Sonntag, 15. März 2015

Intelektualët shqiptarë dhe imazhi i Shqipërisë në botë

Janë të shumtë emigrantët shqiptarë në botë, të cilët përfaqësojnë në mënyrë të izoluar, por mjaft dinjitoze, kombin shqiptar përtej kufijve kombëtarë.

Në rrugëtimin tim në veri të Francës, e shoqëruar nga një grup miqësh, që më pritën në Nancy, një ditë, rastisa të drekoj me një shqiptar të emigruar rreth 20 vite më parë në Francë. Në fakt, ishte një shqiptar ndryshe nga të tjerët, jo vetëm për atë çfarë ai kishte arritur profesionalisht në Nancy, por edhe për atë që ai përfaqësonte atje një figurë të nderuar dhe të respektuar në rrethin e tij shoqëror dhe tej tij. Quhej Arian dhe ishte inxhinier gjeolog i diplomuar në Tiranë. Kishte ardhur në Francë (Nancy) jo për qëllime emigrimi, por për të kryer studimet pasuniversitare të nivelit Master për Pasurimin e Mineraleve, në Institutin Kombëtar Politeknik të Lorenës dhe më pas, kishte doktoruar në po të njëjtin Universitet në Shkencat Gjeologjike dhe Ambientale. Pas këtyre të arriturave shkencore nuk kishin munguar dhe ofertat e para për punë, të cilat e kishin “joshur” për t’u punësuar dhe jetuar atje.

Ndërsa fliste për momentet e fillimit të sistemimit në Nancy, Ariani nuk i fshehu, as i mohoi vështirësitë e para të integrimit në shoqërinë franceze, jo vetëm për faktin që ishte një intelektual i huaj, por edhe për faktin se gjithçka e niste nga hiçi, ndryshe nga vendësit. Fillimisht, i punësuar si inxhinier në një ndërmarrje të zonës, më pas, me iniciativën e tij, kishte hapur një kabinet të tij “C.R.E.D.I.-Environnement”, ku ofronte studime, konsulencë, audite, trajnime profesionale në fushën e mbrojtjes së mjedisit, projekte në fushën e riciklimit të mbeturinave industriale, etj.


Por, angazhimi dhe egoja e tij profesionale nuk kishte mbetur me kaq, në një shoqëri si ajo franceze, që të ofron shumë alternativa zgjedhjeje. Pas marrjes së titullit Doktor Shkencash, ai kishte konkurruar dhe nisur punën si pedagog me kohë të pjesshme në disa universitete të zonës, në Universitetin e Nancit, Metzit dhe Strasburgut, punë të cilën vazhdonte ta bënte me të njëjtin pasion dhe përkushtim, pasi, sipas tij, “formimi adekuat profesional i brezit të ri, është suksesi ose mossuksesi i shoqërisë së nesërme”.

Ndërsa koha kalonte dhe ne drekonim, telefoni i Arianit binte vazhdimisht nga punonjësja sociale e zonës, për të përkthyer direkt nëpërmjet linjës telefonike për shqiptarët, të cilët kishin ardhur rishtas në Nancy dhe kërkonin strehim e përkrahje sociale. Pasi Ariani mbaroi disa telefonata, ai më sqaroi se një angazhim i tretë ishte dhe puna e tij si përkthyes i licencuar shqip-frëngjisht-shqip në Gjykatën e Nancit dhe në rajonin e Lorenës.
Pasi diskutuam dhe mbi disa çështje të tjera, drekës i erdhi fundi dhe u ngrita e mbushur me energji pozitive dhe krenare që një individ, përfaqësonte në mënyrë të izoluar, por me dinjitet, emrin shqiptar. U largova nga ai vend me premtimin ndaj vetes që Ariani dhe intelektualë të tillë kudo ndodhen, duhen të falenderohen publikisht për përfaqësimin dinjitoz që na bëjnë në botë dhe që në një farë mënyre, përpiqen të ndryshojnë e përmirësojnë imazhin e krijuar ndër vite për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndaj, menjëherë pas kthimit tim në atdhe, nuk munda të mos ulesha për të shkruar këto rreshta, nisur nga një dëshirë e brendshme, për të treguar se ka dhe shqiptarë që punojnë me dinjitet dhe janë të mirëintegruar në shoqërinë franceze e tej saj…


Gjithsesi, mua më erdhi mirë që rastësia më bëri të takoj një intelektual në një vend të zhvilluar evropian si Franca, që të bënte të ndiheshe krenare për përkatësinë shqiptare, me profesionalizmin dhe angazhimin e tij social. I respektuar socialisht në rrethin e tij shoqëror, jo vetëm nga francezët, të cilët tashmë e konsiderojnë pjesë të tyre, por dhe nga shqiptarët emigrantë, të cilët Ariani u kishte ndihmuar dhe vazhdon t’u ndihmojë për t’u mirintegruar në jetën e përditshme franceze.


Rasti i Arianit është një, por jam e sigurt që si ai ka dhe shumë shqiptarë të tjerë nëpër botë, të cilët punojnë dhe jetojnë njësoj si vendësit në tokë të huaj, me të cilët duhet të krenohemi që janë shqiptarë. U largova me shijen e mirë e dëshirën që shqiptarë të tillë nëpër botë të ketë sa më shumë, për të treguar se jemi një popull me vlera, pavarësisht imazhit të keq të krijuar rreth nesh në botë.


(Pjesë nga “Nacional Albania”)

Përgatiti për faqën "MËRGATA": Sylejman Aliu, shkrimtar

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen