Donnerstag, 7. August 2014

Fadil Curri - Letërsi mërgimtare (I)

POEZI ME IDE E BUKURI MALLI

Besim Xhelili: “Mes luleve e lotit”(poezi), SHB “Ura”, Prishtinë 2013

Poeti Besim Xhelili në librin e tij më të ri “Mes luleve e lotit” na vie me hapërim shumë më madhështor se në librat paraprakë, në të cilët frymëzimi përshkohej nga fabula deklarative e përjetimeve. Këtë herë autori përfutet në qëmtimin e temave më të guximshme,...
më të ndjeshme dhe më madhore e që kërkojnë dealbirintizime historike, aktuale e perspektive. Trikohësia e mallit dhe e krenarisë kolektive në sheshin poetik shfaqet si kundrim autorial tejet relaksues, herë si mall për të shkuarën e zhbërë, herë me krenarinë e shpëtuar, herë me platformë rivitalizuese të krenarisë kombëtare. Te shkuarën e ka frymëzim në ciklin “…ethe Atdheu”.

Koshient për padrejtësitë e bëra popujve të vegjël nëpër konferencat vendimmarrëse gjatë historisë nga ana e popujve të mëdhenj, autori është kundër hartave të skicuara me imponim e levërdi të njëanshme, ndaj edhe me bashkëbisedë të poetizuar porosit të grisen hartat, sepse në to nuk janë pajonët, dalmatët e dardanët e tretur dhe i vetmi ngushëllim do të ishte bashkimi i dashurive dhe tokave shqiptare në një Shqipëri të bashkuar të Evropës së po të këtillë. Vendin e tij historik e aktual, kuptohet me syrin perspektiv, poeti sikur e prindëron me ATDHE e MËMËDHE.

Shtati i tij nuk është si i paracaktuar nga armiqtë, por që flitet nga një abetare civilizuase, çelës i shprehjes së dëshirave në Tetovë, Shkup, Preshevë, Ulqin e Janinë, pra edhe në atë shtrat ku gjenden gjymtyrët e tij jashtë jorganit. Kundër hartës së shtatit është autori, duke kujtiuar se edhe Tetovën Perëndia e la këtu ku është, si ishte ilirike.

Në këto poezi harta e gëzimit të atdheut nuk është e tkurur sipas qejfit të të huajve, por shtrihet sipas dëshirës reale të banuesve të saj dhe në gëzime hedhin valle për shtetbërien bashkërisht, kudo ku flitet shqipja.

Atje sot flamujt valojnë Kuq e zi është bërë rruga
Nga Tirana në Prishtinë Shkupi, Tetova deri te Struga.
Nga Malësia deri në Shkodër
Hidhet vallja e shqipeve me lodër
N’ Mitrovicë e Preshevë pushkët krisin
Dhe në Prizren vallen e nisin.

 

Grisësve të hartave vetanake u fshikullon kamçikun poetik autori, herë me stigmatizimin fabulativ në Teatrin e kafshëve e të katilëve, përibindëshve, qenve të tërbuar, ujqve e ardhacakëve që duan t’ua përdhosin pasurinë lëndore e shpirtërore vendësve. Heshtja ndaj këtyre dramave ndjellakeqe është temë përzgjimi për poetin, sa nuk është bërë vonë. Këto mbrapështi sjellin edhe tmerrin e jetës mjerane, sa edhe Migjenin e kërkon të jetë krah i lëmoshëtarëve të pakrahë. Në këtë cikël frymëzimesh mes mallit e krenarisë, mes të dukshmes shpresëdhënëse e të padukshmes së zhbërë, janë edhe konturat e shpirtit të pathyer, të pezmatuar dhe që meriton rindërtimin e tij. Fjalët Atdheu e Flamur janë të përveçme dhe shkruhen me gërma të mëdha, ndaj në këtë nuk ndikojnë as edhe ndasitë fetare që përpiqen të bëjnë ndaj myslimanëve e katolikëve përçarësit e shqiptarisë, të cilët e flasin gjuhën që e trashëgojnë me shpirt të përbashkët historik shumëfetar.

Një botë tejet intime e përshkon ciklin e dytë të përmbledhjes së poezisë “…mes luleve e lotit”. Ndjenja e dashurisë në vargje kundrohet me realitet dhe asnjanjësi, por me intimitet të thjeshtë sipas lakmisë së sinqertë. Idila dashurore vie në trajta të kujtimeve me ide të këndshme, që paksa mund të ketë edhe ndikime foklorike, si është dalja me fustan shkallëve. Vedlindjen këtu e identifikon me “atje poshtë”, kundruar vendin ku ndodhet personazhi krijues në kurbet. Në “atje poshtë” nxjerrin dritë edhe bestytnitë për mbulesën e bukurisë, që të mos shëmtohet nga syri i huaj. Dashuria platonike është asgjë karshi dashurisë substanciale, të qenshmes. Flijimi bëhet edhe në përpjekjet për regjisor, yjësor, shkrimtar e qyqe të jetë pranë saj prore.

Nuk mugonjnë përshkrimet figurative, metaforizimet e ngjarjeve të përjetuara, kur paraburgim identifikohet çasti i puthjes. Dashuria është derë e lumturisë, ndaj edhe nuk është ligësi nëse ka dhembje zemre nga mungesa e saj. Ndjenja e dashurisë lundron inspirativisht nga poeti nëpër stinë e ditënatë, trazime shpirtërore herë të gëzueshme e herë dëshpëruese, herë shpresëhumbur e herë kurajuese. Poezia do realizimin faktik të shiprtëtsisë dashurore.

Mos u pafshim në atë botë,
Nëse këtu sot ma pi gjakun!
Pastaj, po në të njëjtën poezi
sikur do të klithë dëshpërueshëm:
Mos u pafshim në atë botë,
Edhe nëse duan të na falin!
Mos u pafshim në atë botë,
Edhe nëse duan të na shndërrojnë ne engjuj!


Ndryshe, si dashuri e vdekur, nuk e do as në parajsë, as në çastin e gjykimit në tjetërbotë. Megjithë rëniengritjet dashurore, poeti prore e vë në vijimësi jetën, vetëkurajimin dhe rikrijimin. Pra. porosia vargëruese rrëfen që e bukura dhe dashuria janë të frytshme në të gjallë, kur edhe është krijuar të shërbejë si erë e lehtë që i ledhaton e freskon krihët e zogut, si e thotë në një poezi. Dashuria është lumturi, ringjallje, shpëtim e strehim.

Interesant është edhe cikli i fundit “Përmallim”, në të cilin kryekeje ka krionika të poetizuara të mallit e të kujtimeve për vendlindjen e atdheun. Dendur vehet në qarkullim figura e personifikimit, herë si erë e herë si dallëndyshe, por i mbërthyer nga malli e kujtimi. Na kujton këtu dallëndyshen e Filip Shirokës që e dërgon nga kurbeti në Shkodër, bukolikën e Naim Frashërit për vendet e bukura të maleve e fushave të Shqipërisë. Malli është emblemë e frymëzimit dhe e hapërimit poetik edhe kur personifikon me dallëndyshet:

Ju e dini sa larg kam shkuar
Shumë herë me veten për ju flas,
Jo, jo, juve nuk ju kam harruar
Shpirti më qan, zemra më plas.


Ose,

Atje ku keni ndërtuar folenë
Ku më ngroh një ndjenjë e pafund,
Atje me ju dua të ndaj harenë
Dallëndyshet e mia, ju shoh gjithkund.


E lut erën që ta marrë e ta kthejë në vendlindjen e tij, ku do të përqafojë nënën e babain, të shohë shkollarët si shkojnë në shkollë, të rishohë zogjtë që i mungojnë reciprokisht, të endet nëpër luadhet duike e kujtuar çapkënllëkun fëmijëror, duke vjedhur speca e domate. Ndër poezitë më të bukura të këtij cikli, mbase edhe tërë librit, është “Dallëndyshet e mia”, në të cilën derdhet i tërë shpiriti përmallues i një mërgimtari. Këtu del premtimi se shmangia nga atdheu është relative, sepse pleqërinë pandeh ta ketë atje, si do të thoshte Çajupi - “ku i duket balta më e ëmbël se mjalta”.

Edhe këtë cikël e përshkon pikëllimi, sidomos për shokët e vdekur, me të cilët i lidh kujtimi i jetës së shkuar me ta në fëmijëri e rini, sportimet e miqësimet e pahile, malli për mësuesin dhe Përshefcën e tij të dashur, vendlindjen e paharrueshme dhe që është krenar që nga ajo doli. E konsideron të djeshmen, të sotmen e të nesërmën nënë e baba, veten e ndjen të madh e të fortë sa një mal, dashuri e zhgënjim, shpresë e rimëkëmbje.

Përgjithësisht shikuar, libri “Mes luleve e lotit” i Besim Xhelilit sjell freski letrare ndër lexuesit. Karakterizohet me pjekuri të përparuar nga veprimtaria e deritashme letrare, komunikon me poezinë frymëzimisht e fugurativisht shumë këndshëm. Idetë e autorit për çështjet historike kombëtare e jo vetëm kaq, për fatet e ndërlikuara me padashje nga ai, janë tejet të çiltëra e të guximshme. Vërehet edhe një përparim i mbarështrimit poetik, tejet i këndshëm për lexuesit.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen