Mittwoch, 10. September 2014

Qasje ndryshe mbi çështjen e mërgimit

  • Vetëm për ata që vendlindjen nuk e njohin për parajsën e tyre të përjetëshme, por përbuzjen e tyre të përditshme! Z.A.R
 
Nga Zejnepe Alili-Rexhepi
 
Një qasje ndryshe mbi çështjen e MËRGIMIT, shikur nga një këndvështrim tjetërsoj!
Me këtë rast, përjashtim bëjnë të gjithë ata mërgimtarë, të cilët kudo që ndodhen nëpër botë, e ruajnë gjuhën dhe kontribuojnë për çështjen shqiptare, madje nuk e fshenin identitetin për ta pasur më të lehtë ambientimin në dhe të huaj, por me krenari e pranojnë që janë shqiptarë, duke reflektuar virtytet e kombit!
 
 
MËRGIMI - Si të pagëzohet ndryshe???
 
Dikur, mendoja se shpirti aventurier i individit, thuajse gjithmonë paraprihej nga kërkesat e patjetërsueshme të kohës, shenjat e fatit që duhej të ndiqeshin. Dhe këto sigurisht s’janë të pakta. Eh, për këtë dilemë një shkrimtar i njohur brazilian, fitues i çmimit Nobel, do të thoshte: “Vetëm një rreth të zgjedhurish e njihte domethënien magjike”, pra, s’do mend… të shenjave që duhet të ndiqen duke sajuar “rrugën vetjake”, por çuditërisht të vragëzuar nga një forcë tjetër, ndoshta e padukshme për syrin e zakonshëm, por gjithsesi e mbinatyrshme… Mos vallë, me këtë rast kemi të bëjmë me simbolikën e pamohueshme: “ZAHIR”, të “të padukshmes” që të përvetëson, të pushton…?!
Atëherë, le të mendojmë se ZAHIRI “është diçka që pasi e ke parë ose prekur një herë, nuk e harron më kurrë dhe, pak nga pak, pushton të gjitha mendimet tona, deri sa na bën të çmendemi”.
Duke shfletuar ca poezi (të njërës nga veprat e mia poetike), ndalem më vëmendshëm nëpër vargje... Në çast, sikur më tërheq poezia, “Ndiqe kohën”, sepse është njëra nga ato që të nxisin ndjenjën e krenarisë vetjake, por edhe keqardhjen kolektive, njëkohësisht. Janë këto vargje të një poezie të shkruar shumë kohë më parë, gjatë kohës kur isha studente.
 
Në tingujt e lahutës së lashtë
toka përjetoi të dridhura!
Trastat u vunë në kraharor.
Buka nuk gatuhet më!
 
Është fare lehtë të kuptohet se prej nga frymëzimi i këtillë i vargjeve, motivi i këtij llojit! Mjafton që mbrëmjeve të bredhësh në qytetin tim që është mbushur plot e përplot mërgimtarë “modernë”, që flasin thuajse të gjitha gjuhët e botës, po sigurisht në mesin e atyre gjuhëve mungon vetëm një gjuhë, gjuha e të parëve të tyre ose ajo flitet e cunguar dhe e mbushur plot fjalë të huaja duke filluar nga fjalët më të thjeshta (fyerje-sharjet) deri tek fjalët profesionale.
Po në këtë valë tërbimi “të kuptueshëm”, s’di ku mund të katandisemi vallë!?
Një gjë është e njohur, pa një imazh të mirëfilltë të kulturës etnike, s’do të kemi vlerë të merituar në kulturën botërore! Në këtë, besoj se pajtohemi të gjithë!!!
Sërish e lexoj poezinë dhe mundohem të deshifroj çdo fjalë, çdo varg të shkruar në të. Mendoj se vargjet e kësaj poezie, janë shumë aktuale edhe sot. Ndoshta, sepse ky rrugëtim lidhet për një pasion kalimtar!
 
Ti që legjendën e ktheve në përrallë,
ëndrrat i gremise nëpër rrugët e botës,
vetëm për një metelik më tepër!
Harrove gjakun e kujt e mbaje,
krenarinë e ktheve në lëmoshë
për një “Ti amo” e “Sagapo”
ndërrove gjuhën më të këndshme
nga varrezat që rrënkojnë shqip.
 
Atëbotë, më vjen ndërmend shprehja e lashtë “Guri peshon në vend të vet”. Kjo temë për mërgimtarët tanë, dikur qe një argument me interes, “por tani më nuk hynë në kuriozitetet e tyre të përditshme”. Dhe, përdëllimi vazhdon! Të zbrazëta mbetën pragjet e shtëpive, të shkretuara kopshtet... Edhe lotët e mallit u shterën më, pasi braktisjet e atyre kullave, të ndërtuara me djersë e gjak, janë të shpeshta, të përditshme. Ishte kjo një dilemë që trajtohej mjaft mirë tek shkrimtarët tanë të Rilindjes, por edhe më vonë në letërsinë bashkëkohore. Mjafton këtë temë ta përmbledhim në një simbolikë “Tymi i votrës së fikur”. Pra, s’është e largët dhe e harruar ajo kohë. Realiteti i mërgimtarëve tanë është ende i hidhur, ndoshta ka ndryshuar vetëm drejtimi i rrugëve që marrin.
Dikur, së paku gjenim ngushëllim se mërgimi ishte tejet i dhembshëm dhe i dhunshëm (shpërnguljet nga pushteti i huaj), kurse sot, ndjenjat tona janë të zbrazëta, të udhëhequra nga lakmia e pakufishme për stoli pa vlerë. Ndoshta kjo bëri që ndjenjat tona të jenë të tilla. Madje, djersa e punës së atyre, në mërgim derdhet vetëm për ngritjen e “kullave”. Pastaj, të mburren me kullat e paprekura, të lëna në mëshirën e fatit, të cilat me dhembje e kujtojnë gjallërinë e fëmijërisë së tyre të kaluar në to... Këtë ndjenjë, e ka përshkruar bukur poeti tetovar Nexhat Pustina (1926-1982), në vargjet e poezisë “Nostalgjia e mërgimtarëve”:
 
Një valixhe shtëpi tokë
Me të ecin nëpër botë
Sot një lajm nga Parisi
Nesër letër nga Brindizi.
 
Një ditë, pa hamendje, këto kulla do të shemben nga koha, derisa ata bredhin rrugëve të botës, duke belbëzuar pak “zvicerançen”, “gjermançen” e “italiançen”, me idenë se janë gjuhë kulture, ndërsa ata që i flasin janë më të kulturuar se të tjerët. Po kjo, s’na kujton gjë tjetër pos “Levantinëve” të F. Konicës, kategori njerëzish që harrojnë se krenarinë dhe identitetin kombëtar para botës ua jep vetëm gjuha amtare - si simbol parësor i kulturës së popujve.
Skenat e tilla janë bërë pothuajse të zakonshme në qytetin tim. Sa shpejt harrojmë apo nuk e dimë fare se shqipja jonë është shumë më e begatshme dhe melodike?! Madje këtë, a nuk e kanë portretizuar shumë mendje të ndritura të kulturës sonë… po këtë e ka shënuar që moti Naim Frashëri i madh. Mendoj, nëse çdo popull identifikohet përmes traditave të bukura, atëherë duhet ditur se njerëzit janë ata që duhet t’i ruajnë dhe kultivojnë traditat e mirëfillta dhe si të tilla t’i prezantojnë para botës. Nëse ne besojmë në vlerat e larta të traditës sonë, atëherë pikërisht ky besim le të jetë dëshmi e një të kaluare lavdiplote dhe le të na prijë me virtytet e mrekullueshme të Rilindjes shqiptare!
S’di deri kur do të nisemi shtigjeve pa kthim, duke lënë vatra të braktisura dhe plagë të hapura?! Po sërish pritja e ankthshme në pragjet e shtëpive është e njëjtë. i pashuar mbetet edhe malli i fëmijëve, lokeve që presin me shikimin e ngulitur kah pragu i shtëpisë, malli i nuseve “me vello të bardhë”, që brengosen për dashurinë dhe fatin e tyre të pa zot.
Cilat gjurmë i ndjekim pra??? Lehtësimin e brengës së gjithmbarshme apo ëndrrën vetjake që kemi zgjedhur pa vrarë mendjen për identitet kombëtar?! Le të besojmë në atë që ndjejmë dhe duam të besojmë!
Pa koment! I tmerrshëm është mërgimi! Bredhjet e mërgimtarëve nëpër shtigje pa kthim, vazhdojnë ende. Sytë humben në pritje… dhe pritjet bëhen të padurueshme. Vetëm se, pritjet e dikurshme nëpër binarët e trenave janë zëvendësuar me ankth pritjesh për fluturimin e aeroplanëve. Po mërgimi mbetet po ai. Mban po të njëjtën vulë të trishtë… S’ka si të pagëzohet ndryshe!
 
Botuar në gazetën: “Koha”, Shkup, 18 korrik 2007.
Botuar në revistën: “Shqiptarja”, v. VIII, nr. 1, Tetovë, 2007.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen