provinca e Bolonjës, është fitues i çmimit Nobel për fizikën. Dhe Nënë Tereza, misionarja e shenjtorja e shquar shqiptare është fituese e çmimit Nobel për paqen. Dy emra, të cilët që nga kjo ditë i japin një peshë e domethënie më të madhe kësaj rruge në qendër të Quintos. Më vjen ndër mendje edhe ajo ditë kur Nënë Tereza pat ardhur në Bolonjë dhe iu rezervua një pritje e jashtëzakonshme. Mbi dhjetë minuta duartrokitje të publikut të ngritur në këmbë në sallën ku ajo shqiptoi fjalë të mençura që i prekën thellësisht të pranishmit.
Ceremonia e përurimit zhvillohet me një pjesëmarrje të gjerë të komunitetit shqiptar në zonë, por edhe të shumë qytetarëve italianë që e presin shenjtoren shqiptare si banoren më të re të komunës së tyre, me pjesëmarrjen e autoriteteve të pushtetit lokal, por edhe të mysafirëve të nderuar që kanë ardhur nga larg, nga Kosova, nga ambasada e Kosovës në Romë, nga konsullata shqiptare e ajo e Kosovës në Milano, nga parlamenti i Kroacisë etj.
Dom Lush Gjergji, vikar i përgjithshëm i ipeshkvisë së Kosovës thotë një lutje të shkurtër me këtë rast. Ai është njohës perfekt i jetës dhe veprimtarisë së shenjtores shqiptare, ka shkruar 17 libra kushtuar asaj. Madje disa libra i ka sjellë edhe këtu për pjesëmarrësit në këtë festë të shënuar. Ai do të mbante më pastaj edhe një fjalë emocionuese kushtuar Nënë Terezes.
Shtatoren, midis duartrokitjeve të të pranishmëve e zbuloi zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj. Dhe ja tek shfaqet figura e dashur e nënë Terezes, me atë buzëqeshjen e saj të ngrohtë e atë vështrim që çonte dritë e shpresë në zemrat e njerëzve më të mjerë e të atyre që mbase jetonin ditët e orët e fundit. Ajo duket sikur zbret në çast midis njerëzve, midis bashkëatdhetarëve e do të lëvizë bashkë me ta nëpër rrugën “Marconi”. Në këtë pozicion e ide e ka kompozuar veprën e tij skulptori Agron Bytyçi. E njerëzit e komunitetit shqiptar në Quinto kanë kontribuar me punë e të ardhura që kjo figurë e dashur e kombit tonë të zbriste kështu si e gjallë midis tyre për të qenë përjetësisht aty.
Deputetja e parlamentit kroat, Erminia Leka Perljaskaj afrohet e bën foto tek shtatorja e thotë: Një gëzim të tillë e përjetuam para disa ditësh edhe në Rjeka të Kroacisë. Edhe aty e inauguruam monumentin e Nënë Terezes.
Takoj ambasadoren e Kosovës, Alma Lama. E kudogjendur në aktivitetet e shqiptarëve, ajo vjen me kënaqësi kur e ftojnë shoqatat, duke qenë një diplomate e shkrirë me komunitetin shqiptar, gjithnjë e përzemërt, dashamirëse, buzagaz e me një thjeshtësi që të bën për vete. Ajo flet shpenguar para kamerave të TV Rai, që ka ardhur të pasqyrojë këtë eveniment, por edhe në tribunën e ngritur me këtë rast solemn.
Flasin edhe kryetari i bashkisë së Quintos, Mauro Dal Zilio zëvendësministri i jashtëm i Kosovës Anton Berisha, zëvendësministri i diasporës Afrim Bekteshi, profesoresha e nderuar Lucia Nadin që e ndjek me aq dëshirë historinë e kulturën shqiptare e ka publikuar disa libra interesantë në këtë fushë e të tjerë.
Sheshi përpara tribunës është i mbushur plot me pjesëmarrës në këtë festë të bukur. Takoj me kënaqësi Shpresa Kameraj Patterer e koleget e saj që vijnë nga Fondacioni Dukagjini në Austri, Heset Ahmeti e prof. Peter Shtoka që vijnë nga Koperi në Slloveni, Ndue Pal Qokaj, grupi i valleve “Shqiponja” e aktivistja Antoneta Nushi që vijnë nga Lecco, intelektualët dhe drejtuesit e shoqatës “Besa” në Padova, Vojsava Zagali e Gëzim Muçolli, veporimtaren e palodhur të diasporës Vitore Stefa Leka, valltarët e talentuar të Trevisos e shumë të tjerë.
Kryetarin e këshillit drejtues të këtij evenimenti, Bajram Desku e shikoj disi më të relaksuar pas disa muaj lodhjeje e preokupimesh që gjithçka të shkonte mirë në ardhjen e Nënë Terezes në Quinto. Me të kishim folur në seminarin e arsimit të diasporës në Tiranë e ai që atëherë mundohej të organizonte gjithçka në detaje për ditën e shënuar. I palodhuri Bajram është edhe mësues i shkollës shqipe në Quinto.
Festa vazhdon deri vonë, ndonëse me mikun tim, Gjergj Dedaj në një farë ore u larguam sërish drejt Venezias. Ajo do të vazhdonte me meshën e organizuar me këtë rast, me darkën e bukur midis bashkatdhetarësh në një nga lokalet e Quintos dhe me takimin e organizuar të nesërmen nga përfaqësues të shtetit të Kosovës me përfaqësues të diasporës shqiptare në Itali.


Mbrëmja bie e bukur mbi Quinto. Ndizen dritat në rrugën “Marconi” e Nënë Tereza i përshëndet ngrohtësisht kalimtarët, me të cilët tashmë do të shkëmbejë përjetësisht buzëqeshjen e saj emblematike.

Mittwoch, 10. Oktober 2018

Musa Jupolli, laureat i çmimit "Pena e Artë - M. Camaj"

Poeti Musa Jupolli, laureat  i çmimit "Pena e Artë - M. Camaj" 2018

„Nji fyell ndër male“
              Martin Camajt

Në pranverë me „Nji fyell ndër male“
Para fjalës me zërinqë buqet me fëmiun në gji
Me lotët e Nënave Shqiponjat e lirisë !

Shpirt poeti, nektar shafrani, jetë e ritmeve mengjesore
Në pritje të një fjale të bukur për dëshmi të letrave
Lyrës do I dhë shpirt n’aromë të atdhut tim
Do e zbrazi gotën e dehjeve poetike, me ujë të bekuar
Me nota të poezisë, gjykimi ynë me një fletë të bardhë
Vashat lozonjare do të vallëzojnë për çdo ditë
Si kopshtare që endën në mes të trendafilave e bilbilbardhave

Gjykimet le të mbesin shpirtërore, ndaj se hija dhe drita
Janë shpresë e pa thënë, himn I penës larë me lotin tim
Në takim mërgimtarët e Arbërisë, krijuesit e kombit
N’emër të një kolosi të letrave shqipe, Martin Camaj
“Nji fyell ndër male” Notat e etjeve për mësim

Matematika e gramatikës sonë, vitet mos të mbesin vetëm fjalë
Dhe ja dallëndyshet e para pas një dimri të gjatë e t’acart
Nën gurët antik kundihet aromë bime, buka e shpirtit tonë
Odë e poemë për një zgjim të ri, me emër e mbiemër

Seigneur! si ta quajmë Pranverën e kohës sonë
Gjergj Kastriot! apo edhe poet! Që bota të thot
“Nga ju vjen kjo buzëqeshje,
Apo nji fyell ndër male ua solli zgjimin?”


PS: Informata është marrë nga profili i autorit në Facebook, 
publikuar me 8 tetor 2018. Urime!

Sonntag, 29. April 2018

Buqetë me poezi nga Musa Jupolli

Musa Jupolli

Më thanë
-I-

më thanë:
je katolik?
jo u thash,
unë jam shqiptar
më thanë:
je musliman?
jo, u thash,
unë jam shqiptar
më thanë:
je budist?
jo, u thash,
unë jam shqiptar
më thanë:
je ateist pra!
jo, u thash,
unë jam shqiptar
po miku me ju ,
cili është ai?
Ismail Kadare 
u thash
Ah, vous étes Albanais
po unë u thash 
se jam shqiptar
më thanë:
po feja juaj,
cila është ajo?
po të gjitha nga pak,
u thash
...dhe ajo është feja shqiptare 



Më thanë
(II)

Nga cili vënd vini ju 
Më thanë
Nga Dardania
U thash
Po ku është Dradania
Më thanë
Aty ku është Shqipëria
U thash
Po kush janë shqiptarët
Më thanë
Janë bijtë e shqipës 
U thash
Po gjuha juaj cile është ajo
Më thanë
Është gjuhë e parë
U thash
Mos jeni pellazg
Më thanë
Po unë u thash 
Se jemi gjuhë e parë
Do të thot 
Ju jeni nga epoka e Homerit
Ju jeni stërnipat e Gjergj Kastriotit
Vous êtes de la patrie de Mère Tereza
Po
U thash
Mjafton ta lexoni Ronsardin e Volterin
U thash
Comment dit-on Bonjour en albanais
Më thanë
Jungjatjeta 
U thash
Merveilleux
Më thanë



Më thanë 
-III-

Kur ikin poetët
Atdheu qanë 
Askush lotin nuk ia sheh

Kur hidhërohën poetët
Një plagë më shumë Atdheut i shtohet
Dhimbjet nuk i tregon

Kur pranvera vjen e poetët flejnë
Atdheut lulet i vyshkën
Me lot mundohet ti ujitë

Kur Kushtrimi në Dardani
Po nuk shkruajnë poetët
Atdheu n’vajë shkrihet  

Epigrafistët

Lumë i pasurisë sonë
N’arkitekturën e Atdheut
N’arkitekturën 
Apolloni-Janinë-Dardani
Roma ta kopjojë frymëzimin
E jona fé shqiptare 
Verë e djathë n’origjinë



Më thanë 
-IV-

Je me FARK-un
Jo, u thash

Je me UÇk-në
Jo, u thash

Je me LDK-në
Më thanë

Apo je me PDK-në
Më thanë

A mos je me zogista
Apo me enverista

Eh mos je me 
Ballistë

Apo edhe anarshist
Më thanë

Më thanë 
Edhe sa e sa…
Po Jo, u thash

Unë jam me të gjithë ata
Që luftuan
Për lirinë e Dardanisë

Dhe jam kundër
Të gjithë atyre që e zbehën mirësinë
Punën dhe luftën e atdhetarëve

Dhe jam kundër 
Se në Atdheun tim
Rinia ka mbetë pa shpresë
Nga një politikë e pa kulturë

Jam kundër përqarjeve që u shkon shtati 
Kësaj klase politike larë në korrupcion
Kësaj politike që shkel vlerat e kombit tim
Të gjithë atyre që njihen n’emër 
Të paritisë, n’emër të fesë, n’emër të ideologjisë
E harrojnë se janë shqiptar për kulturë e mirësi
…dhe
Partia dhe besimi janë vetëm ndjenjë shpirti
Nuk janë të lindme për, dhe nuk përcaktojnë
As lindjën e diellit , as filozofinë e kombit
As bukën dhe as t’ardhmën e Atdheut
Kur ato mbështillën me mëkate si në rastin tonë
Shqipëri e Dardani, Iliridë, Plavë e Guci
Ekonomia, shëndetësia, arsimi vritën
Dhe janë bashk’urdhëtar të trgjedisë
Që nuk falet 
Ndëshkimi më i rëndë nga Nënë që i lindi 
OH !
Sa malet, sa fushat, sa deti e lumunjtë
Sa lisat e sa bimët e Atdheut …
… gjëmojnë sot 
dhe dridhin shprt 
me një zë
JENI SHQIPTAR



Mos gënje !

Kuraja në kërkim që të thuhet e vërteta
Mos fol, mësoje heshtjën aty ku e kërkon vëndi
Mos i tradhëto ëndërrat tua
Shpirtin mos e helmo 
Nuk të ftova, nuk më ftove 
« Hatrin » harroje, është ligësi 
Fjalën nuk ta fali më sa as 
Një të vetme pikë të penës sime
Gënjeshtar, shkallëtar, « bajraktar »
Mekati më i rëndë që të mbanë në tokë
Qirrësh para penës që nuk të do 
Se ti lotin nuk ia vrenë
Shpirtin e ke të mbushur me helm
Pastaj erëmyskie në rrobat tua të mykta
Nuk ka lek që ta mbulon atë pamje
« Seigneur » ku ta drejtoj shikimin
Dielli dhe Hëna vëndet nuk i ndërrojnë
Hija jote nuk mund të jetë hija ime 
Nuk e lejon etikë as tokë arbërore
T’i shkruaj këto vargje
Që të tjerët mos të erëmykosën
Ti je shëndërruar në demon
Kopjues që nuk i do letrat shqipe
Unë fajësinë nuk e fali ! 
*
N'Udhëtimet e mia, Nëtorët e jetës sonë!

**

Qetsinë e Katedralës sime e gjeta në lindje të emrit

Me aromën e kuzhinës së Nënë Lokës me bukë oxhaku
Katua: Shajkoc i Mesianës
dhe e dashuria ime Poesies

Ma ndave zemrën në dysh me Rugovën
Mos më prek Mesianë e Mitrovicë
Aq jam i mbushur sa me penë do të vras’

Në asnjë dasmë kënga nuk paguhet
Në shpirt e n’ëndërën time nota
Si një fletë që ngritët nga era
Në fitore që ringjallë dehjen

Dashuria, thuhet nuk venitet
Pa të cilën nuk jemi të lumtur

Për këtë kërkohet Poesies një fjalë
Një buzëqezshje që zhvesh hyjneshën
Të kërkuarën si dikur n’estetikë
E bukra e shpirtit si dritë hëne mbi liqe

N’oborrin tim një dritare me dritë
Kur ndodhëm larg nga ti
Ora ngadalëson tik-takët e saja

Për çudi i bëj pytje zemrës sime
Nga pija e një gote aq dehëse
Mos vallë nuk i dhashë adresën time

Po je aq besnike, siq je e bukur
Botën do e mbaja në një gisht
Ku diellin me lule oborri
Shiun natën si lotët e mi
Për ujitje të jetës së bukur
Do i sjell për gjithë këtu

Po më the: Falë t’kjoftë bukuria
Do ta shpoj bjeshkën që Të Dua 
Edhe vdekjën do të pres me 
Po me atë dashuri

Nuk është i verbër mendimi im
Buzët tua ma thanë vetë
Sy e vetulla folën 
Një shekull udhëtim

Kurt të shoh, shkrihem në ngjyrë pene
Në butësi shprese, gjumin e kam të ëmbël
Atë gjumë ke lisi pran liqent
Lakuriqe e tej në mëndfsh mbështjellur

Kur hapi sytë shoh vetëm qiellin, dhe harroj se kush jam
Se Pranvera që ti e deshte aq, dhe lindjën e sythit
Vetëm dora jote me zgjon nga agoni e dashurisë që kam për TY

Hapat tu n’oborrin tim dridhnin lulet 
Sa nga hapat tu aq nga të ramet e këmbanave

Kurt t’emërova Mesianë
Pushkë e top u dëgjuan në Stamboll e Beligrad
Po ta dhash fjalën nuk u frikësova
Se ishim të dytë në pritje të sythit
Ku vlon dashuria


…sonet

Të lindshëm nga kjo tokë, nga ky dhé që nuk ipet
Nga kjo hyjni që përkulet para sythit në çelje
E hyjnishme ishe edhe ti, si sythi i oborrit tim
Bashkë nuk kemi frikë as nuk njohim gjuhë tjetër

Zeshkane nga flokët, e bardhë nga mollëzat e faqeve
Në gushën tënde një romancë, e gjatë sa njëmijë fletë
Në ballin tënd një oqean,  për pikturë ideale
Aty ku piqen dielli dhe bregu,  nga Far i llampës

Pena ime e mveshur me aromën tënde muzë
Nga muzat e liqerit ku lahën pa i pa i njeri
Thuhet se mund edhe të vërbohën nga hyeshi
Hyeshi që kanë, ku edhe pena shkrihet

E tash, aty ku lozin erërat e aromës sate
Nuk e di nëse ishte ndezë zjarri nga ime nënë
Apo digjej shpirti im , po, po, digjej ….



Joni dhe Arbëreshët e mi 

Deti Jon e ka fjalën, fjalën që e mbanë
Muzikë e poezi ilire, dashuri e virgjër
Muzë e dehjeve, e kalura kërkon penë
Plagë e gëzime larë me lot, valë deti Jon

Deti im në dritarën time, diell që shkon
Diell që vjen në benediktim t’udhëtarit
I ep pemën e bregut tënd, etjën ta shuaj
Me atë anë të bregut, ke arbërshet tanë

Dy banime të moçme ilire, që flasin shqip
Që flasin me gjuhën tënde  deti im, i yni
Me të njejtën orë të fjetjës e zgjimit
Me të njejtin diell, me të njejtën hënë

Liria e detit Jon, me mallë u vie në përqafim
O arbëreshët e këmbanave të Meshës sonë
Mbështjellur me dallgët e shpirtit tim !




Pranvera e vonuar shqiptare … sonet

Kohë e dridhshme që këputë frymë e ndezë shpirt
As lulet e arava të Fusha e Loshnjës nuk qelin më
Zëra të vaktë nga që i merrë erë e flladshme pranvere
Në vallëzime të një tufe delesh pa barinjë aty pari

Çdo lule sikur pret dashnoret e ndaluar nga liria
Kitare me nota të melodisë nga kohë e pritjeve
Në vallëzim mungojnë dallëndyshet, lejlekët
Ku më as qielli nuk iu ep drejtim për kalim

Aty më as shqiponjat nuk ndalën për ta parë lulën
Të vyshkur në dorë nga dita që mërgoi poeti 
Qiellit i kanë humbur ngjyrat e buzëqeshjës
Dielli sikur u shkri në trupin e saj prej mëndafshi

Një shkresë e ardhur me postë në kalim mali e deti
Shkresë e pa lexuar deri sot, nesër veq lot për derdhje

më fal sonet, për një varg të gjatë më shumë

Poeti dhe pena janë me një shpirt që nuk shlyhen nga letra të himta si trupi në përvlim dielli, nën hijën e qershisë ku fruti i saj ka ngjyrën e buzëve tua, ku balli yt ka hapësirë për romanin më të gjatë që mund të shkruhet nga dorë kriujuesi, oh …Atdhé që m’ike dashurinë time
me gjakun dhe lotin e Rugovës sime 

…me grusht qello Jupiter
burimin e lotve t’mi n’atë Bjeshkë
njerin sy n’atë anë, tjetrin në këtë anë
…në ballë Jupiter
se vetëm ti mund t’më vërbosh 
Bjeshkën lëre të qetë
rrjedha e ujtë mos të ndalet 

isha n’anën tënde Jupiter
Mbretëria jote paqësore
më vërboi sy e mëndje
n’Dhé nuk paska paqë

Trashegimia, Jupiter m’u shëndërrua 
në ëndër të ligë
kundër gjykimit në dorën tënde
…qello Jupiter
në zemrën time
Bjeshkën lere të qetë
me gjakun dhe lotin e Rugovës sime 



Erza Muqollit

Erza dardane muzë, dashuri e poezi
Engjëlleshë, yll që zbreti nga qielli
Gjatë ditës notë e aromë si dielli 
Natë në shëndritje si hënë
Harmoni e vargjeve në rimë
Nuk ka notë që s’kalon det 
Për ta parë Erzën hyjneshë
Romantike për çdo poet 
Arti i saj poezi e muzikë
Zë që del nga shpirti
Zë që rrjedh nga Bjeshka
Dymbdhjetë poema shëndërruar në literaturë
Vetëm zëri i saj do ta këndonte himnin e Arbërisë
Aty dielli dhe hëna do të jenë në takim
Erza,
Zëri yt vjen nga malet e Dardanisë
Në sy tu shohim qiellin e Shqipërisë
Nuk ka piano që nuk dridhet
Nga zërit i Erza Muqollit !




Të shkruhet nuk është lehtë…Poet
DËSHPRIMI dhe KUNDËRSHTIMI
Aty ku etikë e estetikë përjashtohën nga e drejta e një populli, poemë e poezi derdhën në dëshprim. Kohë e shkrimeve, e dëshprimeve me tema të ndryshme që shpërthejnë nga penë e krijuesit, dhe që është e natyrshme.
Dëshprimi ndihet në analizën që i bëjmë vargut, poezi a poemë, mos të flasim për sonet, çka dhimbjet e krijuesit vihën në letër nga penë ndjenje :
Kundërshtoj :
Për gjithë ato të liga që i ndodhin Atdheut tim
Kundërshtoj :
Për gjendjën ekonomike që nga dita në ditë varfërohet
Kundërshtoj :
Për ramjen aq të dhimbshme n’arsim
Kundërshtoj :
Për gjendjën e mjerueshme në shëndetësi
Kundërshtoj :
Klasën politike të zhveshur ndjenjash e të zhytur në korrupcion edhe tej fytit
Kundërshtoj :
Gjykatën e Dardanisë të zënë n’fyt nga ndikime politike
Kundërshtoj :
Me tërë qenjën time, me ngjyrën e penës sime, të gjithë ata që «myhurin» vënë në përqarje, në coptim të trojeve arbërore ! 
*
Poeti e ka të drejtën, dhe, poezi e poemë nuk flasin vetëm për dëshprimet politike, por me theks të veçantë kundërshtojnë edhe filozofinë pasive të intelektualëve që heshtin para të ligave, me aq dhimbje edhe për popullin që hesht para kësaj politike dëmtuese, në rend të parë për rininë së cilës iu është shuar ëndra për t’ardhmën e saj.
*
Kombi im:
Lexoni poetët, siq i lexuam Rilindasit, që tash po e kuptojmë sa dhimje të mëdha paskan pasur, pra, që t’ua sherojmë plagtë kemi detyrë ti dalim zot Atdheut !


Mesianë (Llapit tim)

Të këndshme ecjet tua mesianase 
N'udhëtim shekujsh e deri sot
Nga Mesiana ajo Mollë e Kuqe
N'origjinë të prozës poetike
E deri në Çamëri nota pellazge 

Mesiansit e poezisë lirike
Od n'vallëzime të zjarrshme shpirti
Kohë Arbërie Gjuhë e Flamur 

Po sot burrë Llapi ku je 
Ç'është ai zë i shterrshëm
Kush të ngulfati

Zgjohu Mesiana ime
Fillestarja e Dardanisë
Gjergji t'dha bekim 
Siq unë me penën time 



Dardani
A ka klarinist t'mi përcjell vargjet 
Me dashurinë që kam për Ty 
Apo edhe në fletë peme 
Notën e të rrahurave të zemrës sime 
Në largësi mërgimtari e lot deti 
Me netët e pa gjumta, tokë e flakshme 
Arbërore e legjendave shekullore 
Me pamje nga dielli, ku lahen zanat e malit!
Dardani,
Për herë të parë në histori të veshëm me fustan lirie 
Duke ta mbuluar gjoksin e gjakshëm 
Me rrobën e ruajtur në arkën e ndalueme 
Dhjetëmiloin shqipe krushq lirie!
Dardani,
Mesiana, Dukagjini me zë Rugove, Malësi e Çamëri 
E tërë Shqipëria, bukë katua e ujë kroi 
Mollë e humë nga katërgjyshja ime 
Për Ty,
T'më vishësh me të qëndismën e Arbërisë 
Dardani nuse më e bukura e Ilirisë!
Nata që pret zbardhjën e zemrave shqiptare!



Musa Jupolli lindi më 7 qershor 1955 në fshatin Alban (Shajkofc), Podujevë.
Kreu studimet Letërsi Shqiptare në Universitetin e Prishtinës.
Nga viti 1984 jeton në Paris. Është themelues i Shoqatës "ALBAKOS", e para shoqatë shqiptare në FIDH.
Më 1985 takohet me I.Rugova në Paris dhe bisedon për çështjen e njohjes ndërko-mbëtare të luftës për pavarësinë e Kosovës.
Takimi me Kadare-n daton nga viti1987 në Paris !
Më 1989 antar i Byrosë në Koferencën e Helsinkut (Kleber-Sorbonne)           
Më 1990 me Antoine Garapon (profesor magjistrature në studimet e larta në
Paris) dhe me Olivier Mongin (filozof dhe drejtor i Revistës ESPRIT) themelojnë
Komitetin e Kosovës.
Mbanë shumë takime dhe konferenca në Francë, Belgjikë, Itali, Danimarkë e gjetiu për çështjen e Kosovës dhe kulturës shqiptare.
Takohet tri herë me Jacues Chirac, ish kryetar i Francës.
Në vitin 1999 kthehet për herë të parë në Kosovë dhe ishte musafir i Bernard Kouchner me të cilin njihet që nga viti 1988.
Ka botuar shumë artikuj dhe intervista në shtypin shqiptar dhe francez.
Është nënkryetar i Lidhjës së Krijuesëve Shqiptarë në Mergatë.
Më 1994 është iniciues i librit "Çështja e Kosovës" I. Rugova (Fayard) në Paris
              
Botime:
  1. Më 2001 botoi librin "Le gardien de chevaux" (Michalon) në Paris.
  2. Më 2002 nxjerr një cikël të poezive në "Voix d'Encre"
  3. Më 2008 botoi romanin "Sytë e tu kanë ngjyrën e të gjitha luleve" (Faik Konica)  Prishtinë.
  4. Më 2009  botoi librin DITAR (Faik Konica)  Prishtinë.
  5. Më 2010 botoi romanin " 99 " (Faik Konica) Prishtinë.
  6. Më 2011 botoi "Kosovë p(R)ozë e gjatë...(poezi) (Faik Konica) Prishtinë
  7. Më 2012 botoi "Poemë n'Udhëtim" (poezi) Rugova Art Prisht
  8. Më 2012 botoi « Pesë degë Thërrasin Trungun» C/O (poezi) «Marin Barleti», Tiranë
  9. Më 2012 botoi «Tokë Arbërore» (poezi) M.Jupolli & M. Thaqi, «Lump», Prishtinë
  10. Më 2014 botoi «Vargje n'Udhëtim» (poezi) M.Jupolli & M.Thaqi, »Zef Serembe», Prishtinë
  11. Më 2015 botoi «Çamëria- n'vargje t'mia», Faik Konca, Prishtinë  
  12. Më 2016 botoi «Edioni & Afrodita» Faik Konica, Prishtinë
  13. Më 2016 botoi «...me Kadarenë» , Faik Konica, Prishtinë
  14. Më 2017 botoi “Në Udhëtim me  Dardaninë”, Rozafa, Prishtinë 
  15. Më 2018 botoi “Mon Kosova”, “Fauves”, Paris