Freitag, 27. April 2018

Prozë urbane nga shkrimtari Bajram Sefaj

Shkrimtari Bajram Sefaj

Fërkimet e para...
(shkëputje nga libri, në sajim, me titull, “prozë urbane”)

Me fal, Hyjni e shtrenjtë, këtu i erdhi dekiku i volitshëm, çasti i shkruar nga andej, pas qiellit, që t’i tregoj dy ndodhi që, përkundër përpjekjes maksimale të kamuflimit e veshjes me petk të bardhë, në thelbin e tyre të fshehtë, ato janë, ashtu si janë! 
Në çast, kujtojmë periudhën kohore kur filluan vajtje- ardhjet e para Kosovë-Shqipëri. 
Shkuarja dhe qëndrimi, sado i shkurtër, në Shqipëri, për shqiptarin e gjorë nga Kosova, ishte ngjarje jashtëzakonisht e madhe. E madhe për ata vetë, që shkonin atje, e madhe për ata që i përcillnin e pritnin që ata të ktheheshin nga Shqipëria. 
Vizitorët fatlum nga Kosova që vizitonin Shqipërinë e ëndrrave, priteshin me asi interesimi të valë që, shikuar nga perspektiva e sotme, ngjan si e pabesueshme. Sikur të ktheheshin nga larg, nga një botë e panjohur dhe çudirave e jo nga Shqipëria që e kishim në derë shtëpie e, në kutinë e zemrës. 
-E si ishte, e çka ishte, çka kishte... ishin pyetjet që ua ndrydhnin thembrat njëra tjetrës.
Pyetja e parë që i shtrohej vizitorit fatlum që kthehej nga Shqipëria në Kosovë, si e pashmangshme, detyrimisht ishte: Kallëzo, si ishte në Shqipëri?
Një bandill i ri fare, një vagabond kosovar, por që Shqipërinë e kishte në zemër, në këtë pyetje dha përgjigjen që, për momentin, ishte shokuese për të gjithë të pranishmit dhe, aty për aty, mori bekimin e përgjigjes më origjinale të mundshme, të dëgjuar deri me atë dekik. Shqipëria ishte vend i mrekullueshëm. I vetmi vend në botë që, më sa fuqi mushkërish që ke në dispozicion, mund të brohorisje Rroftë Shqipëria!, e mos të fitosh birucën, sikur atje, me dashuri e respekt të thellë, e quanin burgun! 
He mor, çuni i Lalës, krejt mirë, thuaj se zbulimi yt është
origjinal dhe gjenial njëkohësisht, por ç’t’i bësh kur kjo liri e kjo brohoritje nuk vlente edhe për shqiptarët e Kosovës. Kujto kohërat kur edhe fëmijët, nxënës të klasave të
para të shkollës fillore, sidomos ata nga brezi i ngushtë kufitar, për një notë të dobët që merrnin në cilëndo lëndë mësimore, ia mbathin pupë e matanë kufirit!
- “Mos jeni këlyshë të Titos”, “provokatorë”, “spiunë”!, me këto e të tjera fjalë mirëseardhje i pritnin shpesh edhe vocërrakët e lerë më të rriturit, midis të cilëve, jo rrallë, kishte njëmend edhe titistë e këlyshë të tjerë të jugosllavit!
Kthehu mbrapsht (siç thonë në Shqipërinë tonë Nënë!), në Tiranë a gjetiu, e provo serish të klithësh britmën: Rroftë Shqipëria! Ani mirë, çdo gjë në rregull, do ti, të thuash e do të hakërroheshe ti. Asgjë e keqe nuk do të ndodhë, aty për aty, fill përnjëherë, por, sa të merret vesh se vjen nga Kosova, lindë dilema e lindur tashmë, helbete mos je këlysh i Titos! Provoje ti vetë, bandill e trim, nuk do të kthehesh aq shpejt në Kosovë! Së paku, pa e parë pi... e maces. Pa e kryer “kursin disavjeçar të riedukimit, në një nga “institutet” e famshme për “riedukim marksiste leninist”, në Burrel, Llakatund, Seman.., a diku tjetër. Mund të zgjidhni, ku të doni, mos ngurroni, vend ka për të gjithë! Ndjehuni mirë e lirë, si në shtëpinë tuaj, (faite comme chez vous) siç ia thonë fjalës francezët!
*
Ndër pyetjet e rralla që u shtroheshin fatlumëve, që atëbotë, vizitonin Shqipërinë, plagën tonë kurrë të pashëruar, ishte: e çfarë ushqim gatuhej atje, çka hahej e çka pihej atje, (mu kënaqë, me u çkoç tuj hëngër!). Larg qoftë, ndokush ta zë në gojë kafshatën e gojës, bukën e zezë, format tulle, koret krejt të djegura shkrumb e brenda, krejt lloç, e papjekur fare, që as i madhi dreq nuk mund ta hante, fare, hiq.
*
Nga kujtimet e pavdekshme, të pa perënduara kurrë, një si imazh, ilustrues, nga vizita e parë në Shqipëri, ruaj “ndeshjen” e rastësishme me Bukën që gatuhej në magjet e xhaxhait Enver!
Prirë nga dialog me nipçen time shumë vjet përpara së këmba të më shkelte në mëmën Shqipëri.
Për shkak të bukës së ligë, ushqimeve me grat, të pakta e pa as një fije mish..., sot e gjithëditën, në tërë Shqipërinë, nuk has në asnjë barkmadh, në as një cullan e të fryrë, trashullak e buçkan, me një fjalë, në Shqipëri nuk ka obeizitet, sëmundje epidemike nga e cila vuan një shumicë njerëzish në botën perëndimore, kapitaliste, reaksione, revizioniste, borgjeze, në zhdukje e shfarosje e sipër... (sipas teorive boshe të mixhës E. Hoxha!), i them nipçes sime, të bijës së sime motër, që si profesoreshë e gjuhës dhe e letërsisë shqipe, në Gjimnazin Skënderbeu, në Ulqin, veçse kthehej nga vizita e parë Mëmëdheut! 
Në këtë sipër, në ekranin televiziv, që gjithnjë hapur na rrinte para sysh, si në parakalim, shfaqet një punëtor shtatmadh, i trashë e barkmadh. Qëllon të jetë punëtor ndihmës në kopshtin zoologjik të qytetit. Le që ishte madh virani, sa një lis me rrema, por edhe cullën e kishte të madhe dhe veç sa nuk i shkonte zhàg përtokë. 
- E ti, dajko, thua se në Shqipëri nuk ka njerëz të trash e barkaçokë! Ja, shiko e bindu!, ma kthen ajo, e lumtur që, si të porositur hyjnish, në atë çast jetik, të debatit të nxehtë, shfaqej shqiptari i shëndetshëm nga Tirana!
- Racionin e mishit të drekës, dedikuar ariut të murrmë, atje nën çatinë e kopshtit, e ka kollofitur ai barkmadh, ia përplas përgjigjen dhe, me dromca shakaje, shtoi: para gjyqit të popullit do të përgjigjet ai, për abuzim, të dënueshëm me ligjet dhe kushtetutën në fuqi! 
Derisa unë shkrihem në gaz, mbesa skuqët deri në vesh, mbërdhezet si të kishte marrë një flakaresh hithi përvëlues!
*
Një tjetër kujtim kurrë të pavdekshëm, që nuk perëndon kurrë, nga vizita e parë Shqipërisë, është ai, kur rastësisht “ndeshi” (shoh) Bukën që gatuhej në magjet e xhaxhait Enver!
Shumë vjet pas debatit të “ashpër” me mbesën time, isha në Shqipëri. Ishte Shqipëria ime parë. Berati im i parë, me legjendën Vrionët (me Jusufin, në zemër!) e të tjerë aristokratë të kohës. Pikërisht në lagjen e Vrionve të Beratit tonë, papandehur krejt, syri ma zë vogëlushen sygacë e faqekuqe: me bukën e zezë (më të madhe se ajo vetë), në një dorë e, me një kaki (lloj hurme), në dorën tjetër! 
Sa “shumë” i shijonte buka e zezë, tullë e papjekur, shoqëruar (shty) me hurmën kaki, asaj shejtanke, çupëline syzezë e faqekuqe!
Cili është fryti me të cilin e han bukën?
Frytit është kaki. E kam ble në merkato!
Nga një çupë sa grima, përnjëherësh “blej” dy fjalë: kaki dhe merkato!
Ishte ko ora e parë, leksioni i parë i gjuhës shqipe, aty në Beratin e J. Vrionit, me mësuesen e vogël sa një gogël!
Nuk vonon shumë e bëhem pronar i tyre! 
Sa i takon asaj pyetjes së fshehur e të mbështjellë me shtatë fish mishema misteresh, që në kushte e rrethana normale, duhej të ishte e para, zakonisht jepej përgjigje me mallkim brenda saj: “Shuaj, goja t’u thaftë, po a q... motra shqiptare, ore pika të pikoftë, gjagajdur!”.. Njëmend, pyetje e mallkuar, për vaktin e atëhershëm. Me vonë, përgjigjen e saktë në ketë pyetje do ta jepnin, trotuaret, rrugët dhe rrugicat e errëta të metropoleve të kontinentin tonë.
(Kujtojeni atë periudhë idile, kur me të madhe , mirë e mbarë, nisen martesat midis gocave të Shqipërisë dhe çunave të Kosovës dhe, kuptohet, anasjelltas. Ky gëzim mbërrini deri në këngë, madje!
Mjerisht kjo ëndërr nuk zgjati shumë. Në vend se për në Kosovë, gocat e reja, të shëndetshme dhe të bukura, nga Shqipëria, morën rrugën e mallkimit Morën rrugën pa kthim për në zonat e thella malore e shkrepave të Shumadisë dhe në shumë vise të tjera, në zona të fshehta e të prapambetura mesjetare, që atje ku janë, në gjuhën serbe, vukojebina u thonë, ose ku bën dreqi ve, thuhet shqip! Në vend se të martohen në Kosovë e të krijojnë familje të shëndosha shqiptare, jo njëmendë, si për të përfillur porosinë ironike, a qihet motra shqiptare!, të rejat shqiptare, për pak para që i fitojnë prindërit e tyre tradhtarë dhe antikombëtar, bijat, evlatet e tyre, ua djersin koqet e thata, vejanëve, pleqve, të moshuarve, herë-herë, edhe handikapëve, të devijuarve mentalë...).
Ha, ha, ha... të qeshesh a të pëlcasësh inati, njësoj!

Ky vajtim ose nismë e këtij kallëzimi të shkurtër, rakitik, astmatik, mbërthyer ethesh, shprehur pa pikë sharmi e shkathtësie rrëfimi, ndjell në mend edhe një tjetër kallëzim, paksa me leqe e dredha më të mëdha, që e bën atë të vështirë për t’u kallëzua: jeto për ta treguar, porositë Gabo Markez!
Do t’i dilet matanë, disi.
-A ka Enveri (Hoxha) merita për Kosovën? – ishte njëra nga dyzet pyetjet standarde dhe të njëjta për anketuarit. Një gazetar i zoti i gazetës së shquar ditore në Kosovë, me këtë anketë e mbajti gjallë gazetën e vet, për disa javë (prej jave në javë), për disa muaj e mbase për nja dy a tri vjet e më shumë.
-Po, ka: Merita Halilin*!
Kjo ishte përgjigjja e shkurt dhe e qartë, e njërit nga (shumë) të anketuarit, ishte gjeniale! Përgjigje të cilën duhet mbajtur në mend, duhet respektuar e mbajtur gjallë, me riprodhime e vaditje të shpeshta, të njëpasnjëshme.
___________ 
(Merita Halili*, është një interpretuese e këngëve popullore, e dashur, e respektuar dhe shumë e popullarizuar nga Shqipëria, e martuar për një shqiptar nga Kosova. Me kusht që Enver Hoxha të këtë pasur dijeni se në Kosovë jetojnë shqiptarë! Shpjegim ky i panevojshëm fare!). 
(diku në francë, prill 2018)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen